BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/1 f. 8-10
  • «Kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përse të kërkojmë butësi?
  • Ata që «kërkojnë butësinë» sot
  • Përgjigju me butësi
  • Kërko zemërbutësinë dhe kënaqe Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Vazhdo të kesh miratimin e Perëndisë pavarësisht nga ndryshimet në jetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Kërkoni Jehovain përpara ditës së zemërimit të tij
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2017
  • Kërkoni Jehovain përpara ditës së zemërimit të tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/1 f. 8-10

«Kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët»

«KËRKONI Jehovain, të gjithë ju të butët e tokës, që keni praktikuar vendimin e Tij gjyqësor. Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë. Ndoshta, mund të fshiheni në ditën e zemërimit të Jehovait.»​—Zefania 2:3, BR.

Profeti Zefania ua drejton këto fjalë «të gjithë të butëve të tokës» dhe i nxit ata që «të kërkojnë butësinë», në mënyrë që të mbrohen «në ditën e zemërimit të Jehovait». Është shumë e qartë, pra, se butësia është një kërkesë e domosdoshme për të mbijetuar. Përse?

Përse të kërkojmë butësi?

Butësia është një cilësi e dikujt me karakter të urtë, që nuk njeh arrogancë apo mendjemadhësi. Ajo është ngushtësisht e lidhur me cilësi të tjera si përulësia dhe urtësia. Pasi është kështu, personat e butë janë të gatshëm për të mësuar dhe dëshirojnë të pranojnë disiplinë nga dora e Perëndisë, edhe pse kjo për momentin mund të duket e rëndë.​—Psalmi 25:9; Hebrenjve 12:4-11.

Në vetvete, butësia mund të ketë pak lidhje me edukimin apo shkallën shoqërore të dikujt. Megjithatë, ata që kanë një edukim të lartë apo që janë të suksesshëm në kuptimin botëror, kanë prirje që të ndihen të aftë për të marrë vendime nga vetja dhe për çdo gjë, madje edhe në çështje adhurimi. Kjo ndoshta nuk u lejon atyre që të pranojnë të mësojnë diçka nga të tjerët apo të pranojnë këshilla dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme në jetën e tyre. Të tjerë, që janë materialisht të pasur, mund të bien në mendimin e gabuar se siguria gjendet në zotërimet e tyre materiale. Prandaj, ata mund të mos e ndiejnë nevojën e pasurisë frymore prej Fjalës së Perëndisë, Biblës.​—Mateu 4:4; 5:3; 1. Timoteut 6:17.

Le të shohim skribët, farisenjtë dhe kryepriftërinjtë e ditëve të Jezuit. Në një rast, kur zyrtarët e dërguar prej tyre për të arrestuar Jezuin u kthyen pa të, farisenjtë thanë: «Ashtu ju mashtroi edhe ju! . . . A njihni ndonjë nga anëtarët e Këshillit të Lartë ose një farise që besoi në të? Turma beson në të, sepse nuk e njeh Ligjin e Mosheut dhe kështu qëndron nën mallkimin e Perëndisë!» (Gjoni 7:45-49, ECM) Me fjalë të tjera, për ta, vetëm injorantët dhe të paedukuarit do të ishin aq naivë, sa të besonin në Jezuin.

Megjithatë, shumë farisenj e përqafuan të vërtetën dhe u bënë mbrojtës të Jezuit dhe të të krishterëve. Midis tyre ishin Nikodemi dhe Gamalieli. (Gjoni 7:50-52; Veprat 5:34-40) Pas vdekjes së Jezuit «një shumicë e madhe priftërinjsh filluan t’i bindeshin besimit». (Veprat 6:7, BR) Pa dyshim, shembulli më spikatës është apostulli Pavël. Ai ishte edukuar në këmbët e Gamalielit dhe u bë mbrojtës i shquar dhe i respektuar i judaizmit. Megjithatë, me kohë edhe ai iu përgjigj me përulësi thirrjes së Krishtit Jezu dhe u bë një ithtar i tij i zellshëm.​—Veprat 22:3; 26:4, 5; Galatasve 1:14-24; 1. Timoteut 1:12-16.

E gjithë kjo tregon se, pavarësisht nga vjen apo se si ndihet dikush tani në lidhje me mesazhin e Biblës, fjalët e Zefanisë janë ende të zbatueshme. Nëse dikush dëshiron të miratohet prej Perëndisë dhe të udhëhiqet nga Fjala e tij, butësia është e domosdoshme.

Ata që «kërkojnë butësinë» sot

Miliona njerëz anembanë botës po i përgjigjen lajmit të mirë të Mbretërisë. Dëshmitarët e Jehovait po udhëheqin mbi katër milion studime biblike çdo javë në shtëpitë e këtyre njerëzve. Këta vijnë nga ambiente të shumta e të ndryshme dhe prej rrethanash të ndryshme ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, një gjë që ata kanë të përbashkët është se janë mjaft të përulur për të pranuar mesazhin e Biblës që dikush ua paraqet në derë apo diku tjetër. Shumë prej tyre po bëjnë një përparim të shkëlqyeshëm, sepse dëshirojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet për të kapërcyer pengesat në rrugën e tyre. Po, ata janë midis «të butëve të tokës» sot.

Le të marrim, për shembull, Marijen në Meksikë. Ajo kishte studiuar për drejtësi në universitet dhe nga ana financiare ishte e sigurt për shkak të një trashëgimie. Si rrjedhojë, ajo zhvilloi disa koncepte mjaft liberale që e kthyen, siç thotë ajo vetë, në një person «rebel, të ashpër, autoritar dhe ateist». Marija kujton: «Fillova të mendoja se çdo gjë mund të zgjidhej me para dhe se Perëndia nuk kishte rëndësi. Në fakt, mendoja se ai as që ekzistonte. Për mua, kisha ishte një diçka qesharake dhe vetëm një nevojë shoqërore.»

Më vonë, Marija vuri re disa ndryshime tek një kushëri i saj, pasi ky u bë një Dëshmitar i Jehovait. «Ai kishte qenë aq i tmerrshëm dhe tani ishte një njeri shumë paqësor dhe i drejtë,— shpjegon Marija.—Të afërmit thoshin se ai ishte një predikues dhe lexonte Biblën dhe për këtë arsye nuk pinte dhe nuk bridhte më pas grave. Prandaj, desha që ai të vinte tek unë dhe të më lexonte Biblën, pasi mendoja se në këtë mënyrë do të gjeja paqen dhe qetësinë e vërtetë që aq shumë i dëshiroja.» Si rezultat, Marija pranoi një studim biblik me një çift Dëshmitarësh.

Iu desh të kapërcente shumë gjëra dhe për të qe mjaft e vështirë të pranonte parimin biblik të autoritetit, si dhe të ishte e nënshtruar ndaj të shoqit. Por, ajo bëri ndryshime rrënjësore në jetën dhe shprehitë e saj. Ajo pranon: «Mendoj se qysh kur vëllezërit u futën në derën time dhe sollën ndihmën e Jehovait, në shtëpinë time banojnë lumturia, qetësia dhe bekimet e Jehovait.» Sot, Marija është një Dëshmitare e dedikuar dhe e pagëzuar e Jehovait.

Në ndjekjen e adhurimit të pastër, ka edhe një fushë tjetër në të cilën butësia, ose mungesa e saj, luan një rol të rëndësishëm. Shumë shpesh, në një familje gruaja e pranon të vërtetën dhe dëshiron t’i shërbejë Perëndisë, ndërsa burri është kundër. Ndoshta, për disa burra është e vështirë të pranojnë idenë se gruaja e tyre duhet t’i nënshtrohet edhe dikujt tjetër​—Perëndisë Jehova. (1. Korintasve 11:3) Një grua në Chihuahua, Meksikë, kërkoi një studim biblik dhe me kohë ajo dhe shtatë fëmijët e saj erdhën në të vërtetën. Në fillim, i shoqi ishte kundër. Përse? Sepse ai nuk donte që familja e tij të dilte shtëpi më shtëpi, duke predikuar dhe duke ofruar literaturë biblike. Me sa duket, ai e konsideronte këtë si një ulje të dinjitetit të tij. Megjithatë, familja qëndroi e vendosur në vendimin për t’i shërbyer Perëndisë. Me kalimin e kohës, burri filloi të shihte dobitë e pranimit të rregullave të Perëndisë. Por kaluan 15 vjet para se ai t’i dedikohej Jehovait.

Kudo në Meksikë, ka ende bashkësi të izoluara në të cilat banorët vendas kanë gjuhën dhe zakonet e tyre indiane. Mesazhi i Biblës po mbërrin edhe tek këta njerëz dhe po i ndihmon ata të përmirësojnë nivelin e tyre kulturor, pasi disa bashkë me të vërtetën mësojnë edhe të shkruajnë dhe të lexojnë. Megjithatë, fakti se njerëzit kanë pak edukim apo pasuri materiale, nuk do të thotë patjetër se do të jenë më të kapshëm. Krenaria raciale dhe lidhjet e ngushta mbas traditave të të parëve, disa herë e bëjnë shumë të vështirë që dikush të pranojë të vërtetën. Kjo shpjegon, gjithashtu, se përse në disa fshatra indiane, ata që pranojnë të vërtetën, shpesh kanë shqetësime prej bashkëfshatarëve të tyre. Pra, butësia merr shumë forma.

Përgjigju me butësi

Ç’mund të themi për ty personalisht? A po i përgjigjesh të vërtetës së Fjalës së Perëndisë? Apo e ke të vështirë të pranosh disa të vërteta biblike? Ndoshta, të duhet të shqyrtosh vetveten për të parë se çfarë po të pengon. A je i shqetësuar sepse shumica e njerëzve në të vërtetën janë nga shtresa të përulura? A mund të jetë e përfshirë krenaria personale në mendimet e tua? Është mirë që të mendosh mbi fjalët e apostullit Pavël: «Perëndia zgjodhi gjërat e çmendura të botës, që të mund të turpërojë njerëzit e mençur; dhe Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës, që të mund të turpërojë gjërat e forta; dhe Perëndia zgjodhi gjërat jo të fisshme dhe gjërat e përbuzura, gjërat që nuk janë, që të mund të asgjësojë gjërat që janë, me qëllim që asnjë mish të mos mund të ngrihet në sy të Perëndisë.»​—1. Korintasve 1:27-29, BR.

A do ta refuzoje një thesar vetëm sepse e ke gjetur në një vazo të pistë prej argjile? Sigurisht që jo! Megjithatë, kjo është mënyra që Perëndia ka zgjedhur për të na paraqitur Fjalën e tij jetëshpëtuese të së vërtetës, siç shpjegon apostulli Pavël: «Por ne e mbarim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyut e jo prej nesh.» (2. Korintasve 4:7) Butësia dhe përulësia do të na mundësojnë të shohim vlerën e vërtetë të thesarit dhe jo vetëm «enën prej argjile», apo mjetet njerëzore që na e sjellin. Duke vepruar kështu, do të rrisim edhe mundësinë për të qenë «të fshehur në ditën e zemërimit të Jehovait» dhe midis atyre që «do të trashëgojnë tokën».​—Zefania 2:3; Mateu 5:5.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo