Siguri e vërtetë tani e përgjithmonë
NUK ka asnjë dyshim që Perëndia Jehova mund t’i japë popullit të tij siguri. Ai është «i Plotfuqishmi». (Psalmi 68:14) Emri i tij unik do të thotë «Ai shkakton që të bëhet». Kjo e identifikon atë si të Vetmin në univers që është në gjendje të mposhtë çdo pengesë, për të përmbushur premtimet e tij dhe për të plotësuar vullnetin e tij. Vetë Perëndia deklaron: «Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:11.
Perëndia u jep siguri atyre që besojnë në të. Fjala e tij e garanton këtë. «Emri i Jehovait është një kështjellë e fortë,—deklaroi mbreti i mençur Solomon nën frymëzimin hyjnor.—Në të vrapon i drejti dhe i jepet mbrojtje.» Më tej, ai tha: «Ai që beson në Jehovain do të mbrohet.»—Proverbat 18:10; 29:25, BR.
Siguri për shërbëtorët e Perëndisë
Jehovai u ka dhënë gjithmonë siguri atyre që mbështeten tek ai. Për shembull, profeti Jeremia pati mbrojtjen e Perëndisë. Kur ushtritë babilonase rrethuan Jerusalemin apostat, populli duhej ‘ta hante bukën me peshë dhe në hidhërim’. (Ezekieli 4:16) Gjendja u bë kaq kritike, sa disa gra zjenë dhe hëngrën fëmijët e vet. (Vajtimet 2:20; 4:10) Megjithëse Jeremia në atë kohë mbahej i burgosur, për shkak se predikonte pa iu trembur syri, Jehovai siguroi që «t’i jepej çdo ditë një copë bukë nga rruga e furrtarëve, deri sa të mbarohej gjithë buka e qytetit».—Jeremia 37:21.
Kur Jerusalemi ra në duart e babilonasve, Jeremia as nuk u vra, as nuk u tërhoq zvarrë si i burgosur për në Babiloni. Përkundrazi, «komandanti [babilonas] i rojeve i dha ushqime si dhe një dhuratë dhe e la të ikte».—Jeremia 40:5.
Shekuj më vonë, Jezu Krishti i siguroi shërbëtorët e Perëndisë: «Mos u shqetësoni, pra duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»—Mateu 6:31-33.
Mos do të thotë kjo se shërbëtorët e Jehovait do të gëzojnë mbrojtjen hyjnore nga të gjitha fatkeqësitë e ditëve të sotme? Jo, nuk është ashtu. Të besuarit nuk janë të imunizuar kundër dëmtimeve. Të krishterët e vërtetë sëmuren, persekutohen, bëhen viktima të krimit, vdesin nëpër aksidente dhe vuajnë në mënyra të tjera.
Megjithëse Jehovai nuk jep akoma siguri të plotë nga dëmtimet, raportet tregojnë se ai e përdor fuqinë e tij për t’i siguruar shërbëtorët e vet dhe për t’i mbrojtur ata. Përveç kësaj, të krishterët mbrohen nga shumë probleme, për shkak se i zbatojnë parimet biblike në jetën e tyre. (Proverbat 22:3) Për më tepër, ata gëzojnë sigurinë e një shoqërie mbarëbotërore me vëllezër e motra të dashura frymore, që ndihmojnë njëri-tjetrin në kohë nevoje. (Gjoni 13:34, 35; Romakëve 8:28) Për shembull, në përgjigje të gjendjes së dëshpëruar të vëllezërve nga Ruanda e shqyer nga luftërat, Dëshmitarët e Jehovait në Evropë grumbulluan shpejt dhurata në të holla e në ushqime, dërguan 65 tonë veshmbathje dhe një vlerë prej 1.600.000 dollarësh ilaçe, ushqime dhe furnizime të tjera.—Krahaso Veprat 11:28, 29.
Edhe pse Jehovai lejon që të krishterët e vërtetë të kalojnë sprova, ata kanë sigurinë se ai do t’u japë forcën, ndihmën dhe mençurinë për t’i përballuar ato. Duke u shkruar bashkëbesimtarëve, apostulli Pavël tha: «Asnjë tundim [sprovë] nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimit njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë [sprovojnë] përtej fuqive tuaja, por me tundimin [sprovën] do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni.»—1. Korintasve 10:13.
Çfarë bën Perëndia për popullin e tij?
Sot, miliona njerëz gjejnë kënaqësi në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Ata nuk janë të detyruar t’i shërbejnë Perëndisë, por bëjnë kështu sepse e njohin dhe e duan. Jehovai nga ana e tij, duke qenë se i do ata që i shërbejnë me besnikëri, ka për qëllim ta transformojë tokën në një parajsë, ku njerëzimi i bindur do të gëzojë përgjithmonë paqe, shëndet dhe siguri.—Luka 23:43.
Këtë Perëndia do ta bëjë nëpërmjet një qeverie qiellore, me Mbretin e caktuar prej tij, Jezu Krishtin, si Sundimtar të saj. (Danieli 7:13, 14) Bibla i referohet kësaj qeverie si ‘mbretëria e Perëndisë’ dhe ‘mbretëria e qiejve’. (1. Korintasve 15:50; Mateu 13:44) Mbretëria e Perëndisë do të zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore. Në vend që në tokë të kemi shumë qeveri, do të ekzistojë vetëm një, e cila do të sundojë me drejtësi mbi të gjithë tokën.—Psalmi 72:7, 8; Danieli 2:44.
Jehovai ua shpalos të gjithëve ftesën për të jetuar nën këtë Mbretëri. Një mënyrë me anë të së cilës ai po e bën këtë, është përmes përhapjes së gjerë të Biblës, librit që shpjegon se çfarë do të bëjë Mbretëria për njerëzimin. Bibla është libri më i qarkulluar në botë dhe tani disponohet e tëra ose në pjesë, në më shumë se 2.000 gjuhë.
Perëndia Jehova i ndihmon me dashuri njerëzit që të kuptojnë se çfarë mëson Bibla për Mbretërinë. E bën këtë, duke mësuar dhe duke dërguar njerëz për t’u shpjeguar Shkrimet të tjerëve. Mbi pesë milionë Dëshmitarë të Jehovait po shpallin tani lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, në më shumë se 230 vende.
Siguri e vërtetë për të gjithë?
A do ta pranojnë të gjithë ftesën për t’u bërë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, duke u përputhur me normat e tij të drejta? Jo, sepse shumë njerëzve nuk u intereson kryerja e vullnetit të Perëndisë. Ata nuk i pranojnë përpjekjet që bëhen për t’i ndihmuar që të përmirësojnë jetën e tyre. Vërtet, e tregojnë veten si ata, për të cilët Jezui tha: «Zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen dhe unë [Perëndia] t’i shëroj.»—Mateu 13:15.
Si mund të ekzistojë ndonjëherë siguri e vërtetë në tokë mes atyre që nuk pranojnë të jetojnë në harmoni me rrugët e drejta të Perëndisë? Nuk është e mundur. Njerëzit e pafe kërcënojnë sigurinë e atyre që duan t’i shërbejnë Jehovait.
Perëndia nuk i detyron njerëzit të ndryshojnë, por as ligësinë nuk do ta tolerojë në pafundësi. Megjithëse Jehovai vazhdon me durim të dërgojë Dëshmitarët e vet për t’u mësuar njerëzve rrugët dhe qëllimet e tij, ai nuk do të vazhdojë të bëjë kështu për shumë kohë. Jezu Krishti paratha: «Ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet dhe atëherë do të vijë mbarimi [fundi, BR].»z—Mateu 24:14.
Çfarë do të thotë «fund» për ata që hedhin poshtë normat e Perëndisë? Do të thotë gjykim i pafavorshëm dhe shkatërrim. Bibla flet për ardhjen e ‘hakmarrjes kundër atyre që nuk njohin Perëndi dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm’.—2. Selanikasve 1:6-9.
Më në fund siguri e vërtetë përgjithmonë
Pas shkatërrimit të atyre që nuk pranojnë rrugët e paqes të siguruara nga Jehovai, Mbretëria e Perëndisë do të hyjë në një epokë të lavdishme sigurie, për dobi të të drejtëve që janë në tokë. (Psalmi 37:10, 11) Sa e ndryshme do të jetë kjo botë e re nga ajo në të cilën jetojmë sot!—2. Pjetrit 3:13.
Skamja dhe urija nuk do të ekzistojnë më. Të gjithë do të kenë bollëk për të ngrënë. Bibla thotë se për ‘të gjithë popujt do të përgatitet një banket me gjellë të shijshme’. (Isaia 25:6) Nuk do të ketë më zi buke, sepse «do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve».—Psalmi 72:16.
Nuk do të ketë më njerëz që jetojnë në kasolle dhe baraka. Nën Mbretërinë e Perëndisë të gjithë do të kenë shtëpi të bukura dhe do të hanë ushqim të prodhuar nga duart e tyre. Bibla premton: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin.»—Isaia 65:21.
Papunësisë së përhapur do t’ia zërë vendin puna e frytshme dhe njerëzit do të shohin frytet e mira të saj. Fjala e Perëndisë thotë: «Të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot.»—Isaia 65:22, 23.
Nën sundimin e Mbretërisë, njerëzit nuk do të vuajnë dhe nuk do të vdesin nga sëmundjet. Fjala e Perëndisë na siguron: «Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’»—Isaia 33:24.
Në parajsën tokësore që së shpejti do të bëhet realitet, vuajtja dhe dhimbja, hidhërimi dhe vdekja do të marrin fund. Po, edhe vdekja! Njerëzit do të jetojnë për jetë të jetëve në parajsë. Bibla na tregon se Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar».—Zbulesa 21:4, BR.
Nën sundimin e Jezu Krishtit, «Princit të paqes», jeta në tokë do të jetë më në fund e sigurt. Vërtet, do të ketë siguri mbarëbotërore nën sundimin e drejtë e të dashur të një qeverie: Mbretërisë së Perëndisë.—Isaia 9:6, 7, BR; Zbulesa 7:9, 17.
[Diçitura në faqen 4]
«Siguri për njerëzit do të thotë besim tek e nesërmja, . . . [besim në] stabilitetin e gjendjes politike dhe ekonomike.»—Një grua nga Azia
[Diçitura në faqen 5]
«Ajo që mbi të gjitha të bën të ndihesh i pasigurt, është dhuna dhe kriminaliteti.»—Një burrë me banim në Amerikën Jugore
[Diçitura në faqen 6]
«Unë ndjeva pasiguri gjatë . . . pushtimit. Si ka mundësi që njerëzit të ndihen të sigurt, kur një vend është në luftë?»—Një nxënës i shkollës fillore në Lindjen e Mesme
[Diçitura në faqen 7]
«Do të ndihem e sigurt, kur ta di se mund të eci natën në rrugë pa rrezikuar përdhunimin.»—Një nxënëse e klasës së katërt në Afrikë