Filozofia greke—A e pasuroi krishterimin?
«Edhe pse ishte kundër kulturës pagane, greke dhe romake, krishterimi, në fakt, mori shumë nga filozofia klasike.»—The Encyclopedia Americana.
NDËR ata që kanë pasur një ndikim vendimtar mbi mendimet «e krishtere», «Shën» Agustini mban një pozitë të padiskutueshme. Sipas The New Encyclopædia Britannica, «mendja [e Agustinit] ishte furra e shkrirjes, në të cilën feja e Besëlidhjes së Re u përzie pothuajse plotësisht me traditën platonike të filozofisë greke, si edhe ishte mjeti përmes të cilit produkti i kësaj shkrirjeje iu transmetua feve të të ashtuquajturit krishterim, pra, katolicizmit romak mesjetar dhe protestantizmit të Rilindjes».
Trashëgimia e Agustinit është me të vërtetë e rrënjosur fort. Duke folur për masën në të cilën filozofia greke ka ndikuar tek i ashtuquajturi krishterim, Daglas T. Holden tha: «Teologjia e krishterë është shkrirë kaq shumë me filozofinë greke, saqë ka edukuar individë që janë një përzierje me nëntë të dhjetat mendime greke dhe një të dhjetat mendime të krishtere.»
Disa studiues janë të bindur se ky ndikim filozofik ia rriti vlerën krishterimit, i cili ishte në fëmijërinë e vet, e pasuroi mësimin e tij dhe e bëri më bindës. A ishte kështu? Si dhe kur ndodhi ndikimi i filozofisë greke? A e pasuroi faktikisht krishterimin apo e ndoti atë?
Do të na hedhë dritë mbi këtë, konsiderimi i një sërë zhvillimesh që ndodhën, nga shekulli i tretë p.e.s. deri në shekullin e pestë të e.s., duke shqyrtuar katër terma të çuditshëm: (1) «judaizmi i helenizuar», (2) «helenizmi i krishterizuar», (3) «krishterimi i helenizuar» dhe (4) «filozofia e krishterë».
«Judaizmi i helenizuar»
Termi i parë, «judaizmi i helenizuar», është vërtet një kontradiktë. Feja origjinale e hebrenjve, e cila u themelua nga Perëndia i vërtetë, Jehovai, nuk duhej ndotur me idetë e feve të rreme. (Ligji i përtërirë 12:32; Fjalët e urta 30:5, 6) Por, që nga fillimi, pastërtia e adhurimit u gjend nën kërcënimin e korruptimit nga praktikat dhe mendimet e rreme fetare që rrethonin këtë adhurim, siç ishte ndikimi nga burimet egjiptiane, kananite dhe babilonase. Mjerisht, Izraeli lejoi që adhurimi i tij i pastër të korruptohej thellësisht.—Gjyqtarët 2:11-13.
Shekuj më vonë, kur Palestina e lashtë u bë pjesë e Perandorisë Greke, nën Aleksandrin e Madh, në shekullin e katërt p.e.s., ky korruptim u thellua më shumë se kurrë më parë dhe la pas një trashëgimi të qëndrueshme e gërryese. Aleksandri rekrutoi judenj në ushtrinë e tij. Kontaktet mes judenjve dhe pushtuesve të tyre të rinj ndikuan thellësisht mbi mendimet fetare të judenjve. Në arsimimin judaik depërtuan mendimet helene. Kryeprifti Jason është i njohur për faktin që ka themeluar një akademi greke në Jerusalem, në vitin 175 p.e.s., për të çuar më përpara studimin e Homerit.
Është interesant fakti se një samaritan, i cili shkroi në gjysmën e dytë të shekullit të dytë p.e.s., u përpoq ta paraqiste historinë biblike si historiografi të helenizuar. Disa libra apokrifë judaikë, siç janë Judita dhe Tobia, faktikisht bëjnë fjalë për legjenda erotike greke. Në atë kohë dolën një numër filozofësh judaikë, të cilët u përpoqën të pajtonin mendimet greke me fenë hebraike dhe me Biblën.
Personazhi të cilit i jepet më shumë merita për këtë është Filo, një hebre i shekullit të parë të e.s. Ai përvetësoi doktrinat e Platonit (shekulli i katërt p.e.s.), të pitagorasve dhe të stoikëve. Judenjtë u ndikuan thellësisht nga pikëpamjet e Filos. Duke përmbledhur këtë depërtim intelektual të mendimit grek në kulturën judaike, autori hebre, Maks Dimënt, thotë: «Të pasuruar me mendimin platonik, me logjikën aristoteliane dhe me shkencën euklidiane, dijetarët judenj e morën në shqyrtim Torën, duke përdorur mjete të reja. . . . Ata filluan t’i shtonin zbulesës judaike arsyen greke.»
Me kalimin e kohës, romakët i zunë vendin Perandorisë Greke, duke marrë pushtetin mbi Jerusalemin. Kjo hapi rrugën për ndryshime edhe më të mëdha. Aty nga shekulli i tretë i e.s., doktrinat filozofike dhe fetare të mendimtarëve që u përpoqën të zhvillonin dhe të sintetizonin idetë e Platonit, morën formën e tyre përfundimtare, e cila sot njihet në përgjithësi si neoplatonizmi. Kjo shkollë mendimi ishte gati për të pasur një ndikim të thellë mbi krishterimin apostat.
