Luftojnë për një vend «të shenjtë»
NË DATËN 15 korrik 1099, Kryqëzata e Parë, e autorizuar nga papa i Romës, e arriti synimin e saj për të marrë kontrollin mbi Jerusalemin. Kasaphana ishte e tmerrshme! Të vetmit banorë që mbijetuan ishin guvernatori dhe truproja e tij, pasi kishin paguar një rryshfet të madh. Në librin e tij Kryqëzatat, kleriku Antoni Brixh raporton mbi atë që i ndodhi pjesës tjetër të banorëve myslimanë e judenj: «Pasi kryqëzatësit u lanë të lirë brenda qytetit, ata u dhanë pas një etjeje të madhe e të tmerrshme për gjak. . . . Ata vranë të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët që mundën të gjenin në qytet . . . Kur nuk kishte mbetur më asnjë për t’u vrarë, fitimtarët bënë një procesion nëpër rrugët e qytetit . . . deri në Kishën e Varrit të Shenjtë, për t’i dhënë falënderime Perëndisë.»
Që nga fitorja e kryqëzatësve, prania e të ashtuquajturit krishterim në Jerusalem është karakterizuar nga fërkime mes katolikëve, ortodoksëve të lindjes dhe feve të tjera të ashtuquajtura të krishtere. Në vitin 1850, një grindje mes disa krerëve të kishave për vendet e shenjta në Jerusalem dhe në rrethinat e tij, qe një faktor kryesor për fillimin e Luftës së Krimesë. Anglia, Franca dhe Perandoria Osmane luftuan kundër Rusisë, duke marrë gjysmë milioni jetë njerëzish.
Lufta nuk u dha fund ndarjeve të të ashtuquajturit krishterim mbi Jerusalemin dhe mbi vendet e tij të shenjta. Osmanët të cilët kontrollonin vendin në atë kohë, u përpoqën të vendosnin paqen, duke i copëzuar vendet e shenjta mes feve të ndryshme. «Ky parim,—shpjegon dr. Menashe Har-el në librin e tij Ky është Jerusalemi,—u pranua . . . nga Kombet e Bashkuara me Rezolutën e Copëzimit, të nëntorit 1947. Prandaj, është pjesë e ligjit ndërkombëtar.» Si rezultat, Kisha e Varrit të Shenjtë është copëzuar mes katolikëve, ortodoksëve grekë, armenëve, sirianëve dhe koptëve. Përfundimisht, edhe etiopasit pretendojnë anëtarësinë e tyre në këtë kishë, duke pasur disa pjesëtarë që jetojnë në kasolle mbi çatinë e kishës. Shumë njerëz e konsiderojnë Kishën e Varrit të Shenjtë si vendin më të shenjtë të të ashtuquajturit krishterim. Ajo është e mbushur me altare, shëmbëlltyra dhe ikona. Një tjetër i ashtuquajtur vend i shenjtë, Kalvari i Gordonit, përnderohet nga disa protestantë si vendi i supozuar ku u ekzekutua dhe u varros Jezui.
Shumë kohë më parë, Jezui i tha një gruaje që besonte në vendet e shenjta: «Vjen ora që as mbi këtë mal, as në Jeruzalem nuk do ta adhuroni Atin. . . . Adhuruesit e vërtetë [do] ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën.» (Gjoni 4:21-24) Kështu, të krishterët e vërtetë nuk adhurojnë vendet e shenjta. Shkatërrimi i Jerusalemit jobesimplotë nga ushtritë romake në vitin 70 të e.s., është një paralajmërim për të ashtuquajturin krishterim. Idhujtaria, ndarjet dhe faji i gjakut që ka ai, përgënjeshtron pohimin e tij se është i krishterë. Prandaj, ai do të pësojë fundin që ka parathënë Perëndia për të gjitha fetë që përbëjnë Babiloninë e Madhe.—Zbulesa 18:2-8.