Mbani integritetin dhe jetoni!
«MALLKO Perëndinë dhe vdis!» Kopertina e kësaj reviste paraqet gruan e Jobit, e cila e sulmoi atë me këto fjalë. Kjo ndodhi rreth 3.600 vjet më parë. Megjithatë, ai sulm gojor mbi shërbëtorin besnik të Perëndisë, hedh dritë mbi një çështje me të cilën njerëzimi po ballafaqohet deri sot. Jobi besnik, pësoi humbje të tmerrshme—bagëtinë, shtëpinë dhe dhjetë fëmijët e tij. Ndërsa vetë trupi i tij, u mundua nga një sëmundje kronike, duke e sprovuar atë deri në kulmin e durimit të tij. Cila ishte arsyeja? Armiku më i madh i Perëndisë dhe i njerëzve, Satana Djalli, kishte ngritur një sfidë sipas së cilës, njerëzit nuk mund ta mbanin integritetin e Perëndisë nën sprova të ndryshme.—Jobi 1:11, 12; 2:4, 5, 9, 10.
Sot, si në ditët e Jobit, «e gjithë bota dergjet nën fuqinë e të ligut», Satana Djallit. (1. Gjonit 5:19, BR) Në fakt, sot kjo shihet edhe më qartë sepse tani «ai që quhet Djall dhe Satana, i cili po mashtron të gjithë tokën e banuar», është hedhur nga qiejt në tokë. (Zbulesa 12:9, BR) Kjo shpjegon mjerimin e madh që po përjeton njerëzimi në kohën tonë. Lufta e parë botërore, që shpërtheu në vitin 1914, shënoi «fillimin e dhimbjeve të vuajtjeve» që vazhdojnë të thellohen në këtë shekull të XX.—Mateu 24:7, 8, BR.
Në këtë botë të degraduar dhe mizore, a je ndier ndonjëherë se ke arritur në kulmin e durimit njerëzor? A e ke pyetur ndonjëherë veten, ‘A ka një qëllim jeta’? Jobi mund të jetë ndierë në këtë mënyrë, por ai kurrë nuk e humbi besimin në Perëndinë, megjithëse bëri gabime. Ai e shprehu vendosmërinë e tij me këto fjalë: «Deri sa të kem frymë, nuk do të heq dorë nga integriteti im!» Ai kishte besim se Perëndia do ta ‘njihte integritetin e tij’.—Jobi 27:5; 31:6, BR.
Gjithashtu vetë Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë iu desh të duronte prova kur ishte në tokë. Satanai e sulmoi Jezuin në mënyra të ndryshme. Ai përfitoi nga nevojat fizike të Jezuit dhe e vuri në provë besimin e tij mbi Fjalën e Perëndisë, kur e tundoi në mal. (Mateu 4:1-11) Ai e sulmoi Jezuin duke i nxitur skribët apostatë dhe farisenjtë bashkë me pasuesit e tyre, që ta persekutonin atë, ta akuzonin për blasfemi dhe të komplotonin për ta vrarë. (Luka 5:21; Gjoni 5:16-18; 10:36-39; 11:57) Ata e trajtuan Jezuin më keq se tre ngushëlluesit e rremë trajtuan Jobin.—Jobi 16:2; 19:1, 2.
Në kopshtin e Getsemanisë, ndërsa Jezui po i afrohej kulmit të kësaj prove, u tha dishepujve të tij: «Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje.» Pastaj «ra me fytyrë përtokë dhe lutej duke thënë: ‘Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti’». Së fundi, mbi shtyllën e mundimeve në përmbushje të fjalëve profetike të Psalmit 22:1, Jezui bërtiti: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» Por në të vërtetë, Perëndia nuk e braktisi Jezuin, sepse ai e mbajti në mënyrë të përsosur integritetin ndaj Tij, duke lënë një shembull, për ta ndjekur të gjithë të krishterët e vërtetë. Perëndia e shpërbleu Jezuin për mbajtjen e integritetit, duke e ringjallur dhe duke e ngritur në qiejt më të lartë. (Mateu 26:38, 39; 27:46; Veprat 2:32-36; 5:30; 1. Pjetrit 2:21) Perëndia do t’i shpërblejë të gjithë ata, që në mënyrë të ngjashme e mbajnë integritetin ndaj tij.
Jo vetëm vendosmëria e Jezuit në mbajtjen e integritetit i jep një përgjigje të plotë sfidës së Satanait, por sakrifica e jetës së tij të përsosur njerëzore, siguroi shpërblimin mbi bazën e të cilit, të gjithë mbajtësit e integritetit mund të fitojnë jetën e përhershme. (Mateu 20:28) Së pari, Jezui mblodhi një «kope të vogël» të mirosurish, të cilët u bënë bashkëtrashëgimtarë me të në Mbretërinë qiellore. (Luka 12:32) Pas kësaj, «një shumicë e madhe» po mblidhen për të mbijetuar «mjerimin e madh» e për të trashëguar jetën e përhershme nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë.—Zbulesa 7:9, 14-17.
Jobi, mbajtësi i integritetit, do të jetë midis miliarda të vdekurve që do të ringjallen për t’u bërë pjesë e shoqërisë paqësore të «tokës së re». (2. Pjetrit 3:13; Gjoni 5:28, 29) Siç paraqitet në kopertinën e faqes së fundit të kësaj reviste, Jobi u shpërblye për mbajtjen e integritetit të tij kur Jehovai «në fund e bekoi Jobin . . . më shumë se ç’kishte në fillim». Ai fitoi forcë frymore si një që «nuk mëkatoi me buzët e tij». Perëndia e zgjati edhe me 140 vjet të tjera jetën e tij. Nga ana materiale, Perëndia i dha Jobit dyfishin e atyre që kishte në fillim dhe Jobi «pati shtatë bij dhe tre vajza», vajzat u konsideruan si më të bukurat në të gjithë vendin. (Jobi 2:10; 42:12-17, BR) Por e gjithë kjo mirëqenie, ishte vetëm një parashijim i bekimeve që të gjithë ata që mbajnë integritetin do të gëzojnë në Parajsën e «tokës së re». Edhe ti mund të marrësh pjesë në këtë gëzim, siç shpjegon faqja që vijon.
[Figura në faqen 4]
Jezui la një shembull të përsosur në mbajtjen e integritetit