Burundi: Nola duke u treguar Kullën e Rojës burrave që i kishin kërkuar qymyr
PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN
Afrikë
VENDE 58
POPULLSIA 1.082.464.150
LAJMËTARË 1.453.694
STUDIME BIBLIKE 3.688.959
Dëshmi me motoçikletë
Benin: Deziré përdor një kasetofon për t’u dhënë lajmin e mirë pasagjerëve që hipin në motoçikletën e tij taksi
Motoçikletat-taksi, që vendësit i quajnë zem, janë mjete transporti që preferohen në qytetet në jug të Beninit. Deziré, një pionier ndihmës, montoi një kasetofon në zemin e tij dhe dy bokset i drejtoi nga vendi i pasagjerit. Vazhdimisht vë botimet tona të incizuara dhe drama biblike. Kur një pasagjer hipën në zemin e tij, pa kaluar shumë fillon t’i dëgjojë me vëmendje këto incizime. Shumë përpihen aq sa, kur mbërrijnë në destinacion, ngurrojnë e madje nuk duan të zbresin pa e dëgjuar deri në fund. Deziré thotë: «Sigurisht, unë do të doja që të zbrisnin e të paguanin, që të gjej ndonjë pasagjer tjetër, por e di se dëgjimi i lajmit të mirë vlen më tepër se paratë. Plus, në këtë mënyrë shpërndaj shumë botime.»
Një fëmijë këmbëngulës
Nola 6-vjeçare, që nuk ka hyrë ende në shkollë, jeton bashkë me familjen në kodrat e Burundit. Një ditë, ndërsa familja e saj po gatuante në sobë qymyri, dy burra që po punonin në derën ngjitur, kërkuan qymyr të ndezur për të bërë zjarr. Në momentin që erdhën, Nola po kujdesej për zjarrin. I la të merrnin ca copa qymyri. Pak më vonë Nola kaloi afër tyre dhe pa se me të kishin ndezur cigare. Kjo e mërziti jashtë mase, prandaj u tha: «Po ta kisha ditur se me qymyrin do të ndiznit cigare, nuk do t’jua kisha dhënë.» Pastaj iu kujtua se në Sallën e Mbretërisë kishte parë një revistë që kishte në kopertinë një cigare. Vajti me vrap në Sallën e Mbretërisë dhe mori dy kopje të Kullës së Rojës të 1 qershorit 2014, që fliste për duhanin. U kthye te dy burrat, u dha revistat dhe këmbënguli që t’i lexonin menjëherë. Më vonë i takoi përsëri dhe i ftoi në kongresin rajonal që po afronte. Të habitur nga këmbëngulja e vogëlushes, ndoqën dy ditë të kongresit. Gjatë pushimit të drekës, Nola i vuri re dhe i ftoi të hanin diçka të thjeshtë me familjen e saj. Të prekur nga ajo që panë dhe dëgjuan në kongres, të dy filluan të studionin Biblën.
Dëshmia në burgje
Pleqtë në Liberi shkojnë në disa burgje për të dhënë mesazhin për Mbretërinë. Ivi, një pionier special në kryeqytet, Monrovi, shpjegon: «Në mars, tre të burgosur u kualifikuan si lajmëtarë të papagëzuar. Kështu, në Burgun Qendror të Monrovisë u bënë gjashtë lajmëtarë.» Si predikojnë atje? Ivi shpjegon: «Çdo të mërkurë e të shtunë mblidhen për shërbim. Pastaj i lejojnë të shkojnë qeli më qeli për t’u dhënë të burgosurve të tjerë mesazhin e shpresës nga Bibla.» Tani shumë të burgosurve u pëlqen studimi biblik dhe ndjekin mbledhjet në burg. Një përfaqësues nga zyra e degës mbajti një fjalim para 79 të burgosurve në atë burg. Në gjashtë burgje të tjera po mbahen kurse biblike të rregullta ku disa të burgosur po ndryshojnë për mirë.
«Kemi tmerrësisht nevojë për ndihmë»
U bënë përpjekje të mëdha që të interesuarit në vende të thella të ndiqnin Përkujtimin. Për shembull, sanët, që njihen si bushmenë, janë banorët autoktonë në jug të Afrikës. Më parë bënin jetë të thjeshtë nomade si gjuetarë dhe vjelës. Gleni, një pionier special që shërben në veri të Namibisë, mori masa që Përkujtimi i vitit 2015 të mbahej në një fshat të thellë të sanëve, 270 km në lindje të Rundut. Ishte hera e dytë që mbahej Përkujtimi atje. Në të dyja rastet autoritetet e fshatit u dhanë leje Dëshmitarëve të Jehovait të përdornin falas sallën e gjyqit. Pavarësisht nga shiu i madh para dhe gjatë programit, kishte 232 të pranishëm. Bushmenët në këtë zonë flasin gjuhën kue, që shquhet për tingujt kërcitës. Fjalimi u përkthye nga anglishtja në kue. Ngaqë nuk ka Bibël në gjuhën e tyre, me video-projektor u paraqitën në mur pamje me ngjyra për të shpjeguar vargje biblike, si Isaia 35:5, 6. Gleni, që në këtë zonë drejton disa studime biblike që po përparojnë, tregon: «Dy vitet e fundit kam ardhur këtu një herë në muaj. Ngre tendën në këtë zonë për disa ditë. Vendësit përparojnë ngadalë për shkak të gjuhës dhe të largësisë. Kemi tmerrësisht nevojë për ndihmë. Kur shkova tek autoritetet për të organizuar Përkujtimin e këtij viti, një pjesëtar i komitetit drejtues të komunitetit m’u lut që të ndërtoja një vend adhurimi në atë zonë. Më tha se komiteti do të na siguronte truallin dhe do të hiqte shpenzimet për ndërtimin e tij. E vetmja gjë që duhej të bënim ne, ishte të gjenim një ‘pastor’ ose të paktën të stërvitnim njërin prej tyre si pastor.»
Namibi: Dy lajmëtare me gëzim i japin lajmin e mirë një gruaje himba