BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/10 f. 4-7
  • A mund të mbijetojë një kishë e përçarë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A mund të mbijetojë një kishë e përçarë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Njeriu i paligjshmërisë»
  • Gruri dhe egjrat
  • Ndarje të reja
  • «Dilni prej saj, o populli im»
  • Ka vetëm një besim të krishterë të vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Ç’e ardhme e pret krishtërimin?
    Zgjohuni!—2007
  • «Të drejtët do të shkëlqejnë si dielli»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Ilustrimi i grurit dhe i egjrave
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2018
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/10 f. 4-7

A mund të mbijetojë një kishë e përçarë?

«TË GJITHË ata që shpallin të vërtetën shpëtuese të Krishtit, i përkasin Kishës së dukshme. Përçarjet e të ashtuquajturit krishterim​—midis Lindjes dhe Perëndimit, midis Romës dhe kishave të reformuara—​janë përçarje brenda së njëjtës Kishë.» Ja, se si e sheh një autor krishterimin​—si një familje e feve të përhapura në masë të gjerë, që shpallin disa lloje të ndryshme besimi në Jezu Krishtin.

Megjithatë, ajo është një familje e përçarë me bindje dhe norma sjelljeje të kundërta. «Krishterimi i sotëm . . . i ka normat e anëtarësisë së kishës më të ulëta se ato që janë të nevojshme për të hipur në autobus»,—tha një vëzhgues. Si mund, pra, të diagnostikojmë gjendjen e tij frymore? Peshkopi katolik Basil Butler përfundon: «Një krishterim i përçarë, në të vërtetë është shumë i sëmurë.» (The Church and Unity) Si filloi sëmundja? A ka shpresa për shërim?

«Njeriu i paligjshmërisë»

Apostulli Pavël paralajmëroi se do të kishte përçarje. Të krishterëve në Selanik, që mendonin se prania e Krishtit ishte e dukshme, ai u shkroi: «Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë [dita e Jehovait] nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit [paligjshmërisë, BR], i biri i humbjes.»​—2. Selanikasve 2:3.

Ky «njeri i paligjshmërisë» paraqet apostazinë dhe rebelimin brenda kongregacionit të krishterë. Kush është ai? Nuk është ndonjë individ, por më saktë, klasa e klerikëve të të ashtuquajturit krishterim. Kjo klasë e lartësoi veten mbi kongregacionin apostat, relativisht menjëherë pas vdekjes së apostujve të Jezuit dhe së fundi, filloi të mësonte filozofitë pagane, të tilla si Triniteti dhe pavdekshmëria e shpirtit njerëzor. (Veprat 20:29, 30; 2. Pjetrit 2:1-3) Si një virus vdekjeprurës, ai infektoi kongregacionin e shpallur të krishterë me ide të frymëzuara demonike, që do të çonin pashmangshmërisht në prishje të unitetit.​—Galatasve 5:7-10.

Në ditët e apostullit Pavël, infektimi tashmë kishte filluar. Ai shkroi: «Misteri i paudhësisë [paligjshmërisë, BR] në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.» (2. Selanikasve 2:7) Apostujt u bënë si një pengesë ndaj helmit të apostazisë. Kur u hoq ndikimi i tyre i bashkuar, apostazia e papërmbajtur u përhap si gangrenë.​—1. Timoteut 4:1-3; 2. Timoteut 2:16-18.

Veprimtaritë e këtij «njeriu të paligjshmërisë» vazhdojnë pa u pakësuar. Në një raport të kohëve të fundit mbi «torturat seksuale dhe teologjike në një kishë», një dhjak i Kishës së Anglisë u ankua: «Propozimet mbi klerin për të mos u lëshuar në aktivitet seksual jashtë martesës, janë hedhur poshtë. Ata që praktikojnë homoseksualizmin janë vënë madje në poste. E kanë bërë të mirën të keqe dhe të keqen të mirë.»​—The Sunday Times Magazine, Londër, 22 nëntor 1992.

Gruri dhe egjrat

Jezu Krishti mësoi se krishterimi i vërtetë do të zhdukej përkohësisht nga skena. Ai tha se themelimi i kongregacionit të krishterë i ngjante një njeriu që mbolli farë të mirë në fushën e tij. Por Jezui tha se «erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë». Kur shërbëtorët e pyetën nëse duhej t’i shkulnin egjrat, pronari i fushës tha: «Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të do të shkulni edhe grurin.» Sa gjatë do të vazhdojë kjo përzierje e grurit me egjrën? Pronari i fushës tha: «I lini të rriten bashkë deri në të korra.»​—Mateu 13:25, 29, 30.

Deri në «korrje», apo në kohën e ndarjes gjatë ditëve të fundit të «sistemit të gjërave», krishterimi i rremë rritet përkrah krishterimit të vërtetë. (Mateu 28:20) Satana Djalli përdori apostatët për të krijuar një kongregacion të krishterë të rremë, të korruptuar dhe të përçarë. (Mateu 13:36-39) Ata krijuan një falsifikim të turpshëm të krishterimit të vërtetë. (2. Korintasve 11:3, 13-15; Kolosianëve 2:8) Ndërsa kisha copëzohej gjatë shekujve, identifikimi i krishterimit të vërtetë bëhej gjithnjë e më i vështirë.

Ndarje të reja

Një libër i kohëve të fundit thotë se «janë shfaqur ndarje të reja, në mënyrë të veçantë lëvizjet karismatike, që theksojnë besimin dhe përvojën personale». (The Testing of the Churches—1932-1982) Është interesante se disa i shohin lëvizjet karismatike të «të lindurve sërish» si një shenjë të zbulimit frymor dhe jo si ndarje të reja. Irlanda e Veriut, për shembull, përjetoi një rilindje të tillë në 1850-ën. Lindën shpresa të mëdha. Një raport tregon mbi «bashkimin vëllazëror . . . midis shërbëtorëve presbiterianë, vesleianë dhe të pavarur» dhe thotë se çdo ditë «arrinin lajme të reja që të shtangnin, vizione, ëndrra dhe mrekulli».​—Religious Revivals.

Shumica i shihnin këto manifestime dramatike si shfaqje e frymës së Perëndisë që vepronte për të përtërirë kishën e tij. «Kisha e Perëndisë,—tha një vëzhgues,—u përtëri në këto rajone në kuptimin e saj më të lartë.» Megjithatë, edhe pse kjo përtëritje e veçantë u shpall si «një epokë e lavdishme dhe e pakrahasueshme në historinë fetare të Ulsterit», edhe të tjera përtëritje si ajo nuk sollën bashkim fesh mes atyre që pretendonin se ishin të rilindur nga fryma.

Disa mund të argumentojnë se janë të bashkuar në parimet themelore. Por ky është i njëjti argument i përdorur nga pjesa tjetër e të ashtuquajturit krishterim, i cili arsyeton se «ajo që tashmë i bashkon të krishterët, është shumë më e rëndësishme se çështjet që ende i ndajnë ata». (The Church and Unity) I ashtuquajturi krishterim pretendon: «Uniteti ynë themelor me të tjerët dhe me të gjithë pasuesit tanë të krishterë, e ka rrënjën në pagëzimin tonë në Krishtin.» (Christians in Communion) Megjithatë, të thuash se ndarjet janë të parëndësishme për shkak të besimit të përgjithshëm në Jezuin, është sikur të thuash se kanceri nuk është diçka serioze për aq kohë sa zemra jote është e fortë.

E vërteta është se lëvizje të tilla moderne fetare kanë shtuar konfuzionin dhe kanë sjellë një frymë anarkie, ndërsa mësuesit bindës mbledhin ithtarë për veten. Xhim Xhouns dhe David Koresh janë shembujt e fundit të udhëheqësve fetarë që kanë çorientuar mijëra persona. Një shërbëtor baptist është anëtar udhëheqës i Ku Kluks Klanit. Ai e lidh fushatën e tij për epërsinë e të bardhëve, me një përtëritje fetare dhe thotë se atyre që bëjnë pjesë në të, do t’u «jepet fuqia e udhëheqjes hyjnore dhe guximi i Atij që vdiq në Mundime [Jezu Krishtit]».

Ç’mund të themi rreth mrekullive të supozuara, veprave të fuqishme dhe shenjave të kryera në emër të Jezuit? Kujto paralajmërimin e fortë të Jezu Krishtit, sipas të cilit jo ata që thjesht thonë «Zotëri, Zotëri» do të fitojnë aprovimin e tij, por vetëm ‘ata që kryejnë vullnetin e Atit të tij’. Shumica sot, madje as që e njohin emrin e atit të tij, Jehovait. Jezui i paralajmëroi ata që do të ‘dëbojnë demonët dhe që do të kryejnë vepra të fuqishme në emrin e tij’ se megjithatë do të jenë «bërës të paligjshmërive».​—Mateu 7:21-23.

«Dilni prej saj, o populli im»

Cila është prognoza për të ashtuquajturin krishterim të sëmurë? Shumë e mjerë. A duhet, pra, të dëgjojmë këshillën e peshkopit katolik Butler, që të «bashkojmë kishat pa shumë zhurmë dhe të japim ndihmën tonë për ‘pastrimin’ e vazhdueshëm brenda radhëve të tyre»? Jo! Përçarja dhe i ashtuquajturi krishterim përçarës, nuk do të mbijetojnë. (Marku 3:24, 25) Ai është pjesë e perandorisë botërore të fesë së rreme, që quhet Babilonia e Madhe. (Zbulesa 18:2, 3) Ky sistem fetar gjakderdhës do të ndeshë gjykimin e pashmangshëm nga dora e Perëndisë.

Bibla nuk sugjeron që të krishterët e vërtetë të qëndrojnë brenda kësaj organizate fetare të korruptuar dhe të përpiqen ta riformojnë atë nga brenda. Përkundrazi, ajo bën thirrje: «Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj, sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.»​—Zbulesa 18:4, 5.

«Dilni» për të shkuar ku? Mos harro, Jezui premtoi se në kohën e korrjeve, të krishterët e vërtetë do të mblidhen përsëri së bashku në një unitet ndërkombëtar. Profeti Mikea paratha, gjithashtu, një rimbledhje të tillë me këto fjalë: «Do t’i vë ato së bashku, si një kope në vathë.» (Mikea 2:12, BR) A ka ndodhur kjo?

Po! Të krishterët e vërtetë po mblidhen tani në një vëllazëri të bashkuar në të gjithë tokën. Kush janë ata? Ata janë kongregacioni i krishterë i Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët në mënyrë të bashkuar shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në 231 vende. Ata kanë flakur mësimet përçarëse të të ashtuquajturit krishterim dhe përpiqen ta adhurojnë Perëndinë sipas së vërtetës që gjendet në Fjalën e tij.​—Gjoni 8:31, 32; 17:17.

Ngrohtësisht të ftojmë që të flasësh me ta. Nëse do të të pëlqejë të dish më shumë rreth Dëshmitarëve të Jehovait, të lutemi t’i kërkosh ata në zonën tënde apo përmes adresës së përshtatshme në faqen 2 të kësaj reviste.

[Figura në faqen 7]

«Dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo