A ka rëndësi mënyra jote e adhurimit?
FSHATI i vogël afrikan është duke u thekur nën nxehtësinë e diellit të mesditës. Nga një luginë e afërt mund të dëgjohen tingujt e ashpër të daulleve, këngëve dhe duartrokitjeve të gëzueshme. Por nuk është një festë e zakonshme. Është një adhurim tradicional afrikan. Tingujt konkurrojnë me zëra të paharmonishëm që vijnë nga një kishë e afërt, për të cilën thuhet se ka një fuqi shëruese ku adhuruesit në ekstazë kryejnë «shërime» të mrekullueshme dhe flasin në gjuhë. Në anën tjetër të fshatit praktikohet një tip tjetër adhurimi. Zëri kumbues i një hoxhe i thërret adhuruesit myslimanë të luten.
Po, në shumë fshatra dhe qytete afrikane mund të shohësh lloje të ndryshme adhurimesh fetare. Për breza të tërë, afrikanët kanë qenë të kënaqur në ndjekjen e traditave të tyre fetare. Por, kur erdhën ushtritë e ndryshme evropiane të ndjekura nga misionarët e të ashtuquajturit krishterim, u përpoqën t’i «krishteronin» të gjithë, madje duke përfshirë edhe emrat e tyre.
Rezultati? U duk një rritje e fesë e cila ka përzier besimet dhe praktikat afrikane me besimet e ardhura fetare. Akoma edhe sot, shumë adhurues «të krishterë» përdorin magjitë dhe hajmalitë. Misionarët e të ashtuquajturit krishterim e kanë keqinterpretuar shumë krishterimin e vërtetë dhe kanë lënë gjurmë zemërimi. Në një shkallë të gjerë, ata janë përgjegjës për pikëpamjet paragjykuese ndaj Biblës që i manifestojnë sot disa afrikanë.
Megjithatë, akoma në masë të gjerë praktikohen shumë forma të krishterimit. Në vitet e fundit, shumë grupe fetare shëruese që pohojnë se kanë fuqi, kanë fituar popullaritet të madh; kishat e shërimit me besim janë shtuar. Një gazetar shpjegoi suksesin e këtyre kishave duke thënë se «koncepti fetar afrikan është kryesisht i prirë nga interesi. Sipas mentalitetit afrikan, feja duhet të jetë në gjendje t’i japë kënaqësi të drejtpërdrejtë materiale ekzistencës së njerëzimit. Prandaj, feja shëruese e kishave spiritiste është në përputhje me nevojat e mënyrës së jetës afrikane, e cila është e bindur se ndërmjetësuesit spiritistë janë të domosdoshëm për çdo gjë». Mjerisht, shumë kisha që pohojnë se janë shëruese, kanë qenë në mënyrë të qartë të krijuara si ndërmarrje pak a shumë fitimprurëse.
Sot, në Afrikë veprojnë më tepër se 6000 sekte fetare. Ndoshta mendon se të gjitha këto fe sjellin shpëtimin. Por, pyetja e vërtetë është kjo: Çfarë mendon Perëndia?
A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha fetë?
Sigurisht që Krijuesi i universit nuk do të na kishte lënë pa udhëheqje në këtë drejtim. (Amosi 3:7; Veprat 17:26, 27) Ka prova të panumërta që tregojnë se udhëheqjen hyjnore mund ta gjejmë në Bibël. Jo, Bibla nuk është siç e thërrasin disa, libri i të bardhëve. Ekzistenca e saj nuk është meritë e asnjë njeriu, as të bardhë e as të zi. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»,—thotë 2. Timoteut 3:16. Mësimet e vërteta të Biblës, thjeshtësia e saj, lashtësia e saj e dukshme, fakti që ka mbijetuar nën përpjekjet për ta shkatërruar, profecitë e saj të sakta dhe përhapja e saj e pakrahasueshme botërore, janë disa dëshmi të qarta që tregojnë se ajo ka për autor Perëndinë.
Çfarë na mëson ky libër? Mbi të gjitha thotë se ka vetëm një «Perëndi të vërtetë». (Gjoni 17:3) Duke qenë kështu, si mund të jenë të vërteta të gjitha fetë? A nuk janë në kontrast me njëra-tjetrën grupet fetare, kur bëhet fjalë për identitetin dhe natyrën e Perëndisë? Shkrimtari i Biblës, Jakovi, foli për «fenë e pastër dhe të vërtetë». (Jakovi 1:27, Today’s English Version) Nëse është nevoja për të identifikuar fenë e vërtetë, do të thotë që ekzistojnë edhe fe të rreme apo false. Kjo është në kontradiktë me mendimin se të gjitha fetë janë vetëm rrugë të ndryshme për t’iu afruar Perëndisë.
Normat e Krijuesit për adhurimin
Cila është rruga e drejtë për të adhuruar Perëndinë? Bibla na mëson se adhurimi i vërtetë është i bazuar në njohurinë e saktë. Profeti i madh Jezu Krishti, i tregoi njëherë një gruaje samaritane: «Ju adhuroni atë që s’e njihni.» (Gjoni 4:22) A mund të thuhet kjo edhe për ty? A të është mësuar që Perëndia i Plotfuqishëm ka një emër personal, Jehova? (Psalmi 83:18) A i njeh qëllimet e tij në lidhje me njeriun dhe tokën? (Mateu 6:9, 10; Efesianët 1:9, 10; 3:11) A të ofron feja jote një shpresë realiste për një të ardhme më të mirë? Dhe nëse konsiderohesh si i krishterë, a mund t’i shpjegosh besimet e tua në bazë të Shkrimeve, apo ato janë thjesht një trashëgimi dhe nuk u ke kushtuar kohë për t’i shqyrtuar?
Në qoftë se të mungon njohuria e saktë, ti mund ta fitosh atë nëpërmjet studimit të Fjalës së Perëndisë, Biblës. Perëndia Jehova pret që adhuruesit e tij të vërtetë t’i njohin mirë mësimet e këtij Libri të Shenjtë. Më shumë se kaq, ai pret t’i zbatojnë ato në jetën e tyre. Duhet të kemi të njëjtin qëndrim me psalmistin, i cili thotë: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.» (Psalmi 119:105) Në çfarë shkalle të ka ndihmuar feja jote të njohësh dhe të kuptosh Biblën?
Një tjetër veçori e rëndësishme e adhurimit të vërtetë, është besimi në Jezu Krishtin jo vetëm si një profet i madh, por si Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Shkrimet në mënyrë të qartë deklarojnë se Jezui është «Princi i jetës». (Veprat 3:15; 4:12) Shumë njerëz ushtrojnë besim në Jezuin, por sa i vërtetë është besimi i tyre? Besimi i vërtetë në Krishtin kërkon t’u bindesh udhëzimeve të tij. Perëndia vetë na nxit ta bëjmë këtë kur thotë: «Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!» (Marku 9:7) Adhuruesit e vërtetë përpiqen kështu të ecin në gjurmët e Jezuit sa më afër të jetë e mundur. (1. Pjetrit 2:21) Mënyra në të cilën e bëjnë, është pjesëmarrja në veprën e predikimit që ai filloi. (Mateu 4:17; 10:5-7) A të inkurajon feja jote të marrësh pjesë në këtë vepër?
Dashuria është gjithashtu një kërkesë e adhurimit të vërtetë. Perëndia Jehova është përshkruar si personifikimi i dashurisë dhe Jezui u tregoi ithtarëve të tij se ata do të identifikoheshin nga dashuria që do të tregonin mes tyre. (Gjoni 13:34, 35; 1. Gjonit 4:8) Duke konsideruar miliona njerëz sot që pretendojnë se janë të krishterë, a nuk do të duhej të ishte bota e mbushur me dashuri? Në realitet, bota jonë ka provuar se i mungon dashuria. Vetëm në shekullin tonë luftërat kanë zhdukur miliona jetë njerëzish. Krimet dhe dhuna vazhdojnë të shtohen. Pra, pyet veten: «Nëse të gjithë do t’i përkisnin fesë sime, a do të kishte në botë më shumë dashuri?»
Dhe së fundi, Bibla tregon se adhuruesit e vërtetë duhet të jenë të ndarë nga bota, e cila nuk e njeh Perëndinë. Kur Perëndia veçoi kombin e lashtë të Izraelit si ruajtës të adhurimit të pastër, ai e paralajmëroi popullin e tij të shmangte shoqërimin me kombet e degraduara rreth e rrotull. (Ligji i përtërirë 7:1-6) Te Gjoni 17:16, ngjashëm, Jezu Krishti u tha ithtarëve të tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, sikurse unë nuk jam pjesë e botës.» Adhuruesit e vërtetë të Jehovait nuk kanë fare të bëjnë me politikën, me imoralitetin, me tregtinë lakmitare, apo me ç’do lloj tjetër filozofie që çnderon Perëndinë. (Gjoni 18:36, BR; 1. Gjonit 2:15-17) Ata i binden urdhrit të shënuar tek Romakët 12:2: «Mos u konformoni me këtë botë.» A është kjo, ajo që feja të inkurajon të bësh?
Mund të marrësh ndihmë
Po, mënyra e adhurimit tënd është e rëndësishme në sy të Perëndisë. Për sa i përket kësaj, ekziston vetëm një fe e vërtetë. (Efesianëve 4:4-6) Në konsiderimin tonë të shkurtër morëm në shqyrtim disa nga pikat kryesore të mësimeve të Biblës. Përse nuk përpiqesh për të mësuar më tepër?
Pavarësisht se në ç’fe bën pjesë, Dëshmitarët e Jehovait mund të të ndihmojnë në këtë shqyrtim. Ata janë të njohur në të gjithë botën për veprën e tyre intensive të mësimit të Biblës. Ata marrin përsipër të ndihmojnë njerëz të të gjitha racave dhe feve që të fitojnë një kuptim më të thellë të Biblës. (Proverbat 2:1-6) Ata botojnë literaturë, e cila është fryt i përpjekjeve kërkimore të Biblës.a Janë të gatshëm, madje edhe të vijnë në shtëpinë tënde për të të mësuar Biblën pa pagesë në një nivel personal. Miliona njerëz anembanë botës kanë nxjerrë dobi nga ky program i mësimit të Biblës. Përse nuk bën edhe ti të njëjtën gjë? Është thelbësore që të veprosh kështu, sepse është me të vërtetë e rëndësishme mënyra jote e adhurimit.
[Shënimi]
a Një botim i tillë është Njerëzimi në kërkim të Perëndisë (ang.), botuar në 1990 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. Shumë njerëz e kanë vlerësuar shqyrtimin e zgjuar dhe të ditur që u bën ai feve më të mëdha të botës.
[Figura në faqen 5]
Misionarët e të ashtuquajturit krishterim e keqinterpretuan krishterimin e vërtetë
[Figura në faqen 5]
Shumë kisha që pohojnë se janë shëruese, janë ndërmarrje fitimprurëse
[Figura në faqen 6]
Besimi në Jezuin është një pjesë jetësore e adhurimit të vërtetë
[Figura në faqen 7]
Dëshmitarët e Jehovait ndihmojnë miliona veta për të marrë njohuri të saktë nëpërmjet studimeve biblike pa pagesë në shtëpi