BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ijwyp artikulli 114
  • Ti mund t’i mposhtësh ndjenjat e vetëvrasjes

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ti mund t’i mposhtësh ndjenjat e vetëvrasjes
  • Të rinjtë pyesin
  • Material i ngjashëm
  • Dua të vdes: A mund të marr forcë nga Bibla që të luftoj mendimin për të vrarë veten?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Pse të mos i jap fund?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
  • Si ta luftoj dëshpërimin?
    Të rinjtë pyesin
  • Pse të mos dorëzohem?
    Zgjohuni!—2008
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin
ijwyp artikulli 114
Një adoleshente e dëshpëruar sheh shiun nga dritarja.

TË RINJTË PYESIN

Ti mund t’i mposhtësh ndjenjat e vetëvrasjes

«Disa vjet më parë vuaja aq shumë nga ankthi, saqë çdo ditë më dukej sikur luftoja për të shuar flakët e zjarrit. Gjatë asaj periudhe më shkonte mendja të vrisja veten. Nuk doja vërtet t’i jepja fund jetës, doja vetëm t’i jepja fund dhimbjes.»—Jonatani, 17 vjeç.

Në një sondazh me rreth 14.000 nxënës në shkollë të mesme, gati 1 në 5 veta pranoi se kishte menduar seriozisht të kryente vetëvrasje brenda 12 muajve të fundit.a Ç’mund të bësh nëse edhe ti mendon se nuk ia vlen më të jetosh?

  • Prit. Premtoji vetes se nuk do të veprosh nxitimthi, sipas emocioneve të çastit. Edhe pse tani problemet mund të të duken si një mal i pakapërcyeshëm, ka disa gjëra që mund të të ndihmojnë t’i përballosh.

Një adoleshente po kërkon rrugëdaljen nga një labirint.

Mbase ndihesh sikur ke ngecur në një labirint pa rrugëdalje. Por mos harro: ndjenjat jo gjithmonë pasqyrojnë realitetin. Ekzistojnë disa mënyra për ta trajtuar situatën ku gjendesh; me ndihmën e duhur, rrugëdalja mund të jetë më afër nga ç’mendon.

  • Parim nga Bibla: «Jemi zënë ngushtë, por jo aq sa të mos lëvizim; jemi në mëdyshje, por jo fare pa rrugëdalje.»—2 Korintasve 4:8.

    Sugjerim: Nëse mendimet për t’i dhënë fund jetës janë të forta dhe të vazhdueshme, interesohu se çfarë ndihme ke në dispozicion. Ndoshta mund të përdorësh një linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve ose mund t’i drejtohesh urgjencës. Stafi që punon atje, është i kualifikuar për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe ka vërtet dëshirë të të ndihmojë.

  • Fol me dikë. Ke përreth njerëz që të duan vërtet dhe dëshirojnë të të ndihmojnë, si për shembull, familja dhe miqtë. Por ata s’kanë si ta dinë çfarë po kalon nëse nuk ua thua.

Një adoleshente vendos syze.

Disa njerëz kanë nevojë për syze që të shohin më qartë. Në mënyrë të ngjashme, një mik mund të të ndihmojë të qartësosh mendimet e t’i shohësh problemet sipas këndvështrimit të duhur, si edhe të rifitosh dëshirën për të jetuar.

  • Parim nga Bibla: «Miku i vërtetë . . . të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

    Sugjerim: Për të hapur bisedën, mund të thuash: «Kam pasur disa mendime negative kohët e fundit. A mund të flas me ty për këtë?» Ose mund të thuash: «Kam disa probleme që me sa duket nuk i zgjidh dot vetë. A mund të më ndihmosh?»

  • Konsultohu me një mjek. Disa probleme shëndetësore, të tilla si ankthi dhe depresioni, mund të na e heqin dëshirën për të jetuar. Lajmi i mirë është se këto sëmundje mund të kurohen.

Një adoleshente e sëmurë me shikim të përhumbur nuk po ha ushqimin që ka përpara.

Ashtu si gripi që mund të të heqë oreksin, edhe depresioni mund të të venitë dëshirën për të jetuar. Gjithsesi, të dyja këto sëmundje janë të kurueshme.

  • Parim nga Bibla: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.»—Mateu 9:12.

    Sugjerim: Fli mjaftueshëm, bëj ushtrime fizike dhe ushqehu në mënyrë të shëndetshme. Shëndeti fizik mund të ndikojë te gjendja jote emocionale dhe te pikëpamja për jetën.

  • Lutu. Bibla thotë se Krijuesi ynë «është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjonit 3:20) Pse të mos flasësh me të që sot nëpërmjet lutjes? Përdor emrin e tij, Jehova, dhe zbrazja zemrën.

Një adoleshente mezi po mban një kuti shumë të madhe.

Disa ngarkesa janë tepër të rënda për t’u mbajtur vetëm. Krijuesi yt, Jehovai, dëshiron të të ndihmojë.

  • Parim nga Bibla: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj.»—Filipianëve 4:6, 7.

    Sugjerim: Përveçse t’i shprehësh Jehovait problemet, përpiqu të gjesh të paktën një gjë të mirë për të cilën mund ta falënderosh sot. (Kolosianëve 3:15) Mirënjohja të ndihmon ta shohësh jetën nga një këndvështrim më pozitiv.

Nëse mendon se nuk ia vlen më të jetosh, kërko ndihmë. Kështu bëri edhe Jonatani që përmendëm në fillim të artikullit. Ai tregon: «M’u desh të bëja sa e sa biseda me prindërit dhe të merrja ndihmë mjekësore. Por tani ndihem shumë më mirë. Ndonëse kam akoma ditë të mira e të këqija, nuk luftoj më me mendimet për të vrarë veten.»

a Sondazhi u realizua në vitin 2019 nga Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ja ç’thonë moshatarët e tu

Aleksandra.

«Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Dallimi mes tyre është se mund ta shohësh kollaj kur dikush ka një gjymtyrë të thyer, por jo gjithmonë e kupton kur dikush ka plagë në zemër. Nëse po vuan, mos ki frikë të flasësh me dikë. Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh ndihmë.»—Aleksandra.

Ijani.

«Kur isha më i vogël, prindërit më ndihmuan të kuptoja se në jetë nuk ka asnjë problem që s’mund të zgjidhet ose të paktën që s’mund të përballohet. Prania e personave të cilët mund t’u hapësh zemrën—që në rastin tim ishin prindërit—më ndihmoi jashtëzakonisht t’i shihja problemet e mia në mënyrë realiste.»—Ijani.

Vargje nga Bibla që mund të të ndihmojnë

Pse të mos bësh një listë me vargje nga Bibla që mund të të ndihmojnë kur ndihesh përtokë? Ja disa prej tyre.

Psalmi 34:18: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që e kanë shpirtin të dërrmuar.»

Kuptimi: Jehovai interesohet në mënyrë të veçantë për ata që ndihen sikur nuk mbajnë dot më. Ai dëshiron t’i ndihmojë.

Psalmi 46:1: «Perëndia është streha dhe forca jonë, ndihmë që gjendet me lehtësi në kohë vuajtjesh.»

Kuptimi: Mund t’i lutesh Jehovait sa herë që ndien ankth. Ai është i gatshëm dhe dëshiron të të ndihmojë që ta përballosh këtë situatë.

Psalmi 94:18, 19: «Kur thosha: ‘Po më shkasin këmbët’, dashuria jote besnike, o Jehova, më mbante. Kur kisha përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua ma ledhatonin shpirtin.»

Kuptimi: Nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, Perëndia mund të të japë mbështetjen që të duhet. Mos lejo të kalojë asnjë ditë pa e lexuar!

Psalmi 139:23, 24: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe . . . njihi mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më pri në udhën e përjetësisë.»

Kuptimi: Jehovai të njeh më mirë se ç’njeh ti veten. Ai mund të të ndihmojë të ndreqësh mënyrën si mendon, që të gjesh sërish gëzim në jetë.

Isaia 41:10: «Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj.»

Kuptimi: Çfarëdo vështirësie të të vërë përpara jeta, Jehovai të jep forcën që të duhet për ta përballuar.

Përmbledhje: Ti mund t’i mposhtësh ndjenjat e vetëvrasjes

  • Prit. Premtoji vetes se nuk do të veprosh nxitimthi, sipas emocioneve të çastit. Ka disa gjëra që mund të të ndihmojnë t’i përballosh problemet.

  • Fol me dikë. Familja dhe miqtë s’kanë si ta dinë çfarë po kalon nëse nuk ua thua.

  • Konsultohu me një mjek. Ndjenjat e vetëvrasjes mund të jenë shenjë e depresionit—një sëmundje që mund të kurohet.

  • Shprehja ndjenjat e tua Perëndisë nëpërmjet lutjes. Ai të njeh më mirë se ç’njeh ti veten dhe dëshiron të të ndihmojë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo