REPUBLIKA DOMENIKANE
Rrezikojnë të arrestohen
«Të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat»
Gjatë ndalimit ishte jetësore që shërbëtorët besnikë të Jehovait të merrnin vazhdimisht ushqim frymor, ama ishte periudhë e rrezikshme për adhuruesit e vërtetë. Gjatë atyre viteve shumë vëllezër i arrestuan dhe i burgosën disa herë.
Juanita Borgesi shpjegon: «Kur mësova të vërtetën më 1953, e dija mirë se mund të më arrestonin ngaqë u bëra Dëshmitare e Jehovait. Ndodhi tamam kështu. Në nëntor 1958, kur vajta te motër Eneida Suarezi, erdhi policia sekrete e na akuzoi se kishim mbajtur mbledhje. Na dënuan me tre muaj burg dhe secila duhej të paguante një gjobë prej 100 pesos, në atë kohë 100 dollarë.»
Policia sekrete mbante lista me të dhëna të hollësishme për vëllezërit e motrat.
Qeveria bëri gjithë sa mundi që Dëshmitarët të mos mblidheshin bashkë, por vëllezërit nuk u sprapsën. Sidoqoftë, duhej të tregoheshin «të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat». (Mat. 10:16) Andrea Almansari kujton: «Duhej të mbërrinim në orare të ndryshme në mbledhje. Kur mbaronim, shpesh largoheshim natën vonë ngaqë nuk duhej të niseshim në të njëjtën kohë, përndryshe do të binim në sy.»
Jeremia Gasi, që lindi kur i ati, Leoni, ishte në burg, u bë lajmëtar më 1957 kur ishte shtatë vjeç. Ai kujton mbledhjet e fshehta në shtëpinë e tij dhe sa kujdes tregonin që të mos i diktonin. Jeremia shpjegon: «Të gjithë të pranishmëve u jepej një copë e vogël kartoni me një numër që tregonte radhën kur duhej të largoheshin. Kur mbaronte mbledhja, im atë më linte te dera që të kontrolloja numrat te copat e kartonit dhe t’i orientoja të pranishmit të niseshin dy e nga dy në drejtime të ndryshme.»
Një mënyrë tjetër si bënin kujdes ishte t’i mbanin mbledhjet kur kishte më pak rrezik. Për shembull, Mersedesa Garsia e mësoi të vërtetën nga daja, Pablo Gonsalezi. Kur ishte vetëm shtatë vjeçe, i vdiq e ëma, ndërkohë që i ati ishte në burg, duke e lënë vetëm me nëntë vëllezërit e motrat. Ajo u pagëzua më 1959 në moshën 9-vjeçare. Që të mos i zbulonin, vëllezërit e mbajtën fjalimin e pagëzimit në 03.30 të mëngjesit. Fjalimi u mbajt në shtëpinë e një vëllai e më pas u bë pagëzimi në lumin Osamë, që rridhte nëpër qytet. Mersedesa thotë: «Aty nga ora 05.30 e mëngjesit ishim rrugës për në shtëpi teksa pjesa tjetër e lagjes po zgjohej.»