BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 10/98 f. 21-24
  • «Ekspresi i çmendur» i Afrikës Lindore

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ekspresi i çmendur» i Afrikës Lindore
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Problemet e fillimit
  • Përmes Rrafshirës Taru
  • Të terrorizuar nga luanët
  • Vështirësi të tjera
  • Xhiroja e fundit
  • Hekurudha sot
  • Një «rrip i hekurt» nga deti në det
    Zgjohuni!—2010
  • Hekurudhat e Indisë​—Viganë që shtrihen në një shtet të tërë
    Zgjohuni!—2002
  • Najrobi​—Një «vend i ujërave të ftohta»
    Zgjohuni!—2004
  • Mbi 120 vjet për të përshkuar një kontinent
    Zgjohuni!—2008
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 10/98 f. 21-24

«Ekspresi i çmendur» i Afrikës Lindore

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KENIA

PROJEKTET britanike të bëra pak më shumë se 100 vjet më parë, për të ndërtuar një hekurudhë përgjatë Afrikës Lindore nuk u mbështetën menjëherë nga gjithkush në parlamentin e Londrës. Një kundërshtar shkroi në mënyrë tallëse:

«Sa do të kushtojë nuk shprehet me fjalë,

Ç’qëllim ka, asnjë tru s’mund ta imagjinojë,

Nga do të fillojë, kush e di vallë,

Ku do të mbarojë asnjë s’mund ta parashikojë.

Pse do të përdoret askush s’e ka hamendur,

Çfarë do të transportojë asnjë s’e përcakton,

Qartë, s’është tjetër veç një linjë e çmendur.»

Në realitet, projekti nuk ishte i menduar kaq keq sa thuhet më lart. Pritej që hekurudha të shtrihej rreth 1.000 kilometra nga Mombasa, porti detar i Kenias në Oqeanin Indian, deri në liqenin Viktoria. Përkrahësit e projektit siguruan se pasi të përfundohej, hekurudha do të mbështeste tregtinë dhe zhvillimin, si edhe do t’i jepte fund tregtisë së skllevërve në atë rajon. Kostoja e ndërtimit të hekurudhës u llogarit 5 milionë dollarë, të cilat duhej t’i paguanin taksëpaguesit britanikë. Koha e përllogaritur e ndërtimit ishte katër deri në pesë vjet.

Megjithatë, hollësitë ishin pak të paqarta. Kur Xhorxh Huithaus, kryeinxhinieri, mbërriti në Mombasa, në dhjetor të vitit 1895, ai kishte vetëm një skemë të rrugës që do të bënte hekurudha. Ajo që mësoi më vonë Huithausi ishte paksa frikësuese. Drejtpërdrejt në perëndim të Mombasas shtrihej një rajon i nxehtë pa ujë që shumica e karvaneve e shmangnin. Më pas, hekurudha do të kalonte përmes 500 kilometrave me savanë dhe shkurre që mizërinin nga luanët dhe gëlonin nga mizat cece e nga mushkonjat. Pastaj vinte rajoni malor vullkanik i ndarë më dysh nga ultësira Great Rift 80 kilometra e gjerë me skarpatet e thella 600 metra. Rreth 150 kilometrat e fundit që mbeteshin deri te liqeni thuhej se ishin një baltovinë e lagësht. S’ka shumë për t’u habitur që ndërtimi i kësaj hekurudhe do të bëhej një nga sagat më interesante afrikane.

Problemet e fillimit

Është e qartë se për një projekt të tillë kaq të madh duhej një ushtri punëtorësh. Meqë Mombasa ishte një komunitet i vogël, punëtorët u sollën nga India. Vetëm gjatë vitit 1896 mbi 2.000 punëtorë mbërritën me anije: gurgdhendës, kovaçë, karpentierë, gjeometra, skicografë, teknikë dhe punëtorë krahu.

Pastaj lindi problemi se Mombasa duhej bërë një vend i përshtatshëm pritjeje për sasitë kolosale të pajisjeve që do të vinin për të ndërtuar një hekurudhë 1.000 kilometra të gjatë. Vetëm shinat do të kërkonin 200.000 binarë, secili 9 metra i gjatë e me peshë rreth 200 kilogramë. Kërkoheshin edhe 1,2 milionë traversa (shumica prej çeliku). Për të fiksuar binarët me traversat do të duhej importimi i 200.000 pllakave bashkuese, 400.000 bulonave dhe 4,8 milionë kunjave fiksuese prej çeliku. Përveç këtyre, duheshin sjellë lokomotiva, vagona për lëndën djegëse, vagona rimorkio, vagona mallrash dhe vagona udhëtarësh. Por para se të vihej në tokë binari i parë, ishte e nevojshme të ndërtoheshin skela, magazina, fjetore për punëtorët, dyqane riparimesh dhe punishte. Shumë shpejt, qyteti i përgjumur bregdetar u transformua në një port modern.

Huithaus e kuptoi menjëherë se do të kishte probleme me ujin, duke qenë se ato pak puse që ekzistonin në Mombasa mezi i plotësonin nevojat e popullsisë vendase. Por, tani do të duhej një det me ujë për të pirë, për t’u larë dhe për qëllime ndërtimi. «Nga ajo që pashë dhe që di për vendin,—shkroi Huithaus,—nuk rekomandoj plan tjetër përveç trenave që sjellin ujë për 150 kilometrat e parë.» Ata trena ujëmbajtës do të duhej të mbanin të paktën 40.000 litra ujë në ditë!

Fillimisht inxhinierët e hekurudhës e zgjidhën problemin e ujit, duke i ngritur digë një burimi dhe duke ndërtuar një rezervuar për të mbajtur ujin e shiut. Më vonë, u sollën makineri për të distiluar ujin e detit.

Puna filloi dhe aty nga fundi i vitit 1896, një vit pasi Huithaus kishte mbërritur në Mombasa, ishin hedhur 40 kilometra shina. Pavarësisht nga kjo arritje, kritikët menjëherë vërejtën se nëse ndërtimi nuk do të shpejtohej, treni i parë nuk do ta bënte dot një udhëtim nga bregdeti deri në liqenin Viktoria të paktën deri në vitin 1920!

Përmes Rrafshirës Taru

Ndërkohë, punëtorët e ndërtimit u goditën nga sëmundjet. Në dhjetor të vitit 1896, tendat spitalore strehuan më shumë se 500 punëtorë të sëmurë me malarje, dizenteri, ulcera tropikale dhe pneumoni. Disa javë më vonë, gjysma e forcës punëtore ishte bllokuar nga sëmundja.

Megjithatë, puna vazhdoi dhe në maj binarët ishin shtrirë më shumë se 80 kilometra, deri në rrafshirën e thatë Taru. Edhe pse në shikim të parë terreni dukej ideal për një hap normal ndërtimi, Taru ishte një pyll me driza me gjemba të mprehtë sa një bojë njeriu. Re të dendura pluhuri të kuq i mbytnin punëtorët. Dielli digjte, duke pjekur tokën, rajoni ishte një furrë e mbushur me gjemba. Edhe natën, temperaturat zor se binin nën 40°C. Shkrimtari M. F. Hill, në historinë e tij zyrtare të ndërtimit të hekurudhës vërejti: «Dukej sikur vetë natyra e Afrikës ishte zemëruar për futjen e hekurudhës së njeriut të bardhë.»

Të terrorizuar nga luanët

Në fund të vitit 1898 hekurudha iu afrua lumit Savo, në kilometrin e 195-të. Atje, përveç problemeve të terrenit armiqësor, doli një problem tjetër, pasi dy luanë filluan të sulmonin punëtorët. Shumica e luanëve nuk e pëlqejnë njeriun si pre. Ata që sulmojnë njerëzit zakonisht ose janë tepër të plakur ose nuk janë në gjendje të kapin kafshë. Dy luanët në Savo, një mashkull dhe një femër, ishin përjashtim i rrallë. As të plakur e as të paaftë, ata vinin qetësisht natën dhe merrnin me vete viktima.

Punëtorët e frikësuar ndërtuan barrikada me gjemba përreth kampeve të tyre, mbajtën zjarre ndezur natën dhe vunë rojë që godiste teneqetë bosh të vajit me shpresë për t’i mbajtur larg kafshët. Në dhjetor punëtorët ishin terrorizuar kaq shumë nga luanët saqë disa prej tyre ndaluan një tren që po kthehej në Mombasa, duke u shtrirë mbi shina dhe rreth 500 prej tyre hipën në të. Vetëm rreth katër dyzina punëtorësh mbetën aty. Ndërtimi u ndërpre për tri javë, ndërsa punëtorët e kushtuan kohën duke forcuar mbrojtjen e tyre.

Përfundimisht luanët u kapën dhe puna rifilloi.

Vështirësi të tjera

Nga mesi i vitit 1899 binarët mbërritën në Nairobi. Nga aty linja vazhdoi në perëndim, duke manovruar tatëpjetë më shumë se 400 metra poshtë në ultësirën Rift dhe pastaj përsëri sipër në anën tjetër përmes pyjeve të dendura dhe prroskave të thella deri sa arriti në Mau Sumit, në një lartësi prej 2.600 metrash.

Problemet e ndërtimit të hekurudhës në një terren kaq të ashpër ishin mjaft sfiduese, por kishte edhe vështirësi të tjera. Luftëtarët vendas për shembull, u endën nëpër kamp dhe morën ato që u nevojiteshin: materiale ndërtimi, kabllo telegrafi për të bërë bizhuteri, si edhe dado, bulona dhe binarë për të bërë armë. Duke komentuar mbi këtë, sër Çarls Eliot, një ish-ambasador i Afrikës Lindore shkroi: «Mund ta imagjinoni se sa vjedhje do të bëheshin në një hekurudhë evropiane sikur kabllot e telegrafit të ishin varëse me perla dhe shinat të ishin armë sportive të kategorisë së parë . . . Nuk është për t’u habitur që [njerëzit e fiseve] u nxitën ndaj tundimit.»

Xhiroja e fundit

Kur punëtorët e hekurudhës iu afruan 10 kilometrave të fundit për në liqenin Viktoria, dizenteria dhe malarja pushtuan kampin. Gjysma e forcës punëtore ishte e sëmurë. Në të njëjtën kohë, erdhën shirat që e kthyen terrenin që tashmë ishte i lagësht në xhelatinë. Trasetë e hekurudhës u bënë kaq të buta, saqë trenat duhej të shkarkoheshin ndërsa ishin akoma në lëvizje, përndryshe do të anoheshin dhe do të zhyteshin në baltë. Një punëtor e përshkroi një tren të tillë, «duke ardhur ngadalë dhe me kujdes, duke u lëkundur nga njëra anë në tjetrën, duke lëvizur lehtë lart e poshtë si një anije në një det me pak dallgë dhe duke spërkatur baltë të lëngët deri në tre metra anash tij».

Më në fund, më 21 dhjetor 1901 u vu kunja e fundit fiksuese në binarin e fundit në portin Florenc (tani Kisumu) në bregun e liqenit Viktoria. Gjithsej, për të ndërtuar hekurudhën 937 kilometra të gjatë u deshën pesë vjet e katër muaj dhe me një kosto prej 9.200.000 dollarësh. Nga 31.983 punëtorët e importuar nga India, mbi 2.000 vdiqën, të tjerë u kthyen në Indi dhe mijëra të tjerë mbetën dhe u shtuan, duke formuar popullsinë e madhe aziatike të Afrikës Lindore sot. U ndërtuan 43 stacione hekurudhore bashkë me 35 viadukte e mbi 1.000 ura dhe nënkalesa urash.

Shkrimtarja Elpeth Huksli e quajti atë «hekurudha më e guximshme në botë». Megjithatë, mbetej një pyetje: A ia vlente barra qiranë apo hekurudha në realitet ishte një «linjë e çmendur», një humbje kolosale kohe, parash dhe jetësh?

Hekurudha sot

Përgjigjja e asaj pyetjeje gjendet në shqyrtimin e asaj që ndodhi gjatë afro 100 vjetëve që nga përfundimi i linjës fillestare. Lokomotivat me djegie me dru i lanë vendin më shumë se 200 lokomotivave të sotme me djegie diesel. Hekurudha është zgjeruar për të përfshirë dhjetëra qytete dhe provinca në Kenia dhe Ugandë. Ajo ka luajtur një rol jetësor në zhvillimin e kryeqyteteve Nairobi dhe Kampala.

Roli i hekurudhës sot është i dyfishtë. Së pari, ajo transporton pasagjerët në mënyrë të rehatshme dhe të sigurt në vendmbërritjet e tyre. Së dyti, hekurudha bën të mundur transportin e mallrave të tilla si: çimento, kafe, makineri, dru dhe artikuj ushqimorë. Edhe transferimi i konteinerëve të panumërt brenda vendit pasi janë shkarkuar nga anijet është një biznes i madh i Hekurudhave të Kenias.

Qartë, hekurudha ka dalë me një vlerë shumë të madhe për Afrikën Lindore. Ndoshta një ditë edhe ju do të kënaqeni duke qenë pasagjerë të hekurudhës së famshme, që njëherë e një kohë u përshkrua si «ekspresi i çmendur».

[Kutia dhe figura në faqen 24]

UDHËTIMI ME TREN

SI PËR turistët, ashtu edhe për vendasit treni është një mjet shumë i përdorur udhëtimi, veçanërisht midis Mombasës dhe Nairobit. Trenat e pasagjerëve nisen si nga Nairobi, ashtu edhe nga Mombasa çdo ditë në orën 19.00 fiks. Po qe se jeni duke udhëtuar në klasin e parë ose të dytë, para se të hipni në tren kontrolloni njoftimet për vagonin dhe ndarjen tuaj. Një kamerier që qëndron aty afër ju pyet nëse dëshironi ta hani darkën në orën 19.15 apo në orën 20.30. Ju zgjidhni dhe ai ju jep kuponin e duhur.

Ngjiteni në tren. Dëgjohet fishkëllima e lokomotivës dhe ndërsa treni niset nga stacioni ajri mbushet me muzikë.

Kur vjen koha e darkës, një punonjës ecën përgjatë korridorit të ngushtë duke i rënë një ksilofoni të vogël që mbahet me dorë për t’ju bërë të ditur se darka është gati. Në vagonin-restorant ju porositni nga menuja dhe ndërsa jeni duke ngrënë një punonjës hyn në dhomën tuaj për t’ju bërë gati krevatin.

Pjesa e parë e udhëtimit është natën. Megjithatë, para se të flini mund të dëshironi të fikni dritën e ndarjes suaj, të shihni jashtë nga dritarja dhe të pyesni veten: ‘Ç’të jenë vallë ato hije dhe silueta nën dritën e hënës, elefantë dhe luanë apo thjesht shkurre dhe drurë? Si do të të dukej të flije atje jashtë rreth 100 vjet më parë kur po ndërtohej hekurudha? A do të kishe pasur frikë ta bëje këtë gjë atëherë? Po tani?’

Udhëtimi zgjat tamam 14 orë, kështu që keni shumë për të parë pasi agimi ndriçon peizazhin afrikan. Po të udhëtoni për në Mombasa, dielli i mëngjesit ngrihet i kuq mbi një pyll shkurresh, i cili i lë vendin pemëve të palmave dhe pastaj lëndinave të kositura, gardheve të thurura dhe ndërtesave moderne të Mombasës. Fermerët i punojnë fushat e tyre me dorë, ndërsa fëmijët këmbëzbathur përshëndetin me dorë dhe me thirrma pasagjerët në tren.

Po të jeni duke udhëtuar për në Nairobi, drita e parë vjen ndërsa jeni duke kaluar përmes një rrafshire të gjerë e të hapur. Atje është e lehtë të pikasësh kafshë, veçanërisht ndërsa kaloni Parkun Kombëtar të Nairobit.

Përvoja është vërtet e pashoqe. Në cilin tren tjetër mund të hani një mëngjes të këndshëm, ndërsa hidhni sytë jashtë dritares për të parë tufat me zebra dhe antilopa?

[Burimi]

Hekurudha e Kenias

[Harta dhe figurat në faqen 23]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

KENIA

Liqeni Viktoria

Kisumu

NAIROBI

Savo

Mombasa

OQEANI INDIAN

[Burimet]

Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

Hartë e Afrikës në glob: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

Femër dhe mashkull kudu. Lydekker

Trena: Hekurudha e Kenias

Luaneshë. Century Magazine

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo