BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yb16 f. 123-f. 125 par. 1
  • Vijnë më shumë misionarë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vijnë më shumë misionarë
  • Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2016
  • Nëntema
  • «Dhurata e Krishtlindjeve» për klerin
Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2016
yb16 f. 123-f. 125 par. 1

INDONEZIA

Vijnë më shumë misionarë

Më 9 korrik 1964 Departamenti i Drejtësisë në Indonezi njohu zyrtarisht Shoqatën e Studentëve të Biblës, një korporatë ligjore që përdornin Dëshmitarët e Jehovait. Por, para se vëllezërit të gëzonin liri të plotë fetare, duhej të njiheshin ligjërisht edhe nga Departamenti i Çështjeve Fetare. Ky institucion u këshillua me Drejtorinë e Përgjithshme të Drejtimit për Komunitetin e Krishterë, ku punonin protestantë striktë që ishin kundërshtarë të flaktë të Dëshmitarëve të Jehovait.

Një ditë një vëlla u takua me një zyrtar të lartë që punonte ngushtësisht me ministrin e Çështjeve Fetare. Të dy burrat kuptuan se ishin nga i njëjti fshat, kështu që bënë një bisedë të gjallë në dialektin e tyre. Kur vëllai i tregoi zyrtarit për problemet që kishin Dëshmitarët me Drejtorinë e Përgjithshme të Drejtimit për Komunitetin e Krishterë, zyrtari mori masa që tre vëllezër të takoheshin me vetë ministrin, një mysliman të këndshëm e miqësor. Më 11 maj 1968 ministri nxori një dekret zyrtar që i njihte Dëshmitarët e Jehovait si fe dhe konfirmonte të drejtën për të kryer veprën e tyre në Indonezi.

Gjithashtu, zyrtari i lartë me vetëdije nuk ia vuri veshin Drejtorisë së Përgjithshme të Drejtimit për Komunitetin e Krishterë me qëllim që Dëshmitarët të merrnin viza për misionarë. Falë ndihmës së këtij njeriu të drejtë, gjatë atyre pak viteve pasuese në Indonezi u pranuan 64 misionarë.

Në vitin 1968 rreth 300 misionarë, pionierë specialë dhe mbi 1.200 lajmëtarë po e përhapnin lajmin e mirë në çdo qoshe të Indonezisë. Misionarët i stërvitën mirë vëllezërit vendës. Falë kësaj u forcuan shpejt në besim. Stërvitja ishte në kohën e duhur sepse retë e stuhishme të përndjekjes po afroheshin me të shpejtë.

«Dhurata e Krishtlindjeve» për klerin

Në vitin 1974 Drejtoria e Përgjithshme e Drejtimit për Komunitetin e Krishterë rifilloi fushatën afatgjatë për të ndaluar Dëshmitarët e Jehovait. Drejtori i përgjithshëm i atij departamenti i shkroi secilës zyrë rajonale të Departamentit të Çështjeve Fetare, duke gënjyer se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin të njohur zyrtarisht. Ai i nxiti zyrtarët vendës të vepronin kundër Dëshmitarëve kudo ku u shkaktonin «vështirësi»​—një ftesë e maskuar hollë për të përndjekur popullin e Jehovait. Shumica e zyrtarëve e shpërfillën atë udhëzim. Kurse të tjerë shfrytëzuan rastin për të ndaluar mbledhjet dhe predikimin shtëpi më shtëpi.

Një gazetë njoftoi se Dëshmitarët e Jehovait ishin të ndaluar në Indonezi, dhjetor 1976

Më 24 dhjetor 1976 një gazetë njoftoi se Dëshmitarët e Jehovait ishin ndaluar

Pak a shumë në të njëjtën periudhë, Këshilli Botëror i Kishave (KBK) po planifikonte të mbante një asamble ndërkombëtare në Xhakartë, lëvizje që myslimanët e shihnin si provokuese dhe agresive. Por, ky Këshill e anuloi asamblenë për shkak të tensioneve fetare që po shtoheshin. Megjithatë, prozelitizmi i krishterë ishte bërë çështje e nxehtë dhe shumë politikanë ishin në ankth. Siç pritej, kleri u përpoq të fajësonte Dëshmitarët duke u ankuar me të madhe për aktivitetet e tyre të predikimit. Kjo bëri që mjaft zyrtarë t’i shihnin me sy të keq Dëshmitarët.

Në dhjetor 1975, teksa tensionet fetare vazhdonin të shtoheshin, Indonezia pushtoi Timorin Lindor, një ish-koloni portugeze. Shtatë muaj më vonë, Timori Lindor u aneksua duke ndezur kështu flakët e patriotizmit në mbarë vendin. Vëllezërit nuk u përfshinë në politikë dhe nuk pranuan të kryenin shërbim ushtarak apo të nderonin flamurin, qëndrim që ndezi zemërimin e komandantëve të lartë ushtarakë. (Mat. 4:10; Gjoni 18:36) Gati për t’u dhënë Dëshmitarëve goditjen përfundimtare, kleri i kërkonte me ngulm qeverisë të vepronte kundër tyre. Më në fund, në mes të dhjetorit 1976, kleri mori ‘dhuratën e Krishtlindjeve’​—qeveria shpalli se Dëshmitarët e Jehovait ishin ndaluar.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo