Familje të mëdha të bashkuara në shërbimin e Perëndisë
«Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti,—shkroi Psalmisti,—fryti i barkut është një shpërblim. Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë. Lum ai njeri që e ka kukurën e tij plot!»—Psalmi 127:3-5.
PO, FËMIJËT mund të jenë një bekim nga Jehovai. Ashtu si një harkëtar gjen kënaqësi, kur e di se si t’i drejtojë shigjetat që ka në kukurën e tij, po ashtu prindërit gjejnë kënaqësi, kur i drejtojnë fëmijët e tyre në shtegun që çon në jetën e përhershme.—Mateu 7:14.
Shumë kohë më parë, mes popullit të Perëndisë ishin të zakonshme familjet që i kishin ‘kukurat e tyre plot’ me fëmijë. Mendo, për shembull, për vitet e robërisë në Egjipt: «Bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.» (Eksodi 1:7) Krahasimi i numrit të izraelitëve që hynë në Egjipt me numrin e atyre që u larguan prej tij, lë të kuptohet se familjet me dhjetë fëmijë ishin me përmasa mesatare.
Më vonë, edhe Jezui u rrit në një familje që shumë njerëzve sot mund t’u duket e madhe. Jezui ishte i parëlinduri, por Jozefi dhe Maria patën katër bij të tjerë dhe disa bija. (Mateu 13:54-56) Që kishin kaq shumë fëmijë mund ta shpjegojë fakti se, pasi kishin qenë në Jerusalem, Maria dhe Jozefi filluan të ktheheshin në shtëpi pa e kuptuar që në grupin e tyre mungonte Jezui.—Luka 2:42-46.
Familje të mëdha sot
Sot, shumë të krishterë vendosin t’i kufizojnë përmasat e familjeve të tyre për arsye frymore, ekonomike, shoqërore e të tjera. Megjithatë, familjet e mëdha mbeten brenda normës në shumë shoqëri. Sipas The State of the World’s Children 1997, rajoni me shkallën më të lartë të riprodhimit është Afrika sub-sahariane. Atje, një grua e zakonshme lind deri në gjashtë fëmijë.
Për prindërit e krishterë të familjeve të mëdha, nuk është shumë e lehtë t’i rritin fëmijët e tyre që të duan Jehovain, por shumë prej tyre po e bëjnë këtë me sukses. Suksesi varet nga fakti nëse familja është e bashkuar në adhurimin e pastër. Fjalët e apostullit Pavël drejtuar kongregacionit të Korintit zbatohen me të njëjtën forcë për familjet e krishtere sot. Ai shkroi: «Tani, vëllezër, ju bëj thirrje . . . të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.» (1. Korintasve 1:10) Si mund të arrihet ky bashkim?
Prindërit duhet të jenë njerëz frymorë
Një faktor kryesor është që prindërit duhet t’i jenë kushtuar plotësisht Perëndisë. Shqyrto atë që u tha Moisiu izraelitëve: «Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.»—Ligji i përtërirë 6:4-7.
Vër re se Moisiu theksoi që urdhërimet e Perëndisë duhej të ishin ‘në zemrat’ e prindërve. Vetëm atëherë prindërit do të ishin të prirur për t’u dhënë arsimim të rregullt frymor fëmijëve të tyre. Në fakt, kur prindërit janë të fortë frymësisht, ata janë të etur për t’i arsimuar fëmijët e tyre në gjërat frymore.
Për t’u bërë një person frymor dhe për ta dashur Jehovain me gjithë zemër, është jetësore të lexojmë, të meditojmë dhe ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë rregullisht. Psalmisti shkroi se ai që kënaqet në ligjin e Jehovait dhe që lexon në të «ditë e natë» do të «bëhet si një pemë e mbjellë buzë rrjedhave të ujit, që jep frutin e vet në stinën e saj dhe gjethnaja e së cilës nuk fishket; dhe çdo gjë që do të bëjë do të ketë sukses».—Psalmi 1:2, 3, BR.
Ashtu si një pemë bën fruta të mira nëse ujitet vazhdimisht, po ashtu familjet e ushqyera frymësisht japin fryte të perëndishme, për lavdinë e Jehovait. Tipike është familja e Uvadiegvut, i cili jeton në Afrikën Perëndimore. Ndonëse Uvadiegvu dhe gruaja e tij kanë tetë fëmijë, që të dy ata shërbejnë si pionierë të rregullt ose shërbëtorë në kohë të plotë. Ai thotë: «Familja jonë ka mbajtur një studim të rregullt familjar të Biblës për më shumë se 20 vjet. Ua kemi mësuar fëmijëve Fjalën e Perëndisë që kur ishin foshnja, jo vetëm gjatë studimit tonë familjar, por edhe në shërbim dhe në raste të tjera. Që të gjithë fëmijët tanë janë lajmëtarë të lajmit të mirë të Mbretërisë dhe vetëm më e vogla, që është gjashtë vjeçe, nuk është pagëzuar ende.»
Puna si një skuadër
«Me anë të mençurisë do të ndërtohet një familje»,—thotë Bibla. (Fjalët e urta 24:3, BR) Brenda familjes, kjo mençuri sjell si rezultat punën si një skuadër. «Kapiteni» i skuadrës familjare është babai, pasi ai është kreu i familjes, i caktuar nga Perëndia. (1. Korintasve 11:3) Apostulli i frymëzuar Pavël theksoi seriozitetin e përgjegjësisë së kryesisë, kur shkroi: «Nëse dikush nuk kujdeset [si materialisht, ashtu edhe frymësisht] për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.»—1. Timoteut 5:8.
Në harmoni me këtë këshillë nga Fjala e Perëndisë, bashkëshortët e krishterë duhet të kujdesen për gjendjen frymore të bashkëshorteve të tyre. Nëse bashkëshortet rëndohen tepër me punët e shtëpisë, gjendja e tyre frymore do të ndikohet për keq. Në një vend afrikan, një i krishterë i sapopagëzuar iu ankua pleqve në kongregacion se bashkëshortja e tij dukej e plogësht për gjërat frymore. Pleqtë i sugjeruan se ndoshta bashkëshortes së tij i duhej ndihmë praktike. Kështu, bashkëshorti filloi ta ndihmonte atë me punët e shtëpisë. Ai, gjithashtu, kaloi kohë duke e ndihmuar që të përmirësonte leximin dhe njohurinë e saj për Biblën. Ajo reagoi mirë dhe tani, e gjithë familja është e bashkuar në shërbimin e Perëndisë.
Etërit duhet të interesohen edhe për gjendjen frymore të fëmijëve të tyre. Pavli shkroi: «Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni ata në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, BR) Kur prindërit i vënë veshin këshillës për të mos i pezmatuar fëmijët e tyre, si edhe drejtimit për t’i stërvitur ata, fëmijët e ndiejnë se janë pjesë e një skuadre familjare. Si rezultat, ka mundësi që fëmijët ta ndihmojnë dhe ta inkurajojnë njëri-tjetrin për të arritur synimet frymore.
Puna si një skuadër përfshin edhe t’u jepen fëmijëve përgjegjësi frymore, kur ata të jenë gati për to. Një baba, plak i krishterë me 11 fëmijë, zgjohet herët në mëngjes dhe drejton studime me disa prej tyre para se të niset për në punë. Më të rriturit, pasi janë pagëzuar, e bëjnë me radhë për të ndihmuar vëllezërit më të vegjël dhe motrat më të vogla, gjë që përfshin pjesëmarrjen në studimin e tyre biblik. Babai mbikëqyr, duke i lavdëruar ata për përpjekjet e tyre. Gjashtë nga fëmijët janë të pagëzuar dhe të tjerët vazhdojnë të punojnë drejt këtij synimi.
Komunikim i mirë, synime të përbashkëta
Jetësor për familjet e bashkuara është komunikimi i dashur dhe synimet e përbashkëta frymore. Gordoni, një plak i krishterë që jeton në Nigeri, është baba i shtatë fëmijëve, të moshës 11 deri në 27-vjeçare. Gjashtë prej tyre janë pionierë, si prindërit e tyre. Më i vogli, që është pagëzuar kohët e fundit, merr pjesë rregullisht me pjesën tjetër të familjes në veprën e bërjes së dishepujve. Dy djemtë më të mëdhenj janë shërbëtorë ndihmës në kongregacion.
Studimet biblike me të gjithë fëmijët e tij Gordoni i ka drejtuar vetë. Përveç kësaj, familja ka një program të plotë arsimimi biblik. Çdo mëngjes ata mblidhen për të shqyrtuar një shkrim biblik dhe më pas përgatiten për mbledhjet e kongregacionit.
Një nga synimet që është vënë për çdo pjesëtar të familjes, është leximi i të gjithë artikujve në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Kohët e fundit, ata i shtuan rutinës së tyre leximin e përditshëm të Biblës. Duke folur për atë që lexojnë, pjesëtarët e familjes inkurajojnë njëri-tjetrin për të vazhduar këtë zakon.
Studimi familjar biblik javor është kaq shumë i rrënjosur, saqë asnjë nuk ka nevojë ta kujtojnë në lidhje me të, pasi secili mezi e pret studimin. Gjatë viteve, përmbajtja, struktura dhe kohëzgjatja e studimit familjar ka ndryshuar sipas moshës dhe nevojave të fëmijëve. Familja është afruar me shërbëtorë të tjerë besimplotë të Perëndisë dhe kjo gjë ka pasur një ndikim të dobishëm mbi fëmijët.
Si familje, ata i bëjnë gjërat së bashku dhe lënë mënjanë kohë edhe për çlodhje. Një herë në javë ata bëjnë «mbrëmjen e familjes» ku bëjnë lojra me pyetje-përgjigje, shaka me shije, luajnë në piano, tregojnë histori dhe bëjnë një çlodhje të përgjithshme. Me raste, ata shkojnë në plazh ose në vende të tjera interesante.
Mbështetje në Jehovain
Asnjë nga gjërat që thamë më lart nuk e minimizon vështirësinë e mbajtjes së familjeve të mëdha. «Është një sfidë e madhe të jesh një baba i mirë për tetë fëmijë,—tha një i krishterë.—Duhet ushqim material e frymor me bollëk për t’i mbajtur ata; unë duhet të punoj shumë për të fituar para të mjaftueshme për t’i mbajtur. Fëmijët më të mëdhenj janë në adoleshencë dhe që të tetë shkojnë në shkollë. E di se stërvitja frymore është jetësore, e megjithatë disa nga fëmijët e mi janë kokëfortë e të pabindur. Ata më trishtojnë, por unë e di se disa herë unë vetë bëj gjëra që trishtojnë zemrën e Jehovait dhe ai më fal. Prandaj, duhet të vazhdoj me durim t’i korrigjoj fëmijët e mi, derisa të vijnë në vete.
Përpiqem të ndjek shembullin e Jehovait, pasi ai është i duruar me ne, ngaqë dëshiron që të gjithë të arrijmë pendimin. Studioj me familjen time dhe disa prej fëmijëve po punojnë drejt synimit të pagëzimit. Nuk i mbaj shpresat në forcat e mia për të arritur rezultate, sepse fuqia ime mund të bëjë pak gjë. Përpiqem t’i afrohem gjithnjë e më shumë Jehovait në lutje dhe të zbatoj fjalën e urtë që thotë: ‘Beso në Jehovain me të gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Në të gjitha udhët vërja veshin atij dhe ai vetë do ta bëjë të drejtë shtegun tënd.’ Jehovai do të më ndihmojë për të kryer stërvitjen e fëmijëve të mi.»—Fjalët e urta 3:5, 6, BR.
Kurrë mos u dorëzo!
Disa herë të stërvitësh fëmijët mund të duket një punë pa fryt, por kurrë mos u dorëzo! Këmbëngul! Edhe nëse fëmijët e tu nuk reagojnë pozitivisht ose nuk i çmojnë përpjekjet e tua tani, mund ta bëjnë më vonë. Duhet kohë që një fëmijë të rritet për t’u bërë një i krishterë që jep frytet e frymës.—Galatasve 5:22, 23.
Monika, e cila jeton në Kenia, është një nga dhjetë fëmijët e familjes së saj. Ajo thotë: «Prindërit e mi na e mësuan Biblën që nga foshnjëria jonë. Babi i studionte botimet e krishtere me ne çdo javë. Për shkak të punës që bënte, studimi nuk ishte gjithnjë në të njëjtën ditë. Disa herë, kur vinte nga puna, na shihte duke luajtur përjashta dhe na thoshte se për pesë minuta duhej të shkonim të gjithë brenda për studimin biblik. Pas studimit biblik, ai na inkurajonte të bënim pyetje ose të diskutonim ndonjë problem që kishim.
Ai sigurohej që ne të shoqëroheshim me fëmijë të perëndishëm. Babi vinte në shkollën tonë rregullisht për t’i pyetur mësuesit në lidhje me sjelljen tonë. Kur erdhi një herë, ai dëgjoi se tre vëllezërit e mi më të mëdhenj ishin zënë me djem të tjerë dhe se disa herë ishin treguar të pasjellshëm. Babi i ndëshkoi ata për sjelljen e tyre të gabuar, por mori edhe kohë për t’u shpjeguar nga Shkrimet se përse duhej të silleshin në një mënyrë të perëndishme.
Prindërit tanë na treguan dobitë e ndjekjes së mbledhjeve, duke i përgatitur pjesët me ne. Na stërvitën për t’u bërë shërbëtorë, duke bërë sesione praktike në shtëpi. Që nga foshnjëria, ne i shoqëronim prindërit tanë në shërbimin në fushë.
Sot, dy vëllezërit më të mëdhenj janë pionierë specialë, një motër është pioniere e rregullt dhe një motër tjetër më e vogël, e cila është martuar dhe ka familje, është një Dëshmitare e zellshme. Dy motrat e mia më të vogla, 18 dhe 16 vjeçe, janë lajmëtare të papagëzuara. Dy djemtë më të vegjël po marrin stërvitje. Unë po shërbej në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Kenia nga tre vjet. I dua dhe i çmoj prindërit e mi, sepse janë njerëz frymorë dhe sepse lanë një shembull të shkëlqyer për ne.»
Pavarësisht nga sa fëmijë ke, kurrë mos u dorëzo, duke i ndihmuar ata gjatë shtegut për në jetën e përhershme. Ndërkohë që Jehovai bekon përpjekjet e tua, do të përsëritësh edhe ti fjalët e apostullit Gjon, në lidhje me fëmijët e tij frymorë: «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje sesa këto gjëra, që të shoh se fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3. Gjonit 4, BR.