MËSIMI 93
Jezui rikthehet në qiell
Në Galile, Jezui u takua me dishepujt dhe u dha një urdhërim shumë të rëndësishëm: ‘Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha vendet. Mësojuni gjërat që ju kam thënë dhe pagëzojini.’ Pastaj u premtoi: ‘Mos harroni, unë do të jem gjithmonë me ju.’
Gjatë 40 ditëve pas ringjalljes, Jezui iu shfaq qindra dishepujve në Galile dhe Jerusalem. Ai u dha mësime të rëndësishme dhe kreu shumë mrekulli. Më pas Jezui takoi për herë të fundit apostujt në Malin e Ullinjve. Në Jerusalem, ai u kishte thënë: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por rrini në pritje të asaj që premtoi Ati.»
Por apostujt nuk e kishin kuptuar ç’donte të thoshte. Prandaj tani e pyetën: ‘Tani do të bëhesh Mbret i Izraelit?’ Jezui iu përgjigj: ‘Për Jehovain nuk ka ardhur ende koha që të bëhem Mbret. Së shpejti do të merrni fuqi nga fryma e shenjtë dhe do të jeni dëshmitarët e mi. Shkoni dhe predikoni në Jerusalem, Jude, Samari e deri në pjesët më të largëta të tokës.’
Pastaj Jezui u ngjit në qiell dhe një re e mbuloi. Dishepujt vazhdonin të shikonin lart, por ai nuk dukej më.
Ata ikën nga Mali i Ullinjve për në Jerusalem. Aty filluan të mblidheshin rregullisht në një dhomë të sipërme dhe të luteshin. Prisnin që Jezui t’u jepte udhëzime të mëtejshme.
«Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14