Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Kërkimi i Perëndisë së vërtetë shpërblehet
NË SHEKULLIN e dhjetë p.e.s., mbretëria prej dy fisesh e Judës gëlonte nga adhurimi i rremë. Por, në mes të kësaj idhujtarie të shfrenuar jetonte një burrë, zemra e të cilit ishte e drejtë ndaj Perëndisë. Emri i tij ishte Jozafat. Në lidhje me të, profeti Jehu tha: «Ka gjëra të mira që janë gjetur te ti, sepse ke . . . përgatitur zemrën tënde për të kërkuar Perëndinë e vërtetë.» (2. Kronikave 19:3, BR) Po kështu edhe sot, në këto «kohë kritike të vështira», miliona njerëz kanë ‘përgatitur zemrën e tyre’ për të kërkuar Perëndinë e vërtetë, Jehovain. (2. Timoteut 3:1-5, BR) Kjo vërtetohet nga përvoja vijuese që vjen nga Togoja, në Afrikën Perëndimore.
Kazimiri ndoqi shkollën katolike dhe mori kungimin e parë në moshën nëntë vjeç. Por, në kohën kur mbushi të katërmbëdhjetat, Kazimiri nuk shkonte më në kishë. Kjo gjë kishte bërë që ai të jetonte me frikë, pasi mendonte se mungesa në meshë do të sillte si pasojë që të shkonte në një ferr të zjarrtë ose të paktën në purgator.
Në shkollë, Kazimiri u bashkua me një grup të rinjsh që mblidheshin një herë në javë për të studiuar Biblën. Ai filloi, gjithashtu, ta lexonte vetë Biblën. Në një rast, Kazimiri lexoi në librin e Zbulesës për një bishë të egër të llahtarshme që dilte nga deti. (Zbulesa 13:1, 2) Kur pyeti drejtuesin e studimit të Biblës në lidhje me këtë bishë, ai i tha se bisha ishte reale dhe se do të dilte me të vërtetë nga deti. Ky shpjegim e turbulloi Kazimirin, pasi ai nuk jetonte larg Bregut Atlantik. Ishte i bindur se do të gjendej mes viktimave të para të bishës së egër.
Kazimiri filloi të kursente para për të ikur në shkretëtirën që gjendej në veri, me qëllim që t’i shmangej bishës së egër. Ai i tregoi një shokut të klasës për planet që kishte. Shoku i klasës, i cili ishte një Dëshmitar i Jehovait, e qetësoi, duke i thënë se asnjë bishë reale nuk do të dilte nga deti. Pak kohë pas kësaj, Kazimiri mori një ftesë për mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. I pëlqyen mbledhjet dhe filloi t’i ndiqte ato rregullisht. Ai pranoi edhe një studim biblik në shtëpi.
Ndërsa përparonte në studimin e tij, Kazimiri filloi të kishte kundërshtim nga familja. Familja e tij praktikonte adhurimin e të parëve dhe hante mishin e mbetur nga flijimet, të cilit nuk i ishte hequr gjaku. Kur me mirësjellje Kazimiri refuzoi ta hante mishin, familja e kërcënoi dhe i kërkoi të largohej nga shtëpia. Kazimiri ruajti qetësinë dhe kërcënimet nuk u bënë realitet. Megjithatë, për tre muaj rresht, në vaktet e familjes shërbehej vetëm nga ai lloj mishi. Kazimiri pati probleme për t’u ushqyer në mënyrë të mjaftueshme, por mbajti pozicionin e tij përballë këtij problemi dhe vështirësive të tjera.
Kazimiri vazhdoi të bënte përparim frymor deri në pikën e dedikimit dhe të pagëzimit. Më vonë, u emërua shërbëtor ndihmës dhe ndoqi klasën e katërt të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Togo. Aktualisht, ai punon si vullnetar në degën e Shoqatës.
Po, sa të vërteta kanë dalë në shumë raste fjalët e mbretit David: «Nëse e kërkon [Jehovain], ai do të lërë që ti ta gjesh.»—1. Kronikave 28:9, BR.
[Figurat në faqen 8]
Kazimiri (djathtas) punon si vullnetar në degën e Shoqatës