BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/11 f. 10-15
  • Të ecim me Perëndinë: Hapat e parë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të ecim me Perëndinë: Hapat e parë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Njohuria e saktë është thelbësore
  • Dy hapa të rëndësishëm: Dedikimi dhe pagëzimi
  • Të ecim në gjurmët e Jezuit
  • Besoji Perëndisë që të të përkrahë
  • A do të ecni me Perëndinë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Syno që t’i shërbesh Perëndisë përgjithmonë
    Njohuria që të çon në jetën e përhershme
  • ‘Shkoni dhe bëni dishepuj, duke i pagëzuar’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Pagëzimi dhe marrëdhënia jote me Perëndinë
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/11 f. 10-15

Të ecim me Perëndinë: Hapat e parë

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—JAKOVIT 4:8, BR.

1, 2. Pse do të thoshe se t’i shërbesh Jehovait është një privilegj i madh?

PËR vite të tëra kishte vuajtur në burg. Më pas e thirrën të paraqitej përpara sundimtarit të vendit. Ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi. Papritur, i burgosuri e pa veten në shërbimin e monarkut më të fuqishëm që ekzistonte në atë kohë mbi tokë. Të burgosurit të dikurshëm iu dha një pozitë me përgjegjësi të madhe dhe iu bënë nderime të jashtëzakonshme. Jozefi, burri që dikur i kishte këmbët të lidhura me vargonj, tani ecte me një mbret!—Zanafilla 41:14, 39-43; Psalmi 105:17, 18.

2 Sot, njerëzit kanë mundësinë të angazhohen në shërbimin e dikujt që është shumë më i madh se faraoni i Egjiptit. Supremi i universit na fton të gjithëve ne t’i shërbejmë. Ç’privilegj madhështor është ta bëjmë këtë dhe të kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, Perëndinë e plotfuqishëm! Në Shkrimet, me Jehovain lidhen si fuqia dhe shkëlqimi madhështor, ashtu edhe qetësia, bukuria dhe ëmbëlsia. (Ezekieli 1:26-28; Zbulesa 4:1-3) Çdo gjë që bën ai përshkohet nga dashuria. (1. Gjonit 4:8) Ai nuk gënjen kurrë. (Numrat 23:19) Gjithashtu, Jehovai nuk i zhgënjen asnjëherë ata që i janë besnikë. (Psalmi 18:25) Duke vepruar në përputhje me kërkesat e tij të drejta, mund të gëzojmë tani një jetë të lumtur dhe kuptimplotë, me sytë nga jeta e përhershme. (Gjoni 17:3) Asnjë sundimtar njerëzor nuk ofron diçka që mund të krahasohet sadopak me bekime dhe privilegje të tilla.

3. Në ç’mënyrë ‘eci me Perëndinë e vërtetë’ Noeja?

3 Shumë kohë më parë, patriarku Noe vendosi të jetonte në harmoni me vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë. Në lidhje me të, Bibla thotë: «Noeja ishte njeri i drejtë. Ai u tregua i patëmetë mes bashkëkohësve të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë. (Zanafilla 6:9, BR) Sigurisht, Noeja nuk eci fizikisht me Jehovain, sepse askush nuk e ka «parë asnjëherë Perëndinë». (Gjoni 1:18, BR) Përkundrazi, Noeja eci me Perëndinë në kuptimin që bëri atë ç’ka Perëndia i tha të bënte. Meqenëse ia kushtoi jetën e vet kryerjes së vullnetit të Jehovait, Noeja gëzoi një marrëdhënie të ngrohtë intime me Perëndinë e Plotfuqishëm. Ashtu si Noeja, miliona veta sot po ‘ecin me Perëndinë’, duke jetuar në harmoni me këshillat dhe udhëzimet e Jehovait. Si e nis dikush një rrugë të tillë?

Njohuria e saktë është thelbësore

4. Si e udhëzon Jehovai popullin e tij?

4 Që të ecim me Jehovain, fillimisht duhet të arrijmë ta njohim. Profeti Isaia paratha: «Në pjesën përfundimtare të ditëve duhet të ndodhë që mali i shtëpisë së Jehovait do të vendoset patundshmërisht mbi majën e maleve e me siguri do të ngrihet mbi kodrat dhe drejt tij duhet të vërshojnë të gjitha kombet. Dhe me siguri shumë popuj do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, ju njerëz dhe le të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit dhe ai do të na mësojë në lidhje me rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Jehovait.» (Isaia 2:2, 3, BR) Po, mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i mësojë të gjithë ata që kërkojnë të ecin në udhët e tij. Jehovai na ka siguruar Fjalën e tij, Biblën, dhe na ndihmon që ta kuptojmë. Një mënyrë në të cilën e bën këtë është nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Jehovai e përdor ‘skllavin e besueshëm’ që të sigurojë mësimin frymor me anë të botimeve të bazuara në Bibël, mbledhjeve të krishtere dhe studimeve biblike që drejtohen falas nëpër shtëpi. Perëndia e ndihmon popullin e vet që ta kuptojë Fjalën e tij edhe me anë të frymës së tij të shenjtë.—1. Korintasve 2:10-16.

5. Pse e vërteta biblike është kaq e çmuar?

5 Megjithëse për të vërtetën biblike nuk paguajmë para, ajo është e çmuar. Ndërsa studiojmë Fjalën e Perëndisë, mësojmë rreth vetë Perëndisë: emrin e tij, personalitetin e tij, qëllimin e tij dhe mënyrën se si vepron me njerëzit. Mësojmë edhe përgjigjet çliruese për pyetjet thelbësore të jetës: Pse jemi këtu? Pse i lejon Perëndia vuajtjet? Çfarë rezervon e ardhmja? Pse plakemi dhe vdesim? A ka jetë pas vdekjes? Për më tepër, mësojmë se cili është vullneti i Perëndisë për ne, domethënë se si duhet të ecim që t’i pëlqejmë plotësisht. Mësojmë se kërkesat e tij janë të arsyeshme dhe se kur jetojmë në lartësinë e tyre na sjellin dobi të mrekullueshme. Pa udhëzimin e Perëndisë, kurrë nuk do të mund t’i kuptonim gjëra të tilla.

6. Cilën rrugë na bën të mundur të ndjekim njohuria e saktë biblike?

6 E vërteta biblike është e fuqishme dhe na nxit të bëjmë ndryshime në jetën tonë. (Hebrenjve 4:12) Përpara se të merrnim njohurinë mbi Shkrimet, ne mund të ecnim vetëm «sipas sistemit të gjërave të kësaj bote». (Efesianëve 2:2, BR) Por njohuria e saktë mbi Fjalën e Perëndisë harton për ne një rrugë tjetër që të mund të «ecim denjësisht për Jehovain, me qëllim që t’i pëlqejmë plotësisht». (Kolosianëve 1:10, BR) Ç’gëzim është të hedhim hapat tanë të parë në ecjen me Jehovain, Personin më të madhërishëm në tërë universin!—Luka 11:28.

Dy hapa të rëndësishëm: Dedikimi dhe pagëzimi

7. Cila e vërtetë në lidhje me udhëheqjen njerëzore bëhet e dukshme, ndërsa studiojmë Biblën?

7 Kur kuptueshmëria jonë mbi Biblën rritet, fillojmë që çështjet njerëzore dhe vetë jetën tonë t’i shqyrtojmë në dritën frymore të Fjalës së Perëndisë. Kështu bëhet e dukshme një e vërtetë e rëndësishme. Kjo e vërtetë u shpreh kohë më parë nga profeti Jeremia, i cili shkroi: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Nuk i përket njeriut që ecën, as të drejtojë hapin e tij.» (Jeremia 10:23, BR) Njerëzit, të gjithë ne, kemi nevojë për drejtimin e Perëndisë.

8. (a) Ç’gjë i nxit njerëzit t’i dedikohen Perëndisë? (b) Çfarë është dedikimi i krishterë?

8 Duke e kuptuar këtë fakt jetësor, motivohemi për të kërkuar udhëheqjen prej Jehovait. Dashuria për Perëndinë na nxit t’ia dedikojmë atij jetën tonë. T’i dedikohesh Perëndisë do të thotë t’i drejtohesh atij në lutje dhe t’i premtosh solemnisht se do ta përdorësh jetën për t’i shërbyer, si dhe për të ecur me besim të plotë në udhët e tij. Duke vepruar kështu, ndjekim shembullin e Jezuit, i cili iu paraqit Jehovait me vendosmërinë e patundur për të kryer vullnetin hyjnor.—Hebrenjve 10:7.

9. Pse individët ia dedikojnë jetën e tyre Jehovait?

9 Perëndia Jehova nuk shtyp apo shtrëngon askënd që t’i dedikohet atij. (Krahaso 2. Korintasve 9:7.) Për më tepër, Perëndia nuk pret nga askush që t’ia dedikojë jetën Atij për shkak të ndonjë emocioni kalimtar. Përpara se të pagëzohet, një person duhet të jetë tashmë dishepull dhe kjo gjë kërkon përpjekje të zellshme për të marrë njohuri. (Mateu 28:19, 20) Pavli u bëri thirrje atyre që ishin tashmë të pagëzuar t’i ‘paraqitnin trupat e tyre një flijim të gjallë, të shenjtë, të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me aftësinë e tyre të arsyetimit’. (Romakëve 12:1, BR) Ne i dedikohemi Perëndisë Jehova, duke ushtruar në mënyrë të ngjashme aftësinë tonë të arsyetimit. Pasi mësojmë se çfarë përfshin dedikimi dhe pasi arsyetojmë me kujdes në lidhje me të, me vullnet dhe gëzim ia dedikojmë jetën Perëndisë.—Psalmi 110:3.

10. Si lidhet dedikimi me pagëzimin?

10 Pasi i drejtohemi personalisht në lutje Perëndisë, që t’i shprehim vendosmërinë tonë për të ecur në udhët e tij, hedhim hapin tjetër. Me anë të pagëzimit tonë në ujë, bëjmë të njohur publikisht dedikimin tonë. Ky është një deklarim publik se kemi bërë një betim për të kryer vullnetin e Perëndisë. Në fillimin e shërbimit të tij tokësor, Jezui u pagëzua nga Gjoni, duke na lënë kështu një shembull. (Mateu 3:13-17) Më vonë, Jezui i ngarkoi ithtarët e tij të bënin dishepuj dhe t’i pagëzonin. Prandaj, dedikimi dhe pagëzimi janë hapa thelbësorë për këdo që dëshiron të ecë me Jehovain.

11, 12. (a) Në ç’mënyrë mund të krahasohet pagëzimi me martesën? (b) Cili paralelizëm mund të bëhet mes lidhjes sonë me Jehovain dhe asaj që ekziston ndërmjet burrit dhe gruas?

11 Të bëhesh dishepull i dedikuar dhe i pagëzuar i Jezuit është pak a shumë si të martohesh. Në shumë vende, dita e martesës paraprihet nga disa hapa. Një burrë dhe një grua takohen, me kalimin e kohës njihen me njëri-tjetrin dhe bien në dashuri. Pastaj vjen fejesa. Martesa e bën publike atë që kanë vendosur ata të dy me njëri-tjetrin: të martohen dhe pastaj të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është ajo që shënon publikisht fillimin e kësaj marrëdhënieje të veçantë. Ajo datë shënon fillimin e jetës martesore. Duke bërë një krahasim, pagëzimi shënon fillimin e një jete që i kushtohet ecjes në një marrëdhënie dedikimi me Jehovain.

12 Shqyrto një paralele tjetër. Pas ditës së martesës, dashuria mes burrit dhe gruas duhet të thellohet dhe të piqet. Për t’u afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin, të dy bashkëshortët duhet të përpiqen pa egoizëm që ta ruajnë dhe ta forcojnë marrëdhënien e tyre martesore. Megjithëse ne nuk hyjmë në një lidhje martesore me Perëndinë, pas pagëzimit duhet të punojmë që të ruajmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Ai vëzhgon dhe çmon përpjekjet tona për të bërë vullnetin e tij dhe na afrohet. «Afrojuni Perëndisë,—shkroi dishepulli Jakov,—dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovit 4:8, BR.

Të ecim në gjurmët e Jezuit

13. Shembullin e kujt duhet të ndjekim gjatë ecjes me Perëndinë?

13 Që të ecim me Jehovain, duhet të veprojmë në përputhje me shembullin e lënë nga Jezu Krishti. Apostulli Pjetër shkroi: «Në këtë rrugë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model që të ndiqni nga afër hapat e tij.» (1. Pjetrit 2:21, BR) Meqenëse Jezui ishte i përsosur, ndërsa ne të papërsosur, nuk mund ta ndjekim në mënyrë të përkryer shembullin që la ai. Megjithatë, Jehovai pret prej nesh që të bëjmë më të mirën që mundemi. Le të marrim në shqyrtim pesë veçori të jetës dhe të shërbimit të Jezuit, që të krishterët e dedikuar duhet të përpiqen t’i imitojnë.

14. Çfarë përfshihet në njohjen e Fjalës së Perëndisë?

14 Jezui kishte njohuri të saktë dhe të plotë mbi Fjalën e Perëndisë. Gjatë shërbimit të tij, Jezui citoi herë pas here nga Shkrimet Hebraike. (Luka 4:4, 8) Sigurisht që edhe krerët e ligj fetarë të atyre ditëve cituan nga Shkrimet. (Mateu 22:23, 24) Ndryshimi qe se Jezui e kuptonte se ç’do të thoshin Shkrimet dhe i aplikonte ato në jetën e tij. Ai njihte jo vetëm formulimin e Ligjit, por edhe frymën e tij. Ndërsa ndjekim shembullin e Krishtit, edhe ne duhet të përpiqemi ta kuptojmë Fjalën e Perëndisë, duke kapur kuptimin apo frymën e saj. Duke vepruar kështu, mund të bëhemi punëtorë të miratuar hyjnisht, që janë në gjendje ta ‘përdorin drejt fjalën e së vërtetës’.—2. Timoteut 2:15, BR.

15. Në çmënyrë la një shembull Jezui në lidhje me të folurin për Perëndinë?

15 Krishti Jezu u foli të tjerëve për Atin e tij qiellor. Jezui nuk e mbajti për vete njohurinë që kishte mbi Fjalën e Perëndisë. Madje edhe armiqtë e tij iu drejtuan si një «Mësuesi», sepse kudo që shkonte u fliste të tjerëve për Jehovain dhe qëllimet e Tij. (Mateu 12:38) Jezui predikoi publikisht në zonën e tempullit, në sinagoga, nëpër qytete dhe fshatra. (Marku 1:39; Luka 8:1; Gjoni 18:20) Ai i mësoi të tjerët me dhembshuri dhe dashamirësi, duke u treguar dashuri atyre që ndihmoi. (Mateu 4:23) Edhe ata që ndjekin shembullin e Jezuit gjejnë shumë vende dhe mënyra për t’i mësuar të tjerët në lidhje me Perëndinë Jehova dhe qëllimet e tij të mrekullueshme.

16. Sa e ngushtë ishte marrëdhënia e Jezuit me bashkadhuruesit e Jehovait?

16 Jezui ndihej i lidhur ngushtë me ata që adhuronin Jehovain. Në një rast, kur Jezui ishte duke u folur turmave, nëna e tij dhe vëllezërit jobesimtarë erdhën për të folur me të. Tregimi i Biblës thotë: «Dikush i tha: ‘Ja! Nëna jote dhe vëllezërit e tu po qëndrojnë jashtë, duke kërkuar të të flasin.’ Si përgjigje, ai i tha atij që po i fliste: ‘Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?’ Dhe duke e shtrirë dorën drejt dishepujve të tij, tha: ‘Ja! Nëna ime dhe vëllezërit e mi! Sepse kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell, ai është vëllai, motra dhe nëna ime.’» (Mateu 12:47-50, BR) Kjo nuk do të thotë që Jezui e hodhi poshtë familjen e tij, sepse ngjarjet që pasuan provuan se nuk e bëri një gjë të tillë. (Gjoni 19:25-27) Por megjithatë, ky tregim thekson dashurinë që kishte Jezui për bashkëbesimtarët. Ngjashëm sot, ata që ecin me Perëndinë kërkojnë shoqërinë e shërbëtorëve të tjerë të Jehovait dhe me kalimin e kohës e duan gjithnjë e më fort këtë shoqëri.—1. Pjetrit 4:8.

17. Si ndihej Jezui në lidhje me kryerjen e vullnetit të Atit të tij qiellor dhe si duhet të ndikojë kjo te ne?

17 Duke bërë vullnetin hyjnor, Jezui tregoi dashuri për Atin e tij qiellor. Jezui iu bind Jehovait në çdo gjë. Ai tha: «Për mua, ushqimi është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34, BR) Krishti tha, gjithashtu: «Unë bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë [Perëndisë].» (Gjoni 8:29, BR) Jezui e deshi aq shumë Atin e tij qiellor, saqë «u përul dhe u bë i bindur deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë mundimesh». (Filipianëve 2:8, BR) Nga ana e tij, Jehovai e bekoi Jezuin, duke e ngritur në një pozitë autoriteti dhe nderi që ishte e dyta pas asaj të vetë Jehovait. (Filipianëve 2:9-11) Ashtu si Jezui, ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke zbatuar urdhërimet e tij dhe duke bërë vullnetin e tij.—1. Gjonit 5:3.

18. Në ç’mënyrë la një shembull Jezui në lidhje me lutjen?

18 Jezui ishte një njeri lutjeje. Kur u pagëzua, ai u lut. (Luka 3:21) Përpara se të zgjidhte 12 apostujt e tij, ia kushtoi tërë natën lutjes. (Luka 6:12, 13) Jezui u mësoi dishepujve të tij se si të luteshin. (Luka 11:1-4) Natën përpara vdekjes së tij, ai u lut për dhe me dishepujt e vet. (Gjoni 17:1-26) Lutja ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së Jezuit, ashtu siç duhet të jetë edhe në jetën tonë përderisa jemi ithtarët e tij. Çfarë nderi është t’i flasësh në lutje Sovranit Universal! Për më tepër, Jehovai u përgjigjet lutjeve, sepse Gjoni shkroi: «Kjo është siguria që kemi ndaj tij, që pavarësisht se çfarë i kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. Veç kësaj, nëse e dimë se na dëgjon në lidhje me çfarëdo që i kërkojmë, e dimë se do t’i kemi gjërat që kërkuam, sepse ia kemi kërkuar atij.»—1. Gjonit 5:14, 15, BR.

19. (a) Cilat cilësi të Jezuit duhet të imitojmë? (b) Në cilat mënyra nxjerrim dobi nga studimi i jetës dhe i shërbimit të Jezuit?

19 Sa shumë ka për të mësuar prej shqyrtimit nga afër të jetës dhe shërbimit tokësor të Jezu Krishtit! Reflekto mbi cilësitë që shfaq ai: dashurinë, dhembshurinë, dashamirësinë, forcën, drejtpeshimin, arsyetueshmërinë, përulësinë, kurajën dhe altruizmin. Sa më shumë që mësojmë për Jezuin, aq më e madhe është dëshira jonë për të qenë ithtarë besimplotë të tij. Gjithashtu, njohuria mbi Jezuin na afron edhe më shumë me Jehovain. Në fund të fundit, Jezui qe një pasqyrim i përsosur i Atit të tij qiellor. Kaq i afërt ishte ai me Jehovain, saqë tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9, BR.

Besoji Perëndisë që të të përkrahë

20. Si mund të fitojmë siguri gjatë ecjes me Jehovain?

20 Kur fëmijët janë duke mësuar të ecin, hapat e tyre janë të pasigurt. Si mësojnë të ecin të sigurt ata? Vetëm duke u praktikuar dhe duke ngulmuar. E pra, ata që ecin me Jehovain përpiqen të ecin me një hap të sigurt dhe të qëndrueshëm. Edhe kjo kërkon kohë dhe ngulmim. Pavli e nxori në pah rëndësinë e ngulmimit gjatë ecjes me Perëndinë, kur shkroi: «Së fundi, vëllezër, ju kërkojmë dhe ju nxitim me anë të Zotërisë Jezu që ashtu siç morët nga ne mësimin se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, siç po ecni në fakt, të vazhdoni ta bëni më plotësisht.»—1. Selanikasve (Thesalonikasve) 4:1, BR.

21. Cilat bekime mund të gëzojmë, ndërsa ecim me Perëndinë?

21 Nëse i jemi kushtuar krejtësisht Perëndisë, ai do të na ndihmojë të vazhdojmë të ecim me të. (Isaia 40:29-31) Asgjë nga ato që ofron kjo botë nuk mund të krahasohet me bekimet që u jep ai atyre që ecin në udhët e tij. Jehovai është ‘Ai që na mëson t’i sjellim dobi vetes, Ai që na bën të ndjekim rrugën në të cilën duhet të ecim. Dhe nëse i kushtojmë vërtet vëmendje urdhërimeve të tij, paqja jonë do të bëhet si lum dhe drejtësia jonë si valët e detit’. (Isaia 48:17, 18, BR) Duke e pranuar ftesën për të ecur me Perëndinë dhe duke e bërë këtë me besim të plotë, mund të gëzojmë përgjithmonë paqen me të.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Pse është nder të ecësh me Perëndinë e vërtetë?

◻ Pse studimi, dedikimi dhe pagëzimi janë hapat e parë në ecjen me Jehovain?

◻ Si mund t’i ndjekim gjurmët e Jezuit?

◻ Si e dimë se Jehovai do të na përkrahë ndërsa ecim me të?

[Figurat në faqen 13]

Studimi, dedikimi dhe pagëzimi janë hapa të domosdoshëm në ecjen me Perëndinë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo