Disiplina e udhëheq fëmijën njësoj si timoni drejton një varkë dhe e mban në kursin e duhur
PËR PRINDËRIT
6—Disiplina
ÇFARË DO TË THOTË
Fjala disiplinë mund të nënkuptojë të drejtosh ose të mësosh dikë. Me raste përfshin edhe ta ndreqësh fëmijën kur gabon. Gjithsesi, shpesh do të thotë edhe t’i mësosh vlerat morale që, mbi të gjitha, të dijë të bëjë zgjedhjet e duhura.
PSE KA RËNDËSI
Gjatë dekadave të fundit, në disa familje prindërit nuk i disiplinojnë thuajse fare fëmijët, me frikën se mos fëmijët humbasin respektin për veten. Sidoqoftë, prindërit e mençur vënë rregulla të arsyeshme dhe i mësojnë fëmijët t’u përmbahen atyre.
«Fëmijët kanë nevojë për kufij që të bëhen të rritur të ekuilibruar. Pa disiplinë, janë si anije pa timon, që përfundon në drejtim të gabuar ose fundoset fare.»—Pamela.
Ç’MUND TË BËSH
Mbaje fjalën. Nëse fëmija nuk i zbaton rregullat që i vë, mbaje fjalën duke mos ia kursyer ndëshkimin. Nga ana tjetër, ji gjithnjë gati ta lavdërosh kur bindet.
«I lavdëroj vazhdimisht fëmijët e mi ngaqë janë të bindur në një botë ku bindja është kaq e rrallë. Lavdërimet ua bëjnë më të lehtë të pranojnë ndreqjen kur duhet.»—Kristina.
PARIMI BIBLIK: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.
Ji i arsyeshëm. Kur e disiplinon fëmijën, merr parasysh moshën, aftësitë si dhe sa serioz ishte gabimi. Zakonisht korrigjimi është më i efektshëm kur lidhet drejtpërdrejt me gabimin—për shembull, nëse keqpërdor celularin, si ndëshkim mund t’ia heqësh ose t’ia kufizosh për njëfarë kohe. Në të njëjtën kohë mos e ekzagjero kur bëhet fjalë për çikërrima.
«Përpiqem të kuptoj nëse qëllimisht nuk u bind fëmija, apo thjesht gaboi pa dashje. Ka shumë ndryshim mes një zakoni që duhet çrrënjosur dhe një gabimi që mjafton të vihet në dukje.»—Uendëlli.
PARIMI BIBLIK: «Mos i provokoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»—Kolosianëve 3:21, shënimi.
Ji i dashur. Fëmijët e kanë më të lehtë ta pranojnë e t’ia vënë veshin disiplinës, kur e dinë që prindërit nisen nga dashuria.
«Kur djali gabonte, e siguronim se ishim krenarë për gjithë vendimet e mençura që kishte marrë në të shkuarën. Pastaj i shpjegonim se ky gabim nuk ia prishte emrin e mirë për sa kohë bënte ndryshimet e domosdoshme, dhe se ishim gati ta ndihmonim.»—Danieli.
PARIMI BIBLIK: «Dashuria është e duruar dhe plot mirësi.»—1 Korintasve 13:4.