Kirurgjia pa gjak: Dobitë e saj bëhen të njohura
NË VITIN 1996, Kolegji Mbretëror i Kirurgëve në Angli botoi një librezë të quajtur Kodi i praktikave për trajtimin kirurgjik të Dëshmitarëve të Jehovait. Në atë librezë kirurgët vërenin: «Rreziqet e transfuzionit të gjakut e bëjnë të dëshirueshëm shqyrtimin e masave alternative kurdo që të jetë e mundur.»
AHA NEWS, e botuar nga Shoqata Spitalore Amerikane, raportoi mbi arsyen se përse kirurgjia pa gjak është bërë e njohur. «Ajo që filloi si një bindje fetare po kthehet në parapëlqim mjekësor dhe teknologji të përparuar,—vërente e përjavshmja periodike.—Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak, të motivuara pjesërisht nga doktrinat e Dëshmitarëve të Jehovait, po shkojnë përtej nevojave të një shoqërie fetare, duke depërtuar në dhomat e operacionit në mbarë kombin.»
Arsyeja se përse shumë mjekë po përkrahin kirurgjinë pa gjak ishte një temë e shtjelluar në edicionin e fundit për vitin 1997 të një shtojce të revistës Time. «Frika e SIDA-s është vetëm një prej arsyeve»,—thoshte artikulli. Aty raportohej veçanërisht mbi punën që po bëhet në Institutin për Përparimin e Mjekësisë dhe të Kirurgjisë pa Gjak në Spitalin Engëlvud të Nju Xhersit, në Engëlvud, Nju Xhersi.
Time vërente: «Ky institut është kryesues mes më shumë se 50 të tillëve në SHBA që tani praktikojnë kirurgjinë pa gjak. Pa përdorimin fare të gjakut të dhuruar, ata ofrojnë një gamë të gjerë procedurash kirurgjike që zakonisht do të përfshinin transfuzione, bashkë me teknika që ulin së tepërmi ose gati-gati eliminojnë, humbjen e gjakut.»
E efektshme dhe e sigurt
Hyrja e artikullit të revistës Time trajtonte përvojën e Henri Xheksonit, që pësoi një hemorragji të brendshme masive, e cila thau 90 përqind të gjakut dhe e uli nivelin e hemoglobinës në 1,7 gramë për decilitër, shifër kërcënuese për jetën. Xheksonin e transferuan në spitalin Engëlvud nga një spital tjetër i Nju Xhersit, i cili nuk mund t’ia siguronte mjekimin pa përdorimin e transfuzionit të gjakut.
Në spitalin Engëlvud, nën kujdesin e dr. Arje Shandër, Xheksonit iu dhanë «doza të fuqishme plotësuesish hekuri e vitaminash, plus ‘doza të forta’ të një ilaçi ndërtues të gjakut, eritropojetinë artificiale që stimulon palcën e kockave për të prodhuar qelizat e kuqe të gjakut. Në fund, i dhanë lëngje brendavenoze për të stimuluar atë pak qarkullim që kishte mbetur».
Revista Time raportoi se disa ditë më vonë, «spitali i parë telefonoi për të pyetur nëse Xhekson kishte vdekur. Me një kënaqësi fare hapur, Shandër u tha: ‘Jo vetëm që s’ka vdekur, por është mirë dhe gati për të dalë nga spitali, e së shpejti do të jetë përsëri në punën e tij të zakonshme.’ ».
Në një intervistë televizive të bërë më 28 nëntor 1997, dr. Edvin Ditç, drejtori mjekësor për programin pa gjak në Spitalin e Universitetit, Niuark, Nju Xhersi, shpjegoi se si u zhvilluan kërkimet për kirurgjinë pa gjak: «Dëshmitarët e Jehovait . . . bënë shumë përpjekje për të gjetur mjekë që do të operonin pa gjak. Disa prej rezultateve të studimeve të tyre zbuluan se ata kishin dalë më mirë sesa pritej, [sesa] njerëzit që merrnin gjak.»
Dr. Ditç shtoi: «Gjaku mund të ulë efektshmërinë e sistemit imunitar dhe të shkaktojë probleme me infeksionet pas operacionit, mund të rritë rrezikun e shfaqjes përsëri të një kanceri. Kështu që gjaku, edhe pse ishte i dobishëm në disa rrethana, del se ka një anë negative.» Për kirurgjinë pa gjak, dr. Ditç përfundoi: «Kjo e përmirëson qartë rezultatin e pacientit me më pak ndërlikime dhe kushton më pak. Për këtë arsye ajo fiton vërtet në të gjitha rrethanat.»
Kështu, siç tha revista Time, «gjithnjë e më tepër pacientë po ngulin këmbë në alternativa më të sigurta e më të efektshme sesa transfuzionet». Revista raportonte, gjithashtu: «Sipas disa përllogaritjeve, 25% e transfuzioneve në SHBA janë të panevojshme. Ka edhe tregues se pacientët nuk mund të tolerojnë nivele hemoglobine aq të larta sa ç’ishin menduar më parë dhe se veçanërisht të rinjtë kanë një rezervë të brendshme gjaku. . . . [Shandër] është i bindur se mospërdorimi i gjakut është një zgjedhje me mundësi për sukses dhe e parapëlqyer për shumicën e pacientëve.»
Edhe pse marrja e sëmundjeve nëpërmjet transfuzioneve të gjakut është një rrezik kryesor, ka edhe rreziqe të tjera. «Gjaku i depozituar, pasi është ngrirë dhe magazinuar, nuk ka kapacitetin e gjakut të freskët për të transportuar oksigjenin,—shpjegoi dr. Shandër.—Ne sapo kemi filluar të kuptojmë se çfarë ndodh kur bëjmë një transfuzion.»
«Etaloni i kursimit»
«Në fund,—përfundoi Time,—mbetet kostoja: po të llogaritësh rreth 500 dollarë për çdo transfuzion, plus shtesat administrative, fatura totale arrin mes 1 miliardë dhe 2 miliardë dollarëve në vit, një arsye më se e mjaftueshme për të marrë në shqyrtim alternativat.» Kostoja marramendëse e transfuzioneve të gjakut tani duket se është një arsye kryesore se përse kirurgjia pa gjak është bërë kaq e përhapur.
Sharën Vernon, drejtoresha e Qendrës për Mjekësinë dhe Kirurgjinë pa Gjak, në Spitalin Bamirës St. Vinsent, në Klivlend, Ohajo, tha për mjekimin e pacientëve pa përdorimin e gjakut: «Po rritet, sepse mjekët po e pranojnë që mjekësia pa gjak është etaloni i kursimit në një shoqëri ku kërkohet të ulet kostoja. Kemi pasur përvoja se edhe shoqëritë e sigurimeve që normalisht nuk lidhen me ne, i dërgojnë njerëzit te ne, sepse kjo gjë u kursen atyre para.»
Duket qartë se kirurgjia pa gjak po bëhet e njohur me shpejtësi në komunitetin mjekësor dhe kjo gjë ndodh për një numër arsyesh.
[Kutia në faqen 11]
Vendime të fundit nga gjykatat
Dy vendime gjykatash të nxjerra në shtetin e Ilinoisit, SHBA, më nëntor dhe dhjetor 1997, ishin domethënëse. Në të parin, Meri Xhonsit, një Dëshmitare e Jehovait, iu dha dëmshpërblimi prej 150.000 dollarësh, sepse në vitin 1993 i kishin bërë transfuzion me dy njësi gjaku me gjithë kundërshtimin e saj të qartë ndaj kësaj forme mjekimi. Kjo është shuma më e madhe që ka marrë ndonjëherë një Dëshmitar i Jehovait për dëme emocionale që kanë ardhur si pasojë e një transfuzioni gjaku të padëshiruar.
Rasti i dytë përfshinte Darlin Braun, një Dëshmitare që në atë kohë ishte shtatzënë, së cilës i ishte bërë me forcë transfuzioni i gjakut për hir të fetusit 34 javësh që kishte. Më 31 dhjetor 1997, Gjykata e Apelit e Ilinoisit shpjegoi vendimin që kishte marrë, duke thënë se «një transfuzion gjaku është një procedurë që zhvillohet brenda trupit, e cila ndërpret integritetin trupor të të rriturit». Gjykata e Apelit e përmblodhi vendimin e saj, duke thënë se «nën ligjin e këtij shteti, . . . ne nuk mund të vendosim një detyrim ligjor mbi një grua shtatzënë për të lejuar një procedurë mjekësore që zhvillohet brenda trupit».
Më 9 shkurt, 1998, Gjykata e Lartë e Tokios hodhi poshtë vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte nxjerrë vendimin se një mjek kishte qenë i justifikuar kur i bëri Misae Takedës një transfuzion gjaku gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike në vitin 1992. Gjykata e Lartë deklaroi se «e drejta e pacientit për të zgjedhur mjekimin duhet respektuar. Ishte kundër ligjit dhënia e një transfuzioni gjaku». Misae Takedës iu dhanë si dëmshpërblim 550.000 jen (4.200 dollarë).