BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/7 f. 23-27
  • Nga varfëria e skajshme në pasurinë më të madhe

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Nga varfëria e skajshme në pasurinë më të madhe
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Në kërkim të diçkaje më të mirë
  • I rrëqethur nga shpresa biblike
  • Nxjerrim dobi nga mikpritja
  • Qëndrueshmëri gjatë persekutimit
  • Gëzoj pasurinë më të madhe
  • E shijuam dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në shumë mënyra
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Pranimi i ftesave të Jehovait sjell shpërblime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Një jetë me të papritura në shërbim të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/7 f. 23-27

Nga varfëria e skajshme në pasurinë më të madhe

TREGUAR NGA MANUEL DE JESUS ALMEIDA

Linda në tetor të vitit 1916, fëmija i tetëmbëdhjetë në familje. Nëntë nga vëllezërit dhe motrat e mia kishin vdekur prej sëmundjeve dhe të ushqyerit të keq, kështu që nuk i njoha kurrë. Ne të tetë që kishim mbetur jetonim së bashku me prindërit në një fshat të vogël afër Portos, në Portugali.

SHTËPIA jonë e thjeshtë përbëhej nga një dhomë e vogël ndenjeje dhe një dhomë gjumi. Ujin e pijshëm e merrnim nga një pus që ndodhej afro gjysmë kilometri larg shtëpisë dhe mjetet për të gatuar ishin primitive.

Sapo vëllezërit e mi arritën në moshën e punës, filluan të punonin në fushat e misrit. Paratë që merrnin shërbenin për të mbajtur familjen me bukë. Me ndihmën e tyre, unë u bëra fëmija i vetëm në familje që mori njëfarë arsimimi. Edhe pse bënim një jetë të vështirë, ne i qëndronim tejet besnikë Kishës Katolike, duke shpresuar se në ndonjë mënyrë kjo gjë do të na ndihmonte në jetë.

Gjatë muajit maj, kisha bënte një festë që quhej novena (lutje nëntëditëshe). Për nëntë ditë me radhë, shkonim në kishë herët në mëngjes, kur nuk kishte aguar akoma. Atje luteshim, duke besuar se kjo do të sillte bekimin e Perëndisë. Mendonim, gjithashtu, se prifti ishte një njeri i shenjtë, përfaqësuesi i Perëndisë. Por, me kalimin e kohës, kjo pikëpamje ndryshoi.

Në kërkim të diçkaje më të mirë

Kur nuk arritëm dot të paguanim taksën e kishës, prifti nuk bëri asnjë përjashtim për vështirësitë tona ekstreme financiare. Kjo gjë na shkurajoi. Përshtypja që kisha pasur për kishën ndryshoi rrënjësisht, prandaj kur arrita moshën 18 vjeç, vendosa ta lija familjen, për të gjetur nëse kishte ndonjë gjë më të mirë në jetë sesa puna nëpër fusha dhe grindja me kishën. Në vitin 1936 mbërrita në Lisbonë, në kryeqytetin e Portugalisë.

Atje takova Edminian. Edhe pse mendoja që feja më kishte mashtruar, ndoqëm zakonin dhe u martuam në Kishën Katolike. Pastaj, në vitin 1939 filloi Lufta II Botërore dhe Portugalia luftoi përkrah Aleatëve. Gjatë luftës, kisha nën ngarkim 18 depo dhe dërgonim deri në 125 kamionë në ditë, me materiale lufte.

Tmerret e luftës, si edhe përfshirja e madhe e Kishës Katolike ndikuan thellë tek unë. Pyesja veten: ‘A interesohet vërtet Perëndia për njerëzimin? Si duhet ta adhurojmë atë?’ Vite më vonë, në vitin 1954, një zotëri i moshuar, një Dëshmitar i Jehovait, më foli në lidhje me pyetjet që kisha. Kjo bisedë ndryshoi gjithë jetën time.

I rrëqethur nga shpresa biblike

Ky burrë dashamirës, Xhoshua, më shpjegoi se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për problemet e botës dhe se paqja e siguria do të arrihen vetëm me anë të sundimit të Mbretërisë. (Mateu 6:9, 10; 24:14) Ajo që tha më kënaqi, por ngurroja t’i pranoja shpjegimet e tij, për shkak të përvojës që kisha pasur më parë me fenë. Kur më ofroi të studionte Biblën me mua, pranova me kusht që të mos kërkonte para dhe të mos fliste për politikë. Ai pranoi, duke më siguruar se ajo që po ofronte ishte falas.—Zbulesa 22:17.

Siguria ime në Xhoshuan u rrit shpejt. Prandaj, i kërkova diçka që e kisha dëshiruar që nga rinia. «A do të ishte e mundur të kisha një Bibël timen personale?» Sa u kënaqa kur, pasi e mora, lexova për herë të parë nga vetë Fjala e Krijuesit tonë, premtime të tilla, si «Vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta [njerëzimin]. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan»!—Zbulesa 21:3, 4.

Në veçanti më ngushëlluan premtimet biblike për eliminimin e varfërisë dhe të sëmundjeve. Elihu besnik tha për Perëndinë: «[Ai] jep ushqime me shumicë.» (Jobi 36:31) Gjithashtu, nën sundimin e drejtë të Mbretërisë së Perëndisë, Bibla thotë se «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë’». (Isaia 33:24) Sa me dashuri interesohet Perëndia Jehova për njerëzimin! Sa shumë u rrit interesi im për premtimet e tij!

Mbledhjen e parë të Dëshmitarëve të Jehovait e ndoqa më 17 prill 1954. Ishte një mbledhje e veçantë, Përkujtimi i vdekjes së Krishtit. Që nga ajo ditë e më tej, kam qenë shumë i rregullt në mbledhje. Shpejt fillova t’i ndaja me të tjerët gjërat e mira që po mësoja. Ato ditë, në Portugali bënim një piknik çdo muaj në breg të oqeanit dhe pas kësaj bënim pagëzimet. Shtatë muaj pasi më foli për herë të parë Xhoshua, iu dedikova Perëndisë Jehova dhe e simbolizova dedikimin me pagëzim në ujë, në oqean.

Në fillim të vitit 1954 në gjithë Portugalinë kishte vetëm rreth njëqind Dëshmitarë. Kështu, kishte një nevojë të madhe për burra që të merrnin drejtimin në veprën e predikimit. Unë bëra progres të shpejtë frymor dhe shumë shpejt m’u dhanë përgjegjësi brenda kongregacionit. Në vitin 1956 u emërova shërbëtor i kongregacionit, siç quhej atëherë mbikëqyrësi drejtues, në kongregacionin e dytë të Dëshmitarëve të Jehovait në Lisbonë. Sot, në këtë qytet dhe në rrethinat e tij ka më shumë se njëqind kongregacione.

Nxjerrim dobi nga mikpritja

Edhe pse unë dhe Edminia ishim të kufizuar nga ana financiare, dera e shtëpisë sonë ishte gjithnjë hapur për vëllezërit e krishterë. Në vitin 1955, një pionier, siç quhen ungjilltarët në kohë të plotë Dëshmitarë të Jehovait, ndaloi në Portugali, ndërsa po udhëtonte nga shtëpia e tij, në Brazil, për në Asamblenë Ndërkombëtare «Mbretëri Triumfuese» në Gjermani. Për shkak të problemeve të transportit, ai qëndroi në shtëpinë tonë për një muaj. Sa dobi nxorëm nga ana frymore prej vizitës së tij!

Në atë kohë, vizitorë të tjerë në shtëpinë tonë ishin edhe anëtarë të familjes Bethel të Qendrës Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork, si Hygo Rimer dhe shoku i tij i dhomës Çarls Ajkër. Ata hanin drekë me ne dhe u mbanin fjalime vëllezërve portugezë. Si zogj të sapodalë nga veza me sqepa të hapur, ne pritnim copëzat e shijshme frymore që siguronin këta vëllezër.

Në shtëpinë tonë, kanë qëndruar edhe mbikëqyrës udhëtues Dëshmitarë të Jehovait, gjatë vizitave të tyre. Një vizitor i paharruar në vitin 1957 ishte Alvaro Berekokea, mbikëqyrësi i degës së Marokut, i cili ishte caktuar të vizitonte Portugalinë për të inkurajuar vëllezërit. Ai ndoqi Studimin e Librit që mbahej në shtëpinë tonë dhe ne këmbëngulëm që të rrinte te ne pjesën tjetër të kohës që do të qëndronte në Portugali. U bekuam dhe u shëndoshëm frymësisht gjatë vizitës së tij, që zgjati një muaj, ndërsa Alvaro shtoi në peshë fizikisht falë gatimit të mirë të Edminias sime të dashur.

Varfëria e skajshme, si ajo që provova gjatë fëmijërisë, mund të lërë gjurmë të thella te një person. Megjithatë, arrita të kuptoja se sa më shumë t’i japim Jehovait dhe shërbëtorëve të tij besnikë, aq më shumë ai na bekon. Ky fakt m’u ngulit kohë pas kohe, kur u tregonim mikpritje të gjithë atyre që mundnim.

Në kongresin që u mbajt në Porto, në vitin 1955, u bë një njoftim për Kongresin Ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait që do të mbahej në stadiumin Jenki në qytetin e Nju Jorkut, në vitin 1958. Në çdo Sallë Mbretërie të vendit, që atëherë ishin pak, u vendos një kuti kontributesh për të ndihmuar me financimin për dërgimin e delegatëve portugezë në kongres. E imagjinoni dot se sa u gëzuam kur së bashku me gruan u zgjodhëm për të qenë mes këtyre delegatëve? Çfarë gëzimi ishte vizita që bëmë në Qendrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, gjatë kohës kur ishim në Shtetet e Bashkuara për kongresin!

Qëndrueshmëri gjatë persekutimit

Në vitin 1962, vepra e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Portugali u ndalua dhe misionarët, ku bënin pjesë Erik Britën, Dominik Pikone, Erik Bevërixh dhe gratë e tyre, u dëbuan. Pas kësaj, nuk na u lejua më t’i mbanim mbledhjet në Sallat e Mbretërisë, kështu që i mbanim ato në fshehtësi, nëpër shtëpi private. As kongreset e mëdha nuk mund të mbaheshin më në Portugali. Prandaj, përgjegjësia ime, në këtë kohë, u bë rregullimi i transportit që vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere të merrnin pjesë nëpër këto kongrese në vendet e tjera.

Nuk ishte e lehtë të bëje rregullime që grupe të mëdha Dëshmitarësh të udhëtonin në vende të tjera. Megjithatë, ia vlente të bëheshin përpjekje, duke pasur parasysh dobitë e mrekullueshme frymore që merrnin vëllezërit portugezë. Ç’përvojë ndërtuese ishte për ta pjesëmarrja në kongreset e mbajtura në Zvicër, Angli, Itali dhe Francë! Këto kongrese siguruan, gjithashtu, mundësinë që ata të sillnin me vete literaturë brenda vendit. Gjatë atyre viteve, bëmë kërkesa të shumta për t’u regjistruar si një organizatë fetare në Portugali, por që të gjitha këto kërkesa u refuzuan.

Pas dëbimit të misionarëve në fillim të vitit 1962, policia sekrete filloi ta intensifikonte fushatën e saj për të ndaluar veprën tonë të predikimit. Shumë vëllezër e motra u arrestuan dhe u çuan para gjykatave. Raporte të dokumentuara për disa prej këtyre ngjarjeve u botuan në këtë revistë dhe në revistën shoqëruese, Zgjohuni!a

Mes atyre që u burgosën ngaqë predikonin ishte edhe një pionier, të cilit i kisha folur unë për herë të parë për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Meqenëse policia i gjeti në sendet e tij adresën time, më thirrën për të më marrë në pyetje.

Më vonë, dy agjentë policie erdhën në shtëpi. Ata konfiskuan librat ndihmës për studimin e Biblës, si edhe 13 Bibla. Më pas vazhduan të na ngacmonin, duke u kthyer rreth shtatë herë të tjera për të kontrolluar në pronat tona. Çdo herë, na bombardonin me pyetje.

Disa herë më thirrën për të dëshmuar në mbrojtje të Dëshmitarëve të tjerë, në disa çështje gjyqësore. Edhe pse nuk kisha shumë arsim, Jehovai më dha ‘një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët nuk ishin në gjendje ta kundërshtonin ose t’i rezistonin’. (Luka 21:15) Një herë, gjykatësi mbeti kaq i mahnitur nga dëshmia ime, saqë më pyeti se çfarë shkolle kisha. Që të gjithë në sallën e gjyqit qeshën, kur iu përgjigja se kisha arritur të mbaroja vetëm katër klasë shkollë.

Me rritjen e persekutimit, po kështu bënte edhe numri i atyre që i përgjigjeshin mesazhit të Mbretërisë. Pra, numri prej 1.300 Dëshmitarëve që gjendeshin në Portugali në vitin 1962 u rrit në mbi 13.000 në vitin 1974! Ndërkohë, në maj të vitit 1967 më kishin ftuar të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues. Në këtë vepër, vizitoja kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait për t’i forcuar frymësisht.

Gëzoj pasurinë më të madhe

Në dhjetor të vitit 1974, pata privilegjin të merrja pjesë në regjistrimin që e bëri të njohur ligjërisht veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Portugali. Vitin që pasoi, unë dhe gruaja u bëmë anëtarë të familjes Bethel të Dëshmitarëve të Jehovait në Estoril. Më caktuan edhe që të shërbeja si anëtar i Komitetit të Degës së Portugalisë.

Çfarë gëzimi ka qenë për mua të shihja veprën e predikimit të lulëzonte në Portugali dhe në territoret që janë nën mbikëqyrjen e degës sonë! Këto territore përfshijnë Angolën, ishujt Azore, Kepin e Gjelbër, Madeirën dhe Sao Tome e Principe. Përgjatë viteve, ka qenë rrëqethëse të shihje misionarë nga Portugalia që dërgoheshin për të shërbyer në këto vende, ku është treguar një interes i jashtëzakonshëm për mesazhin e Mbretërisë. Imagjinoni gëzimin tonë tani që kemi më shumë se 88.000 lajmëtarë të Mbretërisë në këto vende, duke përfshirë më shumë se 47.000 lajmëtarët në Portugali! Prania në Përkujtim në këto vende në vitin 1998 arriti kulmin me 245.000 veta, në krahasim me më pak se 200 të pranishmit kur u bëra unë Dëshmitar në vitin 1954.

Së bashku me Edminian, jemi dakord me gjithë zemër me psalmistin e Biblës, i cili tha se «një ditë në oborret e [Jehovait] vlen më tepër se një mijë gjetiu». (Psalmi 84:10) Kur mendoj për fillimet e mia të vogla dhe kur i krahasoj me pasurinë frymore që kam gëzuar që nga ajo kohë, ndihem si profeti Isaia: «O Zot [Jehova], ti je Perëndia im. Unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme . . . Sepse ti ke qenë një kështjellë për të varfërin.»—Isaia 25:1, 4.

[Shënimi]

a Shiko Zgjohuni!, 22 maj 1964, faqet 8-16, anglisht dhe Kullën e Rojës, 1 tetor 1966, faqet 581-592, anglisht.

[Figurat në faqen 24]

Lart: Vëllai Almeida në Lisbonë, duke njoftuar rregullimin për të dërguar delegatë në kongresin e vitit 1958 në Nju Jork

Në mes: Duke drejtuar një mbledhje model shërbëtorësh në Asamblenë Ndërkombëtare «Paqe në tokë», në Paris

Poshtë: Autobusë të marrë me qira, gati për t’u nisur për një kongres krahinor në Francë

[Figura në faqen 25]

Duke drejtuar adhurimin e mëngjesit në degën e Portugalisë

[Figura në faqen 25]

Dega e Portugalisë, e dedikuar në vitin 1988

[Figura në faqen 26]

Me gruan time

[Figura në faqen 26]

Fjalimet e vëllait Hygo Rimer, nga Betheli i Bruklinit, na inkurajuan gjatë vizitës së tij

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo