Dashuria ime për tokën do të realizohet përgjithmonë
Treguar nga Dorëthi Kanëli
Kur isha e vogël, më thanë se do të shkoja në ferr, sepse jam aborigjene. Vite më vonë, në vitin 1936, dëgjova një incizim të një leksioni nga Bibla që, si të thuash, vuri zorrën e ujit mbi ferrin dhe ndezi një flakë në zemrën time. Kjo flakë tani është më e shndritshme se kurrë. Para se të shpjegoj përse, më lejoni t’ju them diçka për veten.
KAM lindur rreth vitit 1911. Them «rreth», sepse në ato ditë aborigjenët nuk merakoseshin shumë me datat dhe certifikatat e lindjes. Prindërit e mi ishin njerëz që i druheshin Perëndisë dhe shumë punëtorë. Jetonim në qytetin e vogël të Springshurit, afër vargmalit të bukur e të thepisur Karnarvon, në Kuinslendin Qëndror, Australi.
Babai im u edukua në besimin e Kishës Katolike të Romës nga një familje e racës së bardhë. Megjithatë, prindërit e mi aborigjenë më kalitën zakonet e tyre vendase dhe dashurinë për tokën. Gjuanim kangurë, emu, breshka dhe gjarpërinj, si edhe kapnim peshk dhe krimbalesha (larva të mëdha të ngrënshme). Por unë nuk kam ngrënë kurrë emu. Në familjen tonë, vetëm mua më ishte ndaluar sepse ishte totemi im personal. Sipas traditës aborigjene ose «Kohës së ëndrrave», çdo pjesëtar i fisit ka totemin e tij ose të saj dhe ndalimi mbi atë send detyrohej nga familja dhe fisi.
Edhe pse totemizmi i ka rrënjët në besëtytni, detyrimi i kësaj tabuje ishte një përkujtues për shenjtërinë e jetës. Aborigjenët nuk vritnin për qejf. Kujtoj se si dridhesha nën zjarrin e zemërimit të babait, kur më kapi duke u hequr gjymtyrët karkalecave të gjallë, kur isha e vogël. «Kjo është e tmerrshme!—thirri ai.—Nuk e di ti se Perëndia e urren mizorinë? Do të të pëlqente sikur dikush ta bënte këtë punë me ty?»
Ne kishim shumë besëtytni. Për shembull, nëse një bishtlëkundës frikacak (një zog shumë i vogël) luante në fushën tonë, do të thoshte lajme të këqija ose, nëse një buf ulej mbi një trung peme gjatë ditës, besonim se do të thoshte që dikush do të vdiste. Edhe disa ëndrra konsideroheshin si ogure. Për shembull, po të shihje në ëndërr ujë të turbullt, do të thoshte se dikush në familje ishte sëmurë. Por, nëse uji pikonte llum, atëherë supozohej se dikush kishte vdekur. Vërtet që ne ishim katolikë, por kjo gjë nuk i largonte gjithë besëtytnitë tona fisnore.
Familja ime ruante edhe gjuhën aborigjene. Gjithsesi, tani ajo është një nga shumë gjuhët që po i afrohen zhdukjes. Megjithatë, unë mund ta përdor ende në disa raste këtë gjuhë kur flas me të tjerët rreth Biblës. Por, në shumicën e rasteve përdor gjuhën angleze ose pixhinen vendase.
Stërvitje e hershme me vlerë
Kur isha rreth dhjetë vjeçe, familja jonë e siguronte jetesën duke punuar në një fermë blegtorale rreth 30 kilometra larg Springshurit. Çdo ditë ecja në këmbë për disa kilometra deri në shtëpinë e fermës për të bërë punët e shtëpisë. Paga ime ditore ishin një gavetë (kuti e vogël teneqeje) me qumësht dhe një bukë. Familja jonë jetonte në kasolle të bëra me lëvore druri, banesa tradicionale aborigjene. Kur binte shi, e kalonim natën duke fjetur në guva aty afër. A e konsideroja të vështirë këtë mënyrë të thjeshtë jete? Jo. Ajo kishte qenë mënyra e jetesës aborigjene për shekuj të tërë dhe ne e pranonim ashtu siç ishte.
Faktikisht, jam e kënaqur që jeta nuk m’u servir mbi një pjatë argjendi, si të thuash dhe që pata prindër të dashur, të cilët më disiplinuan, më bënë të punoja shumë dhe më mësuan se si ta siguroj jetesën nga toka. Në vitin 1934, pak kohë pasi u transferuam në një rezervat afër Uorabindas, Kuinslend, u largova nga shtëpia për herë të parë dhe shkova në perëndim për të punuar në fermat e gjedhëve dhe të deleve si shërbyese shtëpiake dhe për të dhënë një dorë në punët e përgjithshme. Me kalimin e kohës puna më çoi në lindje të vendit, tamam në rrethinat e qytetit bregdetar të Rokhamptonit. Atje takova burrin tim të ndjerë, Martin Kanëli, birin e një irlandezi. U martuam në vitin 1939.
Mësoj të vërtetën biblike
Gjithnjë kam pasur një respekt të thellë për Biblën. Kur isha e re, zonja e fermës blegtorale na mblidhte ne fëmijëve së bashku, aborigjenë e të bardhë dhe na tregonte histori për Jezuin. Një herë, ajo shpjegoi domethënien e fjalëve të Jezuit: ‘Mos i ndaloni fëmijët e vegjël që të vijnë tek unë.’ (Mateu 19:14, King James Version) Për herën e parë që kur më kishin thënë se isha e dënuar të shkoja në ferr, pashë një rreze shprese për veten.
Më vonë, dëgjova fjalimin e incizuar, të përmendur në hyrje, mbi faktin se ferri nuk është i zjarrtë. Edhe pse ajo gjë më bëri të filloja të mendoja, nuk pata më kontakt me Dëshmitarët e Jehovait deri në vitin 1949. Atëherë jetonim në Emerald, rreth 250 kilometra në perëndim të Rokhamptonit. Vizitori ynë, R. Benet Brikëll,a na foli për Biblën. Pas kësaj, shtëpia jonë u bë shtëpia e Benit sa herë që vinte në zonën tonë. Që të gjithë, duke përfshirë edhe Martinin dhe katër fëmijët tanë, kishim një respekt të thellë për të. Martini nuk kishte interes në mesazhin e Biblës, edhe pse ishte gjithnjë i dashur dhe mikpritës ndaj Dëshmitarëve dhe në veçanti ndaj Benit.
Beni më dha shumë mjete ndihmëse për studimin e Biblës, por ekzistonte një problem kryesor: unë nuk dija të lexoja. Kështu, me durim Beni na lexonte Biblën dhe literaturën biblike mua dhe fëmijëve, duke shpjeguar gradualisht atë që lexonte. Sa në kontrast të gjallë ishte ai me klerikët që, pasi kishin mbaruar punë me formalitetet fetare, kurrë nuk harxhuan as edhe pesë minuta për të na mësuar si të lexonim! Beni na tregoi nga Bibla se Satanai dhe demonët e tij janë autorët e besëtytnive të shumta që mbajnë në vargonj njerëzimin, duke përfshirë edhe popullin tim. Fitova një çmueshmëri të madhe për fjalët e Jezuit, që thoshte se «e vërteta do t’ju bëjë të lirë».—Gjoni 8:32.
U rrëqetha kur mësova qëllimin e Perëndisë për të bërë një parajsë tokësore për ata që i bindeshin atij. Mbi të gjitha, fitova një dëshirë të zjarrtë për ringjalljen e të vdekurve, pasi mamaja kishte vdekur në vitin 1939 dhe babai në vitin 1951. Shpesh mendoj me padurim për ditën kur do t’i përqafoj dhe do t’u uroj mirëseardhjen përsëri në tokën që e deshën kaq shumë. E çfarë rrëqethjeje do të jetë kur t’u mësoj atyre për Perëndinë Jehova dhe për Mbretërinë e tij!
Një predikuese analfabete
Ndërkohë që njohuria ime biblike rritej, unë doja ta ndaja atë me të tjerët. Flitja me të afërmit dhe miqtë, por doja të zgjerohesha në predikim. Kështu, kur erdhi herën tjetër Beni në Emerald, i mblodha shpejt e shpejt fëmijët dhe të gjithë shkuam me të për të predikuar. Ai demonstroi prezantime të thjeshta dhe më mësoi të mbështetesha te Jehovai me anë të lutjes. Duhet ta pranoj se prezantimi im nuk ishte shumë i rafinuar, por vinte nga zemra.
Së pari, u thosha pronarëve të shtëpive se nuk dija të lexoja e së dyti, i ftoja të lexonin vargjet biblike që u tregoja atyre. I kisha mësuar përmendësh këto vargje. Pati edhe disa vështrime të habitura në këtë qytet ku mbizotëronte popullsia e bardhë, por njerëzit rrallë ishin të pasjellshëm. Me kalimin e kohës, mësova të lexoja. Sa e rriti kjo gjë besimin te vetja dhe gjendjen time frymore!
Kongresi i parë për mua
Në mars të vitit 1951, pasi ia kisha dedikuar jetën Jehovait, arrita në dy pikat e tjera kryesore të jetës sime: pagëzimi në ujë dhe kongresi i parë i Dëshmitarëve të Jehovait ku merrja pjesë. Por, kjo gjë donte të thoshte të udhëtoja për në qytetin e madh të Sidneit, një mendim hutues për një vajzë fshati. Për më tepër, nuk kisha lekë për udhëtimin me tren. Pra, çfarë të bëja?
Vendosa të luaja bixhoz që të fitoja lekët për udhëtimin. ‘Po e bëj për Jehovain,—arsyetova,—prandaj, ai do të më ndihmojë patjetër për të fituar.’ Pasi kisha bërë disa lojëra me letra, mendova se më kishte ndihmuar, pasi kisha fituar mjaft lekë sa të paguaja të gjithë udhëtimin vajtje-ardhje.
Beni i dinte planet e mia për të shkuar në Sidnei, kështu që herën tjetër që na vizitoi, më pyeti nëse kisha mjaft lekë. «Oh, po!—iu përgjigja.—E fitova udhëtimin me tren, duke luajtur bixhoz.» Në moment, fytyra e tij mori ngjyrë domateje dhe e kuptova menjëherë se kisha thënë diçka të gabuar. Prandaj, duke kaluar menjëherë në mbrojtje, shtova: «Çfarë ka që nuk shkon? Nuk i vodha ato lekë!»
Kur u qetësua, Beni me dashamirësi më shpjegoi se përse të krishterët nuk luajnë bixhoz dhe shtoi, duke më siguruar: «Por, nuk është faji yt. Unë nuk të kisha thënë.»
Më bëjnë të ndihem e mikpritur
Ai kongres katër-ditor, 22-25 mars 1951, ishte kontakti im i parë me një numër të madh Dëshmitarësh. Duke qenë se njihja vetëm Benin dhe pak të tjerë, nuk isha e sigurt për pritjen që do të kisha. Prandaj, mund ta imagjinoni sa e gëzuar isha që u prita me ngrohtësi nga vëllezërit dhe motrat e mi të ardhshëm, të cilët nuk treguan asnjë gjurmë paragjykimi. U ndjeva me të vërtet në shtëpi dhe rehat.
Ai kongres ka mbetur ende i gjallë në kujtesën time, veçanërisht sepse isha mes 160 të pagëzuarve në Gjirin Botani. Me sa dukej, unë isha një prej aborigjenëve të parë australianë që bëheshin Dëshmitarë të Jehovait. Fotografinë time e nxorën në gazetën e së dielës dhe në një dokumentar që u shfaq në teatrot e qytetit.
Dëshmitarja e vetme në qytet
Një muaj pasi isha kthyer nga Sidnei, familja jonë u transferua në Maunt Isa, një qytet minierë në Kuinslendin veriperëndimor. Për gjashtë vjet jetuam në një kasolle si kujdestarë të një pjese të madhe toke në periferi të qytetit. Muret e kasolles i ndërtuam me lëndë drunore që e premë nga pylli aty afër. Çatinë e bëmë me tamburë të vjetër prej bitumi që i çamë anash dhe i shtrimë. Martini zuri punë në hekurudhë, por alkooli me kohë ia shkatërroi shëndetin. Pastaj, u bëra e vetmja mbështetje e familjes. Ai vdiq në vitin 1971.
Sa për të filluar, isha e vetmja Dëshmitare në Maunt Isa. Beni na vizitonte çdo gjashtë muaj pak a shumë, meqë Maunt Isa ishte pjesë e territorit të tij të stërmadh të predikimit. Po të qëllonte që ishte në qytet në kohën e Përkujtimit të vdekjes së Jezu Krishtit, një rast shumë i veçantë për Benin, pasi kishte shpresën e jetës qiellore, ai e kremtonte me familjen time, disa herë nën një pemë.
Zakonisht, Beni nuk qëndronte gjatë, kështu që unë dhe fëmijët e mi bënim pjesën më të madhe të predikimit në qytetin tonë. Vërtet që ishim vetëm, por fryma e Jehovait na fuqizonte e po kështu edhe organizata e tij e dashur. Mbikëqyrës udhëtues besimplotë bashkë me gratë e tyre, luftuan me vapën mbytëse, mizat, pluhurin dhe rrugët në terren të thyer për të ardhur deri në Maunt Isa që të na inkurajonin, edhe pse për vite të tëra grupi ynë ishte shumë i vogël. Gjithashtu, Dëshmitarë nga kongregacioni fqinj i sapoformuar në Darvin, mbi 1.200 kilometra larg, na bënin vizita me raste.
Formohet një kongregacion
Në dhjetor të vitit 1953, në Maunt Isa u formua një kongregacion. Beni u caktua mbikëqyrës dhe unë bashkë me vajzën time Anën ishim të vetmit pjesëtarë të tjerë që merrnin pjesë atëherë në shërbim. Por, s’kaloi shumë dhe Dëshmitarë të tjerë u transferuan në qytet. Edhe territori ynë filloi të prodhonte një të korrë në rritje me dishepuj, duke përfshirë, me kalimin e kohës, një numër aborigjenësh.
Kongregacioni vazhdoi të rritej dhe pas pak kohësh u bë e dukshme se kishim nevojë për një Sallë Mbretërie, në të cilën të mbanim mbledhjet. Në maj të vitit 1960, pas një pune të madhe e të vështirë, mbaruam ndërtimin e sallës sonë të re. Gjatë 15 vjetëve që pasuan, ajo u zgjerua dy herë. Por, nga mesi i vitete 70, kishim gati 120 veta që merrnin pjesë në shërbimin publik dhe salla ishte përsëri tepër e vogël. Kështu që, u ndërtua një Sallë Mbretërie me 250 vende dhe u dedikua në vitin 1981. Për shkak të kapacitetit të saj të madh, ndërtesa është përdorur edhe për grumbullime më të mëdha, të quajtura asamble qarkore.
Rritja mes aborigjenëve
Për mua ishte rrëqethës formimi në vitin 1996 i një grupi me aborigjenë dhe ishullorë që u shoqërua me kongregacionin Maunt Isa. Ishullorët janë aborigjenë që vijnë nga ishujt afër kontinentit australian. Objektivi kryesor i këtij grupi është t’u jepet një dëshmi më e mirë aborigjenëve, disa prej të cilëve kanë prirjen të ndihen më pak rehat me njerëzit e bardhë.
Të shpërndarë nëpër Australi janë rreth 20 grupe të tjera aborigjenësh. Më tej, kongregacione me aborigjenë janë formuar në Adelaide, Kerns, Ipsviç, Perth dhe Taunsvill. Rreth 500 veta, duke përfshirë edhe disa nga familja ime, marrin pjesë në këto grupe dhe kongregacione. Pothuaj 10 përqind e lajmëtarëve aborigjenë janë pionierë ose ndryshe shërbëtorë në kohë të plotë.
Në vitin 1975 u sëmura me diabet dhe përgjatë viteve kjo sëmundje, e cila kap shumë aborigjenë, ka bërë punën e saj. Leximi më është bërë gjithnjë e më i vështirë. Megjithatë, Jehovai vazhdon të më mbështetë e të më japë gëzim.
Jam mirënjohëse për shërbëtorët e guximshëm që i kanë shërbyer familjes sime dhe mua. Zelli i tyre i paepur, dashuria e tyre dhe thesaret frymore që mbanin nëpër biçikleta, ndërsa udhëtonin nëpër rrugët dhe shtigjet e vetmuara e me pluhur të krahinës së Kuinslendit, bënë të mundur që ne të mësonim të vërtetën biblike. Tani pres e sigurt kohën kur dashuria ime për tokën do të realizohet përgjithmonë.
[Shënimi]
a Historia e veçantë e jetës së Benet Brikëllit tregohet në Kullën e Rojës, 1 shtator 1972, faqet 533-536, anglisht.
[Harta dhe figura në faqen 15]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Perth
Darvin
Kerns
Taunsvill
Maunt Isa
Rokhampton
Emerald
Springshur
Uorabinda
Ipsviç
Sidnei
Adelaide
Dorëthi sot
[Figura në faqen 13]
Orë praktikimi me Benin nga mesi i viteve 50