BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 1/1 f. 5-10
  • Triumfues mbi Satanain dhe veprat e tij

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Triumfues mbi Satanain dhe veprat e tij
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Integritet kur persekutohemi
  • Në Ruandën e munduar nga luftërat
  • Të rinj që kanë mbajtur integritetin
  • Mënyrat e tjera dinake të Satanait
  • A do të vazhdosh të jesh besnik?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Mbaj integritetin!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Jobi lartësoi emrin e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Të jetojmë në mënyrën që i pëlqen Perëndisë
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 1/1 f. 5-10

Triumfues mbi Satanain dhe veprat e tij

«Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!»​—JAKOVIT 4:7.

1. Në ç’mënyrë ka ndikuar sot mbi njerëzimin «dora e të ligut»?

JOBI me të drejtë tha: «Toka është lënë në duart e të ligut.» (Jobi 9:24, BR) Pikërisht në këto ditë ne përballojmë kohët më të vështira në të gjithë historinë e njerëzimit. Përse? Sepse jemi «në ditët e fundit» të sundimit demonik të Satanait në tokë. Nuk është për t’u habitur që të nxitur nga Satanai ‘njerëzit e këqij dhe mashtrues po shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë’. (2. Timoteut 3:1, 13) Për më tepër, persekutimet, padrejtësitë, mizoritë, krimet, vështirësitë ekonomike, sëmundjet kronike, dhimbjet e mplakjes, depresionet emocionale dhe të tjera akoma mund të rëndojnë shumë mbi ne.

2. Si mund t’i përballojmë sulmet e Satanait sot?

2 Kundërshtari i madh, Satana Djalli, po bën një sulm të përqendruar mbi njerëzimin dhe veçanërisht mbi adhuruesit e vërtetë të Perëndisë. Qëllimi i tij është të kthejë kundër Perëndisë të gjithë mbajtësit e mundshëm të integritetit dhe t’i çojë ata në shkatërrim bashkë me veten dhe engjëjt e tij demonë. Megjithatë, ne na është siguruar se nëse e mbajmë integritetin, Djalli do të largohet nga ne. Ashtu si Jezui, ne mund të ‘mësojmë të jemi të bindur’ ndaj Perëndisë përmes vuajtjeve dhe të kemi mundësi të marrim jetën e përhershme me anë të dashamirësisë së Tij të pamerituar.​—Hebrenjve 5:7, 8; Jakovit 4:7; 1. Pjetrit 5:8-10.

3, 4. (a) Me cilat prova të jashtme ndeshej Pavli? (b) Për çfarë shqetësohej Pavli si plak i krishterë?

3 Edhe apostulli Pavël u sprovua në mënyra të ndryshme. Duke radhitur provat si shërbëtor i Krishtit, ai shkroi: «Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje. Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një. Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë. Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkatdhetarëve, rreziqe nga ana e johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.»

4 «Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat [kongregacionet, BR]. Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?» (2. Korintasve 11:23-29) Kështu, Pavli e mbajti integritetin kur përballoi persekutime dhe prova nga jashtë. Gjithashtu, edhe si plak i krishterë ai ishte shumë i përqendruar për të forcuar motrat dhe vëllezërit më të dobët në kongregacion, duke i ndihmuar që të mbanin integritetin. Ç’shembull i shkëlqyer për pleqtë e krishterë sot!

Integritet kur persekutohemi

5. Cila është përgjigjja ndaj persekutimeve të drejtpërdrejta?

5 Çfarë mënyrash përdor Satanai për të thyer integritetin? Siç tregohet më lart, një nga strategjitë më të pamëshirshme të Satanait është persekutimi haptazi. Megjithatë, ka një mënyrë për t’u rezistuar atyre. Efesianëve 6:10, 11 na këshillon: «Forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve [ose «veprave dinake», shënimi, Përkthimi Bota e Re e Shkrimeve të Shenjta me Referime] të djallit.»

6. Si mund të tregohet se Dëshmitarët e Jehovait kanë dalë «plotësisht fitimtarë» nga provat?

6 Në këto ditë të fundit, Dëshmitarëve të Jehovait shpesh u është dashur të luftojnë me sprovat. Kështu, mund të themi bashkë me Pavlin: «Në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.» (Romakëve 8:37) E tregon këtë reputacioni i Dëshmitarëve të Jehovait lidhur me integritetin nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani, Austri, Poloni dhe Jugosllavi gjatë epokës naziste gjatë viteve 1933-1945, nën shtypjet komuniste në Evropën lindore nga 1945-a deri në 1989-ën dhe gjatë persekutimeve që kanë prekur pjesë të Afrikës dhe Amerikës Latine gjatë kohëve të fundit.

7. Çfarë shembujsh prekës lidhur me integritetin janë raportuar nga Etiopia?

7 Dëshmitarët e Jehovait në Etiopi dhanë një shembull nxitës lidhur me integritetin nga vitet 1974 deri 1991. Një kapës robërish i dhënë pas politikës i tha një vëllai të burgosur: «Më mirë të lirohen luanët nga kopshti zoologjik, sesa t’ju lëmë juve të lirë!» Këta persekutues mizorë i torturonin shërbëtorët e Jehovait dhe pas disa vitesh një gjykatë apeli urdhëronte ekzekutimin. Trupi i një vëllai u ekspozua publikisht si një paralajmërim për të tjerët. Vëllezërit e tjerë që ishin dënuar me vdekje u liruan nga një gjykatë më liberale dhe disa nga këta ‘fitimtarë’ besnikë zhvilluan pjesë në programin e Kongresit Krahinor «Mësimi Hyjnor» në Addis Abeba, në fillim të 1994-ës.a​—Gjoni 16:33; krahaso 1. Korintasve 4:9.

8. Në ç’mënyrë Satanai është munduar të përfitojë nga «pastrimi etnik»?

8 Satanai nuk mundi të thyejë integritetin e këtyre vëllezërve dhe motrave besnike duke i sulmuar ballë për ballë. Atëherë, ç’mënyra të tjera dinake përdor ai? Zbulesa 12:12 thotë për këto ditë të fundit: «Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju tepër i hidhur duke ditur se nuk i mbetet veçse pak kohë.» (BR) Meqenëse nuk ka mundur t’i zhdukë nga faqja e dheut njerëzit besnikë të Perëndisë me anë të persekutimeve, në zemërim e sipër ai përpiqet të masakrojë popuj të tërë, pa dyshim me shpresë që të shkatërrojë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait bashkë me pjesën tjetër të popullsisë. Kështu, në zonat e ish-Jugosllavisë janë bërë të ashtuquajturat spastrime etnike, ndërsa në Liberi, Burundi dhe Ruanda është tentuar të futet gjenocidi.

9. Përse shpesh taktikat e Satanait dështojnë? Jep shembuj.

9 Megjithatë, shpesh taktikat e Satanait zënë në kurth atë vetë, sepse ndikimi satanik i bën njerëzit me zemër të sinqertë të kuptojnë se shpresa e tyre e vetme është Mbretëria e Perëndisë, të cilën Dëshmitarët e Jehovait e predikojnë me zell. (Mateu 12:21) Në të vërtetë, masa të interesuarish vijnë drejt kësaj Mbretërie! Për shembull, në Bosnjë dhe Hercegovinë që po shqyhen nga konfliktet, në kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Jezu Krishtit, më 26 mars 1994, morën pjesë 1.307 persona, 291 vetë më shumë se një vit më parë. Maksimumi i pjesëmarrjes u regjistrua në Sarajevë (414), Zenetse (223), Tuzla (339), Banja Luka (255) dhe në qytete të tjera. Në Kroacinë fqinjë kishte një maksimum të ri prej 8.326 pjesëmarrësish. Dhuna që i rrethonte, nuk i ndaloi Dëshmitarët e Jehovait në ato vende t’i bindeshin urdhrit që ‘të shpallin vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë’.​—1. Korintasve 11:26.

Në Ruandën e munduar nga luftërat

10, 11. (a) Çfarë ndodhi në Ruandën e ashtuquajtur të krishterë? (b) Çfarë thanë disa misionarë besnikë?

10 Në 1993-shin, në Ruandën me 2.080 lajmëtarë të Mbretërisë, të pranishmit në Kongresin Krahinor «Mësimi Hyjnor» ishin 4.075 dhe 230 u pagëzuan. Nga këta, 142 lajmëtarë filluan menjëherë shërbimin si pionierë ndihmës. Numri i studimeve biblike në shtëpi gjatë vitit 1994 kaloi numrin 7.655, me një mesatare prej 2,7 studime për lajmëtar​—siç shihet jashtëzakonisht shumë për dëshirën e Satanait! Megjithëse pjesa më e madhe e popullsisë pohon se është e krishterë, fiset u lëshuan në masakra. Një gazetë e Vatikanit pranoi: «Ky është kryekëput gjenocid, për të cilin fatkeqësisht edhe katolikët janë përgjegjës.» (L’Oservatore Romano) Numërohen një gjysmë milion burra, gra e fëmijë të vdekur dhe rreth dy milionë të pastrehë apo të detyruar për t’u larguar. Duke mbajtur të pacënuar asnjanësinë e tyre të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait u përpoqën të qëndronin së bashku. Qindra vëllezër dhe motra u vranë. Në një kongregacion me 65 lajmëtarë të Mbretërisë, u vranë 13 prej tyre, por pjesëmarrja në mbledhje u rrit në 170 persona që nga gushti i 1994-ës. Ndihmat e dërguara nga Dëshmitarët e vendeve të tjera, ishin ndër të parat që arritën. Ne lutemi për ata që kanë mbetur gjallë.​—Romakëve 12:12; 2. Selanikasve 3:1, 2; Hebrenjve 10:23-25.

11 Mes gjithë këtyre tmerreve, tre misionarët që ishin në Ruanda mundën t’i shpëtonin vdekjes. Ata shkruan: «E kuptojmë se vëllezërit tanë në të gjithë botën duhet të përballojnë situata të tilla të ngjashme ose më keq akoma. E dimë, gjithashtu, se kjo bën pjesë në shenjën e ditëve të fundit të këtij sistemi të lig. Megjithatë, kur dikush ndikohet personalisht, bëhet më vigjilent lidhur me realitetin e gjërave dhe e bën të vlerësojë se sa e çmuar është jeta. Disa shkrime kanë marrë një domethënie të re për ne dhe shikojmë përpara në kohën kur gjërat e kaluara nuk do të na vijnë më në mendje. Ndërkohë duam të vazhdojmë të jemi të zënë në shërbimin e Jehovait.»

Të rinj që kanë mbajtur integritetin

12, 13. (a) Cilën sjellje integriteti ndoqi një e re? (b) Ku mund të gjejnë inkurajim të rinjtë tanë sot?

12 Jezui tregoi se ata që janë mohuar nga anëtarët e familjes për hir të së vërtetës, do të shpërblehen «njëqindfish». (Marku 10:29, 30) Kështu ndodhi edhe me një vajzë 10-vjeçare në Afrikën Veriore, të quajtur Entelya, e cila kishte dashuri për emrin e Perëndisë​—Jehova—​që kur dëgjoi të flitet për të. Ajo studionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe bënte 1 orë e gjysmë rrugë për të shkuar në mbledhje dhe 1 orë e gjysmë për t’u kthyer edhe pse familja që nuk ishte dakort me të shpesh e linte jashtë kur kthehej. Në moshën 13-vjeçare ajo filloi të predikonte nga shtëpia më shtëpi dhe kundërshtimet nga ana e familjes intensifikoheshin. Një ditë, disa të afërm e lidhën këmbë e duar dhe e lanë për 7 orë nën diellin përvëlues, duke i hedhur herë pas here ujë të qelbur. E rrahën pa mëshirë derisa i nxorën një sy. Përfundimisht, e përzunë nga shtëpia. Por ajo gjeti punë në një spital dhe më në fund u kualifikua si infermiere. Në moshën 20-vjeçare u pagëzua dhe menjëherë filloi si pioniere ndihmëse. Të habitur nga integriteti i saj, familja kërkoi që ajo të kthehej përsëri në shtëpi dhe nëntë prej tyre pranuan të studionin Biblën.

13 Entelya inkurajohej shumë nga Psalmi 116, veçanërisht nga vargjet 1-4, të cilët ajo i ka lexuar e rilexuar disa herë me radhë: «Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia. Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime. Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund. Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: ‘O Zot, të lutem, më shpëto.’» Jehovai u përgjigjet këtyre lutjeve.

14. Si kanë treguar integritet shembullor Dëshmitarët në Poloni?

14 Ashtu si në ditët e Jezuit, shpesh Satanai ka përdorur fanatizmin fetar për të ndezur xixat e persekutimit, por më kot. I spikatshëm është shembulli i vëllezërve tanë në Poloni, siç përshkruhet në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1994. Edhe të rinjve iu desh të tregoheshin mbajtës të integritetit. Në 1946-ën, një prej tyre ishte një vajzë 15-vjeçare, së cilës iu tha: «Bëj vetëm shenjën katolike të kryqit. Përndryshe të pret plumbi!» Meqenëse mbajti integritetin, atë e tërhoqën zvarrë në një pyll, e torturuan mizorisht dhe e pushkatuan.​—Krahaso Mateun 4:9, 10.

Mënyrat e tjera dinake të Satanait

15, 16. (a) Cila është politika demonike e Satanait dhe si mund t’i rezistojmë atij? (b) Përse të rinjtë tanë nuk kanë arsye për t’u penguar?

15 Politika demonike e Satanait është «o sundoj, o shkretoj»! Ai ka në dorë shumë armë mizore. Prandaj, nuk është për t’u habitur që apostulli Pavël paralajmëron: «Beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore. Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.» (Efesianëve 6:12, 13) Dëshirat materialiste, propaganda dhe zbavitja e degraduar, muzika satanike, presionet e bashkëmoshatarëve në shkollë, droga dhe dehja—secila nga këto mund ta rrënojë jetën tonë. Prandaj, apostulli vazhdon të na këshillojë: «Mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.»​—Efesianëve 6:16.

16 Kjo duket se është veçanërisht e nevojshme sot, duke pasur parasysh muzikën ekstravagante me të cilën Satanai po e mbyt këtë botë. Në disa raste ka lidhje të drejtpërdrejtë me satanizmin. Një raport nga zyra e sherifit në San Diego (Sh.B.A) deklaron: «Kishim një koncert këtu në San Diego, ku një grup prej 15.000 djemsh shqiptonin fjalën ‘Natas​’—d.m.th. Satana, por e thënë mbrapsht.» Satanizmi është përshkruar si një gropë, në të cilën pengohen adoleshentët, «sepse sorollaten të pashpresë, të zemëruar dhe të vetmuar». Ju të rinj në kongregacionin e krishterë nuk keni pse të pengoheni! Jehovai ju ka siguruar armaturën frymore, të cilën shigjetat e Satanait nuk mund ta shpojnë kurrën e kurrës.​—Psalmi 16:8, 9.

17. Si mund të mposhtet depresioni emocional?

17 Shigjetat e zjarrta satanike përdoren për të manipuluar ndjenjat. Me anë të presioneve të jetës, si sëmundjet fizike apo gjendja e depresionit të thellë, kundërshtari ynë mund të bëjë që disa të ndihen të padobishëm. Dikush mund të shkurajohet, sepse nuk ka mundësi të bëjë shumë orë në shërbim të Perëndisë apo sepse mungon disa herë në mbledhjet e kongregacionit. Kujdesi i dashur i pleqve dhe i motrave e vëllezërve të tjerë zemërbutë, mund t’i ndihmojë në mposhtjen e tronditjeve të vështira shpirtërore. Gjithmonë kujto se Jehovai i do shërbëtorët e tij besnikë. (1. Gjonit 4:16, 19) Psalmi 55:22 thotë: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»

18. Kundër cilave makinacione demonike duhet të luftojnë disa?

18 «Makinacionet» dinake të Satanait, kohët e fundit janë paraqitur në një formë tjetër akoma. Në disa vende, shumë adultë pushtohen nga mendime torturuese sipas të cilëve gjatë fëmijërisë kanë përjetuar abuzime seksuale nga sektet satanike. Cili është burimi i këtyre mendimeve? Pavarësisht nga kërkimet e thella, mendimet e specialistëve nga bota ndryshojnë në një masë të madhe. Disa njerëz i shohin mendime të tilla si kujtime të vërteta, ndërsa të tjerë si fantazi​—të ndërfutura përmes terapive të dyshimta—​dhe të tjerë akoma i shohin si një lloj kllapie të shkaktuara nga trauma që nga fëmijëria.

19. (a) Cilat mendime duhej të përballonte Jobi? (b) Si mund ta ndjekin pleqtë shembullin e Elihut?

19 Është interesante që shërbëtori i Perëndisë, Jobi, duhej të luftonte kundër «mendimeve shqetësuese» që i transmetoi Satanai përmes Elifazit dhe Zofarit. (Jobi 4:13-18; 20:2, 3, BR) Kështu, Jobi vuajti «mërzi» që e bënë të lëshohej në «të folur të ashpër» për «tmerret» që brengosnin mendjen e tij. (Jobi 6:2-4; 30:15, 16, BR) Elihu e dëgjoi Jobin me qetësi dhe e ndihmoi të kuptonte mënyrën e mençur në të cilën Jehovai i shikon gjërat. Ngjashëm, pleqtë e arsyeshëm sot tregojnë se kujdesen për të brengosurit, duke mos u shtuar më tepër «presion» atyre. Përkundrazi, ashtu si Elihu, i dëgjojnë ata me durim dhe pastaj hedhin vajin qetësues të Fjalës së Perëndisë. (Jobi 33:1-3, 7; Jakovit 5:13-15) Kështu kushdo, emocionet e të cilit janë turbulluar nga trauma reale apo të fantazuara, apo kushdo që ‘trembet me ëndrra dhe tmerrohet me vegime’ ashtu si Jobi, mund të gjejë qetësim e lehtësim biblik brenda kongregacionit.​—Jobi 7:14; Jakovit 4:7.

20. Si mund të ndihmohen të krishterët e shqetësuar për të mbajtur ekuilibrin e tyre frymor?

20 Për momentin, një i krishterë mund të jetë i bindur se në një mënyrë apo në një tjetër, prapa këtyre mendimeve të tmerrshme është Satanai. Nëse dikush në kongregacion vuan në këtë mënyrë, bën mirë t’i shohë këto mbresa mendore që të lemerisin, si një përpjekje e drejtpërdrejtë e Satanait për të prishur ekuilibrin e tij frymor. Atyre u nevojitet durim dhe mbështetje e arsyeshme biblike. Duke u kthyer tek Jehovai me lutje dhe duke përfituar frymësisht nga vizitat baritore, ata që përjetojnë hidhërim do të fitojnë forcë përtej të zakonshmes. (Isaia 32:2; 2. Korintasve 4:7, 8) Kështu, ata do të kenë mundësi të durojnë me besnikëri dhe të mos lejojnë që këto mendime të dëmshme të ndikojnë paqen në kongregacion. (Jakovit 3:17, 18) Po, ata do të mund ta kundërshtojnë Djallin, duke treguar të njëjtën frymë si Jezui kur tha: «Shporru, Satan.»​—Mateu 4:10; Jakovit 4:7.

21. Si paralajmërojnë Shkrimet për rrugët mashtruese të Satanait?

21 E dimë se qëllimi i Satanait është të korruptojë në ndonjë mënyrë mendjet tona, siç paralajmëroi apostulli Pavël tek 2. Korintasve 11:3: «Druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.» Rrënimi i tanishëm i çdo mishi apo shoqërie njerëzore të larguar nga Perëndia, na kujton degradimin e ushtruar prej hibridëve të korruptuar dhe të dhunshëm «që rrënonin të tjerët» në ditët e Noes. (Zanafilla 6:4, 12, 13, shënimi, Përkthimi Bota e Re e Shkrimeve të Shenjta me Referime; Luka 17:26) Prandaj, nuk është për t’u habitur që Satanai përdor veprat dinake dhe mjetet mashtruese për të shfryrë dufin e tij, veçanërisht kundër popullit të Perëndisë.​—1. Pjetrit 5:8; Zbulesa 12:17.

22. Çfarë bekimesh mund të priten kur Satanai të mos na shqetësojë më?

22 Satanai nuk është përmendur në kapitujt e fundit të librit biblik të Jobit. Sfida e tij e ligë se njerëzit nuk mund ta mbajnë integritetin ndaj Perëndisë, u tregua e rremë nga integriteti i Jobit. Ngjashëm, në të ardhmen e afërt kur «një shumicë e madhe» e mbajtësve të integritetit «të vijë nga mjerimi i madh», Satanai do të hidhet në humnerë. Burra dhe gra të besës, duke përfshirë Jobin besnik, do t’i bashkohen kësaj «shumice të madhe», për të gëzuar bekimet parajsore, madje më të mëdha se ato që mori Jobi!​—Zbulesa 7:9-17; 20:1-3, 11-13, BR; Jobi 14:13.

[Shënimi]

a Shiko Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1992, faqe 177 (angl.).

Pyetje për t’u rishikuar

◻ Ç’shembuj të shkëlqyer integriteti dhanë Jobi, Jezui dhe Pavli?

◻ Si e kanë kundërshtuar Satanain mbajtësit e integritetit?

◻ Si mund t’u rezistojnë të rinjtë mashtrimeve dinake të Satanait?

◻ Çfarë mund të bëhet për të përballuar makinacionet e Satanait?

[Figura në faqen 7]

Mesuati dhe Joalani nga Etiopia i shërbejnë tani Jehovait në kohë të plotë, sipas shembullit të etërve të tyre të ekzekutuar

[Figura në faqen 7]

Entelya, një e re nga Afrika Veriore që mbajti integritetin

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo