REPUBLIKA DOMENIKANE
Të burgosur e të ndaluar
Burgosen për asnjanësi
Enrik Gasi dhe biruca ku u burgos për dy javë
Më 19 qershor 1949 një grup të mërguarish domenikanë u kthyen me avion në Republikën Domenikane, duke u orvatur të rrëzonin diktatorin Rafael Truhijo. Orvatja u shtyp shpejt dhe qeveria e Truhijos burgosi ata që nuk pranuan të kryenin shërbim ushtarak, si edhe këdo që e konsideronte armik. Mes Dëshmitarëve të parë që u burgosën ngaqë nuk pranuan të kryenin shërbim ushtarak ishin edhe Leon, Enrik dhe Rafael Gasi, si edhe disa shokë pune të Leonit, edhe ata Dëshmitarë.
Leoni shpjegon: «[Mua dhe shokët e punës] na arrestuan dhe shërbimi sekret ushtarak na mori në pyetje. Pasi na kërcënuan, na lanë të lirë vetëm që të na thirrnin për shërbim ushtarak ca ditë më vonë, në kundërshtim me procedurën e zakonshme. Ngaqë nuk pranuam t’u përmbaheshim kërkesave, na burgosën. Atje gjetëm katër Dëshmitarë të tjerë, dy prej të cilëve ishin vëllezërit e mi të gjakut. Pasi na liruan, na dënuan sërish. Kjo ndodhi tri herë radhazi, vetëm me një a dy ditë ndërprerje. Kaluam gati shtatë vjet në burg, pesë nga të cilët herën e fundit.»
«Edhe kur na rrihnin me kamxhikë e na gjuanin me shkopinj e me qytën e armëve, nuk e ndienim edhe aq, falë forcës që na jepte Jehovai për të qëndruar»
Jeta në burg ishte sprovë për vëllezërit. Të burgosurit dhe rojat i qesëndisnin ditë e natë. Komandanti i «Fort Osamës» ku i burgosën në fillim, na u drejtua: «Ju, Dëshmitarë të Jehovait, më njoftoni kur të bëheni dëshmitarë të Djallit, që t’ju lë të lirë.» Gjithsesi, kundërshtarët nuk ua thyen dot integritetin vëllezërve besnikë. Leoni shpjegoi pse: «Gjithmonë merrnim forcë nga Jehovai për të mos u dorëzuar, madje e shihnim dorën e Tij në favorin tonë edhe në detajet më të vogla. Edhe kur na rrihnin me kamxhikë e na gjuanin me shkopinj e me qytën e armëve, nuk e ndienim edhe aq, falë forcës që na jepte Jehovai për të qëndruar.»
Ndalohen Dëshmitarët e Jehovait
Armiqtë e adhurimit të vërtetë po i intensifikonin përndjekjet kudo tjetër në vend. Megjithatë, në maj 1950 në Republikën Domenikane numri i lajmëtarëve ishte rritur në 238, përveç misionarëve. Njëzet e një lajmëtarë shërbenin në kohë të plotë.
Një gazetë njofton dënimin me burg të vëllezërve tanë për asnjanësi
Rreth asaj kohe një agjent i shërbimit sekret i shkroi sekretarit të presidentit: «Anëtarët e sektit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait kanë vazhduar me entuziazëm aktivitetin e tyre në të gjitha lagjet e qytetit [Sjutat-Truhijos].» Më tej thoshte: «Edhe një herë theksoj se Dëshmitarëve të Jehovait duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë, pasi predikimi dhe aktivitetet e tyre po mashtrojnë ndërgjegjet brenda disa sektorëve të opinionit publik, sidomos brenda masave të gjera.»
Sekretari i Punëve të Brendshme dhe i Policisë, Antonio Ungria, i kërkoi Brantit të shkruante një letër ku të shprehte qëndrimin e Dëshmitarëve ndaj shërbimit ushtarak, nderimit të flamurit dhe pagimit të taksave. Ky shkroi një letër ku përdori informacion nga libri Le të dalë Perëndia i vërtetë. Prapëseprapë, më 21 qershor 1950 sekretari Ungria nxori një dekret që ndalonte aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Domenikane. Vëlla Brantin e thirrën në zyrën e Ungrisë që ta dëgjonte personalisht dekretin. Vëllai e pyeti nëse misionarët duhej të largoheshin nga vendi. Ungria e siguroi se mund të qëndronin për sa kohë t’i bindeshin ligjit e të mos u flitnin të tjerëve për fenë e tyre.a
a Gjatë javëve para sa të dilte dekreti, priftërinjtë katolikë shkruan artikuj të gjatë gazetash ku i denonconin Dëshmitarët e Jehovait dhe me pa të drejtë i lidhnin me komunizmin.