BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/6 f. 17-22
  • Bekime apo mallkime: Shembuj për ne sot

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Bekime apo mallkime: Shembuj për ne sot
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Paralajmërim kundër idhujtarisë
  • Paralajmërim kundër kurvërisë
  • Paralajmërim kundër ankimeve rebele
  • Paralajmërim kundër murmuritjes
  • Mëso nga shembujt frymorë dhe gëzo bekimet
  • Mos u bëni dëgjues harraqë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • ‘T’i bëjmë gjërat pa murmuritje’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Të jetojmë «ditë për ditë» në lartësinë e dedikimit tonë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Bekimet apo mallkimet: ka një zgjedhje!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/6 f. 17-22

Bekime apo mallkime: Shembuj për ne sot

«Të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokës.»​—1. KORINTASVE 10:11.

1. Ndërsa një person vëzhgon një vegël, çfarë shqyrtimi duhet të bëjmë ne?

I PADUKSHËM nën një shtresë boje, ndryshku mund të fillojë të brejë një vegël hekuri. Kjo mund të ndodhë disa kohë para se ndryshku të duket në sipërfaqe. Në mënyrë të ngjashme, qëndrimet dhe dëshirat e zemrës së një personi mund të fillojnë të dëmtohen, kohë para se ky dëmtim të përfundojë në pasoja serioze dhe madje para se të vërehet nga të tjerët. Ashtu siç do të vëzhgonim me mençuri një vegël për të parë nëse po ndryshket, po kështu edhe një shqyrtim i përpiktë i zemrës dhe i mirëmbajtjes në kohë të saj, mund të ruajë integritetin tonë të krishterë. Me fjalë të tjera, mund të marrim bekimet e Perëndisë dhe mund të shmangim mallkimet hyjnore. Disa mund të mendojnë se bekimet dhe mallkimet e shpallura mbi Izraelin e lashtë kanë pak domethënie për ata që përballojnë përfundimin e këtij sistemi gjërash. (Josiu 8:34, 35; Mateu 13:49, 50; 24:3) Sidoqoftë, nuk është ashtu. Siç deklarohet në kreun 10 të 1. Korintasve, mund të përfitojmë shumë nga shembujt paralajmërues të Izraelit.

2. Çfarë thotë 1. Korintasve 10:5, 6 mbi përvojën e Izraelit në shkretëtirë?

2 Apostulli Pavël i krahason izraelitët nën Moisiun me të krishterët nën Krishtin. (1. Korintasve 10:1-4) Nëse izraelitët do të ishin bindur, mund të kishin hyrë në Tokën e Premtuar, «por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë [u poshtëruan, BR] të vdekur në shkretëtirë». Për këtë arsye, Pavli u tha bashkë të krishterëve: «Këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata.» (1. Korintasve 10:5, 6) Dëshirat ushqehen në zemër, prandaj duhet të ndjekim shembujt paralajmërues që citon Pavli.

Paralajmërim kundër idhujtarisë

3. Në ç’mënyrë mëkatuan izraelitët në lidhje me viçin e artë?

3 Paralajmërimi i parë i Pavlit është: «Të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: ‘Populli u ul që të hajë dhe të pijë dhe u ngrit për të luajtur [për të bërë qejf, BR].’» (1. Korintasve 10:7) Ky shembull paralajmërues është ai i kthimit të izraelitëve në rrugët e Egjiptit dhe bërja e një viçi të artë idhujtar. (Dalja, kreu 32) Dishepulli Stefan, tregoi problemin thelbësor: «Etërit tanë nuk deshën t’i binden atij [Moisiut, përfaqësuesit të Perëndisë]; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti, duke i thënë Aaronit: ‘Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit.’ Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.» (Veprat 7:39-41) Vëre se «me zemrat e tyre» izraelitët kokëfortë ushqenin dëshira të gabuara, të cilat i çuan në idhujtari. «Ata bënë një viç . . . i ofruan flijim idhullit.» Për më tepër, ata filluan ‘të gëzonin me veprën e duarve të tyre’. Kishte muzikë, këngë, valle, të ngrëna e të pira. Është e qartë, idhujtaria ishte joshëse dhe argëtuese.

4, 5. Cilat praktika idhujtare duhet të shmangim?

4 Egjipti antitipik, bota e Satanait, në të vërtetë adhuron argëtimin. (1. Gjonit 5:19; Zbulesa 11:8) Ai idhujtarizon aktorët, këngëtarët dhe yjet e sportit, si dhe kërcimin, muzikën dhe konceptet e tyre mbi çastet e këndshme dhe dëfryese. Shumë janë tunduar të zhyten kokë e këmbë në zbavitje, ndërkohë që pohojnë se akoma adhurojnë Jehovain. Kur një i krishterë duhet të qortohet për shkelje, gjendja e tij e rënë frymore shpesh mund ta ketë zanafillën e vet në pijet alkoolike, në kërcimin dhe në kalimin e çasteve të këndshme në ndonjë mënyrë që mund të jetë fare pranë idhujtarisë. (Dalja 32:5, 6, 17, 18) Pak zbavitje është e shëndetshme dhe e gëzueshme. Megjithatë, sot pjesa më e madhe e muzikës botërore, e kërcimit, e filmave dhe e videove siguron korruptimin e dëshirave të mishit.

5 Të krishterët e vërtetë nuk jepen pas adhurimit të idhujve. (2. Korintasve 6:16; 1. Gjonit 5:21) Le të jetë gjithsecili prej nesh aq i kujdesshëm, sa të mos jepet pas zbavitjes idhujtare dhe të rrezikojë pësimin e pasojave të dëmshme të kredhjes në dëfrim sipas mënyrës së botës. Nëse i nënshtrohemi ndikimeve botërore, dëshirat dhe qëndrimet e dëmshme mund të strehohen pa rënë në sy në mendje dhe në zemër. Kur nuk ndreqen, këto mund të çojnë përfundimisht në ‘poshtërim në shkretëtirën’ e sistemit të Satanait.

6. Cilin veprim të prerë duhet të ndërmarrim në lidhje me zbavitjen?

6 Në fakt, ashtu si Moisiu në kohën e ndodhisë me viçin e artë, «skllavi i besueshëm dhe i matur» po thotë: «Kush është në anën e Jehovait? Pas meje!» Veprimi i prerë për të treguar se qëndrojmë patundshmërisht për adhurimin e vërtetë, mund të jetë jetëshpëtues. Fisi levit i Moisiut, veproi pa e bërë dy për të përzënë ndikimet poshtëruese. (Mateu 24:45-47; Dalja 32:26-28) Prandaj, shqyrto me kujdes zgjedhjen që bën në zbavitje, muzikë, video e të tjera si këto. Nëse në ndonjë mënyrë zgjedhja jote është e korruptuar, vendosu nga ana e Jehovait. Me bindje të sinqertë në Perëndinë, bëj ndryshime në zgjedhjen e zbavitjes e të muzikës dhe shkatërro materialin e dëmshëm frymor, ashtu siç shkatërroi Moisiu viçin e artë.​—Dalja 32:20; Ligji i përtërirë 9:21.

7. Si mund ta mbrojmë zemrën figurative?

7 Si mund të kundërveprojmë ndaj brejtjes së zemrës? Duke studiuar me zell Fjalën e Perëndisë dhe duke lejuar që të vërtetat e saj të ulen në mendjet dhe në zemrat tona. (Romakëve 12:1, 2) Pa dyshim, ne duhet të frekuentojmë rregullisht mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25) Pjesëmarrja pasive në mbledhje mund të krahasohet me bojën sipër një njolle të ndryshkur. Ajo mund të na ndriçojë për pak kohë, por nuk e zgjidh problemin e theksuar. Kurse përmes përgatitjes së mëparshme, meditimit dhe pjesëmarrjes aktive në mbledhje, mund të heqim me iniciativë elementët gërryes që mund të qëndrojnë në skutat e zemrës sonë figurative. Kjo gjë do të na ndihmojë që t’i përmbahemi me vendosmëri Fjalës së Perëndisë dhe do të na forcojë për të përballuar sprovat e besimit dhe për t’u bërë «të shëndetshëm në të gjitha drejtimet».​—Jakovit 1:3, 4, BR; Proverbat 15:28.

Paralajmërim kundër kurvërisë

8-10. (a) Cilit shembull paralajmërues i referohet 1. Korintasve 10:8? (b) Si mund të zbatohen me dobi fjalët e Jezuit, që gjenden në Mateun 5:27, 28?

8 Në shembullin tjetër të Pavlit, na këshillohet: «Të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë.»a (1. Korintasve 10:8) Apostulli i referohej kohës, kur izraelitët u përkulën para perëndive të rreme dhe patën «marrëdhënie imorale me bijat e Moabit». (Numrat 25:1-9, BR) Imoraliteti seksual ndëshkohet me vdekje. Lejimi i mendimeve dhe i dëshirave imorale pa fre, është si lejimi i «ndryshkjes» së zemrës. Jezui tha: «Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: ‘Mos shkel kurorën.’ Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.»​—Mateu 5:27, 28.

9 Dëshmi për pasojat e ‘shikimit të një gruaje për ta dëshiruar’ është rezultati i mënyrës poshtëruese të të menduarit nga engjëjt e pabindur para Përmbytjes së ditëve të Noes. (Zanafilla 6:1, 2) Mos harro, gjithashtu, se një nga ngjarjet më tragjike të jetës së mbretit David ishte rezultat i faktit që ai vazhdoi të shikonte në mënyrë të pahijshme një grua. (2. Samuelit 11:1-4) Në dallim me të, Jobi, një burrë i martuar dhe i drejtë, ‘bëri një besëlidhje me sytë e tij, që të mos fiksonte shikimin mbi një virgjëreshë’, duke shmangur kështu imoralitetin dhe duke u treguar një mbajtës i integritetit. (Jobi 31:1-3, 6-11) Sytë mund të krahasohen me dritaret e zemrës. Nga një zemër e korruptuar rrjedhin shumë gjëra të liga.​—Marku 7:20-23.

10 Nëse zbatojmë fjalët e Jezuit, nuk do t’ua lëshojmë frerët mendimeve të gabuara, duke parë material pornografik ose duke mbajtur në mendje mendime imorale në lidhje me një bashkë të krishterë, me një koleg apo me këdo tjetër. Ndryshku nuk hiqet nga metali, thjesht duke shkundur lehtë gërryerjen. Prandaj, mos i largo nga mendja mendimet dhe prirjet imorale sikur të ishin pa rëndësi. Merr masa të forta për t’u çliruar nga prirjet imorale. (Krahaso Mateun 5:29, 30.) Pavli i këshillon bashkë të krishterët: «Bëni të vdesin . . . gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, papastërtinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave po vjen zemërimi i Perëndisë.» Po, për shkak të gjërave të tilla, si imoraliteti seksual, «po vjen zemërimi i Perëndisë», si shprehje e mallkimit të tij. Kështu, pra, duhet të ‘bëjmë të vdesin’ gjymtyrët e trupit tonë, për sa u përket këtyre gjërave.​—Kolosianëve 3:5, 6, BR.

Paralajmërim kundër ankimeve rebele

11, 12. (a) Çfarë paralajmërimi është dhënë në 1. Korintasve 10:9 dhe cilës ndodhi i referohet? (b) Si duhet të ndikojë mbi ne paralajmërimi i Pavlit?

11 Më pas, Pavli paralajmëron: «As të mos e vëmë Jehovain në provë, si disa prej tyre e vunë atë në provë, vetëm për të vdekur nga gjarpërinjtë.» (1. Korintasve 10:9, BR) Ndërsa udhëtonin nëpër shkretëtirë, pranë kufirit të Edomit, Izraeli «foli kundër Perëndisë, kundër Moisiut, duke thënë: ‘Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq’», për manën e dhënë në mënyrë të mrekullueshme. (Numrat 21:4, 5) Mendo pak, ata izraelitë ‘folën kundër Perëndisë’, duke i quajtur sigurimet e tij të neveritshme!

12 Me ankimet e tyre, izraelitët po vinin në provë durimin e Jehovait. Nuk u la pa u dhënë ndëshkimi, pasi Jehovai dërgoi mes tyre gjarpërinj helmues dhe shumë vdiqën nga kafshimet e gjarpërinjve. Pasi populli u pendua dhe Moisiu ndërhyri për ta, plaga mori fund. (Numrat 21:6-9) Sigurisht që kjo ndodhi duhet të shërbejë si një paralajmërim për ne, me qëllim që të mos shfaqim një frymë rebele dhe ankuese, veçanërisht kundër Perëndisë dhe rregullimeve të tij teokratike.

Paralajmërim kundër murmuritjes

13. Kundër çfarë gjëje paralajmëron 1. Korintasve 10:10 dhe cilin rebelim kishte në mendje Pavli?

13 Duke cituar shembullin e tij të fundit për izraelitët në shkretëtirë, Pavli shkruan: «As mos murmurisni, ashtu siç murmuritën disa prej tyre, vetëm për të vdekur nga shkatërruesi.» (1. Korintasve 10:10, BR) Rebelimi shpërtheu kur Koreu, Datani, Abirami dhe shokët e tyre vepruan në mënyrë joteokratike dhe sfiduan autoritetin e Moisiut dhe të Aaronit. (Numrat 16:1-3) Pas shkatërrimit të rebelëve, izraelitët filluan të murmurisnin. Kjo ndodhi pasi ata filluan të arsyetonin se shkatërrimi i rebelëve ishte i padrejtë. Numrat 16:41 thotë: «Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: ‘Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit.’» Si rezultat i kritikimit të mënyrës në të cilën ishte administruar drejtësia në atë rast, 14.700 izraelitë vdiqën nga një kamzhik i dërguar në mënyrë hyjnore.​—Numrat 16:49.

14, 15. (a) Cili ishte një ndër mëkatet e njerëzve «të pabesë», të cilët punuan me dhelpëri në kongregacion? (b) Çfarë mund të mësohet nga ajo që ndodhi me Koreun?

14 Në shekullin e parë të e.s., njerëz «të pabesë», të cilët vepruan me dhelpëri në kongregacionin e krishterë, treguan se ishin mësues të rremë, si dhe murmuritës. Këta njerëz ‘përbuznin pushtetin dhe blasfemonin kundër dinjiteteve [të lavdishmëve, BR]’, burrave të mirosur që atëherë u ishte besuar mbikëqyrja frymore e kongregacionit. Për apostatët e pafe, përveç kësaj, dishepulli Judë tha: «Këta janë murmuritës, që ankohen për fatin e tyre, që ecin sipas pasioneve të tyre.» (Judës 3, 4, 8, 16) Sot, disa individë bëhen murmuritës, sepse lejojnë të zhvillohet në zemrën e tyre një qëndrim që të bren frymësisht. Shpesh, ata përqendrohen në papërsosmëritë e atyre që janë në pozita mbikëqyrjeje brenda kongregacionit dhe fillojnë të murmurisin kundër tyre. Murmuritja dhe ankimi i tyre mund të arrijë deri aty, sa të kritikojnë edhe botimet e ‘skllavit të besueshëm’.

15 Është e përshtatshme që të bëjmë pyetje të sinqerta për argumente biblike. Por, ç’mund të thuhet nëse po zhvillojmë një qëndrim negativ, i cili shfaqet në biseda kritike mes një rrethi të ngushtë miqsh? Do të bënim mirë të pyesnim veten: «Ku më çon kjo murmuritje? A nuk do të ishte më mirë t’i jepja fund murmuritjes dhe të lutesha me përulësi për mençuri?» (Jakovit 1:5-8; Judës 17-21) Koreu dhe përkrahësit e tij, të cilët u rebeluan kundër autoritetit të Moisiut dhe të Aaronit, mund të kenë qenë kaq të bindur se pikëpamja e tyre ishte e vlefshme, sa nuk i shqyrtuan motivet e tyre. Megjithëkëtë, ata ishin krejt në gabim. Kështu ishin izraelitët që murmuritën për shkatërrimin e Koreut dhe të rebelëve të tjerë. Sa e mençur është që t’i lëmë këta shembuj të na nxisin të shqyrtojmë motivet tona, të largojmë murmuritjen ose ankimin dhe të lëmë që Jehovai të na rafinojë!​—Psalmi 17:1-3.

Mëso nga shembujt frymorë dhe gëzo bekimet

16. Cili është thelbi i thirrjes në 1. Korintasve 10:11, 12?

16 Nën frymëzimin hyjnor, Pavli përfundon listën e mesazheve paralajmërues me thirrjen: «Të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokës. Prandaj, ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.» (1. Korintasve 10:11, 12) Le të mos e nënvlerësojmë pozitën tonë në kongregacionin e krishterë.

17. Nëse ndiejmë se kemi në zemër një motiv të papërshtatshëm, çfarë duhet të bëjmë?

17 Ashtu si hekuri ka prirjen për t’u ndryshkur, po ashtu edhe ne, pasardhësit e Adamit mëkatar, kemi trashëguar një prirje kundrejt të keqes. (Zanafilla 8:21; Romakëve 5:12) Prandaj, nuk duhet të shkurajohemi, nëse ndiejmë se në zemër kemi një motiv të papërshtatshëm. Përkundrazi, le të veprojmë me vendosmëri. Kur hekuri bie në kontakt me ajrin e lagësht ose me një ambient kaustik, procesi i gërryerjes shpejtohet shumë. Duhet të shmangim rënien në kontakt me «ajrin» e botës së Satanait, me zbavitjen e saj të ulët, me imoralitetin që ka marrë dhenë dhe me prirjen negative të mendjes.​—Efesianëve 2:1, 2.

18. Çfarë ka bërë Jehovai për sa u përket prirjeve të gabuara të njerëzimit?

18 Jehovai i ka siguruar njerëzimit një mjet për të kundërvepruar ndaj prirjeve të gabura që kemi trashëguar. Ai dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që ata të cilët ushtrojnë besim tek ai, të mund të kenë jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Nëse ndjekim nga afër hapat e Jezuit dhe shfaqim një personalitet të ngjashëm me atë të Krishtit, do të jemi një bekim për të tjerët. (1. Pjetrit 2:21) Përveç kësaj, ne do të marrim bekime hyjnore dhe jo mallkime.

19. Si mund të përfitojmë nga shqyrtimi i shembujve biblikë?

19 Megjithëse ne sot jemi po aq të ndjeshëm ndaj gabimit, sa edhe izraelitët e lashtësisë, e kemi të plotë Fjalën e shkruar të Perëndisë që na drejton. Nga faqet e saj ne mësojmë për marrëdhënien e Jehovait me njerëzimin, si dhe për cilësitë e tij të ilustruara me shembullin e Jezuit, që është ‘pasqyrimi i lavdisë së Perëndisë dhe përfaqësimi i saktë i vetë qenies së Tij’. (Hebrenjve 1:1-3, BR; Gjoni 14:9, 10) Përmes lutjes dhe studimit të zellshëm të Shkrimeve, mund të kemi «mendjen e Krishtit». (1. Korintasve 2:16) Kur ndeshemi me tundime dhe sprova të tjera të besimit tonë, mund të përfitojmë nga shqyrtimi i shembujve të lashtë biblikë dhe veçanërisht nga shembulli në shkallën më të lartë i Jezu Krishtit. Nëse bëjmë kështu, nuk ka pse të na zënë mallkimet hyjnore. Përkundrazi, do të gëzojmë favorin e Jehovait sot dhe bekimet e tij sa të jetë jeta.

[Shënimi]

a Shiko Kullën e Rojës së 1 dhjetorit 1992, faqe 4.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Si mund ta zbatojmë këshillën e Pavlit për të mos u bërë idhujtarë?

◻ Çfarë mund të bëjmë për të ndjekur paralajmërimin e apostullit kundër kurvërisë?

◻ Përse duhet të shmangim murmuritjen dhe ankimin?

◻ Si mund të marrim bekimet hyjnore dhe jo mallkimet?

[Figura në faqe 18]

Nëse duam bekime hyjnore, duhet të shmangim idhujtarinë

[Figurat në faqe 20]

Ashtu siç duhet hequr ndryshku, le të veprojmë me vendosmëri për të hequr nga zemra dëshirat e papërshtatshme

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo