54 APOSTULLI GJON
Guxim në kohë të errëta
«ËSHTË ora e fundit»,—shkroi apostulli Gjon. Tani që ishte i moshuar, e dinte se epokës së apostujve po i vinte fundi. Dekada më parë, Jezui dhe apostulli Pavël kishin paralajmëruar se nëpër kongregacione do të përhapej apostazia. Apostujt kishin vepruar si forcë frenuese kundër saj, por pas vdekjes së tyre, kongregacioni i krishterë do të infektohej nga mësuesit e rremë. (Mat. 7:15; Vep. 20:29, 30; 2 Sel. 2:6, 7) Me sa duket Gjoni ishte apostulli i fundit që kishte mbetur. Kushedi si duhet të jetë ndier në atë periudhë të errët teksa apostazia merrte dhenë! Megjithatë, Gjoni nuk iu dorëzua kurrë frikës ose dëshpërimit.
Si ia doli apostulli i moshuar Gjon të përballonte përndjekjet, internimin dhe valën e apostazisë?
Kur ishte mbase në të 90-at, Gjoni vazhdonte të ishte i zellshëm, ‘duke folur për Perëndinë dhe duke dhënë dëshmi për Jezuin’. Ja pse e kishin internuar në Patmos, një ishull i shkretë dhe shkëmbor në detin Egje. Si arriti Gjoni të ruante një qëndrim pozitiv? Pa dyshim, ky premtim i Jezuit i jehonte në mendje: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mat. 28:20.
Mbi 60 vjet pas këtij premtimi, Jezui iu shfaq Gjonit në një mënyrë të mrekullueshme. Kushedi sa i emocionuar ndihej apostulli teksa shihte dhe dëgjonte mësuesin e tij, që po i përcillte një zbulesë të jashtëzakonshme. Jezui i tregoi se në «ditën e Zotërisë» të gjitha kongregacionet do ta adhuronin përsëri Jehovain në mënyrën e duhur. Po ashtu, Jezui do t’i ndihmonte dishepujt e tij të qëndronin besnikë pavarësisht nga sulmet e Satanait.
Vegimi që pa Gjoni, iu paraqit «me anë të shenjave» ose simboleve. Patjetër, shumë gjëra nuk arriti t’i kuptonte. Ama, një gjë e kishte të qartë: apostazia që po përhapej nëpër kongregacione, nuk do ta mposhtte kurrë Jehovain dhe Jezuin. Gjatë ditës së Zotërisë, populli i Perëndisë do të rritej dhe do të gëzonte bekime të mrekullueshme. Në një luftë që do të bëhej në qiell, Satanai do të mposhtej dhe do të flakej në tokë. Shkatërrimi i tij përfundimtar ishte i pashmangshëm. Sa guxim duhet t’i ketë dhënë Gjonit ky vegim! Me besnikëri, ai shkroi «gjithçka që pa».
Sadoqë internimi në Patmos ishte i vështirë, Gjonit nuk iu shua as zelli, as gëzimi. Me sa duket, ai u lirua pas vdekjes së perandorit romak Domician, një armik i flaktë i krishterimit. Më vonë, Gjoni u largua nga ishulli, dhe me shumë gjasa shkoi në Efes. Kur ishte rreth 100 vjeç, mori një caktim të ri goxha sfidues.
Jehovai e frymëzoi Gjonin të shkruante Ungjillin e katërt dhe të fundit. Apostulli e dinte se gjithë sa shkroi, do të përhapej me shpejtësi nëpër kongregacione dhe do të mbushte sa e sa zemra me guxim e besim. Dinte edhe se kjo do t’ua shtonte urrejtjen armiqve të krishterimit të vërtetë. Por prapëseprapë Gjoni nuk u step.
Edhe pse kishin kaluar rreth 7 dekada nga vdekja e Jezuit, falë frymës së shenjtë, kujtimet e Gjonit u bënë të gjalla në mendjen e tij. Ai shkroi një tregim prekës dhe dinamik për jetën e Jezuit. Rreth 90 për qind e detajeve të këtij tregimi nuk gjenden në asnjë prej tre Ungjijve të shkruar më parë. Për shembull, vetëm Gjoni foli për ringjalljen e Lazarit dhe për komplotin e lig të krerëve fetarë për ta vrarë më pas. (Gjoni 11:1-46; 12:10) Gjithashtu dokumentoi me shumë hollësi fjalët që u tha Jezui dishepujve dhe lutjen që bëri për ta, natën para se të vdiste. Ç’pasuri të çmuar u la Gjoni gjithë të krishterëve!
Rreth asaj kohe, Gjoni u shkroi bashkëbesimtarëve edhe tri letra të frymëzuara. Ai demaskoi pa frikë apostazinë që po përhapej në atë periudhë, dhe i paralajmëroi të krishterët të mos shoqëroheshin fare me apostatët, madje as të mos i përshëndetnin. Këto tri letra janë plot dashuri e shpresë. Gjoni jo vetëm tha se «Perëndia është dashuri», por edhe e përcolli këtë cilësi me fjalët inkurajuese dhe këshillat e ngrohta që dha. Ai shkroi se i bëhej zemra mal kur shihte se fëmijët e tij në besim ‘po ecnin në të vërtetën’. Me siguri, shumë bashkëbesimtarë morën forcë nga ato fjalë.
Ne nuk do të përballemi kurrë me çfarë u përball Gjoni. Ndonëse vazhdon të përbëjë rrezik, apostazia s’ka për t’u përhapur më në masë të madhe në kongregacionin e krishterë, si në shekujt pas vdekjes së Gjonit. (Isa. 54:17; Vep. 3:21) Prapëseprapë, ashtu si Gjoni, mund të hasim vështirësi, persekutime, madje edhe mund të na burgosin. Ndaj le të ndjekim shembullin e tij e të vazhdojmë të ecim plot guxim me Perëndinë, të ndodhë, ç’të ndodhë!
Lexoje këtë tregim në Bibël:
Për diskutim:
Në cilat mënyra tregoi guxim Gjoni?
Gërmo më thellë
1. Pse themi se Gjoni kishte karakter të fortë? (bt 33, kutia ¶3-4)
2. Pse Gjonin e konsideronin ‘njeri të pashkolluar e të thjeshtë’? (Vep. 4:13; w08 15/5 30 ¶6)
3. Në ç’kuptim Gjoni qëndroi derisa erdhi Jezui? (Gjoni 21:22; w05 15/1 13 ¶14-15)
4. Pse arrijmë në përfundimin se Ungjillin e katërt e shkroi Gjoni? (it «Lajmi i mirë sipas Gjonit» ¶2-8-wcgr) (Figura A)
Fondation Martin Bodmer, Cologny (Genève)
Figura A: Dorëshkrim që daton rreth vitit 200 të e.s., me titull «Lajmi i mirë sipas Gjonit» (titulli është theksuar brenda një kutie)
Reflekto për mësimet
Në librat e frymëzuar që shkroi Gjoni, përmendi mbi 100 herë vdekjen e Jezuit dhe dobitë që vijnë prej saj. Si mund të tregojmë edhe ne se jemi mirënjohës për flijimin e Jezuit?
Gjoni ishte thuajse 100 vjeç kur Jehovai e frymëzoi të shkruante 5 libra të Biblës. Ç’mësojmë nga kjo për pikëpamjen që ka Jehovai për të moshuarit? (Figura B)
Figura B
Si mund ta imitosh guximin e Gjonit?
Zgjero këndvështrimin
Çfarë mëson për Jehovain nga ky tregim?
Si lidhet ky tregim me qëllimin e Jehovait?
Pse je mirënjohës që Gjoni është zgjedhur për të qeverisur me Krishtin në qiell?
Mëso më shumë
A mund të tregojnë motrat dhe vëllezërit e moshuar të njëjtin guxim si Gjoni?
Gjoni shkroi gjerësisht për dashurinë. Shih ç’mund të mësosh nga ajo që shkroi dhe nga shembulli i tij.
«Mësime nga ‘dishepulli që Jezui e kishte veçanërisht për zemër’» (w21.01 8-13)