BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/9 f. 4-7
  • A duhet të pagëzohesh?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A duhet të pagëzohesh?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Në ç’mënyrë?
  • Për çfarë qëllimi?
  • Çfarë do të bësh ti?
  • Përse të pagëzohemi?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Çfarë është pagëzimi?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Domethënia e pagëzimit tënd
    Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
  • Plotësimi i kërkesave për pagëzimin e krishterë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/9 f. 4-7

A duhet të pagëzohesh?

RRETH një milion njerëz janë pagëzuar gjatë tre viteve të fundit prej Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo përbën një mesatare prej 824 të pagëzuar në një ditë ose 4 në çdo 7 minuta. A është kjo një kopje e zellit fetar të shekujve XV dhe XVI?

Jo, këta individë nuk u pagëzuan me forcë, si rezultat i ndonjë kthimi masiv apo thirrjes prekëse të ndonjë oratori fetar. Ata u pagëzuan sepse Jezu Krishti, Zotëria dhe Udhëheqësi i të krishterëve, urdhëroi që kjo gjë të bëhej. Ata ndoqën hapat dhe procedurën që tregoi Jezui dhe që u zbatuan prej apostujve që ai vetë i zgjodhi dhe i stërviti.

Pas ringjalljes dhe para ngritjes së tij për në qiell, Jezui u dha ithtarëve të tij këtë detyrë të fundit: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj prej njerëzve të të gjtha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke i mësuar ata të mbajnë të gjitha gjërat që ju urdhërova. Dhe ja, unë jam me ju në të gjitha ditët, deri në përfundim të sistemit të gjërave.» (Mateu 28:19, 20, NW) Prej asaj kohe, ai ishte pagëzimi i vetëm në ujë i miratuar prej Perëndisë.

Po kështu, Bibla na tregon se ata ithtarë të parë të Jezuit u bënë «dëshmitarët e [Jezuit] në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.» (Veprat 1:8) Siç kish parathënë Jezui, rezultati i punës së tyre të predikimit dhe mësimit do të ishte pagëzimi i besimtarëve, të cilët do të bëheshin, gjithashtu, ithtarë të Jezuit.

Shembulli i parë i dokumentuar i kësaj ndodhi në Jeruzalem, ditën e Rrëshajave të vitit 33 të e.s. Në atë kohë, apostulli Pjetër «bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë» dhe i foli turmës së mbledhur për Jezuin Mesinë. Tregimi na thotë se nga fjalimi i tij ata «u tronditën në zemër» dhe pyetën se çfarë duhej të bënin. «Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet»,—tha Pjetri. Si rezultat «ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë, u kthyen rreth tri mijë vetë.» (Veprat 2:14-41) Tregime të mëtejshme tregojnë se pagëzimi i dishepujve paraprihej nga dëgjimi i lajmit të krishterë, besimi i lajmit të mirë dhe pendimi.​—Veprat 8:12, 13, 34-38; 10:34-48; 16:30-34; 18:5, 8; 19:1-5.

Në ç’mënyrë?

Por, si duheshin pagëzuar në ujë këta dishepuj të rinj? Me spërkatje (duke u hedhur lehtë përsipër pikla uji), duke u hedhur ujë mbi kokë apo duke i zhytur (me fundosje të plotë)? Çfarë tregon Bibla? Pasi Jezui na la një shembull për «të ndjekur me kujdes gjurmët e tij», si u pagëzua ai?​—1. Pjetrit 2:21.

Bibla tregon se Jezui u pagëzua në Jordan, një lum mjaft i madh. Pasi u pagëzua, ai «doli nga uji». (Marku 1:10; Mateu 3:13, 16) Pra, në fakt, Jezui ishte zhytur në lumin Jordan. Ai u pagëzua nga Gjon Pagëzuesi, i cili, në kërkim të një vendi të përshtatshëm për të pagëzuar, zgjodhi rajonin në luginën e Jordanit pranë Salimit «sepse aty kishte mjaft ujë». (Gjoni 3:23) Fakti se fundosja e plotë në ujë ishte rregulli i pagëzimit që praktikohej midis ithtarëve të Jezuit, duket edhe prej fjalëve të eunukut etiopian. Pasi e pranoi mësimin e Filipit, ai thërriti: «Ja, një sipërfaqe me ujë; çfarë më pengon për t’u pagëzuar?» Pastaj, vërejmë se «të dy zbritën në ujë» dhe më pas «dolën nga uji».​—Veprat 8:36-39, NW.

Po historia jobiblike, a tregon, vallë, se të krishterët praktikonin pagëzimin me anë të zhytjes? Në të vërtetë, po. Dhe është interesante të vërejmë se në disa vende ekzistojnë akoma pellgje të mëdhenj zhytjeje për pagëzim. «Dëshmitë arkeologjike,—pohon gazeta Ministry,—provojnë pa asnjë pikë dyshimi se në shekujt e dhjetë deri katërmbëdhjetë, mënyra e zakonshme e pagëzimit ishte zhytja.» Ajo shton: «Historia e pagëzimit të krishterë mund të gjurmohet në rrënojat e ndërtesave të lashta të krishtere, si edhe nëpër kishat e vjetra që përdoren akoma. Pikturat nëpër katakombe dhe kisha, mozaikët e dyshemeve, muret dhe tavanët, basorelievet dhe vizatimet e dorëshkrimeve të vjetra të Besëlidhjes së Re i shtojnë hollësira kësaj historie . . . Kjo u shtohet dëshmive të gjetura mes shkrimeve të etërve të kishës, sipas të cilave mënyra e zakonshme e pagëzimit në kishën primitive ishte zhytja.»

Një enciklopedi katolike (New Catholic Encyclopedia) pranon: «Është e dukshme se Pagëzimi në Kishën primitive bëhej duke u zhytur.» Nuk të habisin, pra, tituj të tillë gazetash: «Katolikët i rikthehen pagëzimit me zhytje» (The Edmonton Journal, Kanada, 24 shtator 1983), «Pagëzimi me zhytje bëhet përherë e më i zakonshëm prej katolikëve të këtushëm» (St. Louis post-Dispatch, 7 prill 1985), «Shumë katolikë zgjedhin pagëzimin me zhytje» (The New York Times, 25 mars 1989) dhe «Pagëzimi me zhytje rigjallërohet» (The Houston Chronicle, 24 gusht 1991).

Për çfarë qëllimi?

Përse Jezui kërkoi që dishepujt e tij të pagëzoheshin? Pagëzimi ishte një simbol i përshtatshëm i dedikimit të tyre të plotë ndaj Perëndisë. Duhej predikuar «lajmi i mirë» në mbarë tokën dhe duheshin bërë dishepuj nga «njerëz prej të gjitha kombeve». (Mateu 24:14; 28:19) Kjo do të thoshte se lidhjet e Perëndisë nuk ishin më vetëm me kombin hebre, që përbëhej nga njerëz që i dedikoheshin që kur lindnin. Korneli dhe familja e tij ishin paganët apo johebrenjtë e parë që pranuan të vërtetën mbi Jezu Krishtin dhe u pagëzuan.

Zhytja e plotë në ujë tregonte se ata që pagëzoheshin kishin vdekur në lidhje me një jetë që përqëndrohej mbi ata vetë. Ngritja e tyre nga uji simbolizonte se ata tani jetonin për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe se e vinin këtë në radhë të parë në jetën e tyre, ashtu siç kish bërë Jezui. (Mateu 16:24) Pagëzimi «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë», tregonte se ata kishin mësuar dhe pranuar të vërtetën mbi secilin prej tyre dhe se i njihnin ashtu siç janë. (Mateu 28:19; krahaso Veprat 13:48) Pagëzimi ishte thjesht hapi i parë i bindjes ndaj Perëndisë dhe i nënshtrimit ndaj vullnetit të tij.

Shkrimet nuk e mbështesin idenë mjaft të përhapur fetare, sipas së cilës pagëzimi është një kungatë, pra, një ceremoni fetare që i jep një meritë—hir, shenjtëri apo dobi frymore—atij që pagëzohet. Për shembull, dekreti i papës Eugjeni IV, i përmendur në artikullin e mëparshëm, thotë për pagëzimin: «Efekti i kësaj kungate është falja e çdo faji, e fajit fillestar dhe atij personal, si dhe e çdo dënimi që ky faj sjell me vete. Prandaj, të pagëzuarve nuk mund t’u imponohet asnjë gëzim për mëkatet e kryera, por nëse ata vdesin para se të kenë kryer sërish ndonjë mëkat, janë ngjitur menjëherë në mbretërinë e qiejve dhe në pamjen e Perëndisë.»

Megjithatë, Jezui u pagëzua edhe pse «nuk bëri mëkat». (1. Pjetrit 2:22) Për më tepër, në bazë të Shkrimeve, falja e mëkatit vjen vetëm me anë të flijimit shpërblerës të Jezu Krishtit. Hanania e nxiti Saulin nga Tarsa: «Ngrihu, pagëzohu dhe laj mëkatet e tua, duke thirrur emrin [e Jezuit].» (Veprat 22:12-16, NW) Po, shpëtimi është i mundur vetëm me anë të gjakut të derdhur të Jezuit dhe «duke thirrur emrin e tij» me besim.​—Hebrenjve 9:22; 1. Gjonit 1:7.

Ç’të themi, atëherë, për fjalët e 1. Pjetrit 3:21? Atje, Pjetri thotë: «Kundrëformë e të-cilit dyke qënë pagëzimi na shpëton edhe neve sot, (jo të-hedhuritë tej të ndyrësis’ së mishit, po dëshmimi i ndërgjegjes’ së-mirë mbë Perëndinë,) me anë të të-ngjallurit të Jisu Krishtit.» (BK) Pjetri po e krahasonte pagëzimin me përvojën e Noesë që kaloi përmes ujërave të Përmbytjes. (Vargu 20) Duke treguar besim të plotë tek Perëndia, Noeja ndërtoi arkën për të ruajtur familjen e vet. (Hebrenjve 11:7) Po kështu edhe sot, duke ushtruar besim në Perëndinë Jehova dhe në masën e tij për shpëtim me anë të Jezu Krishtit, njerëzit mund të shpëtojnë prej kësaj bote të ligë. Edhe ata duhet të veprojnë me besim. Duke u penduar prej mëkateve, duke u larguar prej një sjelljeje të gabuar dhe duke iu dedikuar pa rezerva Perëndisë Jehova në lutje, i kërkojmë Perëndisë një ndërgjegje të mirë. Por në bazë të flijimit të Jezuit dhe të ringjalljes së tij, e cila i lejoi t’i paraqiste vlerën e flijimit të tij Perëndisë në qiell, këto mëkate falen dhe shpëtimi është i mundur.​—1. Pjetrit 3:22.

Çfarë do të bësh ti?

A ke kohë që shoqërohesh me Dëshmitarët e Jehovait? Ndoshta i ke bërë, tashmë, ndryshimet e nevojshme për ta vënë jetën tënde në përputhje me parimet biblike, por nuk ke ndërmarrë hapat e dedikimit dhe të pagëzimit. Ndoshta, ti ke dëshirë të bësh vullnetin e Perëndisë, por frikësohesh se mos pagëzimi të sjell detyrime. Si rrjedhojë, ndoshta preferon t’i shmangësh këto përgjegjësi dhe detyra për një farë kohe. Pothuajse 11,5 milion njerëz ishin të pranishëm në përkujtimin e Darkës së Zotërisë vitin e kaluar. Megjithatë, numri më i madh i pjesëmarrësve në veprën e predikimit të lajmit të mirë gjatë vitit ishte më pak se 4,5 milion. Kjo tregon se rreth shtatë milion njerëz po tregojnë një farë interesi për të vërtetën e Perëndisë, edhe pse nuk janë Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait. Natyrisht, disa prej tyre janë fëmijë dhe të interesuar të rinj. Por edhe disa nga ata që marrin pjesë në veprën e predikimit janë ende të papagëzuar. Ka shumë njerëz, pra, që kanë marrë një njohuri të saktë për Biblën, por nuk kanë përfituar plotësisht prej masës së Perëndisë për shpëtim, duke mos u pagëzuar

Një pikë tjetër që nuk duhet harruar është fakti se njohuria e asaj që Perëndia kërkon sjell përgjegjësi. Jakovi 4:17 thotë: «Kush, pra, di të bëjë mirë dhe nuk bën,-bën mëkat.» Ezekieli 33:7-9 tregon se një njeri që i njeh urdhërimet dhe mësimet e Perëndisë ka përgjegjësi që t’i zbatojë ato. Pra, duhet parë nëse dikush ka dashuri të sinqertë për Perëndinë dhe një dëshirë të vërtetë për t’i pëlqyer atij. Ai që e ka me të vërtetë këtë dashuri dhe që dëshiron një lidhje të veçantë me Perëndinë Jehova, nuk ngurron që jetën e tij t’ia dedikojë atij pa rezerva. Pagëzimi nuk është gjë tjetër, veçse një simbol i jashtëm i këtij dedikimi. Është një hap i nevojshëm drejt shpëtimit. Besimtarët e vërtetë duhet të pagëzohen.​—Veprat 8:12.

Perspektiva e shkëlqyer që Perëndia ofron për besnikët, për individët e dedikuar, në botën e re që po vjen është shumë më e mirë se çdo dobi e përkohshme që duket sikur mund të ofrojë ky sistem i vjetër gjërash. Frika prej njerëzve zhduket, kur mendojmë për dorën e fuqishme të Perëndisë. (1. Korintasve 10:22; 1. Pjetrit 5:6, 7) Në të vërtetë, është koha për të pyetur veten, ashtu si eunuku etiopian pyeti Filipin: «Çfarë më pengon që të pagëzohem?»

[Figura në faqen 7]

Ashtu si eunuku etiopian, a pyet edhe ti veten: «Çfarë më pengon që të pagëzohem?»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo