Jetë pas vdekjes: Çfarë besojnë njerëzit?
«Nëse një burrë i shëndetshëm vdes, a mund të jetojë përsëri?»—JOBI 14:14, BR.
1, 2. Si kërkojnë ngushëllim shumë persona, kur u vdes një njeri i dashur?
NË NJË shtëpi funerali në qytetin e Nju Jorkut, miqtë dhe familjarët, të heshtur kalojnë pranë arkivolit të hapur të një djaloshi 17-vjeçar, jeta e të cilit është konsumuar nga kanceri. Nëna zemërplasur e djaloshit, e mbytur në lot, përsërit vazhdimisht: «Tomi është më i lumtur tani. Perëndia donte që Tomi të ishte me të në qiell.» Këtë i kanë mësuar të besojë.
2 Rreth 11.000 km larg, në Jamnagar, Indi, më i madhi i tre djemve ndez me një pishtar kërcunjtë e turrës së druve për të djegur trupin e atit të tyre të vdekur. Nën kërcëllimën e zjarrit, prifti brahman psal në sanskritishte një mantras që thotë: «Vazhdoftë shpirti që nuk vdes kurrë, në përpjekjet e tij për t’u bërë një me realitetin e fundit.»
3. Mbi cilat pyetje kanë medituar njerëzit për shekuj?
3 Realiteti i vdekjes gjendet kudo përreth nesh. (Romakëve 5:12) Është thjesht normale të pyesim nëse vdekja është fundi i gjithçkaje. Duke medituar mbi ciklin natyror të bimëve, Jobi, një shërbëtor besimplotë i Perëndisë Jehova në kohët e lashta, vërejti: «Ka shpresë edhe për një pemë. Madje, nëse pritet, do të mugullojë prapë dhe fidani i saj nuk do të pushojë të jetë.» Po për njerëzit? «Nëse një burrë i fuqishëm vdes, a mund të jetojë përsëri?»—pyeti Jobi. (Jobi 14:7, 14, BR.) Përgjatë shekujve, njerëzit në çdo shoqëri kanë medituar mbi pyetjet: A ka jetë pas vdekjes? Nëse po, çfarë lloj jete? Për pasojë, çfarë kanë arritur të besojnë njerëzit? Dhe përse?
Shumë përgjigje, një temë e përbashkët
4. Çfarë besojnë njerëz të feve të ndryshme për jetën pas vdekjes?
4 Shumë nga ata që pohojnë se janë të krishterë besojnë se pas vdekjes, njerëzit shkojnë ose në qiell, ose në ferr. Hinduistët, nga ana tjetër, besojnë në rimishërimin. Sipas besimit islamik, do të ketë një ditë gjykimi pas vdekjes, kur Allahu do të vlerësojë mënyrën e jetës së secilit dhe pastaj do ta dorëzojë ose në parajsë, ose në ferrin e zjarrtë. Në disa vende, besimet lidhur me të vdekurit janë një kombinim i çuditshëm i traditave lokale me të quajturin krishterim. Për shembull, në Sri Lanka, si budistët, ashtu edhe katolikët, kur në familjen e tyre ndodh një vdekje, i lënë dyert dhe dritaret fare hapur dhe arkivoli vihet në një pozicion që këmbët e të vdekurit të jenë përballë derës kryesore. Ata besojnë se këto procedura lehtësojnë daljen e frymës ose shpirtit të të vdekurit nga shtëpia. Mes shumë katolikëve dhe protestantëve në Afrikën Perëndimore, është zakon mbulimi i pasqyrave kur dikush vdes, kështu që asnjeri të mos ketë mundësi të vështrojë në to dhe të shohë frymën e personit të vdekur. Pastaj, 40 ditë më vonë, familja dhe miqtë kremtojnë ngritjen e shpirtit në qiell.
5. Mbi cilin besim themelor janë në një mendje shumë fe?
5 Pavarësisht nga kjo ndryshueshmëri, duket se shumica e feve janë në një mendje të paktën në një pikë. Ato besojnë se diçka brenda një personi, që e quajnë shpirt, frymë ose fantazmë, është e pavdekshme dhe vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit. Pothuajse që të gjitha nga qindra fetë dhe sektet e të ashtuquajturit krishterim mbrojnë besimin në pavdekësinë e shpirtit. Ky besim është, gjithashtu, një doktrinë zyrtare për judaizmin. Në hinduizëm ky besim është vetë themeli i mësimit të rimishërimit. Myslimanët besojnë që shpirti vazhdon të jetojë pasi trupi vdes. Aborigjenët australianë, animistët afrikanë, shintoistët e madje edhe budistët, mësojnë variacione mbi po këtë temë.
6. Çfarë mendimi kanë disa dijetarë në lidhje me idenë se shpirti është i pavdekshëm?
6 Nga ana tjetër, ka nga ata që pranojnë pikëpamjen se jeta e vetëdijshme përfundon me vdekjen. Këtyre personave, ideja se jeta emocionale dhe intelektuale vazhdon në një shpirt të largët e hije, të ndarë nga trupi, u duket e paarsyeshme. Shkrimtari dhe dijetari spanjoll i shekullit të 20-të, Migel de Unamuno, shkruan: «Të besosh në pavdekësinë e shpirtit do të thotë të dëshirosh që shpirti të jetë i pavdekshëm, por këtë ta dëshirosh me një ngulmim të tillë saqë kjo dëshirë ta bëjë një person që të shpërfillë arsyen dhe të bëhet irracional.» Midis atyre që besojnë në mënyrë të ngjashme janë filozofët e njohur të lashtësisë, Aristoteli dhe Epikuri, mjeku Hipokrat, filozofi skocez David Hume, dijetari arab Avenoe dhe kryeministri i parë i Indisë, pas pavarësisë, Javaharlal Nehru.
7. Cilat pyetje të rëndësishme rreth besimit në pavdekësinë e shpirtit duhet të shqyrtojmë tani?
7 Pasi jemi ballafaquar me ide dhe besime të tilla kundërshtuese, duhet të pyesim: A kemi me të vërtetë një shpirt të pavdekshëm? Nëse shpirti faktikisht nuk është i pavdekshëm, atëherë, si ka mundësi që një mësim i tillë i rremë është pjesë përbërëse e shumicës së feve sot? Nga lindi kjo ide? Është e domosdoshme që të gjejmë përgjigje të vërteta dhe të kënaqshme për pyetje të tilla, pasi e ardhmja jonë varet prej tyre. (1. Korintasve 15:19) Por në fillim le të shqyrtojmë se si ka lindur doktrina e pavdekësisë së shpirtit.
Lindja e doktrinës
8. Çfarë roli luajtën Sokrati dhe Platoni në çuarjen më përpara të idesë se shpirti është i pavdekshëm?
8 Filozofët grekë të shekullit të pestë p.e.s., Sokrati dhe Platoni, njihen si ata që kanë qenë ndër të parët që kanë çuar më përpara idenë e shpirtit të pavdekshëm. Por ata nuk ishin nismëtarët e kësaj ideje. Në vend të kësaj, ata e përsosën konceptin dhe e transformuan atë në një mësim filozofik, duke e bërë kështu më tërheqës për klasën e kulturuar të kohës së tyre e më tej. Fakti është se edhe zoroastrianët e Persisë së lashtë, si edhe egjiptianët para tyre besonin në pavdekësinë e shpirtit. Pyetja, pra, është: Cili është burimi i këtij mësimi?
9. Cili qe një burim i përbashkët influencimi për kulturat e lashta të Egjiptit, Persisë dhe Greqisë?
9 «Në botën e lashtë,—thotë libri Feja e Babilonisë dhe e Asirisë (The Religion of Babylonia and Assyria),—Egjipti, Persia dhe Greqia ndjenë ndikimin e fesë babilonase.» Në lidhje me besimet fetare egjiptiane, libri vazhdon duke thënë: «Duke marrë parasysh kontaktin e hershëm mes Egjiptit dhe Babilonisë, siç zbulohet nga rrasat e El-Amarnës, ekzistonin sigurisht mundësi të bollshme për futjen e pikëpamjeve dhe zakoneve babilonase në kultet e egjiptianëve.»a Po kështu mund të thuhet për kulturat e lashta perse dhe greke.
10. Cila ishte pikëpamja e babilonasve për jetën pas vdekjes?
10 Por, a besonin babilonasit e lashtë në pavdekësinë e shpirtit? Mbi këtë pikë, profesori Morris Xhestrou i Riu, i Universitetit të Pensilvanisë në SHBA, shkroi: «As populli dhe as udhëheqësit fetarë [të Babilonisë] nuk u ndeshën ndonjëherë me mundësinë e një shfarosjeje totale të asaj që njëherë kishte ardhur në ekzistencë. Vdekja [nga pikëpamja e tyre] ishte një kalim për në një lloj tjetër jete dhe mohimi i pavdekësisë [i jetës aktuale], vetëm sa theksonte pamundësinë për t’i shpëtuar ndryshimit të ekzistencës që shkaktonte vdekja.» Po, babilonasit besonin që jeta e ndonjë lloji, në ndonjë formë, vazhdonte pas vdekjes. Këtë e tregonin duke varrosur bashkë me të vdekurin sendet, që ai t’i përdorte në jetën e përtejme.
11, 12. Cila ishte vendlindja e mësimit të pavdekësisë së shpirtit pas Përmbytjes?
11 Është e qartë, mësimi i pavdekësisë së shpirtit na çon prapa në Babiloninë e lashtë. A është domethënëse kjo? Po, sepse sipas Biblës, qyteti i Babelit ose Babilonia, u themelua nga Nimrodi, stërnipi i Noes. Pas Përmbytjes globale në ditët e Noes, njerëzit flitnin vetëm një gjuhë dhe kishin një fe. Nimrodi jo vetëm që ishte një njeri «në kundërshtim të Jehovait», por ai dhe ata që e ndiqnin dëshiruan të ‘bënin një emër të famshëm’ për veten. Kështu, duke themeluar qytetin dhe duke ndërtuar një kullë atje, Nimrodi filloi një fe të ndryshme.—Zanafilla 10:1, 6, 8-10; 11:1-4, BR.
12 Sipas traditës, Nimrodi pati një vdekje të dhunshme. Pas vdekjes së tij, babilonasit, në mënyrë të arsyeshme, u prirën ta respektonin atë tepër, si themeluesin, ndërtuesin dhe mbretin e parë të qytetit të tyre. Duke qenë se perëndia Marduk (Merodak) konsiderohej si themeluesi i Babilonisë dhe se një numër mbretërish babilonas patën emrin e këtij perëndie, disa dijetarë kanë sugjeruar se Marduku përfaqëson Nimrodin e hyjnizuar. (2. Mbretërve 25:27; Isaia 39:1; Jeremia 50:2) Nëse është kështu, atëherë, ideja se një person ka një shpirt që mbijeton pas vdekjes, duhet të ketë qenë përhapur të paktën që nga koha e vdekjes së Nimrodit. Sidoqoftë, faqet e historisë zbulojnë se pas Përmbytjes, vendlindja e mësimit të pavdekësisë së shpirtit ishte Babeli ose Babilonia.
13. Si u përhap mësimi i shpirtit të pavdekshëm në gjithë faqen e dheut dhe cili qe rezultati?
13 Më tej, Bibla tregon se Perëndia i prishi përpjekjet e ndërtuesve të kullës në Babel, duke u ngatërruar gjuhën. Duke mos qenë më në gjendje të komunikonin me njëri-tjetrin, ata e braktisën projektin që kishin dhe u shpërndanë «nga aty në të gjithë sipërfaqen e tokës». (Zanafilla 11:5-9, BR) Duhet të mbajmë në mend se edhe pse i foluri i këtyre ndërtuesve të kullës ishte ndryshuar, mënyra e të menduarit dhe konceptet e tyre mbetën po ato. Për pasojë, kudo që shkuan, idetë e tyre fetare shkuan bashkë me ta. Në këtë mënyrë, mësimet fetare babilonase, duke përfshirë edhe mësimin e pavdekësisë së shpirtit, u përhapën në gjithë faqen e dheut dhe u bënë themeli i feve kryesore të botës. Kështu u themelua një perandori botërore e fesë së rreme, e cila përshkruhet në mënyrë të përshtatshme në Bibël si «Babilonia e Madhe, nëna e lavireve dhe e gjërave të neveritshme të tokës».—Zbulesa 17:5, BR.
Perandoria botërore e fesë së rreme shtrihet në drejtim të lindjes
14. Si u përhapën besimet fetare babilonase në nënkontinentin indian?
14 Disa historianë thonë se mbi 3.500 vjet më parë, një valë emigrimi solli një popull me lëkurë me ngjyrë të zbehtë, të racës ariane nga veriperëndimi në luginën e Indit, e cila tani gjendet kryesisht në Pakistan dhe në Indi. Nga aty, ata u shpërndanë në rrafshinat e lumit Gang dhe përgjatë Indisë. Disa ekspertë thonë se idetë fetare të emigrantëve bazoheshin në mësimet e lashta iraniane dhe babilonase. Pra, këto ide fetare u bënë rrënjët e hinduizmit.
15. Si arriti ideja e një shpirti të pavdekshëm të influencojë mbi hinduizmin e ditëve tona?
15 Në Indi, ideja e një shpirti të pavdekshëm mori formën e doktrinës së rimishërimit. Njerëzit e ditur hinduistë, të cilët rrokeshin me problemet universale të së keqes dhe të vuajtjeve mes njerëzve, arritën në atë që quhet ligji i karmës: ligji i shkakut dhe i pasojës. Duke e kombinuar këtë ligj me besimin në pavdekësinë e shpirtit, ata zhvilluan teorinë e rimishërimit, nëpërmjet të cilit, meritat dhe fajet në një jetë shpërblehen ose ndëshkohen në jetën tjetër. Synimi i atyre besimtarëve është moksha ose lirimi nga cikli i rilindjeve për t’u bërë një me atë që quhet realiteti i fundit ose Nirvana. Përgjatë shekujve, me përhapjen e hinduizmit u përhap edhe mësimi i rimishërimit. Kjo doktrinë është bërë shtylla kryesore e hinduizmit të ditëve të sotme.
16. Cili besim në lidhje me jetën e përtejme arriti të zotërojë mendimet dhe praktikat fetare të popullsisë së madhe të Azisë Lindore?
16 Nga hinduizmi u zhvilluan besime të tjera si budizmi, jainizmi dhe sikizmi. Edhe këto i përmbahen besimit në rimishërimin. Më tej, ndërsa budizmi depërtoi në pjesën më të madhe të Azisë Lindore, në Kinë, Kore, Japoni dhe gjetkë, ai ndikoi thellësisht mbi kulturën dhe fenë e gjithë rajonit. Kjo i dha shtysë feve që pasqyrojnë një amalgamë besimesh, duke përqafuar elementët budistë, spiritizmin dhe adhurimin e të parëve. Fetë më me influencë mes tyre janë taoizmi, konfucionizmi dhe shintoizmi. Në këtë mënyrë, besimi që jeta vazhdon pasi trupi vdes ka arritur të zotërojë mbi mendimet dhe praktikat fetare të përqindjes së lartë të njerëzimit, e cila ndodhet në atë pjesë të botës.
Ç’të themi për judaizmin, të ashtuquajturin krishterim dhe islamizmin?
17. Çfarë besonin hebrenjtë e lashtë lidhur me jetën pas vdekjes?
17 Çfarë besojnë për jetën pas vdekjes njerëzit që ndjekin judaizmin, të ashtuquajturin krishterim dhe islamizmin? Nga këto fe, më e vjetra fare është judaizmi. Rrënjët e kësaj feje i gjejmë rreth 4.000 vjet më parë, tek Abrahami, shumë kohë më parë se Sokrati dhe Platoni të formonin teorinë e pavdekësisë së shpirtit. Hebrenjtë e lashtë besonin në ringjalljen e të vdekurve dhe jo në pavdekësinë e qenësishme të njeriut. (Mateu 22:31, 32; Hebrenjve 11:19) Atëherë, si ndodhi që doktrina e pavdekësisë së shpirtit hyri në judaizëm? Historia na jep përgjigjen.
18, 19. Si hyri në judaizëm doktrina e pavdekësisë së shpirtit?
18 Në vitin 332 p.e.s., Aleksandri i Madh pushtoi Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe Jerusalemin. Ndërkohë që pasuesit e Aleksandrit vazhduan programin e tij të helenizimit, ndodhi një përzierje e dy kulturave, kulturës greke dhe asaj judaike. Me kalimin e kohës, judenjtë u familjarizuan me mënyrën greke të të menduarit e madje disa prej tyre u bënë filozofë.
19 Filo i Aleksandrisë, i shekullit të parë të e.s., ishte një filozof i tillë jude. Ai e nderonte thellë Platonin dhe u orvat ta shpjegonte judaizmin nga pikëpamjet e filozofisë greke, duke përgatitur rrugën për mendimtarët e mëvonshëm judenj. Edhe Talmudi, përmbledhje librash shpjegues nga rabinët mbi ligjet gojore, është influencuar nga mendimet greke. «Rabinët e Talmudit,—thotë një enciklopedi (Encyclopaedia Judaica),—besonin në ekzistencën e vazhdueshme të shpirtit pas vdekjes.» Literatura mistike judaike e mëvonshme, siç është Kabala, shkon madje aq larg sa mëson rimishërimin. Prandaj, ideja e pavdekësisë së shpirtit depërtoi në judaizëm, duke u futur tërthorazi nëpërmjet filozofisë greke. Çfarë mund të themi për futjen e këtij mësimi në të ashtuquajturin krishterim?
20, 21. (a) Cila ishte pozita e të krishterëve të hershëm lidhur me filozofinë platonike ose greke? (b) Ç’gjë çoi në shkrirjen e ideve të Platonit me mësimet e krishtere?
20 Krishterimi i vërtetë filloi me Krishtin Jezu. Në lidhje me Jezuin, Migel de Unamuno, i cituar më sipër, shkroi: «Ai besonte, përkundrazi, në ringjalljen e mishit, sipas mënyrës judaike, jo në pavdekësinë e shpirtit, sipas mënyrës platonike [greke].» Ai përfundoi: «Pavdekësia e shpirtit . . . është një dogmë filozofike pagane.» Duke pasur parasysh këtë, mund të kuptojmë se përse apostulli Pavël i paralajmëroi fuqishëm të krishterët e shekullit të parë ndaj «filozofisë dhe mashtrimit bosh sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës dhe jo sipas Krishtit».—Kolosianëve 2:8, BR.
21 Por, kur dhe si depërtoi kjo «dogmë filozofike pagane» në të ashtuquajturin krishterim? Një enciklopedi (The New Encyclopaedia Britannica) shpjegon: «Nga mesi i shekullit të 2-të të e.s., të krishterët që kishin njëfarë përgatitje në filozofinë greke, filluan të ndienin nevojën për të shprehur besimin e tyre nga pikëpamjet e kësaj filozofie, si për kënaqësinë e tyre intelektuale, ashtu edhe me qëllim që të kthenin paganët e arsimuar. Filozofia që iu përshtatej atyre më mirë ishte platonizmi.» Dy filozofë të tillë të hershëm që ushtruan një influencë të madhe mbi doktrinat e të ashtuquajturit krishterim ishin Origjeni i Aleksandrisë dhe Agustini i Hipos. Që të dy u ndikuan së tepërmi nga idetë e Platonit dhe qenë elemente kyçe në shkrirjen e atyre ideve me mësimet e krishtere.
22. Si ka mbetur mbizotërues në islamizëm mësimi i pavdekësisë së shpirtit?
22 Ndërkohë që në judaizëm dhe në të ashtuquajturin krishterim ideja e pavdekësisë së shpirtit vjen për shkak të influencës së Platonit, në islamizëm koncepti u ndërtua që nga fillimi i tij. Kurani, libri i shenjtë i islamizmit, mëson se njeriu ka një shpirt, i cili vazhdon të jetojë pas vdekjes. Flet për fatin përfundimtar të shpirtit: ose jetë në një kopsht qiellor të parajsës, ose ndëshkim në një ferr të zjarrtë. Kjo nuk do të thotë që dijetarët arabë nuk janë përpjekur të sintetizojnë mësimet islamike dhe filozofinë greke. Në fakt, bota arabe ishte influencuar në njëfarë mase nga vepra e Aristotelit. Gjithsesi, pavdekësia e shpirtit mbetet një besim i myslimanëve.
23. Cilat pyetje lidhur me jetën pas vdekjes do të shqyrtohen në artikullin vijues?
23 Qartë, fetë përreth botës kanë zhvilluar një varg turbullues besimesh mbi jetën e përtejme, bazuar në mësimin se shpirti është i pavdekshëm. E këto besime kanë prekur, po, madje kanë zotëruar dhe skllavëruar miliarda njerëz. Të ballafaquar me gjithë këtë, ndihemi të shtyrë të pyesim: A është e mundur të dimë të vërtetën se çfarë ndodh kur vdesim? A ka jetë pas vdekjes? Çfarë ka për të thënë Bibla në lidhje me këtë? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.
[Shënimi]
a El-Amarna është vendndodhja e gërmadhave të qytetit egjiptian Aketaton, që pohohet se ka qenë ndërtuar në shekullin e 14-të p.e.s.
A mund të shpjegosh?
◻ Cila është një temë e përbashkët që përshkon shumicën e besimeve fetare për jetën pas vdekjes?
◻ Si tregojnë historia dhe Bibla se Babilonia e lashtë ishte vendlindja e doktrinës së shpirtit të pavdekshëm?
◻ Në cilën mënyrë u ndikuan fetë e Lindjes nga besimi babilonas në një shpirt të pavdekshëm?
◻ Si depërtoi mësimi i pavdekësisë së shpirtit në judaizëm, në të ashtuquajturin krishterim dhe në islamizëm?
[Figurat në faqet 12, 13]
Pushtimi nga Aleksandri i Madh çoi në përzierjen e kulturës greke me kulturën judaike
Agustini u përpoq të shkrinte filozofinë platonike me krishterimin
[Burimet]
Aleksandri: Musei Capitolini, Roma; Agustini: Nga libri Great Men and Famous Women