BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/11 f. 26-29
  • «Ndero Jehovain me gjërat e tua të vlefshme»: Si?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ndero Jehovain me gjërat e tua të vlefshme»: Si?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Ndero Jehovain»
  • «Gjërat e tua të vlefshme» Cilat janë ato?
  • Shembuj nga e kaluara
  • «Oferta vullnetare» në ditët tona
  • Jehovai bekon ata që e nderojnë
  • Përse t’i japim Jehovait?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Dhuruesi i «çdo dhurate të mirë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • «Perëndia do një dhurues të gëzuar»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Pasuria e bujarisë sjell gëzim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/11 f. 26-29

«Ndero Jehovain me gjërat e tua të vlefshme»: Si?

«NDERO Jehovain me gjërat e tua të vlefshme dhe me frytet e para të gjithë prodhimit tënd.» Brenda këtyre fjalëve të frymëzuara të mençurisë, të shkruara pothuajse 2.600 vjet më parë, ndodhet çelësi për të përjetuar me bollëk bekimet e Jehovait, sepse shkrimtari vazhdon të nxjerrë në pah: «Atëherë depot e tua të rezervave do të jenë të mbushura me bollëk dhe vozat e tua do të gufojnë nga vera e re.»​—Proverbat 3:9, 10, BR.

Por ç’do të thotë të nderosh Perëndinë? Cilat janë gjërat e vlefshme, me të cilat duhet ta nderojmë Jehovain? Si mund ta bëjmë këtë?

«Ndero Jehovain»

Në Shkrimet, fjala kryesore hebraike për nderim, ka·vohdhʹ, fjalë për fjalë do të thotë «të qenët i rëndë». Pra, të nderosh një person do të thotë ta konsiderosh atë si të jetë me peshë, që të bën përshtypje apo që ka vlerë. Një fjalë tjetër hebraike e përdorur për nderim, yeqarʹ, është përkthyer, gjithashtu, «i çmuar» dhe «gjëra të çmuara». Ngjashëm, fjala greke ti·meʹ, që në Bibël është përkthyer «nderim», përcjell kuptimin e vlerësimit, vlerës dhe çmueshmërisë. Pra, një person e nderon një tjetër, duke i treguar atij nderim të thellë dhe respekt.

Dhënia e nderimit ka edhe një aspekt tjetër. Shqyrto tregimin në lidhje me judeun besimplotë Mardoke, që në një rast demaskoi një komplot kundër jetës së mbretit Asuero të Persisë së lashë. Më vonë, kur mbreti mori vesh se nuk ishte bërë asgjë që të nderohej Mardokeu për këtë veprim, i kërkoi kryeministrit të tij, Hamanit, që ta nderonte sa më mirë atë në të cilin kishte gjetur kënaqësi mbreti. Hamani mendoi se një nderim i tillë do t’i bëhej atij, por sa gabim e kishte! Sidoqoftë, Hamani tha se një person i tillë duhej veshur me ‘rrobën mbretërore’ dhe duhej t’i hipte ‘një kali mbi të cilin kishte hipur mbreti’. Ai përfundoi: «Të çohet me kalë nëpër rrugët e qytetit dhe të shpallet para tij: ‘Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron të nderojë!’.» (Esterit 6:1-9) Në këtë rast, t’i jepje nderim një personi përfshinte faktin e lartësimit të tij publik, që ai të vlerësohej shumë nga i gjithë populli.

Ngjashëm, t’i japësh nderim Jehovait ka dy aspekte: t’i tregosh personalisht konsideratë të lartë dhe ta lartësosh publikisht, duke marrë pjesë dhe duke përkrahur veprën e shpalljes publike të emrit të tij.

«Gjërat e tua të vlefshme» Cilat janë ato?

Gjërat tona të vlefshme përfshijnë sigurisht jetën tonë, kohën tonë, talentet tona dhe forcën tonë. Po ç’të themi për zotërimet tona materiale? Shqyrto fjalët e Jezuit, kur pa një të ve nevojtare, që hodhi dy monedha të vogla me pak vlerë në një arkë thesari të tempullit. Ai tha: «Kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. Sepse të gjithë këta [kontribuesit e tjerë] dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.» (Luka 21:1-4) Jezui e lavdëroi këtë të ve për përdorimin e pasurisë së saj materiale në përkrahjen e adhurimit të Jehovait.

Është e qartë, pra, se gjërat e vlefshme të përmendura nga Solomoni përfshijnë edhe çdo zotërim material që mund të kemi. Shprehja «frytet e para të gjithë prodhimit tënd» bart në vetvete idenë për t’i dhënë Jehovait më të mirën e gjërave tona të vlefshme.

Por, si mund ta nderojë Jehovain dhënia e gjërave materiale? A nuk i përkasin tashmë të gjitha gjërat atij? (Psalmi 50:10; 95:3-5) «Të gjitha gjërat vijnë nga ti», pranoi mbreti David në një lutje nga zemra drejtuar Jehovait. Sa për kontributin e madh që kishte bërë ai dhe populli i tij për ndërtimin e tempullit, Davidi tha: «Ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.» (1. Kronikave 29:14) Kështu që kur i ofrojmë dhurata Jehovait, ne jemi duke i kthyer thjesht atë që ai, nga mirësia e zemrës së tij, na e ka dhënë. (1. Korintasve 4:7) Por, siç u vërejt më sipër, të nderosh Jehovain përfshin ta lartësosh atë në sytë e të tjerëve. Edhe dhuratat materiale që përdoren për çuarjen përpara të adhurimit të vërtetë, nderojnë Perëndinë. Bibla përmban shembuj të shkëlqyer të kësaj mënyre nderimi ndaj Jehovait.

Shembuj nga e kaluara

Pothuajse 3.500 vjet më parë, kur erdhi koha që Jehovai të siguronte tabernakullin në shkretëtirë, si një vend adhurimi për izraelitët, lindi nevoja për një shumëllojshmëri sendesh të çmuara që kërkoheshin nga projekti i dhënë në mënyrë hyjnore. Jehovai e urdhëroi Moisiun që ‘çdo person me zemër të gatshme të sillte një kontribut për Jehovain’. (Eksodi 35:5, BR) Tregimi vazhdon duke thënë: «Tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën [kontributin, BR] e tyre Zotit për veprën e çadrës së mbledhjes, për të gjitha shërbimet e tij dhe për rrobat e shenjta.» (Eksodi 35:21) Oferta vullnetare që bënë ata, në fakt, doli se qe kaq shumë më tepër nga ç’nevojitej për punën, sa popullit iu desh të ‘ndalohej të sillte tjetër material’!​—Eksodi 36:5, 6.

Shqyrto një shembull tjetër. Kur tabernakulli i kishte shërbyer qëllimit të tij dhe kur përgatitjet për ndërtimin e tempullit ishin në rrugë e sipër, Davidi bëri një kontribut të madh personal për tempullin që biri i tij Solomoni do të ndërtonte. Ai, gjithashtu, u bëri thirrje të tjerëve që të bashkoheshin me të dhe populli u përgjigj me dhurata gjërash me vlerë për Jehovain. Vetëm argjendi dhe ari do të kishin afërsisht një vlerë prej rreth 50 miliardë dollarësh, sipas vlerësimit të sotëm monetar. «Populli u gëzua nga ofertat e tyre vullnetare.»​—1. Kronikave 29:3-9; 2. Kronikave 5:1.

«Oferta vullnetare» në ditët tona

Si mund të marrim pjesë në gëzimin e ofertave vullnetare në ditët tona? Vepra më e rëndësishme që po kryhet në botë në këtë kohë, është ajo e predikimit të Mbretërisë dhe e bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Veprat 1:8) Jehovai e ka parë të përshtatshme t’ua besojë interesat tokësore të Mbretërisë Dëshmitarëve të tij.​—Isaia 43:10.

Kuptohet që për të financuar veprën që po kryejnë sot Dëshmitarët e Jehovait, kërkohen para. Në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asamblesë, degëve të zyrave, fabrikave dhe shtëpive Bethel, përfshihen para. Edhe në botimin dhe shpërndarjen e Biblave dhe të botimeve në gjuhë të ndryshme të bazuara në Bibël, përfshihen shpenzime. Si mbulohen shpenzime të tilla organizative? Me anë të kontributeve që janë krejtësisht vullnetare!

Shumica e kontributeve janë nga individë që, ashtu si e veja që vëzhgoi Jezui, kanë vetëm mjete të pakta jetese. Duke mos dashur ta humbasin këtë aspekt të nderimit të Jehovait, ata kontribuojnë me shuma modeste «sipas mundësisë së tyre», madje ndonjëherë «përtej mundësisë së tyre».​—2. Korintasve 8:3, 4.

«Secili të veprojë ashtu si ka vendosur në zemër, as me keqardhje, as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar», u tha apostulli Pavël të krishterëve në Korint. (2. Korintasve 9:7) Dhënia me gëzim kërkon një planifikim të mirë. Pavli u tha korintasve: «Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij, që kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash.» (1. Korintasve 16:2) Ngjashëm, në një mënyrë private dhe vullnetare, ata që dëshirojnë të japin kontribute për përkrahjen e veprës së Mbretërisë sot, mund të lënë mënjanë një pjesë të të ardhurave të tyre për këtë qëllim.

Jehovai bekon ata që e nderojnë

Edhe pse mirëqenia materiale në vetvete nuk çon në mirëqenie frymore, përdorimi me bujari i gjërave tona të vlefshme: kohës sonë, forcës sonë dhe burimeve tona materiale, për të nderuar Jehovain, sjell bekime të pasura. Është kështu, sepse Perëndia, të cilit i përket çdo gjë, na siguron: «Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet, gjithashtu.»​—Proverbat 11:25.

Pas vdekjes së mbretit David, biri i tij, Solomoni, i përdori kontributet vullnetare që kishte mbledhur babai i tij, për të ndërtuar një tempull të lavdishëm, siç e kishte drejtuar Jehovai. Për sa kohë Solomoni mbeti besimplotë në adhurimin e Perëndisë, «Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurt, . . . tërë kohën që mbretëroi Solomoni». (1. Mbretërve 4:25) Depot ishin të mbushura, vozat e verës gufonin, për sa kohë që Izraeli ‘nderoi Jehovain me gjërat e tij të vlefshme’.

Më vonë, me anë të profetit Malakia, Jehovai tha: «‘Më vini në provë për këtë gjë,​—thotë Zoti i ushtrive,​—nëse unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.’» (Malakia 3:10) Mirëqenia frymore që gëzojnë sot shërbëtorët e Jehovait, është dëshmi se Perëndia e ka mbajtur premtimin e tij.

Sigurisht që Jehovai kënaqet kur ne bëjmë pjesën tonë në çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë. (Hebrenjve 13:15, 16) Ai premton se do të na mbështesë nëse ‘vazhdojmë të kërkojmë së pari mbretërinë dhe drejtësinë e tij’. (Mateu 6:33, BR) Me një gëzim të madh zemre, le ta ‘nderojmë Jehovain me gjërat tona të vlefshme’.

[Kutia në faqet 28, 29]

Mënyra në të cilat disa ofrojnë vullnetarisht që të japin kontribute për veprën mbarëbotërore

Shumë persona vënë mënjanë, ose parashikojnë në buxhet, një shumë, të cilën e vendosin në kutitë e kontributeve me etiketën: «Kontribute për veprën mbarëbotërore të Shoqatës​—Mateu 24:14.» Çdo muaj kongregacionet ia dërgojnë këto shuma, ose qendrës botërore në Bruklin, Nju Jork, ose zyrës së degës lokale.

Kontributet vullnetare në para mund të dërgohen, gjithashtu, drejtpërdrejt në Zyrën e Thesarit, në adresën Treasurer’s Office, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483 ose në zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin tënd. Po ashtu mund të dhurohen edhe arturina ose gjëra të tjera me vlerë. Këto kontribute duhet të shoqërohen nga një letër e shkurtër, që pohon se një gjë e tillë është një dhuratë pa kushte.

Rregullimi i kontributeve me kusht

Paratë mund t’i jepen Shoqatës Watch Tower, me një rregullim të veçantë, sipas të cilit nëse dhuruesi do të ketë një nevojë personale, kontributi do t’i kthehet atij. Për më shumë informacion, të lutemi kontakto me Zyrën e thesarit, në adresën e mësipërme.

Dhënie e planifikuar

Përveç dhurimit me dhe pa kusht të parave, ka metoda të tjera dhënieje në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Këto përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të quhet si përfituesja e një dëftese sigurimi jete apo në një plan largimi ose daljeje në pension. Shoqata duhet të informohet për çdo rregullim të tillë.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitimeve apo llogaritë individuale të pensioneve, mund t’i jepen Shoqatës Watch Tower në mirëbesim ose të pagueshme pas vdekjes, në përputhje me kërkesat e bankës lokale. Shoqata duhet të informohet për çdo rregullim të tillë.

Aksionet dhe certifikatë investimesh: Aksionet dhe huatë mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower, ose si dhuratë pa kushte, ose me një rregullim, sipas të cilit të ardhurat vazhdojnë t’i paguhen dhuruesit.

Pasuria e patundshme: Pasuria e patundshme e shitshme mund t’i dhurohet Shoqatës Watch Tower, ose duke e dhënë si dhuratë pa kushte, ose duke i rezervuar dhuruesit një pasuri të patundshme, i cili mund të vazhdojë të banojë në të gjatë jetës së tij. Personi duhet të kontaktojë me Shoqatën para se t’i bëjë një akt kalimi të ndonjë pasurie të patundshme Shoqatës.

Testamentet dhe dhëniet në mirëbesim: Pasuria apo paratë mund t’i lihen si trashëgimi Shoqatës Watch Tower nëpërmjet një testamenti të ekzekutuar ligjërisht, ose Shoqata mund të quhet si përfituese e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një dhënie në mirëbesim që është në dobi të një organizate fetare, mund t’i sigurojë dhuruesit disa përparësi në lidhje me taksat. Një kopje e testamentit ose e marrëveshjes së mirëbesimit duhet t’i dërgohet Shoqatës.

Siç nënkuptohet edhe nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë tipike njëfarë planifikimi nga ana e dhuruesit. Për të ndihmuar individët që t’i sjellin përfitim Shoqatës nëpërmjet ndonjë forme të dhënies së planifikuar, është përgatitur një broshurë në gjuhën angleze, e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit mbarëbotëror të Mbretërisë. Broshura është shkruar në përgjigje të shumë pyetjeve që Shoqata kishte marrë në lidhje me dhuratat, testamentet dhe dhëniet në mirëbesim. Ajo përmban, gjithashtu, informacion të dobishëm shtesë mbi planifikimin e pasurive të patundshme, atë financiar e të taksave dhe ka si qëllim të ndihmojë individët në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë dëshirë t’i sjellin dobi interesave të Mbretërisë në mbarë botën, që të zgjedhin metodat më me përparësi dhe më të efektshme, për ta bërë këtë duke marrë në konsideratë rrethanat e tyre familjare dhe personale. Duke lexuar broshurën dhe duke u këshilluar me ata që punojnë në Zyrën e dhënies së planifikuar, shumë persona kanë qenë në gjendje të ndihmojnë Shoqatën dhe në të njëjtën kohë të çojnë në maksimum përfitimet e tyre taksore nga kryerja e një gjëje të tillë. Broshura vihet në dispozicion me anë të një kërkese, duke shkruar apo duke telefonuar.

Ata që janë të interesuar për ndonjë prej këtyre rregullimeve për dhëniet e planifikuara, duhet të kontaktojnë me Zyrën e Dhënieve të Planifikuara, në adresën Planned Giving Desk, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 100 Watchtower Drive, Patterson, New York 12563-9204, telephone: (914) 878-7000, ose duhet të kontaktojnë me zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin e tyre.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo