Të rinjtë pyesin . . .
Si mund ta mbaj mendjen të përqendruar?
«Kalova vite të tëra duke u ulur në mbledhje e duke mos nxjerrë shumë dobi prej tyre. Mendja ime thjesht hallakatej.»—Methju.
A TË ka ndodhur që të jesh ulur në një klasë shkolle ose në një mbledhje të krishterë dhe papritur ke kuptuar se nuk ke as idenë më të vogël të asaj që po flitet aty? E pra, nëse mendja jote është e prirur për t’u hallakatur herë pas here, nuk je i vetmi me këtë problem. Siç është theksuar në një artikull të mëparshëm, përqendrimi me momente të shkurtra është i zakonshëm mes të rinjve.a Sidoqoftë, me pak përpjekje dhe ndonjë rregullim në qëndrim, mund të mësosh të rritësh aftësinë tënde të përqendrimit.
Interesohu
Mendo pak për një atlet të stërvitur. «Kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha»,—thotë apostulli Pavël. Nëse një atlet lë që të shpërqendrohet sikur edhe për një moment, kjo gjë mund t’i kushtojë atij garën. Për të fituar ai duhet të mësojë të përqendrohet, duke mos ia vënë veshin tingullit të turmës zhurmuese, duke shpërfillur dhimbjen dhe sfilitjen e tij, duke hequr nga mendja edhe mendimin e dështimit. Por, çfarë i shtyn atletët të bëjnë këto përpjekje të jashtëzakonshme? Sipas apostullit Pavël, ata e bëjnë këtë «për të marrë një kurorë që prishet», trofetë dhe medaljet që u jepen fituesve.—1. Korintasve 9:25.
Në mënyrë të ngjashme, ti duhet të jesh i motivuar për të kushtuar vëmendje! Libri Study Is Hard Work nga Uiliam H. Armstrong, thotë: «Është përgjegjësia e studentit që të jetë i interesuar. Asnjeri nuk mund të jetë i interesuar në vendin tënd dhe askush nuk mund ta rritë interesin tënd nëse nuk e dëshiron ti.» Njohuria është çelësi për të kuptuar botën që të rrethon. Sa më shumë të dish, aq më shumë mund të mësosh. «Për të mençurin mësimi është i lehtë»,—thuhet në Fjalët e urta 14:6, DSF. Ndoshta mund të mos i mbash mend të gjitha gjërat që mëson në shkollë, por në fund të fundit shkolla të ndihmon të ushqesh dhe të kultivosh aftësinë e të menduarit. (Krahaso Fjalët e urta 1:4.) Të kesh disiplinë mendore dhe aftësinë për t’u përqendruar do të jetë për dobinë tënde gjatë gjithë jetës.
Mësues të mërzitur e të mërzitshëm
Mirëpo, disa adoleshentë ankohen se edhe mësuesve të tyre duket që u mungon interesi. Një i ri i quajtur Xhesi thotë: «Mësuesit dalin para klasës, thonë diçka, të japin detyrat e shtëpisë dhe të lënë të lirë. Mendoj se ata e kanë lëshuar veten. Mësuesit nuk mësojnë në një mënyrë që të bën të kuptosh se është e rëndësishme, kështu që ne nuk shohim nevojën për të kushtuar vëmendje.»
Atëherë, mos duhet të nxjerrësh përfundimin se të kushtosh vëmendje është një humbje kohe? Jo medoemos. Shumë mësues thjesht mund të jenë zënë në një rreth vicioz. Një adoleshent i quajtur Kolën shpjegon: «Asnjëri nuk u kushton vëmendje mësuesve, kështu që mësuesit mendojnë se asnjë nuk do të mësojë. Atëherë edhe ata nuk i kushtojnë shumë energji dhe entuziazëm mësimdhënies.»
E beson apo jo, ti mund të jesh në gjendje të ndihmosh për ta ndalur këtë rreth vicioz. Si? Thjesht duke kushtuar vëmendje. Edhe sikur të ketë vetëm një student të interesuar, kjo mund të jetë gjithçka që i duhet një mësuesi për ta rinovuar interesin në punën e tij. Kuptohet, disa mësues thjesht nuk kanë aftësinë për të mbajtur gjallë interesin e një klase të tërë. Por, para se t’ia lejosh vetes të zhytesh në ëndërrime, pyet veten: ‘A e di ky mësues atë që po thotë?’ Nëse po, vendos që të mësosh diçka prej tij. Dëgjo me kujdes, përqendrohu! Përfshihu në diskutimet në klasë. Bëj pyetje me vend. Libri How to Study in High School vëren: «Shumë studentë e kanë parë të dobishme të mbajnë shënim diagrama, fjalë, skica, përkufizime dhe ide kryesore, të cilat mësuesi i shkruan në dërrasën e zezë ose i thekson me gojë.»
Të kushtojmë «më tepër se një vëmendje të zakonshme»
Por, shuma e vënë në lojë është shumë më e lartë kur bëhet fjalë për të dëgjuar në mbledhjet e krishtere. Xhesi pranon: «Disa herë të rinjtë nuk i kushtojnë vëmendje mbledhjeve, sepse nuk e kuptojnë se sa të rëndësishme janë ato.» Në Hebrenjve 2:1, na urdhërohet që «t’u kushtojmë më tepër se një vëmendje të zakonshme gjërave të dëgjuara nga ne, që të mos na rrëmbejë rryma». (BR) Pasi ke ndjekur një mbledhje të kongregacionit a mund të rikujtosh diçka nga çdo prezantim? Apo disa herë zbulon se nuk mund të mbash mend edhe se kush ishte në program?
Edhe një herë e themi, e gjithë kjo ka të bëjë me kuptimin e rëndësisë së asaj që po mëson. E pra, këtu përfshihet vetë jeta jote! (Gjoni 17:3) Një pikë tjetër për të medituar: Kur mëson për Biblën, je duke mësuar të mendosh si vetë Perëndia! (Isaia 55:8, 9) Dhe kur e zbaton atë që mëson, po vesh atë që Bibla e quan «personaliteti i ri». (Kolosianëve 3:9, 10, BR) Nga ana tjetër, nëse nuk kushton vëmendje, mund të mos i bësh përmirësimet e duhura në jetën tënde, e kështu do të pengosh rritjen tënde frymore. Jehovai e di se të gjithë ne kemi prirjen që ta shpërqendrojmë mendjen. Kështu ai na lutet: «Më dëgjo me kujdes . . . Mbaj vesh dhe eja tek unë. Dëgjo dhe shpirti yt do të mbetet i gjallë.»—Isaia 55:2, 3, BR.
Si të nxirret më shumë dobi nga mbledhjet
Por, pavarësisht nga kjo, të kushtosh vëmendje të plotë në mbledhje mund të jetë e vështirë në fillim. Por, kërkuesit thonë se sa më shumë e praktikojmë përqendrimin, aq më i aftë do të jetë truri ynë për të bërë këtë punë. Methju, i cituar në hyrje, e kapërceu tendencën që kishte për t’u hallakatur gjatë mbledhjeve. Ai thotë: «Zbulova se duhet ta disiplinoj veten për të kushtuar vëmendje. Pas pak kohe bëhet më e lehtë dhe mund të kushtosh vëmendje për periudha më të gjata kohe.» Methju thekson edhe faktorin e vetëm kryesor që ia bën mbledhjet të këndshme. Ai thotë: «Studioj më përpara.» Një e re e quajtur Shëres thotë në mënyrë të ngjashme: «Kur jam e përgatitur, e ndiej më shumë se përfshihem në mbledhje. Fjalimet më duken më të thella dhe kanë më shumë kuptim për mua.»
E rëndësishme është edhe të bllokosh mendimet shpërqendruese. Vërtet, mund të kesh një numër shqetësimesh të vlefshme që të vijnë nëpër mend: një provim që ke javën tjetër, një konflikt personaliteti që të shkakton stres, ndonjë shpenzim që të duhet të bësh. Por Jezui dha këtë këshillë: «E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese, është i zoti ta zgjatë sado pak jetën e vet? Prandaj, mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft pikëllimi i vet.» (Mateu 6:27, 34, DSF) Përqendrimi i vëmendjes në mbledhjet e kongregacionit nuk do t’i largojë problemet e tua, por do të të ndihmojë për ta rinovuar gjendjen tënde frymore që t’i përballosh më mirë problemet.—Krahaso 2. Korintasve 4:16.
Edhe dëgjimi me vëmendje mund të të ndihmojë për të qenë i përqendruar. Methju thotë: «Përpiqem ta mendoj që më parë se çfarë do të theksojë oratori gjatë fjalimit dhe pastaj dëgjoj se si e bën ai këtë.» Pyet veten: ‘Cilat janë pikat kryesore që po diskutohen? Si mund ta përdor atë që po mësohet?’ Të mendosh më përpara se çfarë do të thotë oratori mund të të ndihmojë ta mbash mendjen të përqendruar. Përpiqu të ndjekësh linjën e arsyetimit të tij. Vër re argumentet biblike që përdor. Reflekto mbi to dhe përmblidh pikat kryesore të fjalimit. Mbaj shënime të shkurtra e me kuptim. Kur një pjesë e mbledhjes kërkon pjesëmarrjen e auditorit, merr pjesë! Duke bërë kështu do ta mbash mendjen të zënë dhe mendimet e tua nuk do të shëtisin.
Pranohet se dëgjimi mund të jetë një sfidë nëse ndonjë oratori i mungon entuziazmi ose mban një fjalim pa gjallëri. Kujto se si e konsideronin disa të krishterë të shekullit të parë aftësinë oratorike të apostullit Pavël, kur thanë: «Prania e tij si person është e dobët dhe i foluri i tij [është] i përbuzshëm.» (2. Korintasve 10:10, BR) Por Pavli iu përgjigj kësaj kritike duke thënë: «Edhe nëse jam i papërvojë në të folur, sigurisht që nuk jam i tillë në njohuri.» (2. Korintasve 11:6, BR) Po, sikur dëgjuesit e tij të kishin parë përtej aftësisë oratorike të Pavlit dhe të ishin përqendruar në thelbin e asaj që tha ai, ata mund të kishin mësuar shumë nga «gjërat e thella të Perëndisë». (1. Korintasve 2:10, BR) Në një mënyrë të ngjashme, ti mund të mësosh edhe nga një orator «pa gjallëri», nëse përqendrohesh dhe dëgjon. Kush e di? Ai ndoshta mund të prekë ndonjë nuancë kuptueshmërie ose ta aplikojë një shkrim në një mënyrë që nuk e kishe dëgjuar më parë.
Fjalët e Jezuit në Lukën 8:18, BR, i përmbledhin bukur gjërat: «Kushto vëmendje ndaj mënyrës se si dëgjon.» Kuptohet, të mësosh ta përqendrosh mendjen dhe të mos hallakatesh do të kërkojë përpjekje dhe praktikim. Por me kalimin e kohës do të nxjerrësh dobi. Të mësosh të përqendrohesh mund të të sjellë nota më të mira dhe ç’është më e rëndësishme, do të sjellë rritjen frymore!
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Të rinjtë pyesin: Pse nuk mund të përqendrohem?» në numrin tonë të 22 korrikut, 1998, në anglisht.
[Figura në faqen 20]
Zhvillimi i interesit në atë që dëgjon është çelësi që të ndihmon për të kushtuar vëmendje