MËSIMI 82
Jezui u mëson dishepujve si të luten
Çdo gjë që farisenjtë bënin, ishte për t’u bërë përshtypje njerëzve. Kur bënin ndonjë vepër të mirë, e bënin për të rënë në sy. Luteshin në publik që njerëzit t’i shihnin. Ata mësonin përmendsh lutje të gjata dhe i përsëritnin në sinagoga e kryqëzime rrugësh ku i dëgjonin të tjerët. Prandaj njerëzit u habitën kur Jezui u tha: ‘Mos u lutni si farisenjtë. Ata mendojnë se Perëndisë i bëjnë përshtypje fjalët e shumta, por nuk është kështu. Lutja është diçka mes jush dhe Jehovait. Mos thoni gjithmonë të njëjtat gjëra. Jehovai dëshiron që t’i thoni si ndiheni vërtet përbrenda.
Ja si duhet të luteni: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. “’ Gjithashtu Jezui u tha të luteshin për ushqimin e përditshëm, për faljen e mëkateve dhe për gjëra të tjera personale.
Jezui tha: ‘Mos reshtni kurrë së luturi. Vazhdoni t’i kërkoni gjëra të mira Atit tuaj, Jehovait. Çdo prind do që t’i japë gjëra të mira fëmijës së vet. Nëse djali të kërkon bukë, a do t’i jepje një gur? Nëse të kërkon një peshk, a do t’i jepje një gjarpër?’
Më pas Jezui u shpjegoi mësimin: ‘Nëse ju dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj, Jehovai, do t’u japë frymë të shenjtë! Gjithçka që duhet të bëni, është të kërkoni.’ Po ti, a e ndjek këshillën e Jezuit? Për çfarë lutesh?
«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.»—Mateu 7:7