A do ta lavdërosh Jehovain?
«ASHTU si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës.» Këto janë fjalët e një kënge profetike të bijve të Koreut. (Psalmi 48:10) Sot, një kor i fuqishëm prej miliona Dëshmitarësh të Jehovait po e lavdëron Perëndinë, duke e bërë të njohur emrin e tij përmes predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së tij. Duke bërë kështu në 232 vende e ishuj deti dhe në më shumë se 300 gjuhë, ata po i arrijnë «skajet tokës» në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Ç’gjë i detyron njerëzit e mjediseve të ndryshme kulturore, shoqërore e gjuhësore të lavdërojnë Jehovain? Një nga arsyet më të mëdha është mirënjohja për njohurinë e saktë mbi Fjalën e Perëndisë, Biblën. E vërteta frymore i ka liruar ata nga besëtytni dhe bindje skllavëruese fetare si tortura e përhershme. (Gjoni 8:32) E vërteta, gjithashtu, i ndihmon ata të çmojnë cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë, si dashuria, fuqia, mençuria dhe drejtësia e tij që ekuilibrohen nga mëshira. Duke kuptuar se Perëndia e ka ofruar Birin e tij të vetëmlindur, Jezu Krishtin, si sakrificë shpërblerëse për njerëzimin, njerëzit e drejtë nxiten ta lavdërojnë e t’i shërbejnë Jehovait.
Sipas librit biblik të Zbulesës, një kor qiellor thërret: «Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.» (Zbulesa [Apokalipsi] 4:11) Një lavdërim i tillë nuk është rezultat i një ndjenje të thjeshtë detyrimi. Përkundrazi, lind nga nderimi për Jehovain.
Lavdëroni Jehovain duke shpallur lajmin e mirë
Kush lavdëron Jehovain, imiton shembullin e mrekullueshëm të Jezu Krishtit, lavdëruesit kryesor të Perëndisë. Kush ndjek gjurmët e Jezuit, merr pjesë në veprën e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 4:17, 23; 24:14) Kjo vepër predikimi është bërë shprehja më e madhe e përpjekjes mbarëbotërore lidhur me lavdërimin e Jehovait.
Kjo vepër predikimi është kaq e rëndësishme, saqë Bibla në mënyrë të qartë e lidh me shpëtimin. Romakëve 10:13-15 thotë: «‘Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.’ Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!’»
Vetëm vitin e fundit, Dëshmitarët e Jehovait i kanë kushtuar veprës së predikimit më shumë se një miliard orë. Sa rezultate të mira janë marrë, duke e lavdëruar Perëndinë në këtë mënyrë! Rreth 314.000 persona iu bashkuan korit të lavdëruesve, duke e simbolizuar dedikimin e tyre ndaj Jehovait me pagëzim në ujë.
Megjithatë, çfarë mund të thuhet për 12.288.917 personat që morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në 1994-ën? Ndër ta më shumë se 7.000.000 persona ishin nga ata që akoma nuk e lavdërojnë Jehovain si predikues të lajmit të mirë. Megjithatë, prania e tyre në këtë rast të rëndësishëm mund të rezultojë në shtimin e korit të lavdëruesve me miliona të tjerë. Ç’mund të bëhet për të ndihmuar këta të interesuar të bëhen lavdërues të Jehovait?
Mund të merret ndihmë
Shumë të interesuar mund të kenë dëshirë ta lavdërojnë Jehovain, por mendojnë se nuk mund t’i plotësojnë kërkesat. Ata bëjnë mirë të kujtojnë fjalët e psalmistit: «Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma? Ndihma më vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.» (Psalmi 121:1, 2) Siç duket, psalmisti i ngriti sytë nga malet e Jeruzalemit, ku ishin vendosur tempulli i Jehovait dhe qendra e qeverisë teokratike në tokë. Nga kjo, me të drejtë mund të dalim në përfundimin se ndihma që nevojitet për të lavdëruar Perëndinë dhe për të shpallur mesazhin e Mbretërisë, vjen vetëm nga Jehovai dhe organizata e tij.—Psalmi 3:4; Danieli 6:10.
Sot, ata që dëshirojnë të lavdërojnë Jehovain mund të presin ndihmë të dashur nga organizata e tij tokësore. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë ndihmë, duke drejtuar në shtëpi studime biblike falas me personat e interesuar. Ky program arsimimi përfshin më shumë se thjesht mësimin e doktrinave biblike. Ai e ndihmon studentin të zhvillojë çmueshmëri për atë që po mëson dhe për organizatën që Jehovai po përdor.
Në harmoni me këtë, Dëshmitari që drejton studimin biblik, përpiqet të sigurohet se të vërtetat e sapogjetura, nuk arrijnë vetëm në mendje, por edhe në zemër. Mësuesi nuk duhet të kufizohet vetëm duke i treguar studentit se si po e përdor Jehovai organizatën e Tij për të plotësuar qëllimin e vet në tokë. Broshura Dëshmitarët e Jehovait—Të bashkuar për të kryer vullnetin Perëndisë në të gjithë botën dhe videokaseta Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit (angl.), shpesh kanë rezultuar të dobishme në kryerjen kësaj gjëje.
Edhe mbledhjet e krishtere luajnë një rol të rëndësishëm në ndihmën ndaj lavdëruesve të ardhshëm të Jehovait. Që në fillim të studimit biblik, studenti mund të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere. Me kalimin e kohës, ai kupton rëndësinë e frekuentimit të rregullt dhe pjesëmarrjes në të gjitha mbledhjet e kongregacionit. (Hebrenjve 10:24, 25) Mbikëqyrësit mund të sigurojnë një ndihmë të paçmuar për bashkëbesimtarët dhe lavdëruesit e ardhshëm të Jehovait, duke përgatitur mbledhje që janë praktike dhe ndërtuese frymësisht.
Ndihmoni fëmijët të lavdërojnë Jehovain
Fëmijët janë mes atyre që në të ardhmen e afërt mund të bëhen lajmëtarë të lajmit të mirë. Veçanërisht baballarët, kanë përgjegjësinë biblike për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4, BR) Kur stërviten ashtu siç duhet nga prindërit e dedikuar, edhe fëmijët e vegjël fare zhvillojnë dëshirën për të lavdëruar Jehovain.
Në Argjentinë, për disa muaj me radhë, një vajzë e vogël i këkonte pleqve të kongregacionit ndihmë për t’u kualifikuar si lajmëtare e Mbretërisë. Me kalimin e kohës, prindërit dhe pleqtë e lejuan të bëhej një lajmëtare e papagëzuar. Tani, ajo e paraqet me efektshmëri mesazhin e mbretërisë nëpër dyer. Edhe pse kjo vajzë e vogël është vetëm pesë vjeç e nuk di të lexojë, ajo ka fiksuar në mendje vendin e disa vargjeve biblike. Pasi gjen një Shkrim, ajo i kërkon të zotit të shtëpisë ta lexojë dhe më pas e shpjegon.
Është e qartë se pleqtë bashkë me prindërit mund të bëjnë shumë, duke inkurajuar dhe duke ndihmuar ata që po përparojnë për të qenë lavdërues të Jehovait.—Proverbat 3:27.
Një marrëdhënie e përhershme me Jehovain
Por, ç’mund të themi nëse ti vetë je shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait për disa kohë dhe nuk je bashkuar me ta në veprën e tyre të predikimit? Do të ishte e dobishme t’i bëje vetes pyetjet e mëposhtme: «A besoj se kam gjetur të vërtetën dhe se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë? A jam i bindur se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit? A e kam braktisur plotësisht fenë e rreme dhe zakonet e praktikat botërore që ofendojnë Jehovain? A kam një dashuri të thellë për Perëndinë dhe për kërkesat e tij të drejta?» (Psalmi 97:10) Nëse u përgjigjesh ndershmërisht «po» këtyre pyetjeve, ç’të pengon të lavdërosh Jehovain?—Krahaso Veprat 8:36.
Lavdërimi i Jehovait përfshin më shumë sesa predikimi i lajmit të mirë. Nëse ke marrë njohurinë e saktë, ke besim të vërtetë dhe jeton në harmoni me kërkesat hyjnore, duhet ta forcosh marrëdhënien tënde personale me Perëndinë. Në ç’mënyrë? Duke iu dedikuar atij në lutje dhe duke e simbolizuar atë me pagëzim në ujë. Është në lojë jeta e përjetshme. Prandaj, tani vepro sipas këshillës së Jezuit: «Hyni nga dera ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi, sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që të çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!»—Mateu 7:13, 14.
Me sistemin e tanishëm të gjërave që po i afrohet fundit katastrofik, nuk është koha për të ngurruar. Ndërmerr hapa të menjëhershëm për një marrëdhënie të përhershme me Jehovain. Vërtet, tani është koha për t’iu përgjigjur pozitivisht pyetjes: «A do ta lavdërosh Jehovain?»