«Helenizmi i krishterizuar»
Gjatë pesë shekujve të parë të erës sonë, disa intelektualë u përpoqën të tregonin se ekzistonte një lidhje mes filozofisë greke dhe të vërtetës së zbuluar në Bibël. Libri A History of Christianity thotë: «Metafizikanët e krishterë duhej t’i përshkruanin grekët e dekadave para Krishtit si njerëz që luftonin burrërisht, por verbërisht, për të njohur Perëndinë, duke u përpjekur, si të thuash, ta sajonin Jezuin nga gjepurat athinase, ta shpiknin krishterimin nga mendjet e tyre të varfëra pagane.»
Plotini (205-270 i e.s.), një pararendës i këtyre mendimtarëve, zhvilloi një sistem që bazohej kryesisht mbi teorinë e ideve të Platonit. Plotini paraqiti konceptin e shpirtit të ndarë nga trupi. Profesori E. W. Hopkins tha për Plotinin: «Teologjia e tij . . . pati një ndikim të konsiderueshëm mbi udhëheqësit e ideve të krishtere.»
«Krishterimi i helenizuar» dhe «filozofia e krishterë»
Duke filluar në shekullin e dytë të e.s., mendimtarët «e krishterë» bënë një përpjekje të vendosur për të ndikuar tek intelektualët paganë. Pavarësisht nga paralajmërimi i qartë i apostullit Pavël kundër «fjalëve të kota që dhunojnë atë që është e shenjtë» dhe «kontradiktave të asaj që quhet në mënyrë të rreme ‘njohuri’», këta mësues përzjenë në mësimet e tyre elemente filozofike nga kultura helene që i rrethonte. (1. Timoteut 6:20, BR) Shembulli i Filos, me sa duket, sugjeroi faktin se ishte e mundur të pajtoje Biblën me idetë platonike.—krahaso 2. Pjetrit 1:16.
Sigurisht, viktima e vërtetë ishte e vërteta biblike. Mësuesit «e krishterë» u përpoqën të tregonin se krishterimi ishte në harmoni me humanizmin greko-romak. Klementi i Aleksandrisë dhe Origjeni (shekulli i dytë dhe i tretë i e.s.) e bënë neoplatonizmin themelin e asaj që u bë e njohur si «filozofia e krishterë». Ambrozi (339-397 i e.s.), peshkop i Milanos, kishte «përvetësuar mësimet më të përditësuara greke, si të krishtere, ashtu edhe pagane, të cilat duket qartë se i kishte marrë nga veprat . . . e Plotinit, neoplatonistit pagan». Ai u përpoq t’u jepte romakëve të kulturuar një version klasik të krishterimit. Agustini ndoqi shembullin e tij.
Një shekull më vonë, Dionis aeropagiti (i mbiquajtur edhe pseudo-Dionisi), ndoshta një murg sirian, u përpoq ta bashkonte filozofinë neoplatonike me teologjinë «e krishterë». Sipas një enciklopedie, «shkrimet [e tij] përcaktuan një prirje përfundimtare neoplatonike në vargun e gjatë të doktrinës dhe karakterit frymor të krishterë në Mesjetë, . . . prirje e cila ka përcaktuar aspekte të karakterit fetar e besimtar të kësaj doktrine, deri në kohët tona». Sa mospërfillje flagrante e paralajmërimit të apostullit Pavël kundër ‘filozofisë dhe mashtrimeve të kota, sipas traditës së njerëzve’!—Kolosianëve 2:8.
Ndotës që korruptojnë
Është vënë re se «platonistët e krishterë i dhanë rëndësi parësore zbulimit hyjnor dhe e konsideruan filozofinë platonike si mjetin më të mirë në dispozicion për të kuptuar dhe për të mbrojtur mësimet e Shkrimeve dhe traditën e kishës».
Vetë Platonin e kishin bindur për ekzistencën e shpirtit të pavdekshëm. Në mënyrë domethënëse, një nga mësimet e rreme më të spikatura që janë futur në teologjinë «e krishterë» është mësimi i pavdekësisë së shpirtit. Pranimi i këtij mësimi nuk mund të justifikohet aspak mbi bazën se kjo gjë e bëri krishterimin më tërheqës për masat. Kur predikoi në Athinë, e cila ishte tamam qendra e kulturës greke, apostulli Pavël nuk mësoi doktrinën platonike të shpirtit. Përkundrazi, ai predikoi doktrinën e krishterë të ringjalljes, edhe pse shumë nga dëgjuesit grekë e patën të vështirë ta pranonin atë që tha ai.—Veprat 17:22-32.
Në kundërshtim me filozofinë greke, Shkrimet tregojnë qartë se shpirti nuk është ajo që ka një person, por ajo që ai është. (Zanafilla 2:7) Me vdekjen, shpirti pushon së ekzistuari. (Ezekieli 18:4) Predikuesi 9:5 na thotë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë, për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.» Doktrina e pavdekësisë së shpirtit nuk mësohet në Bibël.
Një mësim tjetër mashtrues kishte të bënte me pozitën e Jezuit paranjerëzor, pra, me nocionin se ai ishte i barabartë me Atin e vet. Libri The Church of the First Three Centuries shpjegon: «Doktrina e Trinitetit . . . e pati origjinën prej një burimi krejt të ndryshëm nga burimi i Shkrimeve Hebraike dhe të Krishtere.» Cili ishte ky burim? Doktrina «u zhvillua dhe iu transplantua krishterimit, nga Etërit platonistë».
Në fakt, me kalimin e kohës dhe ndërsa Etërit e Kishës u ndikuan gjithnjë e më tepër nga neoplatonizmi, trinitarianët tërhoqën më shumë njerëz. Filozofia neoplatonike e shekullit të tretë duket se u dha mundësi atyre që të pajtonin të papajtueshmen, pra, të bënin që një Perëndi tresh të dukej si një Perëndi. Me anë të arsyetimeve filozofike ata pohuan se tre persona mund të ishin një Perëndi, ndërkohë që do të mbanin secili individualitetin e vet!
Por, e vërteta biblike tregon qartë se vetëm Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm, se Jezu Krishti është Biri i Tij i krijuar, që ka një pozitë më të ulët dhe se fryma e shenjtë është forca e Tij aktive. (Ligji i përtërirë 6:4; Isaia 45:5; Veprat 2:4; Kolosianëve 1:15; Zbulesa 3:14) Doktrina e Trinitetit poshtëron të vetmin Perëndi të vërtetë dhe pështjellon njerëzit, duke i larguar nga një Perëndi të cilin nuk mund ta kuptojnë se si është.
Një viktimë tjetër e ndikimit neoplatonik mbi mendimet e krishtere ishte shpresa e bazuar në Shkrime për mijëvjeçarin. (Zbulesa 20:4-6) Origjeni njihej për faktin se i dënonte mbështetësit e mijëvjeçarit. Përse i kundërvihej ai kaq shumë mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit, kësaj doktrine të themeluar mirë në Bibël? The Catholic Encyclopedia përgjigjet: «Duke pasur parasysh neoplatonizmin, mbi të cilin bazoheshin doktrinat e tij . . . , [Origjeni] nuk mund të mbante anën e mbështetësve të mijëvjeçarit.»
E vërteta
Asnjëri prej zhvillimeve të përmendura më sipër nuk pati të bënte me të vërtetën. Kjo e vërtetë është e gjithë tërësia e mësimeve të krishtere, të cilat gjenden në Bibël. (2. Korintasve 4:2; Titit 1:1, 14; 2. Gjonit 1-4) Bibla është i vetmi burim i së vërtetës.—Gjoni 17:17; 2. Timoteut 3:16.
Megjithatë, armiku i Jehovait, i së vërtetës, i njerëzimit dhe i jetës së përhershme, pra, Satana Djalli, ‘gënjeshtari’ dhe ‘ati i rrenës’, ka përdorur një shumëllojshmëri mënyrash mashtruese për ta shtrembëruar këtë të vërtetë. (Gjoni 8:44; krahaso 2. Korintasve 11:3.) Ndër mjetet më të fuqishme që ka përdorur janë mësimet e filozofëve paganë grekë, që janë faktikisht pasqyrim i mendimeve të tij, duke u përpjekur për të ndryshuar përmbajtjen dhe natyrën e mësimeve të krishtere.
Kjo lidhje e panatyrshme e mësimeve të krishtere me filozofinë greke është një përpjekje për të holluar të vërtetën biblike, duke e zvogëluar forcën dhe tërheqjen e saj ndaj të butëve, të sinqertëve dhe kërkuesve të së vërtetës, të gatshëm për të mësuar. (1. Korintasve 3:1, 2, 19, 20) Ajo, gjithashtu, synon të ndotë pastërtinë e doktrinave të pastra si kristal të Biblës, duke e bërë të mjegullt vijën që ndan të vërtetën nga ajo që është e rremë.
Sot, nën drejtimin e Kreut të kongregacionit, Jezu Krishtit, mësimi i vërtetë i krishterë është rivendosur. Gjithashtu, kërkuesit e sinqertë të së vërtetës mund ta identifikojnë me shumë lehtësi kongregacionin e vërtetë të krishterë, nga frytet e tij. (Mateu 7:16, 20) Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm dhe të zellshëm për t’i ndihmuar këta persona që të gjejnë ujërat e pandotura të së vërtetës dhe t’i ndihmojnë ata për t’u mbajtur fort pas trashëgimisë së jetës së përhershme, të ofruar nga Ati ynë, Jehovai.—Gjoni 4:14; 1. Timoteut 6:19.
[Figura në faqen 11]
Agustini
[Burimet e figurave në faqen 10]
Teksti grek: Nga libri Shkrimtarë të lashtë grekë: Phaedo e Platonit, 1957, Joanis N. Zakaropulos, Athinë; Platoni: Musei Capitolini, Roma