BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/2 f. 21-24
  • Duke sjellë liri frymore për ata që janë në burg

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Duke sjellë liri frymore për ata që janë në burg
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Si është kryer vepra
  • Një program i suksesshëm rehabilitimi
  • Islas Marias
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/2 f. 21-24

Duke sjellë liri frymore për ata që janë në burg

«KEMI qenë duke ju pritur.» «Këto pak netë të kaluara, e kam parë në ëndërr ardhjen tuaj.» «Faleminderit që keni caktuar dikë për të na vizituar rregullisht.» «Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për secilin dhe për çdo bekim që marrim në mënyrë të pamerituar nga Jehovai dhe organizata e tij, si dhe për ushqimin frymor të dhënë në kohën e duhur.»

Cila ishte arsyeja e këtyre shprehjeve të mirënjohjes? Këto janë disa shprehje nga të burgosur të izoluar në burgje të ndryshme në Meksikë. Ata çmojnë kujdesin që po marrin nga Dëshmitarët e Jehovait, i cili u ka sjellë liri frymore edhe pse ndodhen në burg. Në Meksikë ka 42 burgje ku Dëshmitarët e Jehovait u shërbejnë rregullisht nevojave frymore të të burgosurve. Këto vende quhen Centro Readaptación Social (Qendër e Rehabilitimit Social). Në disa prej këtyre burgjeve, po mbahen madje rregullisht edhe mbledhjet e krishtere me rezultate shumë të mira. Për shembull, sipas një përllogaritjeje të kohëve të fundit, afërsisht 380 persona merrnin pjesë në mbledhje në këto vende. Në atë periudhë, u drejtuan një mesatare prej 350 studimesh biblike. Tridhjetë e shtatë ishin kualifikuar për të predikuar dhe 32 ia kishin dedikuar jetën e tyre Jehovait, duke e simbolizuar këtë me pagëzimin në ujë.

Si është kryer vepra

Si e kryejnë Dëshmitarët e Jehovait veprën e tyre të predikimit në këto vende? Në radhë të parë, ata shkojnë tek zyrtarët e ngarkuar për këtë punë që t’u kërkojnë një autorizim të shkruar për të hyrë në burg, duke u shpjeguar qëllimin e vizitave: t’u mësojnë të burgosurve se si të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre dhe si t’i shërbejnë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme për të.

Në çdo rast, autoritetet e kanë dhënë lejen e tyre. Këta zyrtarë e çmojnë mësimin biblik që po u ofrohet të burgosurve. Autoritetet e burgut kanë vërejtur se Dëshmitarët e Jehovait i binden rregullave të sigurimit të vendosura për këto vende. Ata i kanë lejuar këta shërbëtorë vizitues që të përdorin zyra, dhoma ngrënieje dhe dhoma pune për të mbajtur mbledhjet e tyre. Në një burg, Dëshmitarët u lejuan madje që të ndërtonin një Sallë Mbretërie të vogël, siç shihet nga përvoja vijuese e treguar nga një mbikëqyrës udhëtues në Meksikën juglindore.

«Në fillimet e vitit 1991 ne filluam të vizitonim burgun në Tehuantepek, Oaksaka, ku gjetëm uri të madhe frymore. Shpejt filluam 27 studime biblike. Duke pasur parasysh interesimin e të burgosurve, u programuan pesë mbledhje kongregacioni. Njëri prej të burgosurve, që tregoi dashuri të madhe për Jehovain, vendosi të ndërtonte një Sallë Mbretërie të vogël brenda zonës së burgut, në mënyrë që të kishim një vend për të mbajtur mbledhjet. Ai shkoi tek drejtori i burgut, i kërkoi leje dhe autoritetet qenë shumë kooperues. Në fillim të dhjetorit të 1992-shit, gjashtë të burgosur u kualifikuan si lajmëtarë të lajmit të mirë. Për shkak të progresit të treguar, u bënë rregullime për të mbajtur Përkujtimin brenda në burg. I kërkuam drejtorit të burgut lejen për të futur emblemat, bukën dhe verën, dhe pas një diskutimi prej katër orësh, leja u dha.

Ndodhi që më 3 prill 1993 (tri ditë përpara kremtimit të Përkujtimit), u liruan disa të burgosur. Kur njëri që ishte lajmëtar mori letrën e tij të lirimit, kërkoi të fliste me drejtorin e burgut për të marrë leje që të qëndronte deri pas kremtimit të Përkujtimit. Kjo e çuditi me të vërtetë drejtorin, pasi ishte një kërkesë aspak e zakonshme, por duke pasur parasysh interesimin e madh të të burgosurit për të marrë pjesë në Përkujtimin në burg, ia plotësoi kërkesën. Në Përkujtim morën pjesë 53 persona, të cilët në fund të programit derdhën lot gëzimi. Ramë dakort që ta thërrisnim këtë grup ‘Liria Sereso’, sepse ata janë të lirë në një kuptim frymor.»

Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait çmohet shumë në këto vende. Në njërën prej këtyre shtëpive të korrektimit, personi i ngarkuar me përgjegjësi e rekomandon hapur marrjen pjesë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait si një «terapi» për një rehabilitim të shpejtë të të burgosurve.

Një program i suksesshëm rehabilitimi

Aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait ka rezultuar në rehabilitimin e plotë të shumë të burgosurve. Edhe pse shpesh është e vërtetë se ata që kanë qenë në burg sapo lirohen kthehen në një jetë krimesh, ata që e kanë pranuar me të vërtetë mesazhin e Fjalës së Perëndisë, kanë ndryshuar plotësisht. Transformimi i tyre na kujton fjalët e apostullit Pavël: «As kurvarët . . . , as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezu dhe me anë të Frymës së Perëndisë sonë.»​—1. Korintasve 6:9-11.

Ndryshimi i shkëlqyer në personalitetin e tyre është i dukshëm kur ata shprehin ndjenjat e tyre. Migeli, i cili është në burgun e Kampeçit, në qytetin Kampeçi, shprehet në këtë mënyrë: «Sot mund të them me gëzim se e llogaris veten mes deleve të tjera, të cilat kanë shpresën që thuhet në 2. Pjetrit 3:13 dhe në Mateun 5:5.» Hoze, që është në burgun e Kobes, në Kampeçi, komentoi: «Megjithëse jam një i burgosur dhe krimi im mund të jetë shumë serioz, e kuptoj që Jehovai është shumë i mëshirshëm dhe i dëgjon lutjet dhe përgjërimet e mia. Ai mund t’i falë shkeljet e mia dhe të më japë mundësinë për ta kaluar pjesën tjetër të jetës, duke ndarë lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë. Falënderimet i shkojnë pleqve tanë për kohën që gjejnë për të na vizituar në burg, që ne të mund të nxjerrim dobi nga premtimet e Mbretërisë së Perëndisë. Ç’bekime të këndshme! A mund të them se jam një i burgosur? Jo, Jehovai më ka dhënë lirinë frymore, për të cilën kisha nevojë.»

Ç’gjë bën që vrasësit, përdhunuesit, vënësit e zjarreve, hajdutët dhe të tjerët të ndryshojnë dhe të bëhen të krishterë që jetojnë në mënyrën e duhur? Sipas këtyre burrave, ajo është fuqia transformuese e Fjalës së Perëndisë dhe shoqëria e shëndetshme me njerëz vërtet të devotshëm. Rasti i Tibursios, i izoluar në shtëpinë e korrektimit në Mazatlan, Sinaloa, ilustron suksesin e këtij programi rehabilitimi. Ai kishte qenë në burgun e Konkordias, Sinaloa, ku pati probleme për shkak të temperamentit të tij të dhunshëm. Gruaja e tij ishte një prej Dëshmitarëve të Jehovait dhe ai e trajtonte atë shumë keq, madje dhe kur shkonte për ta vizituar në burg. Ajo ishte e durueshme dhe vazhdonte të shkonte për ta vizituar, kështu që ai i kërkoi t’i sillte librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, të cilin filloi ta studionte vetë.a Më pas, ai kërkoi dikë që t’i shkonte në burg për të studiuar me të. Filloi të bënte përparim frymor dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët filluan të ndryshonin për mirë. Atë e transferuan në burgun e Mazatlanit, ku ka një grup që studion Biblën dhe tani është një lajmëtar. Ai komenton: «Tani, bashkë me gruan dhe fëmijët e mi, si dhe bashkë me shokët e mi të burgosur, jam shumë mirënjohës që kam mundësi të dëgjoj të vërtetat biblike në këtë vend, me shpresën se në të ardhmen e afërt do të lirohem e do të kem mundësi të marr pjesë në të gjitha asambletë dhe mbledhjet e kongregacionit.»

Gjithashtu, edhe Konrado është shumë mirënjohës për ndryshimet që ka pasur mundësi të bëjë në jetën e tij. Ai pati kaq probleme të mëdha bashkëshortore, sa gruaja e la. Kështu ai gjeti ngushëllim tek drogat. Me kalimin e kohës u bë shpërndarës droge. U arrestua dhe u dënua me burgim për transportimin e një ngarkese me marijuanë dhe kokainë. Në burg ishte një grup që studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe ai u ftua për të studiuar me ta. Ai i shpreh kështu ndjenjat e tij: «Më bëri përshtypje mënyra e rregullt me të cilën drejtoheshin mbledhjet, programi i shqyrtimit të Biblës me anë të botimeve dhe fakti se çdo gjë ishte e bazuar në Bibël. Menjëherë kërkova një studim biblik dhe fillova të merrja pjesë në mbledhje.» Kjo ndodhi në janar të 1993-shit. Tani Konrado ka dalë nga burgu dhe vazhdon të përparojë në kongregacionin e krishterë.

Islas Marias

Në Meksikë ndodhet një burg i frikshëm, i përbërë nga katër ishuj të quajtur Islas Marias. Të burgosurit mund të udhëtojnë përmes ishujve penalë në të cilët janë burgosur. Disa jetojnë atje bashkë me gratë dhe fëmijët.

Atje është ngritur një kongregacion i vogël. Tre vëllezër nga Mazatlani udhëtojnë për atje një herë në muaj, duke ndihmuar në drejtimin e mbledhjeve, duke siguruar literaturë dhe duke dhënë inkurajim. Disa herë atje shkon mbikëqyrësi qarkor për t’i vizituar. Pjesëmarrja mesatare është nga 20 deri në 25 persona. Atje ka dy lajmëtarë të pagëzuar dhe katër të papagëzuar. Mbikëqyrësi udhëtues raporton se «disa ecin 17 kilometra për të marrë pjesë në mbledhjen e së dielës dhe u duhet të largohen nga mbledhja me nxitim që të kthehen për apelin. Edhe duke ecur me shpejtësi, duhen më shumë se dy orë për t’u kthyer». Njëri prej vëllezërve që e mësoi të vërtetën në atë burg, tha kohët e fundit: «Isha i interesuar për të dalë sa më shpejt, por tani le të ndodhë kurdo që të dëshirojë Jehovai, pasi sido që të jetë, unë kam shumë punë për të bërë këtu brenda.»

Jemi të lumtur tek shohim se e vërteta po ushtron fuqinë e saj, për të çliruar personat e sinqertë që po kërkojnë një mënyrë për t’i pëlqyer Jehovait. Më shumë se dymbëdhjetë prej atyre që e mësuan të vërtetën në burg, janë liruar, janë pagëzuar dhe tani bëjnë një jetë të nderuar si shërbëtorë të Perëndisë, madje disa janë bërë pleq kongregacioni. Fuqia që ka Bibla për të shëruar zemrat dhe për të riedukuar njerëzit, është demonstruar në mënyrë dramatike. Sapo këta burra, që ishin burgosur për kryerje të akteve të shëmtuara, hynë në shtegun e dritës së Fjalës së Perëndisë, përjetuan lirinë e vërtetë që premtoi Jezui, kur tha: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»​—Gjoni 8:32; Psalmi 119:105.

[Shënimi]

a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 23]

Shumë persona nxorën dobi nga të vërtetat e krishtere që mësuan në burg

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo