Në Izrael shqiptohet emri hyjnor
PËR shekuj me radhë, judaizmi tradicional ua ka ndaluar rreptësisht pasuesve të vet shqiptimin e emrit hyjnor, Jehova. Sipas Mishnës, kushdo që shqipton emrin e Perëndisë nuk do të ketë «asnjë pjesë në botën që do të vijë».—Sinedri 10:1.a
Më 30 janar 1995, ish-kryerabini sefardik (i Lindjes së Mesme) i Izraelit e shqiptoi lirisht emrin hyjnor. Këtë e bëri ndërsa po recitonte një tikun, një lutje kabaliste korrigjimi. Kjo lutje bëhet që Perëndia të mund të rivendosë një masë harmonie në univers, e cila, sipas adhuruesve, është prishur nga forcat e liga. Gazeta Yedioth Aharonoth, e 6 shkurtit 1995, tha: «Kjo është një liturgji me fuqi kaq të jashtëzakonshme, saqë fjalët e saj gjenden vetëm në një broshurë të veçantë, që nuk shitet në publik.» Në këtë kontekst, thirrja e emrit të Perëndisë mendohet se i jep një forcë të veçantë kërkesës.
Vlen të përmendet se Bibla i urdhëron shërbëtorët e Perëndisë që ta përdorin emrin hyjnor, Jehova. (Eksodi 3:15; Fjalët e urta 18:10; Isaia 12:4; Sofonia 3:9) Në tekstin origjinal hebraik të Biblës, ky emër shfaqet rreth 7.000 herë. Megjithatë, Bibla na paralajmëron që të mos e keqpërdorim emrin e Perëndisë. Urdhërimi i tretë nga Dhjetë Urdhërimet thotë: «Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit [Jehovait], të Perëndisë tënd, kot [në mënyrë të padenjë, BR], sepse Zoti nuk do ta lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.» (Eksodi 20:7) Si mund të përdoret emri i Perëndisë në mënyrë të padenjë? Një libër shpjegues i Shoqatës së Botimeve Judaike vëren se termi hebraik që është përkthyer «në mënyrë të padenjë» mund të përfshijë, jo vetëm «përdorimin pa seriozitet» të emrit hyjnor, por edhe «thënien e një bekimi të panevojshëm».
Atëherë, si duhet ta konsiderojmë tikunin, lutjen kabaliste të korrigjimit? Cila është origjina e saj? Në shekullin e 12-të dhe të 13-të të e.s., një formë mistike e judaizmit, e quajtur Kabala, nisi të fitonte popullaritet. Në shekullin e 16-të, Isak Luria, një rabin, futi «tikunimët» në liturgjinë kabaliste. Emri i Perëndisë u përdor si një formulë magjike e mistershme, me fuqi të veçanta dhe u bë pjesë e riteve kabaliste. A mendon se ky është një përdorim i përshtatshëm i emrit të Perëndisë?—Ligji i përtërirë 18:10-12.
Sido që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, do të jesh dakord se shqiptimi në publik i emrit të Perëndisë në Izraelin e ditëve moderne ishte një ngjarje e pazakontë. Gjithsesi, vetë Perëndia paratha: «Atë ditë do të thoni: ‘Kremtoni Zotin, thërritni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar. Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme, kjo të dihet mbi gjithë tokën.’»—Isaia 12:4, 5.
Lumturisht, në Izrael, ashtu si në më shumë se 230 vende në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait po bëjnë çdo përpjekje për t’i ndihmuar njerëzit që të fitojnë njohuri të saktë për Jehovain. Ata shpresojnë që edhe shumë të tjerë do të arrijnë të kuptojnë domethënien e shkrimeve të tilla, si Psalmi 91:14: «Duke qenë se ai ka vënë mbi mua [Jehovain] dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.»
[Shënimi]
a Mishna është një përmbledhje librash shpjegues që i shtohen ligjit biblik, e bazuar në shpjegimet e bëra nga rabinë të quajtur tanaimë (mësues). U hodh me shkrim në fund të shekullit të dytë dhe në fillim të shekullit të tretë të e.s.
[Figura në faqen 28]
Këtu në Negeb, emri i Jehovait dhe Fjala e tij po bëhen të njohura nga populli i tij
[Figura në faqen 29]
Pllakat ku tregohet emri hyjnor