BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 5/98 f. 17-19
  • Si t’ia bëj që miku im të mos më ndrydhë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si t’ia bëj që miku im të mos më ndrydhë?
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Nevoja për privacitet dhe për kohë për veten
  • «Zgjerohuni»
  • Kalo kohë me miqtë e duhur
  • Ti mund të jesh mik i Jehovait
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • Përse nuk mund të mbaj shokë?
    Zgjohuni!—1996
  • Cilët janë miqtë e mi të vërtetë?
    Zgjohuni!—2011
  • Si mund të bësh miq?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 5/98 f. 17-19

Të rinjtë pyesin . . .

Si t’ia bëj që miku im të mos më ndrydhë?

«Mikja ime vepronte sikur të më kishte në zotërim. Nuk më linte hapësirë as për të marrë frymë.»​—⁠Holli.

«ËSHTË një mik që është më i lidhur se një vëlla»,​—⁠thotë një fjalë e urtë e mençur. (Fjalët e urta 18:24) Dhe po të kesh një mik që ka të njëjtat bindje me ty, të njëjtën ndjenjë humori ose të njëjtat interesa, natyrisht që do të dëshirosh të jesh bashkë me të. Një e re me emrin Karolina thotë: «Afërsia e miqësisë sime me disa në kongregacionin e krishterë është rezultat i pjesëmarrjes së bashku në aktivitete.» Duke qenë një Dëshmitare e Jehovait, Karolina veçoi një muaj, në të cilin programoi të dedikonte 60 orë në veprën e ungjillëzimit. Miqtë e saj i rregulluan programet e tyre në mënyrë që ta mbështetnin atë në veprën që do të bënte.

Por edhe pse afërsia ka dobitë e saj, disa herë ajo mund të ketë prirjen për t’u tepruar. Holli, e cituar në hyrje të artikullit, ndihet e ndrydhur nga njëra prej mikeve të saj. Dhe ajo nuk është e vetmja që ndihet kështu. Holli vëren: «Duket se kjo u ndodh edhe fëmijëve të tjerë. Ata janë tepër të afërt me njëri⁠-⁠tjetrin derisa një ditë të ndodhë një shpërthim ndjenjash. Pas kësaj nuk flasin me njëri⁠-⁠tjetrin për disa javë.»

Problemi qëndron këtu: t’i thuash një miku që ndihesh i ndrydhur dhe se ke nevojë për më shumë hapësirë nuk është e lehtë. Mund të druhesh se do të lëndosh ndjenjat e mikut tënd. Mund të druhesh, gjithashtu, se do të vësh në rrezik marrëdhënien tënde. Megjithatë, lënia e një sasie të arsyeshme pavarsie në një miqësi ka më shumë të ngjarë që të ndihmojë sesa të lëndojë.

Le ta ilustrojmë: në një park publik në Sidnei, Australi, një pemë e madhe u desh të rrethohej me gardh zinxhiri. Pse? Sepse grupe të mëdha vizitorësh gradualisht po e shtypnin dheun përreth saj dhe po ndrydhnin rrënjët që të mos zhvilloheshin. Po të mos mbrohej pema do të ishte tharë.

E njëjta gjë mund të thuhet për miqësinë. Afërsia e tepërt mund ta mbytë një marrëdhënie. Mbreti Solomon shkroi: «Shko rrallëherë në shtëpinë e të afërmit tënd që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.»​—⁠Fjalët e urta 25:⁠17.

Nevoja për privacitet dhe për kohë për veten

Pse tha ashtu Solomoni? Në radhë të parë të gjithëve na duhet ca kohë për veten dhe njëfarë privaciteti. Edhe Jezu Krishti ndjeu një nevojë të tillë. Edhe pse ishte i lidhur ngushtë me dishepujt e tij, herë pas here ai shkonte «i vetëm për t’u lutur». (Mateu 14:23; Marku 1:35) Po ashtu, edhe Isaku me druajtje Perëndie gjeti kohë për të ndenjur vetëm. (Zanafilla 24:63) Edhe ty të duhet një sasi kohe për veten që të bësh punë të tilla, si: detyrat e shtëpisë, punët e shtëpisë dhe studimin personal të Biblës. E po qe se miku yt tregon mungesë konsiderate, duke kaluar pa vënë re nevojat e tua në këtë aspekt, mëria mund të lindë me lehtësi.

Për këtë arsye, mos ki frikë t’i bësh të ditur mikut tënd se të duhet pak kohë për veten tënde. Meqenëse dashuria e krishterë «nuk kërkon të sajat», një mik i vërtetë zakonisht do të përpiqet të të kuptojë. (1. Korintasve 13:​4, 5; Fjalët e urta 17:17) «Gjatë periudhës përpara provimeve të maturës,​—⁠shkruan një e re,​—⁠miket e mia më mbështetën shumë dhe më kuptuan. Nuk pata vështirësi t’u kërkoja të largoheshin, kur më duhej kohë për të studiuar. Për mua është e lehtë të jem e ndershme me miket e mia, ato e dinë se të gjitha ne kemi përgjegjësi të ndryshme.»

Patjetër, Rregulla e Artë kërkon që t’u ofrosh të njëjtën konsideratë miqve të tu. (Mateu 7:​12) Një e re e quajtur Tamara shkruan: «Duke pasur më shumë përgjegjësi, jam bërë patjetër më e vetëdijshme se edhe mikes sime i duhet kohë për veten.» Dhe anasjelltas, kur Tamara ka punë në shtëpi, miket e saj nuk e shtyjnë që t’i bëjë shpejt e shpejt ose t’i lërë për më vonë. Përkundrazi, thotë Tamara, «zakonisht ato më ndihmojnë për të bërë punët e kështu mund të bëjmë gjëra të tjera së bashku pas kësaj». Sa thesar i paçmuar janë miq të tillë jo egoistë, e sa mirë e përdorin kohën së bashku!

«Zgjerohuni»

Ka një arsye tjetër pse është e mençur të lëmë njëfarë pavarsie në një miqësi. Kur investojmë të gjithë kohën dhe emocionet tona vetëm në një miqësi, mund të priremi për të lënë pas dore marrëdhënie të tjera të rëndësishme, siç janë marrëdhënia jonë me prindërit, me motrat e vëllezërit mishorë dhe me të krishterët e tjerë. Përveç kësaj e kufizojmë tepër rritjen tonë emocionale dhe frymore. Bibla thotë: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Fjalët e urta 27:17) Qartë, duke u shoqëruar vetëm me një person do të marrësh një ‘mprehje’ të kufizuar, veçanërisht kur ky person është një bashkëmoshatari yt.

Prandaj, Bibla nuk na këshillon të krijojmë grupe, të bëhemi të ngushtë ose ekskluzivë në zgjedhjen e miqve tanë. Ajo na nxit të ‘zgjerohemi’. (1. Korintasve 6:​13, BR) «Edhe po të kesh një marrëdhënie të veçantë,​—⁠këshillon një libër (Moods and Feelings),​—⁠është e rëndësishme të lëmë kohë për të kaluar edhe me miq të tjerë.»

Një këshillë e tillë nuk është gjithnjë e lehtë për t’u zbatuar. Një i ri i krishterë i quajtur Majkëll thotë: «Troi dhe unë e kishim zakon të bënim gjithçka së bashku, në kongregacion dhe në shoqëri. Ishim të pandashëm. Pastaj një Dëshmitar tjetër i ri u transferua në kongregacionin tonë. Ai dhe unë donim të shërbenim së bashku si predikues në kohë të plotë, prandaj filluam të kalonim kohë së bashku.» Rezultati? «Troi nuk më fliste më me gojë,​—⁠thotë Majkëll,​—⁠dhe pasi u përpoqa më kot për t’i rregulluar gjërat, edhe unë nuk i fola më. Kjo gjë vazhdoi për një vit.» Majkëlli e përshkruan miqësinë e tyre si «zotëruese në mënyrë xheloze».

Megjithatë, në një marrëdhënie të shëndetshme miqtë nuk e trajtojnë njëri⁠-⁠tjetrin si të ishin zotërimet e tyre. Prandaj, nëse një mik nuk miraton përpjekjet e tua për t’u zgjeruar në miqësi, do t’ju duhet të bëni një bisedë me zemër të çelur. Mbase miku yt ka nevojë thjesht për një sigurim se ti akoma e çmon miqësinë e tij apo të saj. Bëja të qartë se do të vazhdoni t’i bëni gjërat së bashku.

Duhet pranuar se mikut tënd mund t’i duhet pak kohë që t’i përshtatet këtij mendimi. Gjashtëmbëdhjetëvjeçarja Zaneta, për shembull, ndjeu sëmbime xhelozie kur mikja e saj e ngushtë filloi të kalonte kohë me të tjerët. Por Zaneta thotë se ajo i mundi këto ndjenja «falë lutjes dhe studimit biblik personal». Në këtë mënyrë ajo qe në gjendje të mbante një marrëdhënie të ngushtë me miken e saj. Edhe miku i Majkëllit, Troi e kapërceu xhelozinë e fillimit dhe më pas ata u bënë përsëri miq të mirë. Ndoshta edhe miku yt do të veprojë në po këtë mënyrë. Vërtet, përfundimisht zgjerimi u sjell dobi të gjithë atyre që janë të përfshirë. Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Debi shikon se kur miket e saj zënë mike të reja, «këto mike të reja shpesh bëhen edhe të miat».

Por ç’të themi nëse miku yt thjesht refuzon t’i pranojë këto ndryshime në marrëdhënien tuaj? Mund të ndodhë që të mos kesh rrugë tjetër përveçse të shkoni secili në rrugën e vet. Megjithatë, para se të arrish në përfundimin se ka humbur gjithçka, pse të mos u kërkosh prindërve të tu një pikëpamje mbi çështjen? Në fund të fundit, prindërit me druajtje Perëndie janë në të vërtetë miqtë e tu më të ngushtë. Ata mund të kenë edhe disa sugjerime praktike që mund të të ndihmojnë të shpëtosh miqësinë pa kompromentuar nevojën tënde për më shumë pavarsi.

Kalo kohë me miqtë e duhur

Një këshillë është se zgjerimi nuk do të thotë të mos bësh asnjë dallim në zgjedhjen e miqve të tu. Një libër mbi miqësinë thotë: «Është e natyrshme të bëheni si njerëzit me të cilët kaloni shumë kohë. Ndonjëherë kjo mund të ndodhë pa e vënë re. Ju mund të filloni të mendoni e të veproni si bashkëmoshatarët tuaj pavarësisht nga ndjenjat tuaja. Në këtë mënyrë, grupi i bashkëmoshatarëve mund të të vërë nën kontrollin e vet.» Bibla vuri theksin mbi të njëjtën gjë mijëra vite më parë kur tha: «Kush ecën me të urtët, i urtë do të bëhet, kurse miku i të marrëve i keq do të bëhet.»​—⁠Fjalët e urta 13:​20, DSF.

Kur je në shkollë ose në punë mund të të duhet të kalosh kohë me persona që nuk janë të interesuar për t’i shërbyer Jehovait. Por kur zgjedh shokët e ngushtë, mbaj mend këshillën e Biblës: «Shokët e këqinj prishin karakterin e mirë.»​—⁠1. Korintasve 15:​33, Today’s English Version.

Kujto edhe që më e rëndësishme se çdo miqësi njerëzore është miqësia që mund të kemi me Krijuesin tonë, Perëndinë Jehova. Debi, e cituar më sipër, ka disa mike të mira. Megjithatë, këshilla e saj është që «të sigurohemi se Jehovai vjen gjithnjë i pari». Abrahami i lashtë besimplotë veproi kështu dhe Jehovai e quajti në mënyrë të veçantë ‘miku im’. (Isaia 41:⁠8) Shqyrto edhe këtë: Jehovai nuk mërzitet nëse ju u kushtoni kohë miqve tuaj, të cilët janë persona që e duan atë, në fakt ai e inkurajon bërjen e kësaj. Çfarë Miku i vërtetë që është!

[Figura në faqen 18]

Miqtë e vërtetë e pranojnë nevojën e secilit për kohë për veten

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo