BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/6 f. 23-28
  • Dëshmitarë në pjesën më të largët të tokës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Dëshmitarë në pjesën më të largët të tokës
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • ‘Kur mund të shkojmë në Thule?’
  • Duke shkuar në Thule
  • Prova vendimtare
  • Mikpritja jonë
  • Udhëtimi përfundon
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/6 f. 23-28

Dëshmitarë në pjesën më të largët të tokës

ETAH

THULE

GODHAVN

GODTHÅB

JULIANEHÅB

ANGMAGSSALIK

THULE është pjesa e një emri të përdorur që në kohët më të lashta për të përshkruar një qëllim përfundimtar, gjeografik apo diçka tjetër. Sot, Thule është emri i një fshati në veriun e largët të Grenlandës, ishulli më i largët i botës. Fshati u quajt në këtë mënyrë në 1910-n, kur eksploruesi danez, Knut Rasmusen, e përdori atë si një pikë ndalimi për ekspeditat polare. Madje edhe tani, vajtja në Thule është më shumë një ekspeditë se sa një udhëtim i këndshëm.

Megjithatë, ka akoma një nevojë urgjente për ekspedita në Thule. Në përgjigje të urdhërit të Jezuit «jini dëshmitarët e mi . . . deri në pjesën më të largët të tokës», Dëshmitarët e Jehovait janë të etur të sjellin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në këtë vend, i cili është një nga fshatrat më veriorë mbi tokë.​—Veprat 1:8, BR; Mateu 24:14.

‘Kur mund të shkojmë në Thule?’

Në 1955-n, dy Dëshmitarë danezë që donin të merrnin pjesë në predikimin «deri në pjesën më të largët të tokës», mbërritën në Grenlandë. Më vonë, erdhën edhe të tjerë dhe gradualisht, vepra e tyre e predikimit mbuloi bregdetin jugor e perëndimor deri në Gjirin Melvil dhe pjesërisht bregdetin lindor. Por, pjesët më të largëta të vendit, si Thule, ishin arritur pothuaj vetëm me postë apo me telefon.

Një ditë, në 1991-shin, Bo dhe gruaja e tij Helena, dy shërbëtorë në shërbim të plotë kohor, po qëndronin mbi një shkëmb, duke vështruar Gjirin Melvil. Duke parë veriun pyesnin veten se ‘kur do të arrinin të shkonin deri në Thule, për t’u çuar lajmin e mirë njerëzve në këtë vend’?

Në vitin 1993, Verner, një tjetër shërbëtor në shërbim të plotë kohor, mori përsipër të kalojë Gjirin Melvil, me motoskafin e tij Qaamaneq (Drita), 5,5 m të gjatë. Ai tashmë kishte lundruar 1.200 km nga Got’hob deri në Upernavik. Megjithatë, kalimi i Gjirit Melvil, një shtrirje prej 400 km në Arktik, është diçka krejt tjetër. Në pjesën më të madhe të vitit, Gjiri është i bllokuar nga akulli. Verner pati sukses në kalimin e Gjirit, megjithëse humbi një motor për shkak të akullit. Kështu, para se të kthehej, arriti të bënte njëfarë predikimi.

Duke shkuar në Thule

Pas atij udhëtimi, Verner filloi të bëjë plane të reja. Ai foli me Arne dhe Kerën, për të bërë një udhëtim të përbashkët drejt Thules, pasi edhe ata, gjithashtu, kishin një varkë 7 m të gjatë, me katër shtretër dhe më e rëndësishmja qe se ajo kishte edhe pajisje moderne për lundrim. Varkat duhej të siguronin strehim të përshtatshëm dhe me dy varka të tilla udhëtuese së bashku, kalimi i Gjirit Melvil do të ishte më pak i rrezikshëm. Për të dëshmuar në qytetin kryesor me 600 banorë dhe gjashtë fshatra përreth, u nevojitej më shumë ndihmë. Kështu, ftuan për të shkuar me ta, Bo me Helenën dhe Jërn me Ingen, të gjithë shërbëtorë me përvojë që e njihnin udhëtimin në këtë vend. Gjithashtu, pesë prej këtij grupi flisnin grenlandisht.

Pajisjet me literaturë biblike i çuan përpara. Varkat ishin, gjithashtu, të ngarkuara me literaturë dhe me furnizimet e nevojshme si ushqim, ujë, karburant, motorë rezervë dhe një barkë gome. Kështu, më 5 gusht 1994, pas disa muajsh përgatitjeje, skuadra u mblodh dhe të dyja varkat qëndronin gati, të ngarkuara në portin e Ilulisatit. Udhëtimi drejt veriut filloi. Verner, Bo dhe Helena lundronin me varkën më të vogël. «E vetmja gjë që mund të bëje gjatë udhëtimit, ishte të rrije ulur apo shtrirë në shtratin tënd e të prisje»,—shkruan Bo. Le të ndjekim udhëtimin me anë të ditarit të anijes.

«Përpara shtrihej hapësira e madhe e një deti të qetë. Panorama madhështore shpaloseshin para syve tanë; deti vezullues, copëza të trasha resh, dielli i ndritshëm dhe qielli i kaltër, ajzbergë me forma dhe nuanca ngjyrash nga më magjepsëset, një lopë deti ngjyrë kafe që kënaqej nën diell mbi një shtresë akulli, vija bregdetare me shpatet e errëta të malit dhe stepat e vogla; ndryshimi i pamjeve të natyrës ishte i pafund.

Sigurisht, pjesa më interesante ishte bërja e vizitave në fshatrat përgjatë rrugës. Poshtë në mol, kishte gjithmonë njerëz, zakonisht fëmijë, për të parë se cilët ishin vizitorët dhe për t’i mirëpritur ata. Ne shpërndamë literaturë biblike dhe u dhamë hua njerëzve një video që tregonte për organizatën tonë. Shumica arritën ta shihnin para se ne të largoheshim. Në Upernavikun jugor, njerëz të ndryshëm lundruan drejt varkave tona, madje përpara se të arrinim ne. Kështu, gjatë gjithë mbrëmjes në varkë patëm mysafirë dhe iu përgjigjëm shumë pyetjeve biblike.»

Tani, pas 700 km udhëtim, të dyja varkat ishin gati për të kaluar gjirin Melvil.

Prova vendimtare

«Kjo konsiderohej si pjesa vendimtare e udhëtimit. Na duhej të kalonim pa u ndalur, sepse fshati Savisivik (ku fillon territori dhe ku mund të gjenim strehim) ishte akoma i bllokuar nga akulli.

Kështu, filluam kalimin. Pasi kishte shumë akull, lundruam më tej në det të hapur. Lumturisht, ujërat ishin të qeta. Orët e para nuk pati asnjë ngjarje me rëndësi dhe kështu vazhduam përpara për milje të tëra gjatë oqeanit. Afër mbrëmjes pamë kepin Jork dhe u kthyem ngadalë nga veriu, më afër tokës. Tani kishte akull përsëri të vjetër nga shumë kohë, të trashë dhe shtresa akulli të ndara deri aq sa mund të të arrinte syri. Ne ndoqëm faqen anësore të akullit për një kohë të gjatë, duke manovruar disa herë përmes kalimeve të ngushta midis akullit. Kishte edhe mjegull që i përngjasonte një supe të trashë të hirtë, një karakteristikë e mrekullueshme në dritën e perëndimit të diellit. Gjithashtu, valët! Të gjitha këto në të njëjtën kohë, mjegulla, valët dhe akulli, kur ndërkohë çdonjëra prej tyre, është zakonisht e mjaftueshme për të qenë një sfidë.»

Mikpritja jonë

«Ndërsa po i afroheshim Pitufikut, hymë në ujëra më të qeta. Krijimi na dha një mikpritje mbizotëruese: dielli lart në kaltërsi, qielli i kaltër, përballë nesh një gji i shndritshëm e i gjerë, i mbuluar nga malet lundruese të akullit dhe më tutje silueta karakteristike e shkëmbit Dundas, vendndodhja e mëparshme e Thules!» Rreth 100 kilometra më në veri, udhëtarët erdhën në destinacionin e tyre përfundimtar, Thule.

Tashmë ishin të paduruar të fillonin predikimin shtëpi më shtëpi. Në dyert e para, dy prej tyre morën një përgjigje të ashpër. «U flakëm tej, pikërisht si të ishim në Danimarkë,—thanë ata.—Por shumica na dha një mikpritje të përzemërt. Njerëzit ishin të reflektueshëm dhe të mirinformuar. Disa thoshin se kishin dëgjuar për ne dhe se ishin të gëzuar që së fundi kishim ardhur. Takuam disa njerëz të mrekullueshëm, si p.sh., gjuetarë fokash, të cilët kishin qenë me ekspeditë në Polin e Veriut dhe vendas të kënaqur e kursimtarë, me një pikëpamje disi skeptike mbi civilizimin modern.»

Ditët që pasuan, sollën përvoja të shkëlqyera për të gjithë. Literatura biblike u pranua kudo me çmueshmëri. Në disa shtëpi, Dëshmitarët filluan menjëherë studime biblike. Inge tregon për një shtëpi ku gjeti interes: «Ishte shtëpi me një dhomë të pastër e të rehatshme. Për tri ditë me radhë vizituam burrin e urtë që jetonte atje, i cili na hyri në zemër. Ai ishte një gjuetar i vërtetë fokash dhe e mbante kaiken e tij jashtë shtëpisë. Ai kishte gjuajtur shumë arinj polarë, lopë deti dhe sigurisht foka. Në vizitën e fundit, bëmë një lutje me të dhe sytë iu mbushën me lot. Tani duhet të lëmë çdo gjë në duart e Jehovait dhe të shpresojmë për gjetjen e kohës e të mundësisë për t’u kthyer.»

Thule pranon vizita të shpeshta prej eskimezëve nga Kanadaja. Inge tregon: «Unë dhe Helena takuam eskimezë të ndryshëm nga Kanadaja. Është interesant fakti që ata mund të komunikojnë me grenlandezët; njerëzit në zonën e Arktikut duket se flasin gjuhë që kanë lidhje mes tyre. Megjithëse eskimezët nga Kanadaja kanë gjuhën e tyre të shkruar, ata mundën ta lexonin literaturën tonë në gjuhën grenlandeze. Kjo gjë mund të krijojë një mundësi nxitëse për ta.»

Me anë të varkës, u vizituan edhe fshatrat që ishin 50-60 km larg. «Gjatë rrugës për në fshatin Qeqertat, ndoqëm nga afër vijën bregdetare, me shpresën për të gjetur njerëz që gjuanin një lloj balene [Monodon monoceros]. Pikërisht siç shpresuam, në një shkëmb të ngritur mbi ujë, gjetëm një kamp të përbërë nga tre apo katër familje, të veshur me gëzofë, me tendat dhe kaiket e tyre. Me fushnjën në dorë, burri u kthye dhe u ul mbi shkëmb, duke shikuar për balenat shumë të dëshirueshme. Duke qenë se tashmë kishin pritur më kot për disa ditë, nuk qenë dhe aq të kënaqur kur na panë, sepse mendonin që mund t’u trembnim balenat. Dukeshin të zhytur krejtësisht në botën e tyre. Gruaja pranoi ca literaturë, por nuk ishte momenti i përshtatshëm për një bisedë të mëtejshme. Së fundi, mbërritëm në Qeqertat në orën 11 të natës dhe e përfunduam vizitën e fundit në orën 2 të mëngjesit!»

«Më në fund mbërritëm në Siorapaluk, fshati më verior në Grenlandë. Ai është vendosur mbi një bregdet ranor, në rrëzë të disa shkëmbinjve të gjelbër të mbuluar me bar, në një mjedis jo pjellor.» Në veprën e tyre të predikimit, Dëshmitarët, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kanë arritur pjesët më të largëta të tokës, të paktën në drejtimin verior.

Udhëtimi përfundon

Dëshmitarët e përfunduan veprën e tyre. Ata predikuan nga shtëpia në shtëpi dhe nga tenda në tendë, shpërndanë literaturë, siguruan pajtime, shfaqën video, biseduan me shumë grenlandezë dhe drejtuan studime biblike. Tani është koha për t’u kthyer në shtëpi. «Atë mbrëmje, kur u futëm në barkën tonë të gomës për t’u larguar nga fshati Moriusaq, shumë njerëz ishin poshtë në breg të detit për të na thënë mirupafshim, duke tundur librat dhe broshurat që kishin marrë.»

Më vonë, në një pjesë të shkretuar të bregdetit, Dëshmitarët mbetën të habitur kur panë një burrë që ua bënte me dorë nga një shkëmb, që ndodhej mjaft larg. «Sigurisht, ne shkuam në breg për ta takuar. Morëm vesh se ishte një i ri nga Berlini i Gjermanisë, që po e përshkonte bregdetin me kaiken e tij dhe se kishte një muaj që po udhëtonte. Në Gjermani vizitohej regullisht nga Dëshmitarët e Jehovait dhe kishte disa prej librave të tyre. Kaluam dy orë me të dhe ai ishte me të vërtetë i impresionuar që po takonte Dëshmitarë në një vend të tillë.»

Në udhëtimin e kthimit, në fshatin Savisivik, që nuk ishte vizituar për shkak të akullit, shërbëtorët udhëtues gjetën një mikpritje të jashtëzakonshme. Disa nga njerëzit atje, kishin marrë dhe kishin lexuar literaturë vitin e kaluar dhe ishin të uritur për më shumë ushqim frymor.

Në kthim, për kalimin e Gjirit Melvil u deshën 14 orë. «Ne dëshmuam në të perënduar të diellit, i cili në këtë vend ndodh për shumë orë, me ndryshime të vazhdueshme të ngjyrave hipnotizuese. Gjithashtu, edhe lindja e diellit që fillon menjëherë pas perëndimit, ndodh për një kohë të gjatë. Ndërsa perëndimi përflaket dhe e kuqja e errët mbulon akoma pjesën veri-lindore të qiellit, dielli ngrihet paksa në jug. Është një skenë e pamundur për t’u përshkruar, apo madje për t’u fotografuar ashtu siç duhet.» Grupi qëndroi zgjuar gjithë natën.

«Ndërsa mbërritëm në Kulorsuaq, ishim shumë të lodhur, por të lumtur dhe të kënaqur. Udhëtimin e kishim kryer me sukses! Në pjesën e udhëtimit që mbeti, gjetëm shumë interes në qytetet dhe fshatrat përgjatë bregdetit. Përsëritej shpesh pyetja: ‘Përse nuk mund të qëndrojnë me ne disa prej jush? Trishtohemi kur ju shohim që largoheni kaq shpejt!’»

Në Qarsut, një familje miqësore i ftoi të pestë vizitorët që të hanin së bashku me ta. «Familja donte që ne ta kalonim natën aty. Por pasi vendet më të mira për t’u ankoruar ishin 40 km më tej, nuk e pranuam ftesën për të qëndruar dhe kështu nisëm lundrimin. Më vonë, mësuam se një ajzberg i madh ishte shkëputur të nesërmen herët në mëngjes dhe një dallgë kishte përmbytur 14 varka të vogla ku më parë ndodheshin dhe varkat tona!»

Së fundi, pas përfundimit të ekspeditës në Thule, grupi u kthye në Ilulisat. Gjatë kohës kur grupi mbërriti në Thule, dy lajmëtarë të tjerë kishin udhëtuar drejt pjesëve të izoluara në bregdetin lindor të Grenlandës. Në këto dy udhëtime, lajmëtarët shpërndanë gjithsej 1.200 libra, 2.199 broshura, 4.224 revista dhe siguruan 152 pajtime. Tani, kontakti me shumë të interesuar të rinj, mbahet nëpërmjet telefonit dhe korrespondencës.

Me gjithë kohën, energjinë dhe shpenzimet financiare, Dëshmitarët gjetën gëzim të madh në zbatimin e urdhërit të Zotërisë së tyre për ‘të qenë dëshmitarët e mi . . . deri në pjesën më të largët të tokës’.​—Veprat 1:8, BR.

[Kutia në faqen 28]

Në bregdetin lindor të Grenlandës

POTHUAJ në të njëjtën kohë që grupi i lajmëtarëve mbërriti në Thule, një çift Dëshmitarësh, Vego dhe Sonyç, udhëtuan për në një territor tjetër të papunuar, Itoqortormit (Scoresbysund), në bregdetin lindor të Grenlandës. Për të shkuar atje, duhej të udhëtonin drejt Islandës, të merrnin një aeroplan për t’u kthyer në Constable Point, pjesën bregdetare të Grenlandës dhe më pas të shkonin me helikopter.

«Kjo ishte hera e parë që Dëshmitarët e Jehovait vinin në këtë vend,—tregojnë këta dy pionierë, gjuha kombëtare e të cilëve ishte grenlandishtja.—Megjithë izolimin e tyre, njerëzit ishin çuditërisht mjaft të informuar. Për më tepër, ishin dhe të lumtur të mësonin gjëra të reja. Si tregimtarë të talentuar, na treguan me padurim rreth gjuetisë së tyre të fokave si edhe mbi përvojat e tjera në natyrë.» Si iu përgjigjën ata veprës së predikimit?

«Duke predikuar shtëpi më shtëpi, takuam J——, i cili ishte një katekist. ‘Faleminderit që më përfshitë edhe mua në vizitat tuaja’—tha ai. I treguam atij literaturën tonë dhe se si ta përdorte atë. Ditën tjetër erdhi tek ne dhe donte të mësonte rreth emrit të Jehovait. I treguam shpjegimin në fund të faqes që përmahej në Biblën e tij në gjuhën grenlandeze. Kur ishim larguar, ai u telefonoi shokëve tanë në Nuk, për t’u shprehur falënderimet për vizitën tonë. Duhet të përpiqemi për ta ndihmuar vazhdimisht këtë njeri.

Gjithashtu, takuam O——, një mësues që kishte dijeni mbi Dëshmitarët e Jehovait. Ai na lejoi të flisnim për dy orë me nxënësit e klasës së tij, që ishin nga mosha 14-16 vjeç. Kështu, u shfaqëm atyre videon tonë dhe iu përgjigjëm pyetjeve të tyre. Të rinjtë pyesin​—Përgjigje praktikea dhe libra të tjerë, u pranuan me shpejtësi dhe me dëshirë. Më vonë takuam tri vajza të kësaj klase. Ato kishin shumë pyetje dhe njëra prej tyre ishte veçanërisht e interesuar. Ajo pyeti: ‘Si mundet një person të bëhet Dëshmitar? Sigurisht duhet të jetë kënaqësi të bëhesh si ju. Edhe babait tim i pëlqen ajo që po bëni ju.’ I premtuam se do t’i shkruanim.

Në njërin prej fshatrave takuam një tjetër katekist, M—— dhe patëm një diskutim interesant. Ai tha se do të bënte të mundur që edhe njerëzit që ishin në gjueti ta merrnin literaturën tonë menjëherë sapo të ktheheshin. Kështu, tani ai është ‘lajmëtari’ ynë në këtë vend të largët.»

Megjithëse ishte një udhëtim mjaft i mundimshëm dhe të duhej t’i bije përqark, të dy pionierët ndienë se përpjekjet e tyre ishin shpërblyer në mënyrë të pasur.

[Shënimi]

a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo