A besojnë të gjithë klerikët tek ajo që predikojnë?
I SHOQI i kësaj gruaje sapo ka vdekur. Prifti i saj i shpjegon se i shoqi nuk ishte as aq i mirë sa të shkonte drejtpërdrejt në qiell, as aq i keq sa ta dorëzonin në zjarrin e ferrit. Kështu që, sipas priftit, ai po vuan ndëshkimin derisa të kualifikohet për në qiell. Ajo e paguan priftin që të thotë lutje me qëllim që i shoqi të çlirohet nga purgatori sa më shpejt që të jetë e mundur. E veja është e kënaqur me këtë, duke menduar se prifti ka të njëjtat bindje të sinqerta si ajo.
A mendoni se kjo e ve do të zhgënjehej po të mësonte se prifti i saj nuk besonte me të vërtetë në ndëshkimin pas vdekjes? Shumë veta tronditen kur mësojnë se një numër i madh klerikësh nuk besojnë në shumë nga gjërat që ata vetë predikojnë. National Catholic Reporter, duke iu referuar asaj që quhet «një problem klerikal më i thellë se sjellja e keqe seksuale», pohoi: «Mes klerit në përgjithësi, ka shumë nga ata që kanë pushuar së besuari në ekzistencën e Perëndisë ose në doktrinën e shpërblimeve dhe të ndëshkimeve apo në ringjalljen . . . saqë kultura klerikale e mbështet këtë mosbesim si pjesë të mënyrës së të menduarit, disi si një smog.»
Kisha të tjera hasin një dilemë të ngjashme. Canberra Times e Australisë raporton se një analizë e famullitarëve të Kishës Anglikane zbuloi që shumë «nuk besojnë në aspektet themelore të besimit tradicional të krishterë, siç janë: lindja nga një virgjëreshë, mrekullitë e Jezuit dhe ardhja e dytë e mesisë».
Shkrimtari në fushën e fesë Xhorxh R. Plagenz, pyeti se si një shërbëtor fetar, duke pasur ndërgjegjen të pastër, do t’u mësonte të tjerëve një kredo në të cilën ai vetë nuk besonte. Një shërbëtor fetar tha se ai thjesht zëvendësonte fjalët hyrëse të kredos, «unë besoj». Ai tha: «E filloj predikimin duke thënë: ‘ATA besojnë në Perëndinë, Atin e Plotfuqishëm . . . .’» Plagenzi e quajti këtë hipokrizi «mashtrimi më i madh në këtë vend».
Mjerisht, ky mosbesim dhe kjo hipokrizi e klerikëve i zhgënjen shumë njerëz në lidhje me fenë në përgjithësi. Por ky nuk është aspekti i vetëm shqetësues i fesë sot. Shumicës së atyre që shkojnë në kishë i është mësuar se Bibla është Fjala e Perëndisë. A do të habiteshin ata po të mësonin se disa doktrina të pranuara për një kohë të gjatë nga kisha nuk mësohen në Bibël? Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim një shembull.