Izrael: Përdorin një tabletë që të predikojnë për Mbretërinë e Perëndisë
PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN
Azia dhe Lindja e Mesme
VENDE 49
POPULLSIA 4.409.131.383
LAJMËTARË 718.716
STUDIME BIBLIKE 766.364
Njëqind orë për njëqind vjet
Në një vend të Azisë, një aktore dhe modele e njohur pranoi një studim biblik. Menjëherë filloi të zbatonte ato që po mësonte dhe hoqi botimet spiritiste e idhujt budistë.
Një nga shoqet e ngushta iu përgjërua: «Lëre studimin vetëm për tre vjet dhe përqendrohu te karriera. Pastaj filloje prapë studimin.»
Ajo iu përgjigj: «Kam pritur 24 vjet për ta njohur Jehovain. Pse të pres edhe tri vite të tjera?»
Pikërisht javën që kishte caktimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik, një kompani filmash i ofroi një kontratë të majme katërvjeçare me kusht që të pranonte çdo rol në filmat që do t’i ofronin. Ajo nuk e pranoi. Në maj të 2014-s u kualifikua si lajmëtare e papagëzuar, dhe ndërsa afronte gushti, vendosi që atë muaj të predikonte 100 orë. Kur e pyetën pse, u përgjigj: «Njëqindvjetorin e mbretërimit të Jezuit dua ta festoj duke bërë një orë për çdo vit që ka mbretëruar.» Dhe ashtu bëri. U pagëzua në janar të vitit 2015 dhe tani shërben si pioniere ndihmëse.
Shfrytëzojnë më së miri natën në burg
Në Sri-Lankë, katër motra u nisën me autobus që të predikonin në një territor të pacaktuar që ishte kryesisht budist. Ditën e dytë të predikimit, i ndaloi një murg dhe një taksist. Shumë shpejt përreth tyre u mblodh një turmë e tërbuar me nja 30 veta. Erdhi policia dhe i çoi motrat në rajon. I lanë në qeli gjithë natën, pa asnjë akuzë për keqbërje. Edhe pse i vunë bashkë me kriminelë të regjur dhe u përballën me abuzim verbal e gjuhë të ndyrë, ishte një rast i mirë për të dhënë dëshmi. Një nga motrat tha: «Isha në burg me vrasës, por arrita t’u flisja për të vërtetën. U habitën që isha aty dhe kishin shumë pyetje për bindjet e mia. Madje njëri më pyeti: ‘Si ka mundësi që je kaq e gëzuar?’»
Sri-Lankë: Katër motra udhëtuan me autobus që të predikonin në një territor të pacaktuar
Për të mbrojtur të drejtat tona themelore, bëmë një kërkesë pranë Gjykatës së Lartë të Sri-Lankës për të hapur një çështje kundër policisë që na mbajti në burg pa arsye të vlefshme. Gjykata e ka pranuar kërkesën, por çështja është akoma pezull.
Ndihmë për një grua të ngujuar në shtrat
Miçiko, një pioniere në Japoni, drejtonte studim biblik në gjuhën e shenjave me një grua të moshuar në spital. Motra e pyeti personelin nëse kishte ndonjë pacient tjetër me të cilin mund të fliste. Më pas takoi Kazumin, e cila mund të dëgjonte, por nuk mund të fliste. Ajo ishte ngujuar në shtrat që pas një aksidenti me makinë në moshën 23-vjeçare dhe nuk gëlltiste dot ushqimin, madje as ujin. Kishte shumë pyetje dhe pranoi menjëherë një studim biblik.
Japoni: Kazumi shkruan letra të ngrohta e besimforcuese
Miçiko bënte pyetjet, ndërsa Kazumi përdorte duart që të tregonte përgjigjet në paragraf ose t’i shkruante. Kur Kazumi mori celular, Miçiko shqyrtonte me të çdo mëngjes shkrimin e ditës. Megjithëse përkeqësohej fizikisht, e forconte gjithnjë e më shumë marrëdhënien me Jehovain, derisa shprehu dëshirën të bëhej Dëshmitare e Jehovait. Në moshën 61-vjeçare, pasi kishte studiuar për 13 vjet, më në fund u bë lajmëtare e papagëzuar.
Ngaqë nuk mund të lëvizë nga krevati, kongregacioni ka marrë masa që Kazumi t’i dëgjojë të gjitha mbledhjet dhe programet e asambleve. Komentet që përgatit ajo, i lexojnë në mbledhje disa motra të kongregacionit.
Kazumi shkruan letra të ngrohta e besimforcuese enkas për çdo student biblik që ndjek mbledhjet. Ajo i dëshmon personelit të spitalit dhe vizitorëve të saj. U thotë: «Po të studioni Biblën, do të jeni të lumtur.»
Murgu mëson të vërtetën
Në një vend të Azisë Juglindore, një motër shkoi te një okulist në spital, ku takoi një murg. Ajo e pyeti: «A do të doje të kishe shëndet të përsosur dhe të jetoje përgjithmonë në një vend të bukur?» Kështu nisi një bisedë miqësore, dhe i dha broshurën Dëgjoje Perëndinë. Murgu i la numrin e telefonit, të cilin motra ia dha një vëllai në kongregacion. Menjëherë pas kësaj vëllai i telefonoi murgut dhe e ftoi të ndiqte fjalimin special. Murgut i pëlqeu mbledhja sa s’thuhet, sidomos këngët e Mbretërisë, dhe i bëri shumë përshtypje mikpritja e ngrohtë e të gjithëve.
Kur pyeti nëse Dëshmitarët kanë universitete ose seminare fetare, vëllai i shpjegoi se drejtojmë kurse personale për studimin e Biblës dhe e ftoi të studionin bashkë. Javën pasuese murgu kishte përgatitur gjithë kapitullin 1 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Ai vazhdoi studimin, filloi të ndiqte mbledhjet e madje komentonte gjatë studimit të Kullës së Rojës.
Kur ndoqi një asamble qarkore, përfaqësuesi i degës e ftoi të vizitonte Bethelin. Javën tjetër murgu udhëtoi rreth dhjetë orë për në Bethel, ku e mikpritën përzemërsisht. Në fund të shkurtit 2015 e la manastirin dhe po kënaqet me studimin e Biblës dhe me mbledhjet e krishtere.
Humbet lidhjet, por e gjejnë përsëri
Kohët e fundit u dërguan pionierë në verilindje të Indisë, ku lajmi i mirë nuk ishte predikuar prej shumë vitesh. Pionierët gjetën shumë të interesuar dhe donin të gjenin një vend të përshtatshëm për të mbajtur mbledhjet. Ndërsa shkonin te një studim biblik, vunë re një godinë që po ndërtohej dhe menduan të pyesnin për të. Pasi bënë edhe një copëz rrugë, vendosën të ktheheshin mbrapsht. Pas ndërtesës, takuan një grua të moshuar dhe i thanë se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Asaj i qeshi fytyra e tha:«Edhe unë jam Dëshmitare e Jehovait.» Pastaj i ftoi me ngrohtësi në shtëpi dhe u tregoi koleksionin e literaturës të viteve 70 e 80. Ajo kishte studiuar 30 vjet më parë me disa pionierë dhe kishte ndjekur disa mbledhje pavarësisht nga kundërshtimi i të shoqit. Ishte e bindur që kishte gjetur të vërtetën, por i kishte humbur lidhjet me organizatën kur pionierët ishin larguar nga zona. Të gjithë fëmijët e saj u bënë anëtarë të kishave të ndryshme, por ajo nuk pranoi të shkonte në asnjërën prej tyre.
Indi: Një grua e interesuar tregon koleksionin e saj të literaturës të viteve 70 e 80
Kohët e fundit fëmijët kishin filluar t’i bënin presion të regjistrohej si anëtare e Kishës Katolike që, kur të vdiste, ta varrosnin sipas riteve katolike. Madje, e motra këmbënguli ta çonte në një kishë katolike që të regjistrohej, por rrugës u bllokuan në trafik dhe u detyruan të ktheheshin. Motra i tha se do të shkonin prapë të nesërmen, mirëpo u sëmur. Pikërisht atë pasdite pionierët takuan gruan e interesuar. Tani ajo po studion Biblën, ndjek mbledhjet dhe i inkurajon fëmijët dhe nipërit e mbesat që të studiojnë edhe ata.