A është konkurrenca kyçi i suksesit?
«FITORJA nuk është gjithçka, është gjëja e vetme.» Këto fjalë që shpesh i atribuohen Vins Lombardit, një trajneri të një skuadre amerikane futbolli, janë motoja e shumë njerëzve sot. Edhe vendet ish-komuniste tani e ngrenë në qiell parimin e konkurrencës. Futja e konkurrencës në tregun e tyre, thuhet se është ajo që nevojitet për të arritur mirëqenien. Në Lindje, shumë prindër i nxitin fëmijët e tyre kundër të tjerëve dhe i dërgojnë ata në shkolla private, ku ndjekin kurse intensive studimi që u mësojnë atyre sekretin për të përballuar provimet e pranimit. Prindërit me një mani të tillë, janë të bindur se hyrja në një shkollë me emër të mirë është kyçi i suksesit për mirëqenien e ardhshme.
Shumë njerëz besojnë në mënyrë të patundur se konkurrenca është kyçi i suksesit. Sipas bindjeve të tyre, njerëzit kanë përparuar si rrjedhojë e konkurrencës me njëri-tjetrin. «Konkurrenca për të çuar përpara është burimi i gjallërisë së shoqërive aksionare japoneze»,—thonë 65,9 për qind e drejtuesve të shoqërive më të mëdha të analizuara nga Federata Japoneze e Organizatave Ekonomike. Duket se për disa kohë, shoqëritë japoneze kanë pasur sukses. Megjithatë, a është vërtet konkurrenca kyçi i suksesit?
A ia vlen?
Njerëzit që futen në konkurrencë me të tjerët manifestojnë një qëndrim egoist për të vënë përpara veten. Janë të gëzuar kur të tjerëve u shkon keq, duke menduar se një gjë e tillë do të sjellë suksesin e tyre. Për përfitimin e tyre egoist, mund të përdorin taktika të dëmshme ndaj të tjerëve. Në çfarë çon kërkimi i suksesit përmes konkurrencës? Jasuo që u zhyt në garë për të qenë dikush në shoqërinë e tij, kujton qëndrimin e tij në të kaluarën dhe thotë: «Plot me frymë konkurrence dhe me mendime të drejtuara nga gradimi, e krahasoja veten me të tjerët dhe ndihesha superior. Kur ata kishin një pozitë më të lartë nga e imja, më brente nga brenda dhe çdo ditë grindesha me personelin e drejtorisë. Nuk kisha miq në kuptimin e vërtetë të fjalës.»
Fryma e konkurrencës mund të çojë edhe drejt vdekjes së parakohshme. Në ç’mënyrë? Një gazetë japoneze (Manichi Daily News) e lidh karoshin ose vdekjen nga stërmundimi, me tipin A të sjelljes. Kjo është një lloj sjelljeje që ballafaqohet me stres në kohën e urgjencës, konkurrencës dhe armiqësisë. Kardiologët amerikanë, Friedman dhe Rosenman, e lidhin tipin A të sjelljes me shqetësimet koronare të zemrës. Po, një frymë konkurrence mund të jetë fatale.
Konkurrenca në vendin e punës mund të çojë edhe në çrregullime të tjera fizike dhe mendore. Një shembull është Keinosuke, tregtari më i mirë në shitjen e një prej makinave më të mira japoneze. Ai vuri rekord duke shitur një numër të përgjithshëm prej 1.250 makinash. Fotografia e tij ishte vënë në kornizë dhe ishte varur në dhomën e përdorur nga grupi drejtues në qendrën e shoqërisë. Megjithëse ndiente neveri të përdorte kolegët e tij si shkallë për të përparuar, shoqëria e nxiti atë të hynte në konkurrencë. Si rezultat, në një vit ai vuajti nga ulçera gastrite dhe duodenale. Po atë vit, 15 drejtues të shoqërisë së tij përfunduan në spital dhe një tjetër kreu vetëvrasje.
Në shtëpi, mendimi për të mos qenë më poshtë sesa fqinjët e tyre nga gjërat materiale, i bën njerëzit të ekspozojnë në mënyrë të dukshme mjetet e tyre me një rivalitet që s’mbaron kurrë. (1. Gjonit 2:16) Kështu, përfiton vetëm tregtia, duke vënë paratë në duart e tregtarëve të tokës.—Krahaso Zbulesa 18:11.
Megjithëse rivaliteti dhe fryma e konkurrencës mund të sjellin aftësi në punë, nuk është për t’u habitur që mbreti Solomon vuri re: «Pashë gjithashtu që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën njerit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.» (Eklisiastiu 4:4) Si mund të mbajmë atëherë paqe në mendje, ndërkohë që jetojmë në një shoqëri konkurruese? Për ta kuptuar, le të shohim së pari se ku filloi ideja e konkurrencës.