BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/10 f. 10-15
  • Bëjeni martesën një bashkim të qëndrueshëm

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Bëjeni martesën një bashkim të qëndrueshëm
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Qëndrueshmëria e martesës
  • Autoritet dhe nënshtrim
  • Komunikimi: forca jetëdhënëse e martesës
  • Mospajtime
  • Qëndrojini besnikë njëri-tjetrit
  • Si mund të kenë të krishterët një martesë të suksesshme
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • Mos e ndani atë që Perëndia e ka bashkuar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Çfarë thotë Bibla për martesën?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Dy çelësa për një martesë të qëndrueshme
    Sekreti i lumturisë familjare
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/10 f. 10-15

Bëjeni martesën një bashkim të qëndrueshëm

«Atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.»​—MATEU 19:6.

1. Cila është baza për suksesin e martesës midis të krishterëve të vërtetë sot?

SOT, disa mijëra shërbëtorë të Jehovait gëzojnë një martesë të kënaqshme dhe të gjatë. Megjithatë, një sukses i tillë i përhapur nuk mund të jetë një gjë e rastit. Martesat e krishtere mund të lulëzojnë kur të dy bashkëshortët (1) respektojnë pikëpamjen e Perëndisë mbi martesën dhe (2) përpiqen të jetojnë sipas parimeve të Fjalës së tij. Në fund të fundit, ishte vetë Perëndia që vendosi rregullin martesor. Prej Tij «merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë». (Efesianëve 3:14, 15) Pasi Jehovai e di se ç’duhet bërë që një familje të ketë sukses, ne vetë përfitojmë duke ndjekur udhëheqjen e tij.​—Isaia 48:17.

2. Cilat janë pasojat e dështimit në zbatimin e parimeve biblike në martesë?

2 Përkundrazi, nëse dështojmë në zbatimin e parimeve biblike, martesa mund të rezultojë në një gjendje të mjerë. Disa ekspertë besojnë se gati më shumë se dy të tretat e atyre që martohen sot në Shtetet e Bashkuara, në një mënyrë apo në tjetrën do të divorcohen. Edhe të krishterët nuk janë të imunizuar prej streseve dhe tensioneve të këtyre ‘kohëve të vështira’. (2. Timoteut 3:1) Tensionet ekonomike dhe presionet në vendin e punës mund të luajnë rolin e tyre dëmtues mbi çdo martesë. Disa të krishterë janë zhgënjyer hidhur, ngaqë bashkëshortët e tyre kanë dështuar në zbatimin e parimeve biblike. «Unë e dua Jehovain,—thotë një grua e krishterë,—por martesa ime ka qenë e mbushur me probleme për 20 vjet. Im shoq është egoist dhe nuk dëshiron të bëjë asnjë ndryshim. Ndihem e zënë në grackë.» Shumë burra dhe gra të krishtere kanë shprehur ndjenja të tilla. Çfarë nuk shkon? Çfarë mund ta parandalojë një martesë që të mos rrëshqasë në indiferencë të ftohtë dhe në armiqësi të plotë?

Qëndrueshmëria e martesës

3, 4. (a) Cilat janë normat e Perëndisë për martesën? (b) Përse qëndrueshmëria e martesës është e drejtë dhe e dobishme?

3 Edhe në kushtet më të mira, martesa është një bashkim i individëve të papërsosur. (Ligji i përtërirë 32:5) Prandaj, apostulli Pavël tha se «këta [që do të martohen] do të kenë shtrëngim në mish». (1. Korintasve 7:28) Disa rrethana ekstreme mund të rezultojnë madje në ndarje dhe divorc. (Mateu 19:9; 1. Korintasve 7:12-15) Megjithatë, në shumë raste të krishterët zbatojnë këshillën e Pavlit: «Gruaja të mos ndahet nga burri, . . . dhe burri të mos e lërë gruan.» (1. Korintasve 7:10, 11) Në fakt, martesa nënkuptohet si një lidhje e qëndrueshme, sepse Jezu Krishti deklaroi: «Atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.»​—Mateu 19:6.

4 Për dikë që ndihet i zënë në grackën e një martese armiqësore dhe pa dashuri, normat e Jehovait mund të ngjajnë të rrepta dhe të paarsyeshme. Por nuk është kështu. Qëndrueshmëria e lidhjes martesore e nxit një çift me frikë Perëndie që të përballojë problemet dhe të kërkojë zgjidhjen e tyre, në vend se t’i braktisë me të shpejtë detyrimet që me shenjën e parë të shqetësimeve. Një burrë i martuar që prej më se 20 vjetësh, u shpreh kështu: «Kohët me shqetësime nuk mund të shmangen. Nuk mund të jeni të kënaqur me njëri-tjetrin gjithmonë. Pikërisht në këto momente, angazhimi reciprok është me të vërtetë i rëndësishëm.» Natyrisht, të martuarit e krishterë ndiejnë një detyrim të dorës së parë ndaj Perëndisë Jehova, Krijuesit të martesës.​—Krahaso Eklisiastiun 5:4.

Autoritet dhe nënshtrim

5. Cilat janë disa këshilla të Pavlit për burrat dhe gratë?

5 Prandaj, kur lindin probleme është koha për të kërkuar jo një rrugë për të shpëtuar, por një rrugë më të mirë për të zbatuar këshillën e Fjalës së Perëndisë. Për shembull, shqyrtoni këto fjalë të Pavlit, që i gjejmë në Efesianëve 5:22-25, 28, 29: «Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës [kongregacionit, BR], dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të. Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën.»

6. Në ç’mënyrë bashkëshortët e krishterë duhet të jenë të ndryshëm nga burrat e botës?

6 Shpesh, burrat kanë abuzuar me autoritetin e tyre dhe kanë sunduar mbi gratë e tyre. (Zanafilla 3:16) Megjithatë, Pavli i nxiti bashkëshortët e krishterë që të jenë të ndryshëm nga burrat e botës, të jenë si Krishti, jo tiranë që kontrollojnë çdo hollësi në jetën e grave të tyre. Sigurisht, si burrë, Jezu Krishti nuk u tregua kurrë i ashpër apo diktator. Ai i trajtoi ithtarët e vet me nderim dhe respekt, duke thënë: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra.»​—Mateu 11:28, 29.

7. Si i jep një burrë nderim gruas së vet kur ajo duhet të punojë në botë?

7 Një burrë i krishterë tregon nderim për gruan e tij, si për një enë më të dobët. (1. Pjetrit 3:7) Për shembull, ta zëmë se asaj i duhet të bëjë një punë nga bota. Ai duhet ta mbajë parasysh këtë, duke e ndihmuar dhe duke e mbajtur në konsideratë, sa më shumë që të jetë e mundur. Një arsye më e madhe për të cilën gratë divorcohen, është se burrat i lënë pas dore fëmijët dhe shtëpinë. Prandaj, një burrë i krishterë përpiqet ta ndihmojë atë në shtëpi, në një mënyrë konkrete që të përfitojë e gjithë familja.

8. Çfarë përbën nënshtrimi për gratë e krishtere?

8 Nëse trajtohen me nderim, gratë e krishtere e kanë më të lehtë t’u nënshtrohen burrave të tyre. Megjithatë, kjo nuk nënkupton një skllavëri të mjerë. Perëndia nuk dekretoi që gruaja të ishte një skllave, por një «plotësim» («pjesa tjetër», shënimi), diçka e përshtatshme për burrin. (Zanafilla 2:18, BR) Tek Malakia 2:14, gruaja është quajtur si «shoqja» e burrit. Si të tilla, në kohët biblike gratë gëzonin liri dhe hapësirë të konsiderueshme. Për «një grua të fortë dhe të virtytshme», Bibla thotë: «Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo.» Në fakt, asaj i qenë besuar disa punë, si administrimi i përgjithshëm i shtëpisë, mbikëqyrja e blerjes së ushqimeve, shitblerja e pronave të patundshme dhe një aktivitet i vogël tregtar.​—Proverbat 31:10-31.

9. (a) Si treguan gratë me frikë Perëndie në kohët biblike nënshtrim të vërtetë? (b) Çfarë mund ta ndihmojë sot një grua të krishterë për të mbetur e nënshtruar?

9 Megjithatë, një grua me frikë Perëndie e pranon autoritetin e burrit të saj. Për shembull, Sara «i bindej Abrahamit duke e quajur ‘zot’», jo si formalitet mirësjelljeje, por si një pasqyrim i sinqertë i nënshtrimit të saj. (1. Pjetrit 3:6; Zanafilla 18:12) Ajo, gjithashtu, ishte e gatshme ta linte shtëpinë e saj të rehatshme në qytetin e Urit, për të banuar nëpër tenda me të shoqin. (Hebrenjve 11:8, 9) Por nënshtrimi nuk do të thotë që gruaja nuk duhet të ndërmarrë veprime me përgjegjësi, kur është e nevojshme. Kur Moisiu nuk ishte dakort me ligjin e Perëndisë mbi rrethprerjen, gruaja e tij, Zipora, e parandaloi shkatërrimin duke vepruar me vendosmëri. (Të Dalët 4:24-26) Këtu përfshihet më shumë sesa vetëm fakti për t’i pëlqyer një njeriu të papërsosur. Gratë duhet t’u ‘nënshtrohen burrave të tyre porsi Zotit’. (Efesianëve 5:22) Nëse një grua e krishterë mendon duke u nisur nga pikëpamja e marrëdhënies së saj me Perëndinë, kjo do ta ndihmojë për të mos vënë re mangësitë dhe të metat e vogla të burrit të saj, ashtu siç duhet të sillet edhe ai me të.

Komunikimi: forca jetëdhënëse e martesës

10. Sa i rëndësishëm është komunikimi për një martesë?

10 Kur u pyet se cila ishte arsyeja më e madhe për të cilën ndahen çiftet, një avokat në fushën e divorceve u përgjigj: «Paaftësia për të folur ndershmërisht me njëri-tjetrin, për të zbuluar mendimet më intime dhe për ta trajtuar njëri-tjetrin si shokun e tyre më të mirë.» Po, komunikimi është forca jetëdhënëse e një martese të fortë. Bibla thotë: «Planet prishen aty ku nuk ka një të folur të besueshëm.» (Proverbat 15:22, BR) Burrat dhe gratë duhet të jenë ‘shokë të besueshëm’, duke gëzuar një marrëdhënie të ngrohtë, intime. (Proverbat 2:17, BR) Pavarësisht nga kjo, shumë çifte e kanë të vështirë të komunikojnë dhe në këtë mënyrë fyerjet rriten, derisa shpërthen një zemërim shkatërrimtar. Ose bashkëshortët mund të fshihen prapa një mirësjelljeje të shtirur, duke u shkëputur emocionalisht nga njëri-tjetri.

11. Si mund të përmirësohet komunikimi midis burrit dhe gruas?

11 Një pjesë e problemit duket se është edhe fakti që gratë dhe burrat shpesh kanë stile të ndryshme komunikimi. Duket se shumë gra ngushëllohen duke folur për ndjenjat, ndërsa burrat në përgjithësi duket se kanë qejf të flasin për faktet. Gratë janë më shumë të prirura që të tregojnë empati dhe të japin mbështetje emocionale, kurse burrat kërkojnë të gjejnë dhe të ofrojnë zgjidhje. Megjithatë, potenciali për një komunikim të mirë ekziston kur të dy bashkëshortët janë të vendosur për të qenë ‘të shpejtë në të dëgjuar, të ngadalshëm në të folur dhe të ngadalshëm në zemërim’. (Jakovit 1:19) Shihuni në sy dhe tregoni kujdes të vërtetë. Flisni lirshëm me njëri-tjetrin, duke bërë pyetje të denja. (Krahaso 1. Samuelit 1:8; Proverbat 20:5.) Në vend se të përpiqesh për të ofruar një zgjidhje të shpejtë kur bashkëshorti të zbulon një problem, dëgjo me kujdes, ndërkohë që mendon se si të zgjidhësh problemin. Lutuni së bashku përulësisht, duke kërkuar udhëheqjen hyjnore.​—Psalmi 65:2; Romakëve 12:12.

12. Si mund të gjejnë kohë bashkëshortët e krishterë për njëri-tjetrin?

12 Disa herë, streset dhe tensionet e jetës duket sikur u lënë bashkëshortëve pak kohë ose energji për të folur në mënyrë ndërtuese. Megjithatë, nëse të krishterët duan ta mbajnë martesën e tyre të ndershme dhe ta ruajnë nga fëlliqësitë, duhet t’i rrinë afër njëri-tjetrit. Ata duhet ta trajtojnë bashkimin e tyre si diçka të çmuar, të vlefshme dhe duhet të gjejnë kohë për të dhe për njëri-tjetrin. (Krahaso Kolosianëve 4:5.) Në disa raste, zgjidhja për të gjetur kohë për biseda të shëndetshme mund të jetë shumë e thjeshtë: mjaft që të fikin televizorin. Duke u ulur së bashku për të pirë një filxhan çaj apo kafe, partnerët do të gjejnë një ndihmë për të ruajtur komunikimin emocionalisht. Në raste të tilla, ata mund ‘të konsultohen së bashku’ mbi çështje të ndryshme familjare. (Proverbat 13:10, BR) Gjithashtu, sa e mençur është që të zhvillojnë zakonin për të folur mbi moskuptimet dhe shkaqet e vogla për grindje, përpara se ato të bëhen burime të mëdha tensioni.​—Krahaso Mateun 5:23, 24; Efesianëve 4:26.

13. (a) Çfarë shembulli la Jezui për sa i përket çiltërsisë dhe ndershmërisë? (b) Cilat janë disa mënyra në të cilat bashkëshortët mund të afrohen më afër me njëri-tjetrin?

13 Një burrë pranoi: «Shumë shpesh, e kam të vështirë të shpreh me të vërtetë pikëpamjet e mia dhe t’i them vërtet [gruas] atë që pikërisht ndiej.» Të hapesh, pra, është një çelës i rëndësishëm për të zhvilluar intimitetin. Shiko se sa i hapur dhe i ndershëm ishte Jezui me pjesëtarët e ardhshëm të klasës së nuses së tij. Ai tha: «Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.» (Gjoni 15:15) Shikoje, pra, bashkëshortin tënd si një mik! Besoji atij ndjenjat e tua! Përpiquni të bëni «shprehje ngrohtësie» të thjeshta dhe të ndershme. (Kënga e Solomonit 1:2, BR) Komunikimi i hapur disa herë mund të duket i pavend, por kur të dy bashkëshortët kryejnë përpjekjet e duhura, mund të bëjnë shumë për ta kthyer martesën e tyre në një bashkim të qëndrueshëm.

Mospajtime

14, 15. Si mund të shmangen grindjet?

14 Me siguri që herë pas here do të lindin mospajtime. Por shtëpia jote nuk duhet të degjenerohet në një ‘shtëpi plot me grindje’. (Proverbat 17:1) Ki kujdes që të mos i diskutosh çështjet delikate kur fëmijët mund të dëgjojnë dhe trego konsideratë për ndjenjat e bashkëshortit. Kur Rahila shprehu hidhërimin e saj ngaqë nuk mund të lindte dot fëmijë dhe i kërkoi Jakobit një fëmijë, ky iu përgjigj me zemërim: «Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?» (Zanafilla 30:1, 2) Nëse në shtëpi lindin vështirësi, sulmo problemin dhe jo personin. Gjatë një bisede private, shmangni ‘të folurit pa mend’ ose ndërprerjet e panevojshme të njëri-tjetrit.​—Proverbat 12:18.

15 Është e vërtetë se ti mund të ndihesh plotësisht i bindur në pikëpamjet e tua, por ato duhen shprehur pa «hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje». (Efesianëve 4:31) «Diskutojini problemet me zë normal,—thotë një burrë.—Nëse një zë ngrihet, ndaloni. Rikthehuni pas një kohe të shkurtër. Filloni përsëri.» Proverbat 17:14 jep këtë këshillë të mirë: «Ndërprite grindjen përpara se të acarohet.» Përpiquni të diskutoni përsëri për çështjen, kur të dy të jeni të qetë.

Qëndrojini besnikë njëri-tjetrit

16. Përse tradhtia bashkëshortore është një problem kaq serioz?

16 Hebrenjve 13:4 pohon: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» Tradhtia bashkëshortore është një mëkat kundër Perëndisë. Ajo, gjithashtu, dëmton edhe martesën. (Zanafilla 39:9) Një këshilltare në fushën e martesave shkruan: «Pasi të jetë zbuluar, tradhtia bashkëshortore godet gjithë familjen si një uragan masiv, duke shkatërruar shtëpinë, duke dërrmuar besimin dhe respektin për veten, duke dëmtuar të rinjtë.» Gjithashtu, mund të rezultojë edhe në një shtatzëni dhe ndonjë sëmundje të transmetuar në rrugë seksuale.

17. Si mund të shmangen apo të hidhen tej prirjet për tradhti bashkëshortore?

17 Disa njerëz e ushqejnë tradhtinë bashkëshortore, duke lejuar të përpihen nga pikëpamjet e korruptuara të botës mbi seksin, siç paraqiten në libra, nëpër televizorë dhe kinema. (Galatasve 6:8) Por kërkuesit thonë se tradhtia bashkëshortore zakonisht nuk vjen thjesht nga dëshira për seks, por nga një nevojë e supozuar për të provuar se ende jemi tërheqës apo nga dëshira për të na dashur edhe më shumë. (Krahaso Proverbat 7:18.) Cilado qoftë arsyeja, një i krishterë duhet t’i hedhë tej fantazitë imorale. Flit ndershmërisht mbi ndjenjat e tua me bashkëshortin tënd. Nëse është e nevojshme, kërko ndihmë nga pleqtë e kongregacionit. Duke vepruar kështu, mund të shmangësh fare mirë rënien në mëkat. Për më tepër, të krishterët duhet të jenë të kujdesshëm në marrëdhëniet me pjesëtarët e seksit të kundërt. Do të ishte kundër Shkrimeve po të martoheshim me një person dhe të shihnim me pasion një tjetër. (Jobi 31:1; Mateu 5:28) Të krishterët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm që të mos lidhen emocionalisht me kolegët e punës. Mbaji këto lidhje të ngrohta, por brenda kuadrit të marrëdhënieve të punës.

18. Çfarë ndodhet shpesh në rrënjë të problemeve seksuale në një martesë dhe si mund të zgjidhen këto?

18 Një mbrojtje edhe më e madhe është një marrëdhënie e ngrohtë dhe e hapur me bashkëshortin. Shumë kërkues thonë se problemet seksuale në martesë rrallëherë janë të një natyre fizike, por zakonisht janë rrjedhojë e komunikimit të dobët. Problemet e këtij lloji janë të rralla kur një çift komunikon hapur dhe e bën detyrën martesore si një shprehje të dashurisë dhe jo si detyrim.a Në kushte të tilla të përshtatshme, marrëdhëniet intime mund të shërbejnë për të forcuar lidhjen martesore.​—1. Korintasve 7:2-5; 10:24.

19. Çfarë është «një lidhje e përsosur bashkimi» dhe ç’ndikim mund të ketë ajo mbi martesën?

19 Brenda kongregacionit të krishterë, dashuria është «një lidhje e përsosur bashkimi». Duke kultivuar dashurinë, të martuarit me frikë Perëndie mund ‘të vazhdojnë të durojnë njëri-tjetrin dhe të falin njëri-tjetrin lirisht’. (Kolosianëve 3:13, 14, BR) Dashuria e mbështetur në parime kërkon mirëqenien e të tjerëve. (1. Korintasve 13:4-8) Kultivoni një dashuri të tillë! Ajo do t’ju ndihmojë për të forcuar lidhjen tuaj martesore. Zbatoni parimet biblike në jetën tuaj martesore! Nëse veproni kështu, martesa juaj do të jetë një bashkim i qëndrueshëm dhe do t’i sjellë lavdie nder Perëndisë Jehova.

[Shënimi]

a Artikulli «Të komunikosh është më tepër sesa vetëm të flasësh», i paraqitur në Kullën e Rojës, 1 gusht 1993 (angl.), tregon se si mund t’i kalojnë çiftet problemet në këtë fushë.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Përse martesa duhet të jetë një lidhje e qëndrueshme?

◻ Cila është pikëpamja e Biblës mbi autoritetin dhe nënshtrimin?

◻ Si mund ta përmirësojnë çiftet e martuara komunikimin?

◻ Si mund t’i trajtojnë çiftet mospajtimet në mënyrë të krishterë?

◻ Çfarë ndihmon në forcimin e lidhjes martesore?

[Figura në faqen 12]

Nëse e shoqja duhet të bëjë një punë nga bota, një burrë i krishterë nuk duhet të lejojë që ajo të mbingarkohet

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo