Poçari i Madh dhe vepra e tij
«[Bëhu] enë për një qëllim të nderuar, . . . e përgatitur për çdo vepër të mirë.»—2. TIMOTEUT 2:21, BR.
1, 2. (a) Në ç’mënyrë krijimi i burrit dhe i gruas nga Perëndia ishte një vepër e jashtëzakonshme? (b) Për çfarë qëllimi i krijoi Poçari i Madh Adamin dhe Evën?
JEHOVAI është Poçari i Madh. Një nga kryeveprat e krijimit të tij ishte prindi ynë i parë, Adami. Bibla na thotë: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë», domethënë, «një krijesë që merr frymë». (Zanafilla 2:7, shënimi, BR) Krijesa e parë njerëzore ishte e përsosur, e formuar në vetë shëmbëllimin e Perëndisë, një dëshmi e mençurisë së Tij hyjnore dhe e dashurisë së Tij për drejtësinë e të drejtën e vërtetë.
2 Duke përdorur material nga brinja e Adamit, Perëndia modeloi edhe një plotësuese e ndihmëse për burrin, që ishte gruaja. Bukuria e patëmetë e Evës ia kalonte edhe bukurisë së grave më tërheqëse sot. (Zanafilla 2:21-23) Për më tepër, dy njerëzve të parë iu dhanë trupa dhe aftësi të projektuara me përsosmëri, për të kryer projektin që u ishte caktuar, kthimin e kësaj toke në një parajsë. Atyre iu sigurua edhe fuqia për të plotësuar urdhrin e Perëndisë që përmendet në Zanafillën 1:28: «Jini të frytshëm dhe bëhuni shumë, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni, mbani në nënshtrim peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz mbi tokë.» (BR) Së fundi, ky kopsht global do të popullohej nga miliarda njerëz të gëzuar, të lidhur së bashku në atë lloj dashurie që është «një lidhje e përsosur bashkimi».—Kolosianëve 3:14, BR.
3. Si u bënë enë pa nder prindërit tanë të parë dhe me çfarë rezultati?
3 Mjerisht, prindërit tanë të parë zgjodhën vullnetarisht të rebeloheshin kundër autoritetit të Krijuesit të tyre Sovran, Poçarit të Madh. Drejtimi që morën ata u bë siç përshkruhet në Isainë 29:15, 16: «Mjerë ata që shkojnë shumë thellë, duke e fshehur këshillën nga vetë Jehovai dhe veprat e të cilëve kanë ndodhur në një vend të errët, kurse ata thonë: ‘Kush po na sheh dhe kush na njeh?’ . . . A duhet të konsiderohet vetë poçari thjesht si argjila? Pra, a duhet që gjëja e bërë të thotë në lidhje me bërësin e saj: ‘Ai nuk më bëri?’ Dhe a thotë faktikisht vetë gjëja e formuar në lidhje me formuesin e saj: ‘Ai nuk tregoi fare kuptueshmëri?’» (BR) Rebelimi i tyre solli gjëmën, dënimin me vdekje të përhershme. Gjithashtu, e gjithë raca njerëzore që doli prej tyre trashëgoi mëkatin dhe vdekjen. (Romakëve 5:12, 18) Bukuria e krijimit të Poçarit të Madh u bë me vraga të thella.
4. Për cilin qëllim të nderuar mund të shërbejmë ne?
4 Megjithatë, edhe në gjendjen e tanishme të papërsosur, ne pasardhësit e Adamit mëkatar mund ta lëvdojmë Jehovain me fjalët e Psalmit 139:14: «Do të të lavdëroj, sepse jam bërë mrekullisht në një mënyrë që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, siç shpirti im e di shumë mirë.» (BR) Por, sa e trishtueshme që mjeshtëria origjinale e Poçarit të Madh është njollosur në mënyrë kaq të tmerrshme!
Poçari e zgjeron veprën e tij
5. Si do ta ushtronte aftësinë e tij Poçari i Madh?
5 Lumturisht, Krijuesi ynë do ta ushtronte aftësinë e tij si Poçar përtej modelimit të krijimit të tij fillestar njerëzor. Apostulli Pavël na thotë: «O njeri, kush, pra, je ti në të vërtetë që t’i kthesh përgjigje Perëndisë? A duhet t’i thotë gjëja e modeluar atij që e modeloi: ‘Pse më bëre në këtë mënyrë?’ Çfarë? A nuk ka poçari autoritet mbi argjilën që të bëjë nga e njëjta masë një enë për përdorim me nder, një tjetër për përdorim pa nder?»—Romakëve 9:20, 21, BR.
6, 7. (a) Si zgjedhin shumë njerëz sot të modelohen për një përdorim pa nder? (b) Si modelohen të drejtët për një përdorim me nder?
6 Po, disa nga veprat e Poçarit të Madh do të modelohen për një përdorim me nder dhe disa për një përdorim pa nder. Ata që zgjedhin të ndjekin botën, ndërsa zhytet gjithnjë e më thellë në batakun e paperëndishmërisë, modelohen në një mënyrë të tillë që do t’i shënojë për shkatërrim. Kur Mbreti i lavdishëm, Krishti Jezu, të vijë për gjykim, këto enë pa nder do të përfshijnë të gjithë njerëzit kokëfortë ngjashëm cjepëve që, siç thotë Mateu 25:46, do të «shkojnë në këputjen e përhershme». (BR) Por «të drejtët» ngjashëm deleve, ata të modeluar për një përdorim «me nder», do të trashëgojnë «jetën e përhershme».
7 Me përulësi, këta të drejtë do t’i jenë nënshtruar modelimit hyjnor. Ata kanë hyrë në udhën hyjnore të jetës. Kanë pranuar këshillën që gjendet në 1. Timoteut 6:17-19: «Vendoseni shpresën [tuaj], jo te pasuritë e pasigurta, por te Perëndia, i cili na i jep të gjitha gjërat bujarisht për kënaqësinë tonë.» (BR) Ata janë kushtuar që «të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë bujarë, gati për të ndarë, duke mbledhur, si një thesar të sigurt, një themel të shkëlqyer për të ardhmen, me qëllim që të kapen fort pas jetës së vërtetë». (BR) Ata modelohen nga e vërteta hyjnore dhe ushtrojnë një besim të patundur në masën që ka marrë Jehovai me anë të Krishtit Jezu, i cili «e dha veten si një shpërblesë përkatëse», për të rivendosur gjithçka që ishte humbur nga mëkati i Adamit. (1. Timoteut 2:6, BR) Sa me gatishmëri, pra, duhet t’i nënshtrohemi këshillës së Pavlit, që ‘të vishemi me personalitetin e ri, i cili përmes njohurisë së saktë, bëhet i ri sipas shëmbëllimit të Atij që e krijoi’!—Kolosianëve 3:10, BR.
Çfarë lloj ene do të jesh?
8. (a) Çfarë e përcakton llojin e enës që bëhet një person? (b) Cilët janë dy faktorët që i japin formë modelimit të një personi?
8 Çfarë e përcakton llojin e enës që bëhet një person? Qëndrimi dhe sjellja e tij. Këto marrin formë së pari nga dëshirat dhe nga prirjet e zemrës. Mbreti i mençur Solomon tha: «Zemra e njeriut tokësor mund të bluajë me mendje udhën e tij, por vetë Jehovai bën drejtimin e hapave të tij.» (Proverbat [Fjalët e urta] 16:9, BR) Së dyti, ato marrin formë nga gjërat që dëgjojnë e që shohin, nga shoqëritë dhe përvojat. Prandaj, sa e rëndësishme është t’i vëmë veshin këshillës: «Ai që ecën me persona të mençur do të bëhet i mençur, por ai që ka të bëjë me të pamendët do të shkojë keq.» (Proverbat 13:20, BR) Siç na paralajmëron 2. Pjetrit 1:16, ne duhet të shmangim ndjekjen e «tregimeve të rreme të sajuara me mjeshtëri» (BR) ose sipas versionit katolik të Noksit, «fabulave të shpikura nga njeriu». Këto përfshijnë shumë mësime dhe festa të të ashtuquajturit krishterim apostat.
9. Si mund të reagojmë në mënyrë të favorshme ndaj modelimit prej Poçarit të Madh?
9 Pra, Perëndia na modelon në përputhje me reagimin tonë. Me përulësi para Jehovait, ne mund të përsëritim lutjen e Davidit: «Më heto, o Perëndi dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet e mia turbulluese, shih nëse ka në mua ndonjë udhë të dhimbshme dhe më drejto në udhën e kohës së pacaktuar.» (Psalmi 139:23, 24, BR) Jehovai po bën që të predikohet mesazhi i Mbretërisë. Zemrat tona kanë reaguar me vlerësim ndaj lajmit të mirë dhe ndaj direktivave të tij të mëtejshme. Nëpërmjet organizatës së tij, ai na ofron privilegje të ndryshme që lidhen me predikimin e lajmit të mirë, prandaj le të kapemi fort pas këtyre dhe t’i çmojmë ato.—Filipianëve 1:9-11.
10. Si duhet të ushtrohemi energjikisht në ndjekjen e programeve frymore?
10 Është shumë e rëndësishme që t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme Fjalës së Perëndisë, duke ndjekur një program të përditshëm për leximin e Biblës dhe duke i bërë Shkrimet dhe shërbimin e Jehovait bazën e diskutimeve në familjet tona dhe me miqtë. Programi i adhurimit të mëngjesit që drejtohet në tavolinat e ngrënies nga çdo familje Bethel dhe nga çdo grup misionarësh Dëshmitarë të Jehovait, zakonisht përfshin një lexim të shkurtër të Biblës gjatë një jave dhe të Librit vjetor për atë vit, gjatë javës pasuese. A mund të bëjë familja jote një rregullim të ngjashëm? Sa shumë bekime marrim të gjithë ne, gjithashtu, nga shoqëritë tona në kongregacionin e krishterë, në mbledhjet tona së bashku dhe veçanërisht nga pjesëmarrja jonë në studimin javor të Kullës së Rojës!
Të modeluar për të përballuar sprovat
11, 12. (a) Si mund ta zbatojmë këshillën e Jakovit në lidhje me sprovat në jetën tonë të përditshme? (b) Si na inkurajon përvoja e Jobit për të mbajtur integritetin?
11 Në jetën tonë të përditshme, Perëndia lejon që të lindin situata të ndryshme, disa prej të cilave mund të na duken të vështira. Si duhet t’i konsiderojmë këto? Siç këshillohet në Jakovin 4:8, le të mos hidhërohemi asnjëherë, por le t’i afrohemi Perëndisë, duke besuar në të me gjithë zemrën tonë, të sigurt se ndërsa ‘afrohemi tek ai, ai do të afrohet te ne’! (BR) Vërtet, do të na duhet të durojmë vështirësi dhe sprova, por ato lejohen pasi kontribuojnë në modelimin tonë me një rezultat të kënaqshëm. Jakovit 1:2, 3 na siguron: «Konsiderojeni gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri.»—BR.
12 Jakovi thotë, gjithashtu: «Kur ndodhet nën sprovë, le të mos thotë askush: ‘Po sprovohem nga Perëndia.’ Sepse me gjëra të liga Perëndia nuk mund të sprovohet dhe as ai vetë nuk sprovon njeri. Por secili sprovohet duke qenë i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet.» (Jakovit 1:13, 14, BR) Sprovat tona mund të jenë të shumta dhe të shumëllojshme, por si në rastin e Jobit, të gjitha ato luajnë rol në modelimin tonë. Sa shumë siguri na japin Shkrimet me fjalët e Jakovit 5:11: «Ja! Ne shpallim të lumtur ata që kanë duruar. Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe keni parë rezultatin që i dha Jehovai, se Jehovai është mëshirplotë dhe i dhembshur.» (BR) Si enë në duart e Poçarit të Madh, le të mbajmë integritetin tonë në çdo kohë, duke pasur një siguri si ajo e Jobit për rezultatin përfundimtar!—Jobi 2:3, 9, 10; 27:5; 31:1-6; 42:12-15.
Të modelojmë të rinjtë
13, 14. (a) Kur duhet të fillojnë t’i modelojnë prindërit fëmijët e tyre dhe duke mbajtur në mend cilin rezultat? (b) Çfarë rezultatesh të kënaqshme mund të citosh?
13 Prindërit mund të marrin pjesë në modelimin e të rinjve të tyre që nga foshnjëria e fëmijëve dhe të shohin se sa mbajtës të shkëlqyer të integritetit mund të bëhen të rinjtë. (2. Timoteut 3:14, 15) Kjo ka dalë e vërtetë edhe kur sprovat kanë qenë ekstreme. Disa vjet më parë, kur persekutimi ishte në kulmin e tij në një vend afrikan, një familje e besueshme u kujdes për shtypjen në fshehtësi të Kullës së Rojës, në një barakë në oborrin e pasmë të shtëpisë. Një ditë, ushtarët po kalonin nëpër atë rrugë, duke kontrolluar në çdo shtëpi për djem të rinj që t’i rekrutonin në ushtri. Të dy djemtë e rinj të asaj familjeje kishin ende kohë për t’u fshehur, por nëse ushtarët do të kërkonin për t’i gjetur, do të zbulonin patjetër makinerinë e shtypit. Kjo mund të çonte në torturimin ose ndoshta në vrasjen e gjithë familjes. Ç’të bënin? Dy djemtë folën, duke cituar me guxim Gjonin 15:13: «Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo, që dikush të dorëzojë shpirtin e tij në dobi të miqve të tij.» (BR) Ata këmbëngulën që të qëndronin në dhomën e ndenjes. Ushtarët do t’i gjenin dhe pa dyshim do t’i torturonin mizorisht ose edhe t’i vritnin kur ata të refuzonin të rekrutoheshin. Por, të paktën ushtarët nuk do të kërkonin më tej dhe makineria e shtypit bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes do të kurseheshin. Gjithsesi, rezultati ishte tepër i veçantë. Ushtarët faktikisht e kaluan pa kontrolluar këtë shtëpi, duke vazhduar me të tjerat! Këto enë njerëzore të modeluara për një përdorim me nder mbijetuan bashkë me makinerinë e shtypit, për të vazhduar me botimin e ushqimit frymor në kohën e duhur. Njëri nga dy djemtë dhe motra e tij tani shërbejnë në Bethel dhe djali punon akoma me makinerinë e vjetër të shtypit.
14 Të rinjtë mund të mësojnë se si të luten dhe Perëndia u përgjigjet lutjeve të tyre. Një rast i jashtëzakonshëm i kësaj ndodhi gjatë masakrave në Ruanda. Kur një vajzë gjashtëvjeçare dhe prindërit e saj i kishin reshtuar për t’i ekzekutuar me një granatë dore, vajza u lut me zë të lartë dhe me zjarr që ata të kurseheshin për t’i shërbyer akoma Jehovait. Vrasësit u shtynë nga kjo lutje që ta kursenin atë familje, duke thënë: «Nuk mund t’ju vrasim për shkak të kësaj vajze të vogël.»—1. Pjetrit 3:12.
15. Për cilat ndikime degjeneruese paralajmëroi Pavli?
15 Pjesës më të madhe të të rinjve tanë nuk u duhet të përballojnë situata kaq të vështira si këto që u përshkruan më lart. Por ata hasin shumë sprova në shkollë dhe në shoqëritë e sotme të degjeneruara: gjuha e shthurur, pornografia, zbavitja e degraduar dhe presionet e bashkëmoshatarëve për t’u përfshirë në praktika të gabuara, të cilat janë mbizotëruese në shumë vende. Apostulli Pavël paralajmëroi vazhdimisht kundër këtyre ndikimeve.—1. Korintasve 5:6; 15:33, 34; Efesianëve 5:3-7.
16. Si mund të bëhet një person, një enë për përdorim të nderuar?
16 Pasi u referohet enëve që mbahen «disa për një qëllim të nderuar, por të tjerat për një qëllim pa nder», Pavli thotë: «Prandaj, nëse dikush qëndron larg nga këto të fundit, ai do të jetë një enë për një qëllim të nderuar, e shenjtëruar, e dobishme për pronarin e vet, e përgatitur për çdo vepër të mirë.» Prandaj, le t’i inkurajojmë të rinjtë tanë që të jenë vigjilentë ndaj shoqërive të tyre! T’i inkurajojmë që të ‘largohen nga dëshirat e natyrshme të rinisë, por të ndjekin drejtësinë, besimin, dashurinë, paqen, bashkë me ata që thërrasin Zotërinë me zemër të pastër’. (2. Timoteut 2:20-22, BR) Një program familjar për ‘të ndërtuar njëri-tjetrin’, mund të jetë me shumë vlera në modelimin e të rinjve tanë. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:11; Proverbat 22:6) Leximi i përditshëm i Biblës dhe studimi, duke përdorur botimet e përshtatshme të Shoqatës, mund të jenë një ndihmë e shkëlqyer.
Modelim për të gjithë
17. Si do të na modelojë disiplina e me çfarë rezultati të gëzueshëm?
17 Për të na modeluar, Jehovai na jep këshilla nga Fjala e tij dhe nëpërmjet organizatës së tij. Kurrë mos u rezisto këtyre këshillave hyjnore! Reago me mençuri ndaj tyre dhe lejo që ato të të japin formë për përdorim të nderuar nga Jehovai. Proverbat 3:11, 12 na këshillon: «Disiplinën e Jehovait, o biri im, mos e hidh poshtë dhe mos ki neveri për qortimin e tij, sepse Jehovai qorton atë që do, ashtu si një atë me birin në të cilin gjen kënaqësi.» (BR) Një këshillë e mëtejshme atërore sigurohet në Hebrenjve 12:6-11: «Atë që Jehovai e do, e disiplinon . . . Vërtet, asnjë disiplinë nuk duket e gëzueshme për momentin, por hidhëruese; megjithatë më vonë ajo u jep atyre që janë stërvitur prej saj fryt paqësor, d.m.th. drejtësi.» (BR) Kanali kryesor për këtë disiplinë duhet të jetë Fjala e frymëzuar e Perëndisë.—2. Timoteut 3:16, 17.
18. Çfarë mësojmë nga kapitulli 15 i Lukës për sa i përket pendimit?
18 Jehovai është, gjithashtu, i mëshirshëm. (Dalja [Eksodi] 34:6) Aty ku tregohet pendim i sinqertë nga zemra edhe për mëkatin më të rëndë, ai ofron faljen e tij. Edhe ‘plëngprishësit’ e ditëve tona mund të modelohen në enë për përdorim të nderuar. (Luka 15:22-24, 32) Mëkatet tona mund të mos jenë aq të rënda sa ato të plëngprishësit. Por reagimi ynë i përulur ndaj këshillave biblike do të çojë gjithnjë në modelimin tonë, për t’u bërë enë për përdorim të nderuar.
19. Si mund të vazhdojmë të shërbejmë si enë të nderuara në duart e Jehovait?
19 Kur e mësuam fillimisht të vërtetën, treguam një gatishmëri për ta lënë Jehovain që të na jepte formë. I lamë udhët e botës, filluam të vishnim personalitetin e ri dhe u bëmë të krishterë të dedikuar e të pagëzuar. Iu bindëm këshillës së Efesianëve 4:20-24, ‘duke hequr personalitetin e vjetër që konformohej me drejtimin tonë të mëparshëm të sjelljes, me dëshirat e veta mashtruese dhe duke veshur personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe në besnikëri të vërtetë’. (BR) Vazhdoftë secili prej nesh të jetë i përpunueshëm në duart e Jehovait, Poçarit të Madh, duke shërbyer gjithnjë si enë për përdorim të nderuar prej tij!
Rishikim
◻ Cili është qëllimi i Poçarit të Madh lidhur me tokën tonë?
◻ Si mund të modelohemi për një përdorim të nderuar?
◻ Në ç’mënyrë mund të modelohen fëmijët tanë?
◻ Cilën pikëpamje duhet të kemi për disiplinën?
[Figura në faqen 10]
A do të modelohesh për një përdorim të nderuar apo do të hidhesh poshtë?
[Figura në faqen 12]
Të rinjtë mund të modelohen që nga foshnjëria