Bibla u transformoi jetën
Ky artikull flet për historinë e dy burrave nga Vietnami, të cilët bënë ndryshime drastike në jetë. Për vite me radhë, ata besonin se pasuria do t’u garantonte siguri dhe lumturi. Madje u dhanë pas saj me mish e me shpirt, edhe pse i shkaktuan shumë dhimbje vetes dhe të tjerëve. Gjithsesi, në një pikë të jetës, secili prej tyre kuptoi se paqja e vërtetë dhe një jetë me qëllim mund të arrihen vetëm falë njohurisë nga Bibla. Historitë e tyre nxjerrin në pah se zbatimi i parimeve të Biblës i ndihmon njerëzit të bëhen të përgjegjshëm, të ndershëm dhe të bindur ndaj ligjit.
Nga rendja pas pasurisë në rrugën drejt lumturisë
Kur ishte i vogël, Lan Van Nueni u përball me luftëra, varfëri e probleme sociale. Me kalimin e kohës krijoi bindjen se, për të qenë vërtet i lumtur, duhet të jesh i pasur. Kështu, në vitin 1988 shkoi në Gjermani për të gjetur punë. Rropatej ditë e natë vetëm që të fitonte pará.
Dhjetë vjet më vonë, Lani takoi Dëshmitarët e Jehovait. Ata i folën për librin biblik të Proverbave që i bëri shumë përshtypje, sepse i kishte qejf fjalët e urta dhe thëniet e mençura. Mençuria praktike e Biblës ia shtoi kuriozitetin, prandaj i kërkoi një Dëshmitareje t’i blinte një Bibël. Ajo i tha se mund t’ia jepte falas një Bibël, nëse ai pranonte të fliste për Biblën me të dhe me burrin e saj. Në vizitën e radhës, Dëshmitarja i solli Biblën dhe librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme.
Teksa studionte Biblën me Dëshmitarët, Lanin filloi ta vriste ndërgjegjja për natyrën e tregtisë që bënte, meqë shiste dhe blinte armë. Shpejt kuptoi se nuk mund ta vazhdonte më këtë biznes. Mirëpo pasi e la, të ardhurat i ranë me 80 për qind. Prandaj u lut për këtë çështje dhe filloi të shiste gjëra të tjera. Me kohë, edhe të ardhurat iu rritën.
Lani vendosi të kalonte sa më shumë kohë të mundej në veprën e arsimimit nga Bibla, që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait. Donte të fliste me të tjerët për gjërat që kishte mësuar, por ishte i kufizuar meqë nuk e fliste gjermanishten mirë. Ja pse u kthye në Vietnam, që t’u fliste të tjerëve për Biblën në gjuhën e tij amtare.
Studimi i Biblës e ndihmoi Lanin të ndryshonte mënyrën si mendonte dhe si jetonte. Tani, ai bashkë me gruan dhe fëmijët kanë një jetë të lumtur.
Lani dhe gruaja e tij
Nga bota e krimit në një jetë plot qëllim
Tang Viet Fungu, lindur më 1976 në Ne-An, Vietnam, ëndërronte të bëhej i pasur. Në moshën 19-vjeçare, u largua nga shtëpia në kërkim të pasurisë. Ai shkoi si klandestin në Gjermani, ku u bë pjesë e një bande që ishte e përfshirë në shumë aktivitete të jashtëligjshme. Mbante një armë zjarri me vete gjatë gjithë kohës, madje edhe kur flinte, e mbante poshtë jastëkut. Më vonë, ngaqë u përfshi në një pengmarrje të bujshme, e arrestuan dhe e dënuan me 6 vjet burg. Por e liruan pasi kreu vetëm 2 vite dënim.
Tangu u lidh me një bandë tjetër dhe u përfshi sërish në aktivitete kriminale. E arrestuan përsëri, por çështja e tij nuk shkoi në gjyq, ngaqë dëshmitarët e ngjarjes kishin frikë të dëshmonin kundër tij. Me kohë, ai u bë shumë i njohur në botën e krimit. Në fund, e arrestuan sërish dhe e dënuan me 10 vjet burg. Atje u bë i famshëm për natyrën e tij të dhunshme mes të burgosurve të tjerë dhe rojave.
Një ditë, një i burgosur e ftoi Tangun në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait që mbahej brenda burgut. Në fillim Tangu ngurroi, por kur shkoi në mbledhje, e pushtoi një ndjenjë paqeje e pazakontë. Atje mori librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. E lexoi të gjithin brenda një nate. Në një kapitull lexoi vargje nga Bibla që shpjegojnë se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, si në një gjendje gjumi. (Eklisiastiu 9:5; Gjoni 11:11-14) Më parë, Tangu kishte besuar se të afërmit që i kishin vdekur, e ruanin. Ndaj pyeste veten pse nuk e kishin ndaluar që të mos bënte gjëra të këqija.
Tangu vazhdoi të merrte pjesë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat sigurojnë arsimim të vazhdueshëm nga Bibla. Mësoi se Perëndia i do shumë njerëzit, ku përfshihet edhe ai. Gjithashtu mësoi të dallonte të drejtën nga e gabuara, u përpoq fort të ndryshonte natyrën e tij të dhunshme dhe pikëpamjen që kishte për paranë. Gjëja më e vështirë për të, ishte të mbante nën kontroll temperamentin, por ia doli falë lutjeve dhe përpjekjeve të palodhura. Në vitin 2009, ndërsa ishte ende në burg, u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Më vonë, Tangu u kthye në Vietnam. Ai tha: «Tani kam një familje të lumtur dhe adhurojmë Jehovain së bashku. Ai më ka shpëtuar jetën dhe më ka bekuar me bollëk. Kur mendoj për të kaluarën, vras mendjen si do të ishte jeta ime po të mos kisha njohur Jehovain.»
Tangu me familjen
Si i ndihmon arsimimi nga Bibla njerëzit të bëhen shtetas më të mirë
Transformimi i Lanit dhe i Tangut nxjerr në pah ndikimin pozitiv që ka arsimimi nga Bibla. Ata e lanë jetën e mëparshme ku jepeshin me mish e me shpirt pas parasë. Për Lanin, që dikur besonte se rendja pas pasurisë do t’i sillte lumturi, burimi i gëzimit tani janë besimi dhe familja e tij. Tangu, që dikur s’e kishte problem të shkelte ligjet si e si për t’u pasuruar, tani u mëson të tjerëve të jenë të ndershëm dhe t’i binden ligjit. Në vend që të përqendrohen te pasuria, të dy këta burra i kontribuojnë komunitetit duke folur për parimet e Biblës që i ndihmojnë njerëzit të bëjnë një jetë të lumtur e plot kuptim dhe të jenë pjesëtarë të denjë të shoqërisë.