ITHTARËT E PARTISË SË HERODIT
Me sa duket ishin judenj, përkrahës ose ithtarë të dinastisë së Herodëve që e merrte pushtetin nga Roma. Gjatë shërbimit në tokë të Jezu Krishtit, në krye të kësaj dinastie ishte Herod Antipa.
Historia nuk i përmend herodianët dhe në Shkrime flitet pak për ta. (Mt 22:16; Mr 3:6; 12:13) Megjithatë, disa mendojnë se herodianët ishin shtëpiakët e Herodit, ushtarët e tij ose zyrtarët e oborrit, por ky opinion ka ngjallur kundërshtime serioze.
Në skenën politike, herodianët ishin forcë politike e qendrës, që nga njëra anë kishin kundër farisenjtë dhe zelotët judenj, të cilët ishin për një mbretëri judeje plotësisht të pavarur nga kontrolli i Romës, dhe nga ana tjetër kishin kundër ata që ishin për një asimilim të plotë të Judesë nga Perandoria Romake. Disa saducenj që mbaheshin si të moderuar e mendimtarë të lirë të judaizmit, ka të ngjarë t’i kenë përkitur rrymës së mendimit herodian. Ky përfundim del nga ajo që thotë Mateu dhe Marku për fjalët e Jezuit për majanë. Sipas Mateut 16:6, Jezui tha: «Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve», kurse sipas Markut 8:15 tha: «Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe [majaja] e Herodit.» Në hebraisht, përsëritja e fjalës ‘maja’ në këtë varg nënvizon se kishte ndryshim mes mësimeve të shtrembëruara të të dyja palëve. Në disa dorëshkrime (Papirusi Çestër Biti nr. 1 [P45], Kodiku i Uashingtonit I dhe Kodiku Koridethianit), në këtë varg lexohet ‘herodianë’ në vend të ‘Herod’.—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 2, f. 594; Our Bible and the Ancient Manuscripts, nga sër Frederik Kenioni, 1958, f. 215, 216.
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: ithtarët e partisë së Herodit dhe farisenjtë, megjithëse kishin pikëpamje politike dhe fetare krejt të kundërta, ishin bashkuar për t’iu kundërvënë egërsisht Jezuit. Të paktën në dy raste këto palë kundërshtare u këshilluan si të eliminonin armikun e përbashkët. Rasti i parë që raportohet në Bibël ishte pak pas Pashkës së vitit 31 të e.s., gjatë shërbimit të Jezuit në Galile. Kur panë Jezuin që i shëroi dorën e tharë një njeriu në sabat, «farisenjtë dolën dhe menjëherë filluan të këshilloheshin kundër tij me ithtarët e partisë së Herodit, për ta vrarë».—Mr 3:1-6; Mt 12:9-14.
Rasti i dytë ishte rreth dy vjet më vonë, pikërisht tri ditë para vdekjes së Jezuit, kur dishepujt e farisenjve dhe ithtarët e partisë së Herodit u bënë bashkë për ta vënë Jezuin në provë lidhur me taksat. Këta burra i kishin paguar fshehurazi «që të hiqeshin si të drejtë dhe ta kapnin në fjalë e t’ia dorëzonin qeverisë dhe guvernatorit». (Lu 20:20) Para se ta pyesnin drejtpërdrejt për taksat, ata e mikluan mirë e mirë që ta kapnin të papërgatitur. Megjithatë, duke pikasur ligësinë dhe dinakërinë e tyre, Jezui tha: «Përse më vini në provë, hipokritë?» Pastaj ua mbylli gojën me përgjigjen për pagesën e taksave.—Mt 22:15-22; Lu 20:21-26.