BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/10 f. 4-7
  • A mund t’i besosh Biblës?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A mund t’i besosh Biblës?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Bibla apo tradita?
  • Rëndësia e Shkrimeve
  • Dobitë e jetesës sipas Biblës
  • Sa i fortë është besimi yt te ringjallja?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Fytyra në ndryshim e «krishterimit»: E pranueshme për Perëndinë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/10 f. 4-7

A mund t’i besosh Biblës?

BESIMI në Bibël mbetet i përhapur edhe në këtë botë moderne. Për shembull, në një sondazh që iu bë kohëve të fundit amerikanëve, 80 përqind shprehën besim se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Edhe nëse përqindja nuk është kaq e lartë në zonën tënde, ti mund ta kuptosh se këta besimtarë presin që në kishë t’u mësohet Bibla. Por shpesh nuk ndodh kështu. Merr, për shembull, doktrinën e ndëshkimit të shpirtit pas vdekjes.

A mësohet në ndonjë vend në Bibël purgatori ose ferri i zjarrtë? Sot, shumë studiues në të ashtuquajturin krishterim do të përgjigjeshin jo. New Catholic Encyclopedia pohon: «Në analizën përfundimtare, doktrina katolike e purgatorit bazohet në traditë, jo në Shkrimet e Shenjta.» Në lidhje me ferrin, A Dictionary of Christian Theology komenton: «Në B[esëlidhjen] e R[e] nuk e gjejmë që zjarri i ferrit të jetë pjesë e predikimit të hershëm.»

Në fakt, komisioni doktrinal i Kishës Anglikane kohët e fundit pushtoi faqet e para të gazetave kur rekomandoi hedhjen poshtë të mësimit të zjarrit të ferrit. Dr. Tom Rajt, rektor i Katedrales së Liçfildit, pohon se imazhi i kaluar i ferrit «e ktheu Perëndinë në një përbindësh dhe la vraga të thella psikologjike në shumë njerëz». Në raportin e komisionit ferri përshkruhet si «mosekzistencë totale».a Në mënyrë të ngjashme, New Catholic Encyclopedia vëren në lidhje me pikëpamjen katolike: «Teologjia e sotme e trajton problemin e ferrit si një çështje të ndarë prej Perëndisë.»

Faktikisht, ajo që mëson Bibla për shpirtin bie në konflikt me mësimet e purgatorit dhe të ferrit të zjarrtë. Shpesh Bibla flet për vdekjen e shpirtrave. «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4; krahaso versionet King James dhe Douay katolike.) Sipas Biblës, të vdekurit janë të pavetëdijshëm, të paaftë të ndiejnë dhimbje. «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë.» (Predikuesi 9:5) Shpresa që ofron Bibla për të vdekurit është ajo e një ringjalljeje të ardhshme. Kur vdiq miku i Jezuit, Lazri, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin. Motra e Lazrit, Marta, shprehu shpresën që mësohet në Bibël kur tha: «E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.» Duke ringjallur Lazrin, Jezui e vërtetoi këtë shpresë që ka për njerëzimin.—Gjoni 5:28, 29; 11:11-14, 24, BR, 44.

Historianët nxjerrin në pah se mësimi që njeriu zotëron një shpirt të ndarë e të pavdekshëm, nuk e pati origjinën nga Bibla, por nga filozofia greke. New Catholic Encyclopedia vëren se hebrenjtë e lashtë nuk mendonin për njeriun si të ishte i përbërë prej një trupi material dhe një shpirti jomaterial. Ajo thotë për besimin e hebrenjve: «Kur fryma e jetës hyri në njeriun e parë që Perëndia e formoi nga pluhuri i tokës, ai u bë një ‘qenie e gjallë’ (Z[anafilla] 2.7). Vdekja nuk konsiderohej si një ndarje e dy elementeve të veçanta brenda njeriut, si në filozofinë greke; fryma e jetës ikën dhe njeriu bëhet një ‘qenie e vdekur’ (L[evitiku] 21.11; N[umrat] 6.6; 19.13). Në secilin rast fjala ‘qenie’ do të ishte përkthimi i fjalës hebraike [neʹphesh], që shpesh përkthehet ‘shpirt’, por, në fakt, baraspeshohet me personin.»

Po kjo enciklopedi vëren se studiuesit katolikë kohët e fundit «kanë pohuar se B[esëlidhja] e R[e] nuk mëson pavdekshmërinë e shpirtit në kuptimin helenistik [grek]». Ajo përfundon: «Zgjidhja përfundimtare e problemit duhet gjetur, jo kaq shumë në spekulimet filozofike, por në dhuratën e mbinatyrshme të ringjalljes.»

Bibla apo tradita?

Por, si ndodhi që idetë jobiblike u bënë pjesë e mësimit të kishës? Shumë kisha pohojnë se Bibla është autoriteti i tyre më i lartë. Për shembull, jo shumë kohë më parë, papa Gjon Pali II foli për nevojën që Shkrimet të «pranohen nga besimtarët si të jenë plotësisht të vërteta dhe si standardi më i lartë i besimit tonë». Mirëpo, në përgjithësi pranohet se mësimet e të ashtuquajturit krishterim sot nuk janë identike me ato të të krishterëve të shekullit të parë. Shumica e kishave i shohin ndryshimet si pjesë e zhvillimit gradual të doktrinës së kishës. Më tej, Kisha Katolike merr pozicionin se tradita e kishës ka të njëjtin autoritet si Shkrimet. New Catholic Encyclopedia thotë se kisha «nuk shpreh asnjë të vërtetë vetëm në bazë të Shkrimeve, pavarësisht nga tradita, as vetëm në bazë të traditës, pavarësisht nga Shkrimet».

Historikisht, kishat i kanë zëvendësuar mësimet biblike me ato të bazuara vetëm mbi traditën. Në fakt, shumë kisha tani mendojnë se mësimet e Biblës janë të gabuara. Për shembull, New Catholic Encyclopedia pohon se është «e qartë që shumë pohime biblike thjesht nuk janë të vërteta kur gjykohen sipas njohurisë moderne të shkencës dhe të historisë». Duke folur për mësimin biblik se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, ajo shton: «Madje edhe në çështjet fetare, B[esëlidhja] e V[jetër] jep dëshmi të një njohurie jo të plotë për . . . jetën pas vdekjes.» Enciklopedia citon Psalmin 6:5 (Ps 6 Vargu 6 në disa Bibla) si një shembull të kësaj: «Sepse në vdekje nuk do të të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol [ose Hades]?» Disa seminare dhe kolegje protestante nuk mësojnë më që Bibla është e pagabueshme. Nga ana tjetër, Kisha Katolike beson se zotëron pushtetin ose autoritetin për të mësuar, me anë të të cilit ajo interpreton atë që mësohet në Bibël. Por, ti mund të pyesësh: ‘Po sikur këto interpretime të jenë në kontraditë me Shkrimet?’

Rëndësia e Shkrimeve

Vazhdimisht Jezui citoi Shkrimet si autoritet, shpesh duke u paraprirë thënieve të tij me fjalët: «Është shkruar.» (Mateu 4:4, 7, 10; Luka 19:46) Në fakt, kur Jezui foli mbi martesën, nuk u mbështet në shpikjet filozofike greke, por në tregimin e krijimit që gjejmë në Zanafillë. (Zanafilla 1:27; 2:24; Mateu 19:3-9) Qartë, Jezui i konsideronte Shkrimet të frymëzuara nga Perëndia dhe të bazuara në fakte. Duke iu lutur Perëndisë, ai tha: «Fjala jote është e vërteta.»—Gjoni 17:17.b

Bibla regjistron gjykimin që u bëri Jezui udhëheqësve fetarë të ditëve të tij: «Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj. . . . duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj.» (Marku 7:6-13) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël i bëri ballë presionit për të asimiluar në mësimin e tij filozofinë greke dhe traditat e gabuara. «Tregoni kujdes,—paralajmëroi ai,—se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve.» (Kolosianëve 2:8; 1. Korintasve 1:22, 23; 2:1-13) Vërtet që Pavli i nxiti të krishterët të mbanin disa tradita ose mësime, por këto ishin të bazuara në Shkrimet dhe ishin plotësisht në harmoni me to. (2. Thesalonikasve 2:13-15) «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm,—shkroi Pavli,—që njeriu i Perëndisë të jetë plotësisht i zoti, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»—2. Timoteut 3:16, 17, BR.

Pavli parapa një shmangie nga Shkrimet. Ai e paralajmëroi Timoteun: «Do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë . . . dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta.» Ai e nxiti Timoteun: «Por ti rri syçelë në çdo gjë.» (2. Timoteut 4:3-5) Por si? Një mënyrë është duke qenë «të fisshëm nga mendja». Një fjalor grek e përkufizon këtë shprehje biblike si «një gatishmëri për të mësuar dhe për ta vlerësuar diçka me ndershmëri». Luka përdori këtë shprehje për të përshkruar dëgjuesit e Pavlit në Berean e shekullit të parë. Mësimet e Pavlit ishin të reja për ta dhe nuk donin të mashtroheshin. Duke i lavdëruar, Luka shkroi: «[Bereasit] ishin më të fisshëm nga mendja sesa ata në Selanik, sepse ata e morën fjalën me etshmërinë më të madhe të mendjes, duke shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.» Të qenët të fisshëm nga mendja nuk i bëri bereasit skeptikë e jo të gatshëm për të besuar në ndonjë gjë. Përkundrazi, rezultati i kërkimit të tyre të ndershëm ishte se «shumë prej tyre u bënë besimtarë».—Veprat 17:11, 12, BR.

Dobitë e jetesës sipas Biblës

Të krishterët e hershëm njiheshin si për besnikërinë e tyre ndaj Biblës, ashtu edhe për dashurinë e tyre vetësakrifikuese. Sot, megjithatë, shumë njerëz kanë «një formë të devocionit hyjnor, por [po] dalin të rremë ndaj fuqisë së tij». (2. Timoteut 3:5, BR) Çdo formë e krishterimit sot, e cila nuk i mbetet besnike origjinalit nuk mund të ketë fuqi të vërtetë për mirë në jetën e njerëzve. A mund të na ndihmojë kjo gjë për të shpjeguar se përse, në pjesën më të madhe të të ashtuquajturit krishterim, shohim rritjen e dhunës, imoralitetit, prishjes së familjeve dhe materializmit? Në disa vende «të krishtere» bëhen luftëra të egra etnike madje edhe mes anëtarëve të së njëjtës fe.

A ka humbur fryma e bereasve të fisshëm nga mendja? A ka ndonjë grup njerëzish sot që besojnë dhe jetojnë sipas Biblës?

Encyclopedia Canadiana vëren: «Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait është rigjallërimi dhe rivendosja e krishterimit të hershëm të praktikuar nga Jezui dhe dishepujt e tij gjatë shekullit të parë e të dytë të erës sonë.» Duke iu referuar Dëshmitarëve, New Catholic Encyclopedia thotë: «Ata e konsiderojnë Biblën si burimin e tyre të vetëm të besimit dhe standardin e sjelljes.»

Pa dyshim kjo është një arsye kryesore se përse Dëshmitarët e Jehovait përreth botës janë të njohur për mirëqenien e tyre frymore, paqen dhe lumturinë. Prandaj i inkurajojmë lexuesit tanë të mësojnë më shumë rreth mësimeve frymësisht të shëndetshme të Biblës. Një njohuri më e madhe do të sjellë si rezultat më shumë besim në Bibël dhe një besim më të fortë në Perëndinë. Dobitë e përjetshme të këtij besimi tregojnë se ia vlen vërtet barra qiranë.

[Shënimet]

a National Public Radio—“Morning Edition”

b Për informacion të mëtejshëm mbi besueshmërinë e Biblës, shiko broshurën Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 6]

Apostulli Pavël dhe të tjerët predikuan në sheshin e tregut

[Figura në faqen 7]

Dëshmitarët e Jehovait «e konsiderojnë Biblën si burimin e tyre të vetëm të besimit dhe standardin e sjelljes»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo