Shkolla e Galaadit stërvit në besimin më të shenjtë
«STUDENTËT tanë janë stërvitur mirë në besimin më të shenjtë.» Këto ishin fjalët e hapjes së ceremonisë së diplomimit të klasës së 95-të të shkollës së Galaadit (Watchtower Bible School), të mbajtur të shtunën më 12 shtator 1993. Atë mëngjes, 4.614 persona të ftuar dhe anëtarë të familjes Bethel, që ishin mbledhur në Sallën e Asambleve të qytetit Xhersi ndoqën lutjen e hapjes të bërë nga Xhorxh Gangas. Vëlla Gangas është anëtar i familjes Bethel që prej 65 vjetësh, është 97 vjeç dhe është më i moshuari i Trupit Udhëheqës.
Albert Shrojder, edhe ky anëtar i Trupit Udhëheqës dhe drejtues i programit, deklaroi: «Për pesë muaj, kursi i Galaadit u bazua në besimin më të shenjtë.» Por, ç’është «besimi më i shenjtë»? Ai shpjegoi se ky «besim më i shenjtë», i përmendur tek Juda 20 është e vërteta biblike në tërësi. Kështu, kursi i Galaadit bazohet në Fjalën e Jehovait, Biblën, e cila është libri i saj kryesor mësimor.
Studentët marrin më shumë mësim
Oratori i parë ishte Xhon Stufloten nga Komiteti i Fermave Watchtower, i cili foli mbi temën: «Të përfitojmë nga ndikimi i njerëzve të mençur». Bibla thotë se ata që «ecin me njerëz të mençur, do të bëhen të mençur». (Proverbat 13:20, BR) Gjatë kursit të Galaadit, studentët i kanë dedikuar studimit të Biblës më shumë se 900 orë. Vëlla Stufloten i pyeti studentët: «Si do të ndikojë tek ju Jehovai në të ardhmen? Do të shkoni në 18 vende me popullsi të ndryshme prej 170 milion banorësh. Si do të ndikoni pra, në këta persona?» Duke pasqyruar mençurinë e Jehovait, misionarët e rinj do të mund të ndihmojnë të tjerët të bëhen adhurues të Jehovait, burimit të mençurisë së pakufishme.
«Bëhuni gjithçka për të gjithë njerëzit», ishte tema e fjalimit pasues, trajtuar nga Loid Beri, anëtar i Trupit Udhëheqës. (1. Korintasve 9:22, King James Version) Rreth 45 vjet më parë, vetë vëlla Beri ishte një student në klasën e 11-të të Galaadit. Tani klasa e 95-të vlerësoi këshillat praktike të një ish-misionari me shumë vjet eksperiencë në një vend të huaj. Ai i inkurajoi studentët të njëjtësoheshin menjëherë me njerëzit në territorin e ri të huaj, duke mësuar të njihnin kulturën lokale dhe të flisnin gjuhën vendase. Ai tha se mënyra më e mirë për të bërë këtë ishte të rrinin dhe të punonin bashkë me njerëzit e vendit, si dhe të mësonin zakonet e tyre dhe t’u përshtateshin atyre sa herë që të ishte e përshtatshme.
Pastaj, Din Songer nga Komiteti i Fabrikës foli mbi një temë që të ngjallte kureshtje: «Të liruar nga detyrat». Pas më shumë se 35 vjet në shërbimin e plotë kohor, vëlla Songer kupton se ç’do të thotë të jetosh një jetë të thjeshtë me synime të përcaktuara mirë, duke u përqendruar në veprën që duhet bërë, të lirë nga shqetësimet materiale. Ky ishte edhe thelbi i këshillës së tij dhënë studentëve. Këngëtarët në tempullin e Jehovait ishin të lirë nga detyrat e zakonshme të levitëve të tjerë, në mënyrë që t’ia dedikonin veten plotësisht caktimit të tyre special. (1. Kronikave 9:33) Në mënyrë të njëjtë, misionarët e Galaadit janë liruar nga çështje të tilla të zakonshme si puna, në mënyrë që të përqendrohen në shërbimin e tyre të veçantë. Vëlla Songer përfundoi me këtë këshillë: «Kini një synim të përcaktuar dhe një jetë të thjeshtë. Përgjegjësia juaj si të liruar nga detyrat është të punoni ditë e natë për të lavdëruar Jehovain.»
Anëtari i Trupit Udhëheqës, Daniel Sidlik, vazhdoi më pas me temën «Mësoni të tjerët të marrin më të mirën nga jeta». Ai i inkurajoi studentët «jo vetëm të mësonin doktrinat, por edhe të ishin të guximshëm që t’u tregonin njerëzve se çfarë duhej të bënin për të sjellë jetën e tyre në harmoni me vullnetin e Perëndisë». Mësuesit e mirë duhet të frymëzojnë dhe të nxisin. «Ndihmojini njerëzit të zhvillojnë vlera të krishtere në vend se t’u mësoni thjesht norma dhe rregulla»,—tha ai dhe shtoi për të përfunduar: «Para çdo gjëje, të dashur vëllezër, mësoni veten dhe të tjerët si të keni dashuri, sepse është një lidhje e përsosur uniteti.»—1. Korintasve 13:1-3; Kolosianëve 3:14.
Pas disa muajsh stërvitje, studentët kishin dashuri të veçantë për dy mësuesit e Galaadit. Xhek Redford, vetë një ish-misionar, foli fillimisht mbi temën «Keni bërë zgjedhjen e drejtë». Në botën e lashtë hebreje, para se të bëhej apostull i krishterë, Pavli kishte pozitë, prestigj, ndikim dhe siguri ekonomike. Por në Filipianëve 3:8, Pavli i përshkroi të gjitha këto si «shumë plehra» apo «mbeturina» sipas një përkthimi tjetër. (Phillips) Zemra e tij ishte e përqendruar thellësisht në shërbim dhe kishte bërë zgjedhjen e drejtë. Përkundrazi, pjesa më e madhe e njerëzimit sot, tregon me anë të zgjedhjeve të veta në jetë se konsideron më të çmueshme pasuritë materiale sesa jetën e përhershme. Misionarët e Galaadit kanë bërë zgjedhjen e drejtë. Xhek Redford përfundoi, duke thënë: «Asgjë e ofruar nga bota e Satanait nuk mund të krahasohet me shërbimin misionar. Ruajeni këtë privilegj të pallogaritshëm dhe lini botën të ruajë mbeturinat e saj!»
Në 32 vjetët e fundit, Ulis Glas ka qenë mësues në Galaad. Ai u dha studentëve disa këshilla me temën «Vetëm Perëndia mund të bëjë një pemë», duke e bazuar fjalimin e tij në Psalmin 1:3. Teknologjia moderne kurrë nuk ka mundur të bëjë një pemë sipas projektit të Perëndisë. Në një farë mënyre, të krishterët e vërtetë janë ngjashëm pemëve të mbjella dhe të ujitura nga Jehovai. Vëlla Glas vërejti se për pesë muaj, studentët kanë qenë «ujitur rregullisht nga burimi i ujërave jetëdhënëse në Fjalën e Perëndisë», si pemët në një korije ose parajsë frymore. Megjithatë, si misionarë, ata duhet të mbrojnë «rrënjët e tyre frymore kundër çdo rreziku». Ata u nxitën që «të vazhdonin të pinin ujin e jetës nga Jehovai, sepse vetëm Perëndia mund të bëjë një pemë».
Fjalimi i fundit u mbajt nga Keri Barber, anëtar i Trupit Udhëheqës. Pas 70 vjetësh në shërbim të plotë kohor, vëlla Barber mundi të flasë me bindje mbi temën «Jepini Jehovait devotshmëri të veçantë». Pjesa më e madhe e njerëzimit nuk i ka dhënë Jehovait devotshmëri të veçantë. (Ligji i përtërirë 5:9) Megjithatë, siç tregoi vëlla Barber, pa marrë parasysh papërsosmërinë tonë, «është plotësisht e mundur t’i përkushtohemi tërësisht Perëndisë». Ai shtoi: «Në të vërtetë askush nuk mund të thotë: ‘Djalli më shtyu të veproj kështu.’» Por Djalli mund të na mposhtë, nëse dështojmë ta kundërshtojmë. (Jakovi 4:7) Angazhimi në veprën e Jehovait është mënyra më e mirë për të kundërshtuar Djallin dhe botën e tij dhe për t’i dhënë Jehovait devotshmëri të veçantë.
Të emëruar si misionarë
Programi i paradites përfundoi me emërimin zyrtar si misionarë të të 46 studentëve. Të 23 çiftet morën diplomat që anash deklaronin se të diplomuarit «janë veçanërisht të kualifikuar për të marrë përsipër veprën e edukimit, për të përkrahur vullnetin e mirë dhe për të punuar në emër të paqes së përhershme dhe të ligjit të përsosur, të rregullit dhe të drejtësisë ndërmjet të gjithë popujve». Të diplomuarit e klasës së 95-të të Galaadit me siguri do të përpiqen për të përmbushur këtë mision të lartë në 18 vendet në të cilat u caktuan. Caktimet janë në të gjithë botën dhe përfshijnë vende në Azi, Afrikë, Evropë, Amerikën Latine dhe në Karaibe.
Pasdite, pas një studimi të shkurtuar të Kullës së Rojës drejtuar nga Çarles Vudi, nga Komiteti i Repartit të Shërbimit, të diplomuarit e rinj të Galaadit paraqitën programin e tyre studentor, me temë «Galaadi na ka përgatitur për të mësuar si misionarë». Sesioni përfundoi me dramën «Zgjedhjet që duhet të bëjmë».
Pas këtij programi nxitës, misionarët e rinj tashmë ishin gati që të shkonin në të katër anët e tokës, për të ndarë me të tjerët «besimin më të shenjtë».
[Kutia në faqen 26]
Statistikat e klasës
Numri i vendeve të paraqitura: 7
Numri i vendeve në të cilat janë caktuar: 18
Numri i studentëve: 46
Numri i çifteve të martuara: 23
Mosha mesatare: 30,06
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 12,92
Mesatarja e viteve në shërbimin e plotë kohor: 9,4
[Figura në faqen 26]
Të diplomuarit e klasës së 95-të të shkollës misionare të Galaadit
Në listën e mëposhtme rreshtat janë numëruar nga ana e përparme në atë të prapme dhe emrat e çdo rreshti janë shënuar nga e majta në të djathtë.
(1) D. Buelow; V. Donzé; S. Innes; N. Fulk; M. Billingsby; L. Hoddinott; B. Nygren; L. Eriksson; (2) J. Boker; M. Thomas; S. Stedman; D. Billingsby; I. Waugh; M. Purves; L. Holt; M. Luttrell; (3) T. Jacobsen; J. Boker; L. Martinez; E. Nilsson; P. Purves; L. Holt; M. Larsen; L. Jones; (4) P. Numminen; H. Numminen; M. Buelow; W. Olson; S. Holt; G. Donzé; C. DesJardins; D. DesJardins; (5) K. Larsen; D. Martinez; P. Nygren; P. Waugh; D. Jones; J. Hoddinott; G. Thomas; (6) B. Innes; R. Fulk; A. Eriksson; S. Nilsson; J. Stedman; K. Olson; F. Jacobsen; J. Luttrell.