Kush është Jehovai?
«KUSH është Jehovai?» Kjo pyetje u bë 3.500 vjet më parë nga Faraoni kryelartë, mbreti i Egjiptit. Mospërfillja e dukshme e nxiti atë të shtonte: «Nuk e njoh fare Jehovain.» Dy burra që qëndronin para Faraonit e dinin kush ishte Jehovai. Ata ishin vëllezërit e një gjaku, Moisiu dhe Aaroni, nga fisi Levi i Izraelit. Jehovai i kishte dërguar ata që të kërkonin nga sundimtari i Egjiptit të dërgonte izraelitët në shkretëtirë për të kremtuar një festë fetare.—Të Dalët 5:1, 2.
Faraoni nuk dëshironte përgjigje për pyetjen e tij. Nën autoritetin e tij, priftërinjtë përkrahnin adhurimin e qindra perëndive të rreme. Madje, Faraoni vetë ishte quajtur një perëndi! Sipas mitologjisë egjiptiane ai ishte biri i perëndisë së diellit Ra dhe personifikim i perëndisë kokë skifter, Horus. Faraonit i drejtoheshin me tituj të tillë si «perëndi i fuqishëm» apo «i përjetshmi». Kështu që nuk ishte aspak e çuditshme që ai pyeti me përçmim: «Kush është Jehovai, që t’i bindem zërit të tij?»
Moisiu dhe Aaroni nuk e shihnin të nevojshme t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Ai e dinte mirë se Jehovai ishte Perëndia që adhurohej nga izraelitët, të cilët vuanin nën skllavërinë egjiptiane. Por Faraoni dhe gjithë Egjipti shpejt mësuan se Jehovai ishte Perëndia i vërtetë. Ngjashëm edhe sot, Jehovai do ta bëjë të ditur emrin dhe Hyjninë e tij tek çdo njeri mbi tokë. (Ezekieli 36:23) Kështu mund të kemi dobi duke shqyrtuar se si Perëndia Jehova e lartësoi emrin e tij në Egjiptin e lashtë.
Më i fuqishëm se perënditë egjiptiane
Kur Faraoni me mospërfillje pyeti se kush ishte Jehovai, nuk i mori me mend pasojat që më pas përjetoi. Jehovai vetë u përgjigj duke hedhur mbi Egjipt dhjetë plagë. Këto plagë nuk ishin një goditje kundër këtij kombi. Ato ishin një goditje kundër perëndive të Egjiptit.
Plagët paraqitën epërsinë e Jehovait ndaj perëndive egjiptiane. (Të Dalët 12:12; Numrat 33:4) Imagjinoni britmën kur Jehovai shndërroi në gjak ujërat e lumit Nil dhe të gjitha ujërat e Egjiptit! Me anë të kësaj mrekullie, Faraoni dhe populli i tij mësuan se Jehovai ishte më i lartë se perëndia e Nilit, Hapi. Ngordhja e peshqve në Nil ishte gjithashtu një goditje për fenë egjiptiane, pasi adhuroheshin lloje të ndryshme peshqish.—Të Dalët 7:19-21.
Më pas, Jehovai hodhi mbi Egjipt një plagë bretkosash. Kjo e diskreditoi perëndeshën-bretkosë, Heqt. (Të Dalët 8:5-14) Plaga e tretë i hutoi priftërinjtë magjistarë të cilët ishin të paaftë të përsëritnin mrekullinë e Jehovait për të shndërruar pluhurin në harrje. «Ky është gishti i Perëndisë»,—thërrisnin ata. (Të Dalët 8:16-19) Perëndia egjiptian Thoth, të cilit i atribuohej shpikja e arteve magjike, ishte plotësisht i paaftë të ndihmonte këta sharlatanë.
Faraoni po e mësonte kush ishte Jehovai. Jehovai ishte Perëndia që shpalli qëllimin e tij përmes Moisiut dhe e përmbushi atë duke shkaktuar plagë të çuditshme mbi egjiptianët. Jehovai, gjithashtu mund t’i fillonte dhe t’u jepte fund këtyre goditjeve sipas dëshirës së tij. Megjithatë, kjo njohuri nuk e shtyu Faraonin t’i nënshtrohej Jehovait. Në vend të kësaj, sundimtari kryelartë e kokëfortë vazhdonte t’i rezistonte Jehovait.
Gjatë plagës së katërt, zekthat shkatërruan tokën, vërshuan nëpër shtëpi dhe ndoshta roitnin nëpër ajër, që vetë ishte një objekt adhurimi që personifikohej në perëndinë Shu apo në perëndeshën Isis, mbretëreshë e qiellit. Fjala hebreje për këtë insekt është përkthyer «zekth», «qen fluturues» dhe «kacabu». (New World Translation; Septuagint; Young) Në qoftë se plagët ishin shkaktuar nga kacabunjtë, atëherë egjiptianët luftoheshin me murtajë nga insektet që ata i konsideronin të shenjtë dhe njerëzit nuk mund të ecnin pa i dërrmuar ata poshtë këmbëve. Sidoqoftë, kjo plagë i mësoi diçka të re Faraonit për Jehovain. Perënditë e Egjiptit nuk mund t’i mbronin adhuruesit e tyre prej sulmit të zekthave, ndërsa Jehovai e mbrojti popullin e tij. Kjo dhe të gjitha plagët e mëvonshme shkaktonin vuajtje tek egjiptianët, por jo tek izraelitët.—Të Dalët 8:20-24.
Plaga e pestë ishte një murtajë mbi bagëtinë egjiptiane. Kjo goditje i turpëroi perënditë Hathor, Apis dhe perëndeshën trup kau të qiellit, Nut. (Të Dalët 9:1-7) Plaga e gjashtë solli lunga të mbushura me qelb në njerëz dhe në kafshë, duke poshtëruar kështu perënditë Thoth, Isis dhe Ptah, të veshur gabimisht me aftësi shëruese.—Të Dalët 9:8-11.
Plaga e shtatë ishte një breshër tepër i fuqishëm, i përzier me flakë që dridhej ndërmjet kokrrave të breshërit. Kjo goditje turpëroi perëndinë Reshpu, i quajtur zotëruesi i rrufesë dhe Thoth, për të cilin thuhej se drejtonte shiun dhe bubullimën. (Të Dalët 9:22-26) Goditja e tetë, një plagë me karkaleca, tregoi epërsinë e Jehovait mbi perëndinë e pjellorisë Min, i supozuar mbrojtës i të korrave. (Të Dalët 10:12-15) Goditja e nëntë, një errësirë tri ditëshe mbi Egjipt, zbrazi mospërfillje në disa perëndi egjiptiane si perëndia e diellit Ra dhe Horus.—Të Dalët 10:21-23.
Pa marrë parasysh plagën e nëntë shkretuese, Faraoni ende nuk pranonte të lironte izraelitët. Zemërgurësia e tij i kushtoi shumë Egjiptit kur Perëndia solli plagën e dhjetë dhe të fundit—vdekjen e të parëlindurve të njerëzve dhe të kafshëve. Madje edhe biri i parëlindur i Faraonit vdiq, sado që shihej si një perëndi. Kështu Jehovai «kreu ndëshkimin për të gjithë perënditë e Egjiptit».—Të Dalët 12:12, 29.
Faraoni tani thërriti Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: «Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t’i shërbeni Zotit, [Jehovait, NW] siç e keni thënë. Merrni me vete kopetë e bagëtive të imta dhe të trasha siç keni thënë, dhe shkoni; dhe më bekoni dhe mua!»—Të Dalët 12:31, 32, Dio.
Mbrojtës i popullit të tij
Izraelitët u nisën, por Faraonit i dukej se ata ishin duke u endur si të humbur nëpër shkretëtirë. Ai dhe shërbëtorët e tij thanë: «Ç’bëmë që e lamë Izraelin të ikë nga skllavëria jonë?» (Të Dalët 14:3-5) Humbja e këtij kombi skllav mund të ishte një goditje e rëndë ekonomike për Egjiptin.
Faraoni mblodhi ushtrinë e tij dhe e ndoqi Izraelin deri në afërsi të Pihahirothit. (Të Dalët 14:6-9) Ushtarakisht, për egjiptianët situata dukej e mirë, pasi izraelitët ishin të rrethuar nga uji dhe malet. Por Jehovai veproi për të mbrojtur izraelitët, duke vënë një re midis atyre dhe egjiptianëve. Në anën e egjiptianëve «u bë një re bashkë me errësirë», duke penguar kështu një sulm të mundshëm. Në anën tjetër, reja ishte e ndritshme «duke ndriçuar natën» për Izraelin.—Të Dalët 14:10-20.
Egjiptianët dëshironin t’i plaçkitnin dhe t’i shkatërronin, por pengoheshin nga reja. (Të Dalët 15:9) Kur reja u ngrit, çfarë çudie! Ujërat e Detit të Kuq ishin ndarë dhe izraelitët ishin duke kaluar në anën tjetër nëpër tokë të thatë! Faraoni dhe forcat e tij hynë pas tyre në mes të detit, të vendosur për të zënë dhe për të plaçkitur ish-skllevërit e tyre. Megjithatë, sundimtari kryelartë egjiptian nuk e kishte llogaritur perëndinë e hebrenjve. Jehovai filloi të shkaktonte rrëmujë në egjiptianët, duke shkëputur rrotat e karrocave të tyre.—Të Dalët 14:21-25a.
«Le të ikim nga çdo lidhje me popullin e Izraelit!,—thërrisnin burrat e fuqishëm egjiptianë,—sepse Jehovai me siguri lufton kundër egjiptianëve për ata.» Faraoni dhe njerëzit e tij e kuptuan shumë vonë këtë gjë. I sigurt në bregun tjetër, Moisiu shtriu dorën në drejtim të detit dhe ujërat u rikthyen përsëri në vend, duke mbytur Faraonin dhe forcat e tij.—Të Dalët 14:25b-28.
Mësime të nxjerra nga përvoja
Atëherë, kush është Jehovai? Faraoni kryelartë mori një përgjigje për këtë pyetje. Ngjarjet në Egjipt treguan se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë, tërësisht i pangjashëm «perëndive të pavlefshme» të kombeve. (Psalmi 96:4, 5) Me anë të fuqisë së tij, Jehovai «ka bërë qiejt dhe tokën». Ai gjithashtu është Çliruesi i Madh, Ai që liroi nga toka e Egjiptit popullin e tij me shenja, mrekulli, me një dorë të fortë dhe frikë të madhe.» (Jeremia 32:17-21) Sa mirë na tregon kjo se Jehovai mund ta mbrojë popullin e tij!
Faraoni nxori këtë mësim nga kjo ngjarje e hidhur. Në fakt, mësimi i fundit i kushtoi atij jetën. (Psalmi 136:1, 15) Do të kishte qenë shumë i mençur po të ishte treguar i përulur kur pyeti: «Kush është Jehovai?» Kështu ky sundimtar mund të kishte vepruar në harmoni me përgjigjen që mori. Të gëzuar, sot, shumë njerëz të përulur po mësojnë se kush është Jehovai. Çfarë personaliteti ka Ai? Çfarë kërkon ai prej nesh? Ndoshta artikulli i mëposhtëm do të shtojë çmueshmërinë tënde për Atë të vetmin, emri i të cilit është Jehova.—Psalmi 83:18.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.