BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yb16 f. 102-f. 107 par. 1
  • Predikimi në Javën Perëndimore jep fryt

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Predikimi në Javën Perëndimore jep fryt
  • Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2016
  • Nëntema
  • Kapelja e papës
  • Shtypin botime nën presion
Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2016
yb16 f. 102-f. 107 par. 1

INDONEZIA

Predikimi në Javën Perëndimore jep fryt

Teodor Rati

Teodor Rati

Në vitin 1933 Frenk Rajsi ftoi Teodor (Teo) Ratin, vendës nga Celebesi i Veriut, që ta ndihmonte me administrimin e depos së literaturës në Xhakartë. Teoja kujton: «Kisha shumë interes për veprën fisnike për Mbretërinë dhe nisa të predikoja përkrah vëlla Rajsit. Më vonë shkova me Bill Hanterin në një udhëtim predikimi në Javë dhe me ekuipazhin e jahtit Përhapësja e dritës në Sumatër.» Teoja ishte indoneziani i parë që pranoi të vërtetën dhe për dekada shërbeu si pionier në Javë, në Celebesin e Veriut dhe në Sumatër.

Vitin pasues Bill Hanteri i dha broshurën Ku janë të vdekurit? Feliks Tanit, një studenti që jetonte në Xhakartë. Feliksi u kthye te familja e tij në Bandung, Java Perëndimore, dhe ia tregoi broshurën vëllait më të vogël, Dodos. Të dy u mrekulluan kur mësuan nga broshura se njeriu i parë, Adami, nuk kishte një shpirt të pavdekshëm. Ai ishte një shpirt. (Zan. 2:7) Feliksit dhe Dodos iu ndez dëshira për të mësuar më shumë për Zotin, prandaj gërmuan gjithandej nëpër dyqanet e librave të përdorur në Bandung për botime të tjera të shoqatës Watch Tower. Folën edhe me familjen për atë që kishin mësuar. Pasi i përpinë të gjithë librat e broshurat që arritën të gjenin, i shkruan depos së literaturës në Xhakartë. Për çudinë e tyre, patën një vizitë inkurajuese nga Frenk Rajsi, i cili u solli botime të reja.

Familja Tan

Familja Tan

Pak pasi vëlla Rajsi u kthye në Xhakartë, të sapomartuarit Klem dhe Zhanë Deshampi shkuan në Bandung për 15 ditë. Feliksi tregonte: «Vëlla Deshampi e pyeti familjen tonë nëse do të donim të pagëzoheshim. Katër prej nesh​—unë, Dodo, Jozefina (Pina Nio), motra e vogël, dhe mamaja (Kang Nio)—​u pagëzuam në simbol të kushtimit tonë ndaj Jehovait.»a Pas pagëzimit, familja Tan u bashkua me Klemin dhe Zhanën në një fushatë predikimi nëntëditore. Klemi u tregoi si të predikonin me anë të një karte dëshmie që përmbante një mesazh të thjeshtë biblik në tri gjuhë. Shpejt grupi i vogël në Bandung u bë kongregacion, i dyti në Indonezi.

Kapelja e papës

Teksa vepra e predikimit merrte vrull, Dëshmitarët filluan t’i binin në sy klerit të të ashtuquajturit krishterim. Ata dhe përkrahësit e tyre shkruan artikuj në shtyp ku sulmonin bindjet dhe veprën e Dëshmitarëve. Këta artikuj i shtynë zyrtarët e Ministrisë së Çështjeve Fetare të thërritnin Frenk Rajsin për ta marrë në pyetje. Të kënaqur me përgjigjet e tij, zyrtarët nuk e penguan veprën.b

Në fillim të viteve 30 shumica e zyrtarëve kolonialë nuk i kushtuan vëmendje ose e toleruan veprën e predikimit. Por, kur në Evropë pushtetin e mori Gjermania naziste, disa burokratë, sidomos katolikët e flaktë, nisën t’i kundërshtonin Dëshmitarët. Klem Deshampi kujtonte: «Një punonjës i doganës që ishte katolik, konfiskoi një dërgesë me librat tanë me pretekstin se në ta nuk flitej mirë për nazizmin. Kur i telefonova Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për t’u ankuar, punonjësi që na kishte halë në sy ishte me pushime. Zëvendësi i tij, një njeri miqësor që nuk ishte katolik, i zhbllokoi menjëherë librat duke thënë: ‘Merrni sa të mundeni, sa s’është kthyer ai që kam zëvendësuar.’»

Zhanë Deshampi thoshte: «Në një rast tjetër zyrtarët këmbëngulën që të censuronim dy figura nga libri Armiqtë. Ata nuk pranonin karikaturën e një gjarpri të përdredhur (Satanai), dhe të një prostitute të dehur (feja e rreme). Të dyja personazhet kishin në kokë kapelen e papës (mitrën).c Ishim të vendosur t’i shpërndanim librat. Prandaj, tre prej nesh u ulëm në skelë, në vapën përvëluese, dhe filluam të shfletonim mijëra libra për të fshirë nga figurat kapelen e papës.»

Karikatura të gjarprit dhe të prostitutës, të dy me kapelen e papës

Dy figurat nga libri Armiqtë që autoritetet i censuruan

Teksa Evropa shkonte drejt luftës, botimet tona vazhdonin të demaskonin pa frikë hipokrizinë dhe përzierjen e krishterimit në politikë. Si rrjedhojë, kleri i shtrëngoi edhe më fort autoritetet që ta kufizonin veprën tonë; dhe disa nga botimet tona u ndaluan.

Sidoqoftë, vëllezërit ishin të vendosur të ecnin para me veprën dhe e përdorën mirë makinën e shtypit që morën nga Australia. (Vep. 4:20) Zhanë Deshampi përshkroi një nga strategjitë e tyre: «Sa herë që shtypnim një broshurë a revistë të re, duhej t’u paraqitnim autoriteteve një kopje për miratim. E shtypnim dhe ua shpërndanim kongregacioneve në fillim të javës. Pastaj çonim një kopje në zyrën e prokurorit të përgjithshëm në fund të javës. Nëse botimi nuk pranohej, varnim kokën dhe e tundnim në shenjë mërzie e sakaq nxitonim për në shtypshkronjë që të shtypnim botimin e radhës.»

Vëllezërit dhe motrat që shpërndanin botime të ndaluara shpesh luanin me policinë si macja me miun. Për shembull, ndërsa predikonte në Kedir, në Javën Lindore, Çarls Harrisi pa dashje trokiti në shtëpinë e inspektorit të policisë së zonës.

«Kam gjithë ditën që ju kërkoj,​—i tha inspektori.—​Prit sa të gjej listën e librave tuaj të ndaluar.»

Çarlsi tregon: «Ndërkohë që inspektori rrëmonte brenda në shtëpi, i fsheha botimet e ndaluara në xhepat sekretë të palltos. Kur u kthye, i dhashë 15 broshura që nuk ishin të ndaluara. Me gjysmë zemre më dha një kontribut dhe pastaj botimet e ndaluara i shpërndava ca dyer më tutje.»

Shtypin botime nën presion

Kur Evropën e mbërtheu Lufta II Botërore, dërgesat e literaturës nga Holanda në Indonezi u ndërprenë. Megjithatë, vëllezërit e kishin nuhatur rrezikun dhe me mençuri morën masa që revistat t’i shtypte një kompani në Xhakartë. Numri i parë i revistës Ngushëllim (tani Zgjohuni!) në indonezisht doli në janar 1939, kurse Kulla e Rojës në indonezisht doli pak më pas. Më vonë, vëllezërit blenë një makinë shtypi të vogël dhe nisën t’i shtypnin vetë revistat. Më 1940 ata morën nga Australia një makinë shtypi të sheshtë më të madhe dhe filluan të shtypnin broshura e revista në indonezisht e holandisht, të gjitha me shpenzimet e tyre.

Duke shkarkuar pajisjen e shtypshkronjës nga një kamion në Xhakartë, Indonezi

Sjellin makinën e parë të shtypit në depon e Xhakartës

Pas shumë përpjekjesh, më 28 korrik 1941 qeveria i ndaloi të gjitha botimet e Shoqatës Watch Tower. Zhanë Deshampi kujtonte: «Një paradite po shkruaja me makinë shkrimi në zyrë, kur papritur dyert u hapën vrullshëm dhe ia behën tre policë e një titullar policie holandez i veshur me uniformë të plotë​—me medalje, doreza të bardha, shpatën në këllëf dhe me helmetën tipike me pendë. Nuk u habitëm aspak. Tri ditë më parë kishim marrë vesh nga burime të brendshme se botimet tona së shpejti do të ndaloheshin. Zyrtari i kapardisur lexoi një deklaratë të gjatë dhe pastaj kërkoi ta çonim te shtypshkronja që të bllokonte makinën tonë të shkrimit. Por, burri im i tha se kishte ardhur tepër vonë; makina e shtypit ishte shitur një ditë më parë.»

Gjithsesi, Biblën nuk e kishin ndaluar. Kështu që vëllezërit vazhduan predikimin shtëpi më shtëpi duke përdorur vetëm Biblën. Drejtonin edhe studime biblike. Por, meqë retë e luftës po arrinin deri në Azi, pionierët e huaj i udhëzuan të ktheheshin në Australi.

a Më vonë, edhe babai i Feliksit dhe tre vëllezërit më të vegjël u bënë Dëshmitarë. Motra e tij, Jozefina, u martua me Andrea Eliasin dhe ndoqi Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Jetëshkrimi i saj është botuar në revistën Zgjohuni! të shtatorit 2009.

b Pas Luftës II Botërore, Frenku u kthye në Australi dhe krijoi familje. Ai përfundoi jetën e tij në tokë në vitin 1986.

c Figurat bazoheshin te Zbulesa 12:9 dhe 17:3-6.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo