BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/9 f. 30-31
  • Pyetje nga lexuesit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pyetje nga lexuesit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Material i ngjashëm
  • Ç’duhet të dish për çrregullimet mendore
    Zgjohuni!—2014
  • Kur një njeri i afërt ka një çrregullim mendor
    Zgjohuni!—2004
  • Kriza globale e shëndetit mendor
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për publikun)
  • 4 | Këshillat praktike të Biblës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për publikun)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/9 f. 30-31

Pyetje nga lexuesit

A do të ishte e mençur për një të krishterë që të konsultohej me një praktikues të shëndetit mendor?

Raportet nga disa vende tregojnë se ka pasur një rritje të sëmundjeve emocionale dhe mendore në këto «ditë të fundit». (2. Timoteut 3:1) Të krishterët ndiejnë dhembshuri të thellë, kur bashkëbesimtarët preken nga këto, megjithatë ata e kuptojnë se secili duhet të vendosë për veten, nëse do të kërkojë një kurë për sëmundjen e tij dhe nëse po, çfarë lloj kure.a «Secili do të mbajë barrën e vet.» (Galatasve 6:5) Disa, duke vuajtur rëndë nga skizofrenia, depresioni maniak, depresioni i rëndë klinik, çrregullimet në lidhje me fiksimin, vetëdëmtimi dhe çrregullime të tjera stresuese, kanë mundur të bëjnë një jetë mjaft normale, pasi kanë marrë ndihmën e duhur profesionale.

Në disa vende është bërë e modës kërkimi i mjekimit. Në të shumtën e rasteve, pacienti nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor serioz, por gjen vështirësi në përballimin e disa situatave në jetë. Megjithatë, Bibla jep ndihmën më të efektshme për zgjidhjen e problemeve të vështira të jetës. (Psalmi 119:28, 143) Me anë të Biblës, Jehovai siguron mençurinë, aftësinë e të menduarit dhe njohurinë e vërtetë, gjëra që na forcojnë mendërisht dhe emocionalisht. (Proverbat 2:1-11; Hebrenjve 13:6) Nganjëherë, shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të shprehen në mënyrë të paarsyeshme, për shkak të turbullimit të madh që kanë përbrenda. (Jobi 6:2, 3) Jakovi 5:13-16 i inkurajon këta persona të thërrasin pleqtë për këshillë dhe ndihmë. Një i krishterë mund të jetë i sëmurë frymësisht ose mund të jetë i brengosur nga një rrethanë e pandryshueshme apo nga streset që i zënë frymën, ose mund të ndihet si viktimë e padrejtësisë. (Eklisiastiu 7:7; Isaia 32:2; 2. Korintasve 12:7-10) Ky person mund të gjejë ndihmë tek pleqtë, të cilët do ta «lyejnë me vaj», d.m.th., me mjeshtëri do t’i japin këshilla ngushëlluese nga Bibla dhe, gjithashtu, do të «luten përmbi të». Cili do të jetë rezultati? «Lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë [nga pikëllimi i tij apo ndjenja e braktisjes nga Perëndia].»

Çfarë mund të thuhet, megjithatë, nëse ankthi mendor i një personi dhe pështjellimi vazhdojnë, pavarësisht nga ndihma e aftë e marrë nga barinjtë frymorë? Disa që janë gjendur në këtë situatë, kanë vendosur të bëjnë një vizitë të plotë fizike? (Krahaso Proverbat 14:30; 16:24; 1. Korintasve 12:26.) Mund të ndodhë që një problem fizik të përbëjë shkakun e ankthit emocional apo mendor. Në disa raste, kurimi i këtij problemi e ka lehtësuar personin e sëmurë emocionalisht.b Nëse nuk gjendet asnjë problem fizik, mjeku, me kërkesë të pacientit mund të sugjerojë një profesionist për sëmundjet mendore. Ç’duhet bërë në këtë rast? Siç u tha, ky është një vendim që çdo individ duhet të marrë për veten. Të tjerët nuk duhet të kritikojnë apo të gjykojnë.​—Romakëve 14:4.

Sidoqoftë, duhet ushtruar mençuri praktike dhe kujdes, duke mos harruar parimet biblike. (Proverbat 3:21; Eklisiastiu 12:13) Në rastin e një sëmundjeje fizike, pacientët gjenden para një shumëllojshmërie të madhe terapish, duke filluar nga mjekësia tradicionale, deri tek terapitë e tilla si, natyropatia, akupunktura dhe homopatia. Ka, gjithashtu, lloje të ndryshme praktikuesish të shëndetit mendor. Mes tyre janë psikoterapistët analitikë, të cilët mund të gërmojnë në historinë personale të pacientit për të gjetur arsyet e sjelljes së çrregullt apo të emocioneve të dhimbshme. Psikoterapistët në fushën e sjelljes mund të bëjnë përpjekje për ta ndihmuar pacientin të përvetësojë forma të reja sjelljeje. Disa praktikues të shëndetit mendor janë të mendimit se shumica e sëmundjeve mendore duhet kuruar me droga.c Sipas raportit, disa të tjerë rekomandojnë dietën dhe vitaminat.

Pacientët dhe familjet e tyre duhet të jenë të kujdesshëm në shqyrtimin e këtyre zgjidhjeve. (Proverbat 14:15) Në mënyrë domethënëse, profesori Pol MekHju, drejtor i Departamentit të Psikiatrisë dhe i Shkencave në Fushën e Sjelljes në Shkollën Universitare Xhons Hopkins, tha se profesioni i shëndetit mendor «është një art mjekësor rudimentar. Nuk është e lehtë të merren prova të dukshme të sugjerimeve për diagnozat dhe trajtimet në fushën e shëndetit mendor, sapo trajton çrregullimet e tipareve më komplekse të jetës njerëzore: mendjen dhe sjelljen». Kjo gjë i hap derën ekscentrizmit dhe mashtrimit, si dhe kurave pa qëllim të keq, por që më shumë mund të bëjnë keq, sesa mirë.

Gjithashtu, duhet përmendur se ndërsa psikiatrët dhe psikologët kanë diploma profesionale pasuniversitare, shumë të tjerë pa asnjë kualifikim profesional, praktikojnë kurimin pa mbikëqyrje si këshilltarë apo terapistë. Disa individë kanë harxhuar një thes me para, duke u konsultuar me njerëz të tillë të pakualifikuar.

Edhe kur kemi të bëjmë me një profesionist të stërvitur e të kualifikuar në fushën e shëndetit mendor, ka disa gjëra që duhen parë. Kur zgjedh një mjek apo kirurg, duhet të jemi të sigurt se ai do të respektojë pikëpamjet tona të bazuara në Bibël. Po ashtu, do të ishte e rrezikshme të konsultoheshe me një profesionist në fushën e shëndetit mendor, i cili nuk respekton pikëpamjet tona fetare dhe morale. Shumë të krishterë po bëjnë të pamundurën, pavarësisht nga problemet mendore dhe emocionale që kanë për të pasur «të njëjtin qëndrim mendor që pati Jezu Krishti». (Romakëve 15:5, BR) Këta të krishterë shqetësohen me të drejtë për qëndrimet e cilitdo, që mund të ndikojë në sjelljen apo në mënyrën e tyre të të menduarit. Disa praktikues e shikojnë çdo kufizim të vënë nga bindjet biblike si të panevojshëm dhe që shkakton dëme të mundshme për shëndetin mendor. Ata mund të aprovojnë e madje të rekomandojnë praktika të dënueshme nga Bibla si homoseksualizmi dhe jobesnikëria në martesë.

Këto ide përfshihen në ato që apostulli Pavël i quajti «kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë». (1. Timoteut 6:20) Ato kundërshtojnë të vërtetën mbi Krishtin dhe janë pjesë e ‘filozofisë dhe e mashtrimeve të kota’ të kësaj bote. (Kolosianëve 2:8) Norma e Biblës është e qartë: «Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.» (Proverbat 21:30) Praktikuesit në fushën mendore, të cilët «e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën» janë ‘shoqëri të këqija’. Në vend që të ndihmojnë në shërimin e mendjeve të paqëndrueshme, ata «prishin zakonet e mira».​—Isaia 5:20; 1. Korintasve 15:33.

Prandaj, një i krishterë që mendon se është e nevojshme të konsultohet me një profesionist në fushën mendore duhet të shqyrtojë me hollësi kualifikimin, qëndrimin dhe reputacionin e praktikuesit, si dhe pasojat e mundshme të trajtimit të rekomanduar. Nëse një i krishterë i pikëlluar nuk mund ta bëjë vetë këtë gjë, ndoshta një mik i ngushtë i pjekur apo i afërm mund ta ndihmojë. Një i krishterë, i cili është i pasigurt mbi mençurinë e marrjes së një kure të veçantë, mund të shohë se është e dobishme që të flasë me pleqtë në kongregacion, edhe pse vendimin përfundimtar duhet ta marrë ai vetë (ose prindërit e tij, ose të merret vendimi i përbashkët i burrit dhe i gruas).d

Shkenca mund të bëjë shumë më tepër sot, sesa në kohët e kaluara për të lehtësuar vuajtjen. Megjithatë, akoma ekzistojnë shumë sëmundje fizike dhe mendore që tani për tani janë të pakurueshme dhe që duhen përballuar në këtë sistem gjërash. (Jakovit 5:11) Ndërkohë, «skllavi i besueshëm dhe i matur», pleqtë dhe të gjithë të tjerët në kongregacion shtrijnë një dorë dhembshurie dhe mbështetjeje tek të sëmurët. Dhe vetë Jehovai i forcon ata për të qëndruar deri sa të vijë ajo kohë e lavdishme, kur sëmundja të mos ekzistojë më.​—Mateu 24:45; Psalmi 41:1-3; Isaia 33:24.

[Shënimet]

a Nganjëherë një individi mund t’i kërkohet të bëjë një analizë psikiatrike, ndoshta kur merret në shqyrtim për një punë me pozitë të lartë. Nëse personi do t’i nënshtrohet një analize të tillë apo jo, është një vendim personal, por duhet vërejtur se analiza psikiatrike nuk përbën një kurë psikiatrike.

b Shiko «Duke fituar betejën kundër depresionit» botuar në anglisht nga Kulla e Rojës, 1 mars 1990.

c Disa sëmundje mendore duket se reagojnë mirë ndaj mjekimeve të sakta. Por këto mjekime duhen përdorur me kujdes, nën drejtimin e mjekëve apo psikiatërve të aftë dhe me përvojë, pasi mund të kenë pasoja të rënda dytësore, nëse doza nuk përshtatet në mënyrë të saktë.

d Shiko artikullin «Ankthi mendor: Kur prek një të krishterë», botuar në anglisht nga Kulla e Rojës, 15 tetor 1988.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo