BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yb09 f. 66-141
  • Samoa

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Samoa
  • Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2009
  • Nëntema
  • MBËRRIN DRITA E SË VËRTETËS
  • MBLEDHJET E HERSHME
  • NDIHMË NGA PËRTEJ DETIT
  • PËRPARIM NË APIA
  • PËRPARIM NË SAMOAN AMERIKANE
  • MBËRRIJNË MISIONARËT E GALAADIT
  • «SONTE KA FILM FALAS»
  • NGULMIMI NË PREDIKIM U PREK ZEMRËN DISAVE
  • PREDIKIM NË STIL SAMOAN
  • NDIKIMI I LITERATURËS SAMOANE
  • MARRIN FORCË NGA ASAMBLETË
  • APOSTAZI NË APIA
  • SHOQËRI NDËRTUESE
  • SAMOA AMERIKANE ECËN PËRPARA
  • SAMOA ÇEL DYERT
  • PËRSHTATEN ME JETËN NË ISHULL
  • SAVAI DËGJON LAJMIN E MIRË
  • KAPËRCEJNË PROBLEMET SHËNDETËSORE PËR T’I SHËRBYER JEHOVAIT
  • SPROVA NË TOKELAU
  • RRITJE FRYMORE ME BEKIMIN E JEHOVAIT
  • SHTOHEN PËRPJEKJET NË PËRKTHIM
  • DEGA DUHEJ ZGJERUAR
  • GODET KATASTROFA
  • «PËRTEJ ÇDO IMAGJINATE»
  • E VËRTETA U NDRYSHON JETËN NJERËZVE
  • TË RINJ QË LËVDOJNË KRIJUESIN
  • ARSIMIM PËRMES VALËVE TË RADIOS
  • NEVOJA PËR SALLA MBRETËRIE
  • KOHËT NDRYSHOJNË
  • ECIN PËRPARA ME ORGANIZATËN E JEHOVAIT
Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2009
yb09 f. 66-141

Samoa

TË VENDOSUR thuajse në largësi të njëjtë mes Havait dhe Zelandës së Re, ishujt magjepsës të Samoas vezullojnë në ujërat e kaltra e të ngrohta të Oqeanit Paqësor. Këta ishuj të krijuar nga shpërthimet vullkanike e të zbukuruar me maja malesh të mbuluara nga retë, pyje tropikale të harlisura dhe plazhe të zbukuruara me palma, janë xhevahire me një bukuri të jashtëzakonshme. Lagunat vezulluese janë burim ushqimi për një parajsë detare me rreth 200 varietete koralesh dhe deri në 900 lloje peshqish. Ja pse misionarët e hershëm evropianë i përshkruan këta ishuj me aromë jasemini të kuq si ndër më të bukurit që kishin parë në Paqësorin Jugor.

Duket se lapitasit ishin të parët që u vendosën në ishujt e Samoas, rreth dhjetë shekuj para Krishtit.a Si eksplorues të patrembur dhe lundërtarë të zotë, këta polinezianë të hershëm me sa duket emigruan nga Azia Juglindore në Paqësor. Duke ndjekur erërat dhe rrymat detare, ata përshkuan me kanoe të stërmëdha dyshe hapësira oqeanike më të mëdha se gjithkush tjetër para tyre. Në zemër të Paqësorit Jugor, zbuluan një grup të vogël ishujsh që e quajtën Samoa.

Me kalimin e shekujve, pasardhësit e tyre u përhapën drejt lindjes, përgjatë Paqësorit në Tahiti, pastaj në Havai në veri, në Zelandën e Re në jugperëndim dhe në Ishullin e Pashkës në juglindje. Sot, ky rajon gjigant trekëndor quhet Polinezi, që do të thotë «Shumë ishuj» dhe banorët e tij quhen polinezianë. Rrjedhimisht, Samoa është quajtur «Djepi i Polinezisë».

Në kohët e sotme, ka pasur një vërshim tjetër më domethënës samoanësh të patrembur. Njësoj si paraardhësit e tyre lundërtarë, edhe këta janë përpjekur të arrijnë një jetë më të mirë. Por, në vend të një ekspedite gjeografike, kanë «udhëtuar» nga errësira frymore në dritë. Ishin në kërkim të formës së adhurimit që miraton Perëndia i vërtetë, Jehovai.—Gjoni 4:23.

Në këtë pjesë do të flasim për historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Samoa,b në Samoan Amerikane dhe në Tokelau. Më 1962, Samoa Perëndimore u bë komb i pavarur, kurse Samoan Amerikane e ka nën kontroll territorial SHBA-ja. Kështu, ishujt e Samoas janë të ndarë në dy pjesë: Samoa dhe Samoa Amerikane.

MBËRRIN DRITA E SË VËRTETËS

Lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë mbërriti për herë të parë në Samoa në vitin 1931, kur një vizitor u shpërndau më tepër se 470 libra e broshura njerëzve të interesuar në këta ishuj. Ka të ngjarë që vizitori të ketë qenë Sidni Shepërdi, një Dëshmitar i zellshëm që rreth asaj kohe lundroi në pjesë të ndryshme të Polinezisë duke përhapur lajmin e mirë.

Shtatë vjet më vonë, mesazhi i Mbretërisë mbërriti në Samoan Amerikane kur Xh. F. Radhërfordi, nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, ndaloi në ishullin Tutuila gjatë udhëtimit me anije nga Australia për në Shtetet e Bashkuara. Gjatë asaj ndalese të shkurtër, Radhërfordi me shokët e udhëtimit përfituan nga rasti dhe shpërndanë literaturë nëpër qytetin-port të Pago-Pagos.

Dy vjet më vonë, më 1940, në Samoan Amerikane shkoi Harold Gili, i cili kishte shërbyer si pionier në gjithë rajonin e Azisë dhe Paqësorit. Kishte me vete 3.500 broshura Ku janë të vdekurit?, botimi i parë që Dëshmitarët e Jehovait përkthyen në gjuhën samoane.c

Pastaj Haroldi shkoi në ishullin Upolu të Samoas, një udhëtim tetë deri në dhjetë orë me varkë. Më vonë, shkroi: «Me sa duket fjala kishte shkuar më shpejt, pasi, kur mbërrita, një polic më tha se nuk më lejohej të zbritja. I tregova pasaportën dhe i lexova parathënien e bujshme që thotë se të gjitha autoritetet kufitare duhet t’i lejojnë shtetasit e Madhërisë së Tij Britanike ‘të kalojnë lirisht pa pengesa dhe t’u jepet çdo ndihmë e mbrojtje’. Falë kësaj, pata një intervistë me guvernatorin, i cili më lejoi të rrija deri sa të nisej varka tjetër, pesë ditë më vonë. Mora me qira një biçikletë dhe i rashë ishullit përmes, duke shpërndarë broshura gjithandej.»

Pas kësaj fushate predikimi të suksesshme në ishujt e Samoas, Haroldit iu desh të kthehej në Australi. Por një nga botimet që shpërndau, përfundoi në duart e një nëpunësi, Pele Fuaiupolut.d Mesazhi i broshurës mbeti në zemrën e Peles, duke pritur që Dëshmitarët të ktheheshin e të ujitnin të vërtetat e çmuara që ishin mbjellë.—1 Kor. 3:6.

Më 1952, pas 12 vjetësh, në kryeqytetin e Samoas, Apia, që ndodhet në ishullin Upolu, shkoi një Dëshmitar nga Anglia, Xhon Kroksfordi. Atje nisi punë në të njëjtën zyrë me Pelen. Xhoni ishte i afrueshëm dhe i zellshëm për t’u dëshmuar të tjerëve. Si vuri re interesin e Peles për Biblën, mori iniciativën dhe i bëri një vizitë në shtëpi. Peleja shkruan: «Folëm deri në orët e para të mëngjesit të së dielës. I bëra shumë pyetje dhe për të gjitha, m’u përgjigj me Bibël. S’kisha më asnjë dyshim se kjo ishte e vërteta që po kërkoja.» Po atë vit, ai dhe e shoqja, Ailua, ishin samoanët e parë që ia kushtuan jetën Jehovait dhe u pagëzuan.

Peleja e dinte se do t’i kërkonin llogari pse kishte lënë fenë e të parëve. Prandaj, studioi shumë dhe u lut me zjarr për ndihmën e Jehovait. Kur kryetari i madh i familjes e thirri për një mbledhje në fshatin e lindjes, në Faleasiu, një fshat i madh bregdetar 19 kilometra në perëndim të Apias, ai dhe një kushëri i interesuar për të vërtetën u gjendën përballë një grupi armiqësor me gjashtë kryetarë, tre oratorë, dhjetë pastorë, dy mësues teologjie, kryetarin e madh që drejtonte mbledhjen, si dhe burra e gra të moshuar të familjes.

Peleja kujton: «Na mallkuan që kishim çnderuar emrin e familjes dhe kishën e etërve tanë.» Kryetari i madh propozoi një debat, i cili zgjati deri në orën katër të mëngjesit.

«Edhe pse disa bërtitnin: ‘Hiqe atë Bibël!’, ‘Mos na fol me Bibël!’, unë iu përgjigja me Bibël të gjitha pyetjeve dhe hodha poshtë argumentet e tyre,—tregon ai.—Në fund, s’po dëgjoja më asnjë fjalë ose tingull prej tyre. Të gjithë ishin kokulur. Kryetari i madh tha me zë të mekur: ‘Fitove, Pele!’

Më fal, zotëri,—kujton t’i ketë thënë ai kryetarit të madh,—por nuk fitova. Këtë mbrëmje ju dëgjuat mesazhin e Mbretërisë. Shpresoj me gjithë zemër t’ia vini veshin.»

Falë mbështetjes me përulësi të Peles te Jehovai dhe te fjala e Tij, Bibla, fara e së vërtetës së Mbretërisë po zinte rrënjë në Upolu.

MBLEDHJET E HERSHME

Fjala për fenë e re të Peles u përhap menjëherë në ishull, banorët e të cilit ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ashtu si athinasit e shekullit të parë të cilëve u predikoi Pavli, disa ishin kureshtarë për këtë ‘mësim të ri’ dhe donin të dinin më tepër. (Vep. 17:19, 20) Një i ri, Matusi Leauanae, mori vesh se ata që ishin të interesuar për këtë fe të re, mblidheshin çdo javë në shtëpinë e një mjeku në rrethinat e spitalit, dhe vendosi të shkonte të shihte ç’bëhej. Mirëpo kur mbërriti te porta e spitalit, papritur e zuri paniku dhe bëri të ikte. Shyqyr që Xhon Kroksfordi mbërriti tamam në kohë që ta ftonte të bashkohej me grupin e vogël atë mbrëmje. Të riut Matusi i pëlqeu studimi i librit «Le të dalë Perëndia i vërtetë» dhe donte të shkonte përsëri. Ndonëse fillimisht i ndiqte mbledhjet me hope, më në fund e vërteta zuri rrënjë në zemrën e tij dhe u pagëzua në vitin 1956.

Shumë shpejt, ata që po shoqëroheshin me grupin, e panë sa e rëndësishme ishte t’u flitnin të tjerëve për atë që kishin mësuar. Vetëm pesë muaj pas mbërritjes së vëlla Kroksfordit në Apia, dhjetë veta po dilnin me të në predikim. Katër muaj më vonë, numri ishte rritur në 19. Këta patën rezultate të mira teksa u predikonin miqve dhe të afërmve.

Një nga ata lajmëtarë i dha dëshmi kushëririt të vet, Sauvao Toetut, i cili jetonte në Faleasiu. Me kalimin e kohës, Sauvao dhe kunati i tij, Finau Feomaia, nisën të ndiqnin mbledhjet së bashku me familjet e tyre dhe morën anën e së vërtetës.

Në janar të vitit 1953, u shënua një ngjarje historike për adhurimin e vërtetë në Samoa. Meqë në atë kohë mbledhjet i ndiqnin rreth 40 veta, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Australi dha miratimin për formimin e kongregacionit të parë të Samoas, në Apia. Më pas, kur vëlla Kroksfordi u kthye në Angli, Peleja i sapopagëzuar mori drejtimin në kongregacion. Lajmëtarët ishin të patrembur e të zellshëm, por edhe të rinj në të vërtetën e pa përvojë. Shumë prej tyre duhej të mësonin ta paraqitnin më me takt mesazhin e Mbretërisë e ta bënin më tërheqës. (Kolos. 4:6) Të tjerë kishin nevojë për ndihmë që të vishnin plotësisht personalitetin e ri. (Efes. 4:22-24) Lumturisht, ndihma do t’u vinte së shpejti.—Efes. 4:8, 11-16.

NDIHMË NGA PËRTEJ DETIT

Në maj të vitit 1953, për të ndihmuar kongregacionin Apia erdhi një çift pionierësh australianë, Ronald (Ron) dhe Oliva (Dolli) Selërsi. Roni shkruan: «Dega e Australisë i kishte humbur përkohësisht kontaktet me vëllezërit atje dhe ishte në merak për ta. Meqë kishim shprehur gatishmërinë të shërbenim në ishujt e Paqësorit, na kërkuan të shkonim në Samoa e të shërbenim si pionierë specialë në kongregacionin e sapoformuar.»

Teksa udhëtonin për në Samoa me hidroplan, Roni dhe Dolli u përgatitën mendërisht për ato lloj vështirësish që hasen shpesh në caktime misionare në vende të largëta. «Mirëpo, na priste një surprizë e këndshme,—kujton Roni.—Ishulli ishte mbuluar me bimësi tropikale të harlisur. Kudo pamë njerëz të lumtur e të qeshur, truplidhur e të shëndetshëm. Fëmijët vraponin përreth shtëpive pa mure, me çati kashte dhe dysheme të pastra prej koralesh. Asnjeri nuk nxitonte dhe nuk merakosej për orën. Na dukej se kishim mbërritur në parajsë.»

Pasi u strehua në shtëpinë e Peles, çifti Selërs ia nisi menjëherë punës. «Takohesha pothuajse çdo natë me vëllezërit për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre të shumta,—thotë Roni.—Edhe pse i njihnin doktrinat themelore të Biblës, e pikasa se duhej të bënin mjaft ndryshime që të përputhnin jetën me normat e Perëndisë. Për t’i ndihmuar gjatë asaj periudhe të vështirë, bashkë me Dollin u përpoqëm të ishim edhe më të duruar e t’u tregonim më tepër dashuri se zakonisht.» Megjithatë, mjerisht disa nuk e pranuan ndreqjen e dashur në bazë të Shkrimeve dhe pak nga pak u shkëputën nga kongregacioni. Kurse të tjerët shfaqën frymën e përulësisë dhe e pritën mirë stërvitjen e nxitjen që morën. Me kalimin e kohës bënë përparim frymor dhe, si rezultat, kongregacioni u rafinua e u forcua.

Gjithashtu, Roni e Dolli morën drejtimin në predikimin shtëpi më shtëpi. Deri atëherë, shumica e vëllezërve kishin predikuar vetëm në mënyrë joformale, te miqtë dhe fqinjët. Tani, teksa predikonin shtëpi më shtëpi me çiftin Selërs, gjetën shumë të interesuar. Roni shkruan: «Në një rast, na ftuan në fshatin e një kryetari të interesuar, që t’i flitnim më tepër për Mbretërinë. Pasi hëngrëm, nisi një bisedë biblike e gjallë. S’kishte kaluar as një orë dhe biseda ishte kthyer në fjalim publik, sepse auditori ishte rritur në pothuajse 50 veta, ndonëse ne s’kishim lajmëruar askënd.» Shpesh lajmëtarëve u ndodhte që gjatë studimeve biblike me 2 a 3 veta, të mblidheshin 10 deri në 40 të tjerë, kureshtarë për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait.

Mirëpo, kjo veprimtari nuk shpëtoi pa u vënë re nga kleri i krishterimit të rremë. Kur autoritetet nuk pranuan t’ua shtynin vizën Ronit dhe Dollit, Roni vajti e pyeti komisionerin e lartë. Ai kujton: «Komisioneri na tregoi se disa klerikë ishin ankuar në qeveri për predikimin tonë. Për pasojë, tha se do të na e shtynte vizën vetëm po të premtonim se nuk do ta ndihmonim më kongregacionin në predikim. Nuk e pranova këtë kusht. Gjithashtu, i thashë se askush nuk mund ta ndalte veprën e Perëndisë, e këtë duhej ta mbante mend mirë. Ai ma ktheu me të qeshur: ‘Të shohim ç’do të ndodhë kur të ikni ju!’»

Që nga ai çast, autoritetet bënin kujdes që të mos i lejonin të hynin në vend Dëshmitarët e huaj. Pavarësisht nga kjo, më 1953, Teodor Xharazi, i cili në atë kohë shërbente në zyrën e degës të Australisë dhe tani është anëtar i Trupit Udhëheqës, hyri në Samoa pa rënë në sy, që t’i jepte zemër kongregacionit. «Vizita e tij na inkurajoi shumë dhe na siguroi se po ecnim në unitet me organizatën e Jehovait»,—thotë Roni.

Pak kohë më pas, Ronit dhe Dollit u mbaroi viza, kështu që shkuan në Samoan Amerikane. Gjithsesi, tetë muajt që ndenjën në Samoa, ata bënë shumë për të stabilizuar e për të forcuar vëllezërit vendës. E ndonëse autoritetet nuk e dinin, së shpejti do të vinin Dëshmitarë të tjerë në vend të çiftit Selërs.

PËRPARIM NË APIA

Riçard Xhenkinsi, një australian entuziast 23-vjeçar i sapopagëzuar, mbërriti në Apia në maj të vitit 1954. Ai tregon: «Para se të ikja nga Australia, më këshilluan të mos shoqërohesha me vëllezërit vendës derisa të siguroja vendin e punës. Megjithatë, pas disa muajsh, nisa të ndihesha shumë i vetmuar dhe kisha nevojë për inkurajim. Prandaj vendosa të takohesha pa u diktuar me Pele Fuaiupolun.» U takuan pasi ra nata.

Riçardi kujton: «Peleja më tha se nuk do të më thërriste me emrin tim, pasi autoritetet mund të kuptonin se isha pjesë e kongregacionit e të më dëbonin. Prandaj më vuri emrin e djalit të tij të madh, Uitinese, shqiptimi samoan i fjalës angleze ‘uitnes’, që do të thotë Dëshmitar. Edhe sot e kësaj dite vëllezërit e motrat samoanë më thërrasin kështu.»

Me maturi, Riçardi i mbajti kontaktet me vëllezërit duke përdorur këtë pseudonim. Gjithashtu, jepte dëshmi joformale dhe nisi disa studime biblike. Njëri nga studentët biblikë, Mufaulu Galuvao, një i ri që punonte si inspektor i shëndetësisë, më vonë u bë anëtar i Komitetit të Degës të Samoas. Pas njëfarë kohe, edhe një student tjetër biblik, Falema Tuipoloa, u bë Dëshmitar, bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes së tij.

Një nga studentët biblikë të Riçardit, i riu Siemu Tase, kishte qenë kapoja i një bande hajdutësh që vidhte mallra nga ndërmarrja e shërbimeve komunale. Mirëpo, pak pasi nisi të studionte Biblën, Siemun e burgosën për krimet që kishte bërë. Kjo nuk e stepi Riçardin, që i kërkoi leje gardianit ta vazhdonte studimin me Siemun nën hijen e një peme mangoje, rreth 100 metra jashtë mureve të burgut. Me kalimin e kohës, erdhën edhe disa të burgosur të tjerë në studim.

Riçardi kujton: «Edhe pse nuk na ruante ndonjë rojë, asnjë nga të burgosurit nuk u përpoq ndonjëherë të ikte, dhe disa prej tyre pranuan të vërtetën.» Pasi doli nga burgu, Siemu me kalimin e kohës u emërua plak.

Në vitin 1955 Riçardi u martua me një pioniere australiane, Gloria Grinin. Së bashku, kaluan 15 vjet në Samoa dhe ndihmuan 35 veta të mësonin të vërtetën, para se të ktheheshin në Australi. Tani jetojnë në Brisbejn të Australisë, ku Riçardi shërben si plak në kongregacionin e gjuhës samoane.

Në ato vite të hershme ndihmoi edhe një çift tjetër australian, Uilliam (Bill) e Marxhori (Gërli) Mosi, që mbërritën në Apia më 1956. Billi ishte plak kongregacioni dhe njeri praktik, ndërsa Gërli, pioniere me 24 vjet përvojë. Atëherë kishte 28 lajmëtarë në kongregacionin Apia, dhe grupe studimi libri si në Apia, edhe në Faleasiu. Për nëntë vjet, Billi e Gërli punuan pa u lodhur bashkë me kongregacionin. Në vitin 1965, kur u detyruan të ktheheshin në Australi për shkak të shëndetit të keqësuar të Gërlit, grupi në Faleasiu ishte bërë kongregacion.

Gjatë atyre viteve, qeveria samoane i refuzoi të gjitha kërkesat për të lejuar misionarë në vend. Ishte e qartë se ata dhe klerikët shpresonin që Dëshmitarët e Jehovait dalëngadalë të shpërbëheshin si grup. Por ndodhi krejt e kundërta. Dëshmitarët u rritën në numër dhe ishin aktivë e të zellshëm. I kishin rrënjët thellë atje!

PËRPARIM NË SAMOAN AMERIKANE

Para se çiftit Selërs t’i mbaronte viza për në Samoa më 1954, Roni vendosi të kërkonin leje qëndrimi në Samoan Amerikane, në vend të që ktheheshin në Australi. «Kur takova prokurorin e përgjithshëm të Samoas Amerikane,—shkruan ai,—dhe i thashë se qeveria samoane na e kishte refuzuar vizën për arsye fetare, u përgjigj: ‘Zoti Selërs, këtu në Samoan Amerikane kemi liri fetare, dhe unë do të kujdesem që të merrni vizën.’»

Roni dhe Dolli mbërritën në Pago-Pago të Samoas Amerikane, më 5 janar 1954. Si kusht për hyrjen, prokurori i përgjithshëm i kërkoi Ronit të paraqitej rregullisht në zyrën e tij, që të njihej më mirë me Dëshmitarët e Jehovait. Si pasojë, patën disa biseda biblike të këndshme.

Më vonë atë muaj, Roni dhe Dolli morën një ftesë për darkë në shtëpinë e prokurorit të përgjithshëm. Meqë ishin ftuar edhe prifti katolik dhe pastori i Shoqërisë Misionare të Londrës, nisi një bisedë biblike e gjallë. Roni kujton: «Në fund të mbrëmjes, prokurori i përgjithshëm na falënderoi të gjithëve për praninë dhe tha: ‘Epo, mendoj se në bisedën e sotme, zoti dhe zonja Selërs dolën më të fortë.’ Jo shumë kohë më pas, morëm leje qëndrimin e përhershëm. Më vonë, kur prokurori i përgjithshëm na informoi se qeveria i mirëpriste kërkesat e mëtejshme që misionarët Dëshmitarë të hynin në vend, menjëherë ia kalova informacionin zyrës së degës të Australisë.»

I pari që ia kushtoi jetën Jehovait në Samoan Amerikane ishte 19-vjeçari Ualesi (Uollas) Pedro, lindur në Tokelau. Lidia Pedro, një e afërme e tij që ishte pioniere speciale në Fixhi, i kishte lënë librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë» vëllait të madh të Uollasit, kur kishte shkuar për vizitë më 1952. Djaloshi Uollas e gjeti librin në shtëpinë e të vëllait dhe e studioi me kujdes.

Roni dhe Dolli e takuan familjen Pedro në vitin 1954 dhe studiuan me vëllanë dhe motrën e madhe të Uollasit. Ai besonte te Perëndia Jehova, por në fillim s’donte të merrte pjesë në studim pasi s’besonte te feja. Megjithatë, me kalimin e kohës u bind se Dëshmitarët e Jehovait kanë të vërtetën dhe nisi t’i ndiqte rregullisht mbledhjet në Fagatogo. Bëri përparim të shpejtë dhe u pagëzua më 30 prill 1955, në portin e Pago-Pagos.

Në janar të vitit 1955, vetëm një vit pasi kishin mbërritur Roni dhe Dolli, shtatë veta po ndiqnin mbledhjet në shtëpinë e thjeshtë në Fagatogo. Shtëpia s’kishte shumë mobilie, prandaj të gjithë uleshin përtokë. Shpejt, tre prej tyre nisën të dilnin në shërbim me Ronin dhe Dollin. Ishte dita e gjërave të vogla, por do të ndodhnin zhvillime të mrekullueshme.

MBËRRIJNË MISIONARËT E GALAADIT

Më 4 shkurt 1955, në Samoan Amerikane mbërritën dy çifte misionarësh nga Shtetet e Bashkuara: Pol e Frensis Evansi dhe Gordon e Patrisha Skoti. U vendosën në shtëpinë misionare të Fagatogos, në një lagje shumë të zhurmshme. Leonard (Len) Helbergu, mbikëqyrësi qarkor që vizitoi Pago-Pagon atë vit, tregon:

«Shtëpia misionare ishte një apartament i madh mbi një dyqan artikujsh të ndryshëm, stil i vjetër. Në njërën anë, përtej një përroi të vogël, kishte një klub ku argëtoheshin marinarët në mbrëmje. Kur fillonin zënka që pastaj vazhdonin edhe në rrugë, shefi i policisë, një burrë i shkurtër por truplidhur, çante përmes turmës me cigaren shtrënguar ndër dhëmbë, duke gjuajtur me grushte djathtas e majtas, për të vënë rendin. Nga një kishë që ndodhej pranë oborrit të pasmë, dëgjoheshin fjalimet e priftit për zjarrin e ferrit. Nga veranda kryesore shihnim turma njerëzish që mblidheshin përreth bankës një herë në muaj, ditën e rrogave shtetërore. Misionarët e kishës, që kishin ardhur nga të katër anët e ishullit, kërkonin si të tërbuar përmes turmës besimtarët e tyre, që t’u mblidhnin të dhjetat para se ata t’i shpenzonin paratë.»

Në këtë mjedis të larmishëm kishte shumë veta që shfaqnin interes të sinqertë për Biblën. Leni tregon: «Një misionar e niste ditën në orën gjashtë të mëngjesit, kur drejtonte një studim biblik me një berber në dyqanin e tij te sheshi, para se të fillonte punën. Pastaj studionte me furrxhiun para se të sillte bukën në shtëpi për mëngjes. Më vonë gjatë ditës, në sheshin e qytetit, i njëjti vëlla studionte me një grup të burgosurish nga burgu i qytetit.» Në fund të vitit, misionarët po drejtonin afërsisht 60 studime biblike me më tepër se 200 veta.

«SONTE KA FILM FALAS»

Ky interes kaq i madh u zgjua edhe falë filmit Shoqëria Bota e Re në veprim.e Ky film, i pari i prodhuar nga organizata pas «Foto-Dramës së Krijimit» rreth 40 vjet më parë, fliste për veprën botërore të predikimit e të shtypjes së literaturës dhe tregonte si janë organizuar Dëshmitarët e Jehovait. Gjatë një vizite katërjavore që bëri më 1955 në Samoan Amerikane, Leni e shfaqi 15 herë filmin. Gjithsej pati 3.227 të pranishëm, mesatarisht 215 në çdo shfaqje.

Leni kujton: «Para çdo shfaqjeje, i bënim reklamë filmit duke kaluar me makinë përmes fshatrave e duke i hedhur ftesa kujtdo që takonim. Ndërkohë thërritnim: ‘Sonte ka film falas’ dhe thoshim emrin e fshatit ku do të shfaqej filmi.»

Filmi i la mbresa të pashlyeshme popullsisë. Pas çdo shfaqjeje, auditori donte të dinte më tepër për Dëshmitarët e Jehovait e për mësimet e tyre. Në vend që të pritnin sa të ktheheshin Dëshmitarët, shumë të interesuar shkonin drejt e te shtëpia misionare, ku misionarët drejtonin disa studime biblike njëkohësisht në pjesë të ndryshme të shtëpisë. Sa ikte një grup, vinte një tjetër. Ron Selërsi kujton: «Edhe pas shumë vitesh, njerëzit ende i lidhnin Dëshmitarët e Jehovait me gjërat e bukura që kishin parë në atë film.»

NGULMIMI NË PREDIKIM U PREK ZEMRËN DISAVE

Dy muaj pas vizitës së Len Helbergut, në Samoan Amerikane u formua kongregacioni i parë i Dëshmitarëve të Jehovait, në Fagatogo. Brenda vitit, numri i lajmëtarëve në kongregacion u rrit nga 14 në 22. Rreth asaj kohe, nga Australia mbërritën edhe dy pionierë specialë, Fred e Shirli Uegeneri, për të ndihmuar kongregacionin që po rritej. Tani Fredi shërben në Samoa si anëtar i Komitetit të Vendit.

Këta lajmëtarë, pionierë e misionarë ishin «të zjarrtë në frymë». (Rom. 12:11) Leni shkruan: «Falë ngulmimit të lajmëtarëve dhe interesit të madh për Biblën në komunitet, aty nga mesi i viteve 60, në çdo shtëpi të fshatit Fagatogo ishte drejtuar një studim biblik në periudha të ndryshme. Gjithashtu, ato vite çdo shtëpi e ishullit vizitohej muaj për muaj.»

Kjo fushatë predikimi e gjerësishme s’kishte se si të mos ndikonte në pikëpamjen e banorëve për argumentet biblike. Leni thotë: «Tani të gjithë e dinin se jeta e përhershme do të jetë në tokë, se nuk ka ferr dhe se të vdekurit janë të pavetëdijshëm. Njerëzit nuk i mësuan këto të vërteta themelore nga kisha e tyre, por nga Dëshmitarët e Jehovait. Kjo sepse ne u flitnim të gjithëve një më një dhe arsyetonim duke përdorur Biblën e tyre.»

Gjithsesi, lidhjet fetare e familjare i pengonin shumicën e njerëzve të vepronin në bazë të asaj që mësonin. Të tjerëve u pëlqente më tepër morali i shthurur që toleronin kishat, sesa normat e larta morale që të krishterëve të vërtetë u kërkohet të ndjekin. Por kishte njerëz me zemër të ndershme që, ashtu si tregtari shëtitës në ilustrimin e Jezuit, e konsideruan të vërtetën si një margaritar me vlerë të madhe dhe u kapën fort pas saj. Shumë banorë të tillë të sinqertë, me guxim morën anën e së vërtetës.—Mat. 13:45, 46.

PREDIKIM NË STIL SAMOAN

Kerolajn Pedro, një pioniere nga Kanadaja që u martua me Uollas Pedron më 1960, kujton: «Ç’gëzim ishte të dilje në shërbim ato vite të hershme! Pothuajse në çdo shtëpi gjenim dikë të gatshëm të fliste për Biblën. Studimet biblike niseshin kollaj dhe shpesh në to merrte pjesë e gjithë familja.

Sidomos mbresëlënës ishte predikimi në fshatrat e largëta. Zakonisht fëmijët e vegjël na shoqëronin shtëpi më shtëpi dhe e dëgjonin me vëmendje prezantimin tonë. Pastaj vraponin te shtëpia tjetër për të njoftuar të zotin se po shkonim atje. Madje i tregonin edhe për çfarë po flitnim dhe cilat shkrime përdornim. Kështu, përgatitnim disa prezantime, që të ishim një hap para fëmijëve të fshatit.»

Ndërsa predikonin, vëllezërit bënin përpjekje edhe të ndiqnin rregullat vendëse të mirësjelljes. (1 Kor. 9:20-23) Ish-misionari Çarls Priçard, tani anëtar i Komitetit të Degës në Zelandën e Re, shkruan: «Për shkak të klimës së nxehtë tropikale, shtëpitë e fshatit (fale) nuk kanë mure, prandaj e shihje kollaj në kishte njeri në shtëpi. Megjithatë, konsiderohej jashtë mase e paedukatë të flitje aty në këmbë ose para se i zoti i shtëpisë të të ftonte në mënyrë formale. Prandaj, i afroheshim çdo shtëpie dhe pritnim në heshtje që të na vinte re. Më pas, ai ose ajo vinte një qilim të pastër brenda derës, në dyshemenë me guralecë. Kjo ishte një ftesë që të hiqnim këpucët e të uleshim këmbëkryq mbi qilim.» Shumicës së misionarëve u dhembnin këmbët ngaqë rrinin ulur kështu në dysheme për një kohë të gjatë. Shyqyr që zakonet vendëse u lejonin t’i shtrinin këmbët dhe me takt t’i mbulonin me një qilim. Kështu nuk i tregonin të zotit të shtëpisë këmbët e zbathura, një fyerje e rëndë kjo për samoanët.

Xhon Rodzi, i cili shërbeu për 20 vjet si misionar në Samoa dhe në Samoan Amerikane, thotë: «I zoti i shtëpisë na uronte mirëseardhjen sipas zakonit dhe na thoshte se po e nderonim duke çuar mesazhin e Biblës në shtëpinë e tij të thjeshtë. Pastaj e kalonte bisedën te gjërat personale, me pyetje, si: nga vini? A keni fëmijë? Ku jeton familja juaj?»

Helena, e shoqja e Xhonit, shton: «Gjithnjë i drejtoheshim të zotit të shtëpisë me shprehjet e mirësjelljes që normalisht përdoreshin në raste formale. Të folurit me respekt i jepte dinjitet si atij, edhe mesazhit tonë biblik.»

Kerolajn Pedro thotë: «Falë këtyre prezantimeve, njiheshim mirë me ta e me familjen e tyre dhe ata njiheshin me ne. Kështu e kishim më të lehtë t’i ndihmonim aty ku kishin vërtet nevojë frymësisht.»

Pasi mbaronin prezantimet, lajmëtarët mund të flitnin për mesazhin e Mbretërisë. Robert Boisi, ish-misionar, kujton: «Zakonisht të zotët e shtëpive na dëgjonin për aq kohë sa të donim ne. Pastaj shumë gjëra që ua kishim thënë, na i përsëritnin, për të na treguar se mendonin që mesazhi ynë ishte i rëndësishëm.»

Meqë njerëzit e njihnin mirë Biblën, shpesh bëheshin biseda të gjata për mësimet e saj. Kerolajn Pedro thotë: «Këto biseda më ndihmuan të thelloja kuptueshmërinë për disa tema biblike.» Pjesa më e madhe e njerëzve pranonin menjëherë literaturë. Me kohë, lajmëtarët mësuan të dallonin ata që thjesht ishin kureshtarë nga ata që ishin sinqerisht të interesuar për të vërtetën.

Shumë të interesuar që nisën të ndiqnin mbledhjet, mezi pritnin të dilnin në shërbim. Xhon Rodzi thotë: «Samoanët e kanë dhunti oratorinë dhe të sapointeresuarit e shprehnin me bindje besimin e tyre para të tjerëve, me pak ose aspak stërvitje. Gjithsesi, ne i nxitnim të përdornin sugjerimet për predikim që ishin botuar dhe të arsyetonin me njerëzit nga Shkrimet, jo të mbështeteshin vetëm në aftësitë e tyre natyrore të të folurit.» Me kalimin e kohës kjo stërvitje e mirë solli si rezultat mjaft ungjillëzues të aftë.

NDIKIMI I LITERATURËS SAMOANE

Një pjesë e madhe e samoanëve e flasin rrjedhshëm anglishten, por disa nuk e dinë mirë. Për t’u prekur zemrën këtyre banorëve që e donin të vërtetën, në vitin 1954 Pele Fuaiupolu përktheu në gjuhën samoane katër fletushka. Për shumë vjet Peleja ishte përkthyesi kryesor i organizatës për gjuhën samoane. Shpesh punonte deri natën vonë, duke e shtypur materialin e përkthyer në një makinë shkrimi të vjetër, nën dritën e llambës me vajguri.

Ndërkohë që shërbente si përkthyes, Peleja kujdesej edhe për të shoqen dhe tetë fëmijët, merrte drejtimin në aktivitetet e kongregacionit dhe punonte pesë ditë e gjysmë në javë si inspektor i plantacioneve të kakaos, përreth ishujve. Len Helbergu shkruan: «Në ato vite pune të palodhur, Peleja kurrë nuk kërkoi lavdi ose merita. Përkundrazi, i ishte thellësisht mirënjohës Jehovait që po e përdorte. Besnikëria, përulësia dhe zelli i tij e bënë një Dëshmitar të jashtëzakonshëm, të cilin e admironim dhe e donim të gjithë.»

Më 1955, lajmëtarët shpërndanë 16.000 kopje të broshurës me 32 faqe në gjuhën samoane «Ky lajm i mirë i Mbretërisë». Kjo broshurë kishte një gjuhë të thjeshtë dhe i paraqiste mësimet biblike themelore në një mënyrë që kuptohej lehtë, prandaj ishte mjet ideal për të filluar e për të drejtuar studime biblike. Riçard Xhenkinsi shkruan: «Pasi e studionin nja dy herë të gjithë broshurën, të interesuarit ishin gati për pagëzim. Sa na pëlqente ajo broshurë!» Shpejt u përkthyen në gjuhën samoane edhe broshura të tjera.

Kulla e Rojës në gjuhën samoane doli për herë të parë në vitin 1958. Fred Uegeneri, që kishte si zanat shtypshkrimin, i prodhonte revistat duke kapur bashkë fletë letre të shumëfishuara me shaptilograf. Më vonë, revistat u shtypën në Shtetet e Bashkuara e më pas në Australi. Disa nga botimet tona përktheheshin dhe botoheshin pjesë-pjesë çdo muaj në Kullën e Rojës samoane. Aty nga fillimi i viteve 70 nisën të dilnin libra të plotë në gjuhën samoane, dhe kjo e përshpejtoi shumë veprën e predikimit.

Librat e organizatës janë shpërndarë gjerësisht nëpër ishujt e Samoas. Në vitin 1955, pothuajse çdo shtëpi në Samoan Amerikane mori një kopje të librit Mund të mbijetoni në Harmagedon e të hyni në botën e re të Perëndisë, që shpërndanë lajmëtarët. Uollas Pedro shkruan: «Njerëzit e lexonin Biblën, por pjesa më e madhe e tyre s’kishin dëgjuar kurrë për Harmagedonin. Por, pasi familjet lexuan këtë libër, shpesh fëmijët e njoftonin mbërritjen tonë në fshat duke thirrur: ‘Erdhi Harmagedoni!’ Madje disa prindër u vunë fëmijëve emrin Harmagedon.»

Ndikim të ngjashëm pati libri E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, botuar në gjuhën samoane në vitin 1972. Fillimisht, pjesa më e madhe e misionarëve shpërndanin te lexuesit e etur dy a më tepër kuti në muaj me këtë libër. Fred Uegeneri kujton: «Njerëzit na afroheshin në pazar e madje zgjateshin nga dritarja e autobusit dhe na kërkonin librin E vërteta.»

MARRIN FORCË NGA ASAMBLETË

Në qershor të vitit 1957 vëllezërit ishin shumë të entuziazmuar, sepse në Pago-Pago të Samoas Amerikane do të mbahej asambleja e parë qarkore në vend. Lajmëtarët nga Samoa kishin udhëtuar me varkë për të ndjekur programin. Me dëshirën e madhe për të ftuar publikun, vëllezërit e njoftuan gjerësisht programin e asamblesë në gjuhët angleze dhe samoane. Rrjedhimisht, 60 lajmëtarët e Samoas dhe Samoas Amerikane u kënaqën jashtë mase që në sesionin e së premtes paradite pati 106 të pranishëm.

Në këtë asamble pati disa të papritura gjatë drekës, për shkak të kulturës samoane dhe kureshtjes së kalimtarëve. Ron Selërsi shkruan: «Vaktet janë pjesë e rëndësishme e kulturës samoane dhe zakonisht njerëzit i ftojnë kalimtarët të hanë së bashku. Por, kur vëllezërit ftuan kalimtarët e shumtë kureshtarë që të hanin së bashku drekën në asamble, i ngarkuan një barrë të papritur repartit të ushqimit, që ishte përgatitur vetëm për vëllezërit e motrat e pranishëm.»

Gjithsesi, këto vakte ishin një dëshmi e shkëlqyer për ata që shikonin. Në Samoa, në raste të rëndësishme, zakonisht hanë të parët burrat, pastaj gratë dhe fëmijët. Të huajt dhe shërbëtorët fetarë zakonisht ulen veçmas dhe u jepet pjesa më e mirë e ushqimit. Kurse në asamble, njerëzit panë misionarë të huaj dhe familje vendëse që hanin së bashku të lumtur si të barabartë. Të gjithë mund t’i shihnin dashurinë dhe unitetin e popullit të Jehovait.

Asamble si këto jo vetëm që u dhanë zemër lajmëtarëve dhe i stërvitën, por edhe i përgatitën për sprovat e rënda që do të vinin pas pak.

APOSTAZI NË APIA

U duk qartë se veç rritjes inkurajuese nëpër ishuj, në Samoa po lindnin edhe probleme. Disa individë, nën drejtimin e një njeriu kokëfortë që ishte matai (kryetar familjeje), nuk po pranonin drejtimin teokratik dhe po shkaktonin trazira në kongregacionin Apia. Meqë mbledhjet mbaheshin në shtëpinë e tij, tensioni në kongregacion sa vinte e shtohej.

Së fundi, më 1958, rebelët u shkëputën nga kongregacioni dhe formuan grupin e tyre të studimit. Dagllas Heldi, i cili shërbente në degën e Australisë dhe në atë kohë po vizitonte Fixhin, kaloi në Samoa që të përpiqej të ndihmonte të pakënaqurit. Edhe pse këshillat e tij të pjekura biblike u dhanë zemër pjesëtarëve besnikë të kongregacionit, përfundimisht çereku i atyre që ndiqnin mbledhjet mori anën e rebelëve. Disa prej këtyre individëve më vonë u desh të përjashtoheshin për shkak të krenarisë së tyre të sëmurë.

Megjithatë, shpejt u bë e qartë me cilët ishte fryma e Jehovait. Grupi i rebelëve përfundimisht u copëzua dhe humbi krejt. Ndryshe nga kjo, në kongregacionin Apia, atë vit pati një rritje 35 për qind në numrin e lajmëtarëve. Përkohësisht kongregacioni mblidhej në shtëpinë e Riçard dhe Gloria Xhenkinsit, pranë spitalit të Apias, por pastaj u transferua në shtëpinë e Matusi Leauanaes në Fatoia, Apia. Aty lajmëtarët kishin vërtet një frymë të përzemërt dashurie dhe bashkëpunimi. Salla e parë e Mbretërisë në Apia u ndërtua më vonë në pronën e Matusit, me ndihmën financiare të një kongregacioni në Sidnei, Australi.

SHOQËRI NDËRTUESE

Kongregacioni Apia u forcua më tej në vitin 1959 kur qeveria samoane lejoi pesë misionarë nga Samoa Amerikane të ndiqnin asamblenë e parë qarkore në Apia. Sa u kënaqën të gjithë që në asamble pati 288 të pranishëm dhe 10 të pagëzuar! Dy vjet më vonë, kongregacioni mbajti kongresin e parë krahinor në ndërtesën e spitalit të vjetër gjerman, pranë një bujtine me emrin «Kali i bardhë». Në këtë kongres historik morën pjesë delegatë që nga Zelanda e Re.

Në këto grumbullime vëllezërit morën stërvitje të vlefshme për organizimin e asambleve. Kështu, kur qeveria samoane më vonë nuk i lejoi mbikëqyrësit udhëtues e misionarët të hynin në vend, vëllezërit arritën t’i organizonin vetë asambletë. Madje, më 1967, përgatitën e paraqitën një dramë biblike me veshje të lashta, që zgjati një orë dhe ishte e para e këtij lloji në Samoa. Kjo dramë e bazuar në tregimin për qytetet e strehimit që siguroi Perëndia në Izraelin e lashtë, u mbajt mend gjatë nga të pranishmit.

Në ato vite, lajmëtarët në Samoa nxorën dobi edhe nga ndjekja e kongreseve ndërishullore në Samoan Amerikane e në Fixhi, edhe pse kjo kërkonte mjaft përpjekje e sakrifica. Për shembull, të ndiqje kongrese të tilla në Fixhi nënkuptonte jo vetëm të shpenzoje për udhëtimin dhe ushqimin, por edhe të ishe larg Samoas për rreth një muaj.

SAMOA AMERIKANE ECËN PËRPARA

Më 1966, vëllezërit në Samoan Amerikane patën kënaqësinë të mbanin në Pago-Pago Kongresin Krahinor «Bijtë e lirisë të Perëndisë». Për këtë kongres historik erdhën 372 delegatë që flitnin tetë gjuhë të ndryshme, nga Australia, Fixhi, Kaledonia e Re, Niue, Samoa (më parë Samoa Perëndimore), Tahiti, Tonga, Vanuatu (më parë Hebridet e Reja) dhe Zelanda e Re. Turma e larmishme shumëgjuhëshe bëri që raporti i Dëshmitarëve me banorët e qytetit të kongresit të ishte 1 me 35, ndonëse në atë kohë kongregacioni vendës kishte vetëm 28 lajmëtarë.

Si mundën kaq pak lajmëtarë të mikpritnin tërë ata vizitorë? «S’e patëm fare të vështirë të gjenim vend për delegatët e shumtë që na erdhën,—kujton Fred Uegeneri.—Vendësit ishin mikpritës dhe hapën dyert menjëherë për vëllezërit, paçka se kjo i mërziti jashtë mase udhëheqësit fetarë.»

Ky kongres pati ndikim të thellë në kongregacionin e Pago-Pagos. Brenda gjashtë muajsh, prania në mbledhje u rrit me 59 për qind dhe shumë u kualifikuan si lajmëtarë. «Veç kësaj, kongregacioni u nxit të ndërtonte një vend më të përshtatshëm për mbledhjet»,—shkruan Ron Selërsi. Ndonëse s’kishte shumë tokë të lirë në ishullin e Tutuilas, ku ndodhet Pago-Pagoja, një lajmëtar vendës me dashamirësi i la kongregacionit për 30 vjet një truall në perëndim të qytetit, në fshatin Tafuna.

«Trualli ishte nën nivelin e detit,—thotë Fred Uegeneri,—prandaj kongregacioni punoi fort për tre muaj duke mbledhur shkëmbinj lave për të ngritur bazën e ndërtesës.»

Kur erdhi koha për të hedhur betonin e dyshemesë, prifti katolik i fshatit, që i lexonte rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni, i lejoi vëllezërit t’i merrnin hua kishës përzierësin e betonit. Ron Selërsi shkruan: «Më vonë, ky prift lexoi në Zgjohuni! një artikull për martesën, dhe menjëherë e la priftërinë që të martohej.»

Vëllezërit nga vendet e tjera ndihmuan me bujari për këtë projekt të Sallës së Mbretërisë. Gordon dhe Patrisha Skoti, ndër misionarët e parë që erdhën në Samoan Amerikane, por që ishin kthyer në Shtetet e Bashkuara, dhuruan për sallën e re karriget e kongregacionit të tyre. «Pastaj, ia shitëm kinemasë së qytetit karriget e tepërta, dhe kështu paguam koston e transportit të tyre në ishull»,—thotë Ron Selërsi. Salla e re e Mbretërisë në Tafuna, me 130 vende, përfundoi dhe u kushtua në vitin 1971. Më vonë, sallës iu shtuan apartamente për misionarët në katin e dytë.

SAMOA ÇEL DYERT

Deri në vitin 1974, vepra në Samoa ishte penguar nga autoritetet qeveritare që kishin ndaluar hyrjen e misionarëve Dëshmitarë. Atë vit, disa vëllezër përgjegjës vendës takuan vetë kryeministrin për të diskutuar çështjen. Një prej tyre, Mufaulu Galuvao, shkruan: «Gjatë bisedës morëm vesh se një qeveritar kishte ngritur një komision të paautorizuar që të shqyrtonte gjithë kërkesat për hyrjen e misionarëve. Ky komitet, i përbërë nga armiqtë tanë fetarë, na i refuzonte aty për aty kërkesat për vizë, pa e informuar fare kryeministrin.

Kryeministri s’kishte qenë në dijeni të kësaj intrige, prandaj menjëherë urdhëroi drejtorin e zyrës së emigracionit t’i sillte dosjen e Dëshmitarëve të Jehovait. Aty para nesh, shkarkoi komitetin e paautorizuar dhe u dha Pol e Frensis Evansit viza trevjeçare si misionarë, me mundësi shtyrjeje.» Ç’lajm i mrekullueshëm! Pas 19 vjet përpjekjesh të vazhdueshme, më në fund ata hynë në Samoa si misionarë me status ligjor!

Fillimisht çifti jetoi me Mufaulu Galuvaon dhe familjen e tij, por kur mbërritën Xhon dhe Helena Rodzi, më 1977, të dy çiftet u transferuan në një shtëpi misionare që morën me qira në Vaiala, Apia. Misionarë të tjerë ishin Robert e Beti Boisi që mbërritën më 1978, Dejvid e Suzana Joshikava më 1979 dhe Rasëll e Lejlani Ërnsho më 1980.

PËRSHTATEN ME JETËN NË ISHULL

Dëshmitarët e huaj që shkuan në Samoa gjatë viteve, shpejt zbuluan se edhe në këtë parajsë jeta ka sfidat e veta. Një sfidë është transporti. Xhon Rodzi shkruan: «Gjatë dy viteve të para si misionarë në Apia, shpesh bënim shumë rrugë në këmbë që të ndiqnim mbledhjet e të predikonim. Përdornim edhe autobusët tipikë shumëngjyrësh të ishullit.»

Ky lloj autobusi tërë lajlelule, zakonisht përbëhet nga një kamion i vogël ose mesatar, mbi të cilin është montuar një kabinë prej druri. Ngjeshur me njëri-tjetrin, pasagjerët mbajnë me vete edhe lloj-lloj gjërash, që nga veglat bujqësore e deri te prodhimet e freskëta. Atmosferën festive të autobusit e plotësojnë muzika e lartë dhe këngët e gëzueshme. Stacionet, oraret dhe itineraret e autobusëve janë mjaft elastikë. Një libër udhëtimi thekson: «Autobusi për në Vavau është gjithnjë i përpiktë: kur vjen, vjen.»

Xhoni thotë: «Po të donim të blinim diçka gjatë rrugës, i kërkonim shoferit të ndalonte. Pasi blinim ç’donim, hipnim prapë në autobus e vazhdonim udhëtimin. Po askush s’e vinte ujin në zjarr për vonesën.»

Në qoftë se autobusi ishte plot, pasagjerët që hipnin, uleshin në prehër të atyre që tashmë ishin ulur. Prandaj, burrat misionarë shpejt mësuan të mbanin në prehër gratë e tyre. Në fund të udhëtimit, fëmijë e të rritur shpesh e paguanin biletën duke nxjerrë një monedhë të vogël nga veshi, një xhep vërtet i volitshëm ky.

Për udhëtimet midis ishujve, misionarët dhe lajmëtarët përdornin aeroplanët dhe varkat e vogla. Udhëtimet mund të ishin të rrezikshme dhe vonesat të pashmangshme. «Duhej të mësonim durimin dhe të kishim ndjenjën e humorit»,—thotë Elizabeta Ilinguorthi, e cila shërbeu për shumë vjet bashkë me të shoqin, Piterin, në veprën qarkore nëpër ishujt e Paqësorit Jugor.

Brenda ishujve, shirat e rëndë mund ta bëjnë të vështirë udhëtimin, sidomos në stinën e cikloneve. Një herë, ndërsa përpiqej të kapërcente një përrua që kishte dalë nga shtrati, rrugës për në Studimin e Librit të Kongregacionit, misionari Xhefri Xhekson rrëshqiti dhe ra në përroin e rrëmbyer. Ashtu i lagur deri në palcë e tërë llucë, vazhdoi rrugën deri në mbledhje, ku familja që e mirëpriti, e ndihmoi të thahej dhe i dha një rrobë të gjatë e të zezë që quhej lavalava (fund polinezian që mbështillet rreth mesit). Shokët e tij mezi e mbajtën të qeshurën kur një njeri i interesuar që ishte në mbledhje, e mori për prift katolik. Tani vëlla Xheksoni shërben si anëtar i Trupit Udhëheqës.

Ndër sfidat e tjera që hasnin të sapoardhurit, ishin: mësimi i një gjuhe të re, përshtatja me nxehtësinë e përhershme tropikale, përballimi i problemeve shëndetësore të panjohura, mungesa e shumë komoditeteve dhe shmangia e morive të insekteve pickuese. «Misionarët u përpoqën me gjithë shpirt të na ndihmonin,—shkruan Mufaulu Galuvao,—kështu që mjaft prindër mirënjohës u vunë fëmijëve emrat e këtyre vëllezërve e motrave të çmuar që na kishin ndihmuar me dashuri.»

SAVAI DËGJON LAJMIN E MIRË

Tani le ta kthejmë vëmendjen drejt Savait, ishullit më të madh e më të parrahur nga ishujt e Samoas. Një pjesë e madhe e tij është e pabanuar dhe ka male të larta, një kreshtë të thepisur vullkanike me rreth 450 kratere, xhungla pothuajse të pakalueshme dhe fusha të mbuluara nga lava e ngurtësuar. Shumica e banorëve jeton në fshatra të vegjël të shpërndarë përgjatë bregdetit. Në Savai lajmi i mirë mbërriti për herë të parë më 1955. Len Helbergu me një grup lajmëtarësh nga ishulli Upolu shkuan atje për pak kohë, për të shfaqur filmin Shoqëria Bota e Re në veprim.

Gjashtë vjet më vonë, dy motra misionare, Tia Aluni, samoania e parë që ndoqi Galaadin, dhe Ajvi Kaue, shoqja e saj e shërbimit, morën ftesën të shkonin nga Samoa Amerikane në Savai. Motrat mbërritën atje më 1961 dhe u strehuan te një çift i moshuar që jetonte në Fogapoa, një fshat në pjesën lindore të ishullit. Më vonë, me to u bashkua për njëfarë kohe një tjetër pioniere speciale, e cila kishte jetuar më parë në Savai. Për të inkurajuar e për të mbështetur grupin e ri me gjashtë deri në tetë veta, vëllezërit nga Apia shkonin atje një herë në muaj dhe mbanin fjalime publike. Këto mbledhje mbaheshin në një fale të vogël në Fogapoa.

Tia dhe Ajvi qëndruan në Savai deri më 1964 kur u caktuan në një ishull tjetër. Gjatë dhjetë viteve që pasuan, në Savai nuk pati shumë aktivitet frymor. Pastaj, që nga viti 1974, disa familje u transferuan në Savai që të rigjallëronin veprën. Ndër ta ishin: Risati e Mareta Segi, Hapi e Maota Goldner-Barneti, Faigai Tu, Palota Alagi, Kumi Falema (më vonë Tomson) dhe Ron e Dolli Selërsi, të cilët u transferuan nga Samoa Amerikane. Grupi i vogël që u formua në Fogapoa mblidhej në falenë e çiftit Segi, që ndodhej pranë plazhit. Më vonë, aty afër u ndërtua një shtëpi misionare e një Sallë Mbretërie. Me kalimin e kohës, një grup tjetër u formua në Taga, një fshat në bregun perëndimor të Savait.

Që nga viti 1979, edhe disa çifte të tjera misionare u caktuan në Savai për të ndihmuar lajmëtarët vendës. Ndër ta ishin: Robert e Beti Boisi, Xhon e Helena Rodzi, Leva e Tenisia Faiu, Fred e Tami Holmsi, Brajan e Su Mëlkejhi, Metju e Debi Kurtsi dhe Xhek e Meri-Xhejn Uajzeri. Misionarët po linin një shembull të mirë në shërbim, kështu që vepra atje eci gjithnjë përpara.

Por traditat dhe lidhjet familjare i mbanin të skllavëruar njerëzit në Savai. Pothuajse një e treta e fshatrave ua ndaluan Dëshmitarëve të Jehovait t’u predikonin banorëve të tyre, madje disa bënë njoftime në radio për këtë. Prandaj, u desh mjaft kohë e durim për t’i ndihmuar njerëzit të bënin përparim. Gjithsesi, shumë veta pranuan të vërtetën, përfshirë disa me probleme të rënda shëndetësore.

KAPËRCEJNË PROBLEMET SHËNDETËSORE PËR T’I SHËRBYER JEHOVAIT

Një nga këta ishte Metusela Neru, i cili kur ishte 12 vjeç ra nga kali e theu shtyllën kurrizore. Një misionare kujton: «Pas aksidentit, ai ecte si të ishte palosur më dysh dhe kishte vazhdimisht dhembje.» Kur nisi të studionte Biblën, në moshën 19-vjeçare, Metuselai duroi me vendosmëri kundërshtimin e familjes. Për shkak të problemit të tij, një rrugë që normalisht donte pesë minuta në këmbë deri në mbledhjet e krishtere, i kthehej në një peripeci prej 45 minutash. Gjithsesi, Metuselai përparoi dhe u pagëzua në vitin 1990. Më vonë filloi shërbimin e plotkohor si pionier i rregullt dhe u kualifikua si plak. Që atëherë, më tepër se 30 të afërm të tij kanë ndjekur mbledhjet në Faga dhe disa prej tyre janë pagëzuar. Sot, pavarësisht nga problemet e vazhdueshme shëndetësore, Metuselai njihet si njeri i qeshur dhe i lumtur.

Një tjetër që kapërceu problemet e rënda shëndetësore për të bërë përparim, ishte Saumalu Tauanae. Saumalu ishte shfytyruar keqas nga lebra dhe jetonte në fshatin e largët Aopo. Ngaqë fshati i tij ishte shumë i izoluar, fillimisht e studioi Biblën me korrespondencë, me Ivan Tomsonin. Pastaj, Asa Kou, një pionier special, u transferua në Savai dhe vazhdoi studimin me të. Kur Saumalu ndoqi mbledhjen e tij të parë në vitin 1991, iu deshën dy orë me makinë deri në Taga, një fshat në anën tjetër të ishullit.

Saumalut i vinte kaq turp për pamjen e tij të shfytyruar, saqë kur ndoqi për herë të parë një asamble speciale njëditore, e dëgjoi programin nga makina. Por, u prek thellë kur, gjatë intervalit të drekës, vëllezërit e motrat iu afruan me dashuri dhe i uruan mirëseardhjen nga zemra. Me mirënjohje e pranoi ftesën e tyre të përzemërt dhe e dëgjoi pjesën tjetër të programit ulur në auditor.

Shpejt, Saumalu dhe e shoqja, Toriseja, nisën të ndiqnin mbledhjet në Faga, duke udhëtuar më shumë se dy orë vajtje-ardhje. Saumalu u pagëzua më 1993 dhe, me kohë, u kualifikua si shërbëtor ndihmës. Më vonë, kur mjekët i prenë njërën këmbë, vazhdoi të vinte në mbledhje me makinë. Fshati i tyre ua ka ndaluar Dëshmitarëve të Jehovait të predikojnë, kështu që Saumalu dhe Toriseja u predikojnë me zell të tjerëve në mënyrë joformale dhe me telefon.

Sot, ata jetojnë në Apia, ku Saumalu është nën mjekim të vazhdueshëm për problemet e shumta shëndetësore. Por, kjo nuk e ka hidhëruar, përkundrazi, të gjithë e njohin për pikëpamjen pozitive e të gëzuar që ka për jetën. Saumalun dhe të shoqen i respektojnë shumë për besimin e fortë që kanë.

SPROVA NË TOKELAU

Tokelau, që përbëhet nga tre atole të izoluara në veri të Samoas, e dëgjoi për herë të parë mesazhin e Mbretërisë në vitin 1974. Atë vit, Ropati Uili, një mjek, u kthye në Tokelau pasi mbaroi shkollën për mjekësi në Fixhi. Gruaja e tij, Emau, ishte pagëzuar si Dëshmitare dhe ai kishte studiuar për pak kohë me Dëshmitarët e Jehovait në Fixhi.f

Ropati mori vesh se një mjek tjetër në Tokelau bashkë me të shoqen, Jona dhe Luisa Tinielu, ishin Dëshmitarë të pagëzuar. Takoi edhe një tjetër të interesuar, Nanumea Fouan, të afërmit e të cilit ishin Dëshmitarë të Jehovait. Këta tre burra organizuan mbledhje të rregullta biblike e fjalime publike dhe shumë shpejt në mbledhje kishte mesatarisht 25 të pranishëm. Ata të tre dhe familjet e tyre nisën t’u predikonin të tjerëve në mënyrë joformale.

Mirëpo, jo të gjithëve u pëlqeu ky aktivitet teokratik. Me shtytjen e një pastori të Shoqërisë Misionare të Londrës, këshilli i pleqve të ishullit thirri tre kryefamiljarët. Ropati kujton: «Na urdhëruan t’i ndërpritnim mbledhjet dhe na thanë se, po të mos bindeshim, do të na digjnin të gjallë me gjithë shtëpi ose do të na nxirrnin në det të hapur me trap. U përpoqëm të arsyetonim me ta nga Shkrimet, por s’donin t’ia dinin. Pretendonin që autoriteti i tyre të respektohej me çdo kusht.» Pasi dëgjuan këtë ultimatum, familjet vendosën t’i mbanin me maturi mbledhjet, për të mos tërhequr vëmendjen e të tjerëve.

Por ky kundërshtim s’ishte veçse fillimi i telasheve për ta. Dymbëdhjetë vjet më vonë, kur motra dhe kunati i Ropatit pranuan të vërtetën dhe dhanë dorëheqjen nga kisha, pleqtë i dëbuan nga fshati të gjithë Dëshmitarët. Ropati shkruan: «Atë natë, çdo familje mblodhi sendet personale, i vuri në barka të vogla dhe iku në fshatin më të madh të ishullit. Ata që dikur ishin fqinj të tyre, ua plaçkitën shtëpitë dhe plantacionet.»

Me gjithë këtë përndjekje, lajmëtarët me guxim vazhduan të mblidheshin për të adhuruar. «Duke u hequr sikur po dilnin për piknik në fundjavë,—tregon Ropati,—familjet shkonin me barka te një ishullth i veçuar, të shtunën në mëngjes, dhe ktheheshin të dielën në mbrëmje pas mbledhjes.» Gjithashtu, në atë kohë disa familje bënin edhe udhëtimin e gjatë e të vështirë me barkë nga Tokelau në Samoa, që të ndiqnin kongreset vjetore.

Megjithatë, për shkak të kundërshtimit të pareshtur, së fundi këto familje vendosën të emigronin në Zelandën e Re. Kështu, në vitin 1990, nëpër atole s’kishin mbetur më Dëshmitarë. Gjithsesi, Ivan Tomsoni, i cili në atë kohë shërbente si pionier në Apia, studioi me korrespondencë me Lone Teman, një i ri që banonte në Tokelau. Loneja bëri përparim të mirë dhe tani shërben si plak në Australi.

Më vonë, disa lajmëtarë u kthyen në Tokelau. Xhefri Xheksoni, që atëherë shërbente në zyrën e degës të Samoas, u përpoq të takonte komisionerin e Zelandës së Re për çështjet e Tokelaut, që të diskutonte me të problemet që po hasnin Dëshmitarët e Jehovait nëpër atole, po s’ia doli dot. «Gjithsesi, më lejuan të vizitoja Tokelaun si gjuhëtar,—shkruan Xhefi,—dhe gjatë udhëtimit, kapiteni i anijes më ftoi për të pirë diçka në kabinën e tij ku ishte edhe një burrë tjetër. Ishte pikërisht komisioneri për çështjet e Tokelaut që ishim përpjekur aq shumë të takonim! Folëm më tepër se një orë. Në fund të bisedës, më falënderoi dhe më premtoi se do të bënte çmos t’ua lehtësonte presionet vëllezërve tanë në Tokelau.»

Sot, zyrtarisht atje ende kundërshtohet vepra e Dëshmitarëve të Jehovait. Kur Fuimanu dhe Hatesa Kirifit u vdiq djali i vogël më 2006 dhe Fuimanu mbajti një fjalim biblik në funeral, këshilli i pleqve e kërcënoi familjen se do ta dëbonte nga ishulli. Më pas, e kërcënuan kur nuk pranoi të punonte në kishën e fshatit dhe gjithashtu, atij dhe të shoqes i bënë presion të merrnin pjesë në aktivitete politike. Megjithatë, ai dhe familja qëndruan të fortë dhe kështu besimi i tyre u forcua edhe më tepër. Fuimanu thotë: «Kemi mësuar të mbështetemi te Jehovai gjatë sprovave.» (Jak. 1:2-4) Ata mësuan se Jehovai nuk i braktis shërbëtorët e tij besnikë.—Ligj. 31:6.

RRITJE FRYMORE ME BEKIMIN E JEHOVAIT

Që nga koha kur u dëgjua për herë të parë lajmi i mirë në Samoa, veprën e Mbretërisë atje e kanë mbikëqyrur degë të ndryshme. Aktualisht, një Komitet Vendi i përbërë nga katër vëllezër të palodhur, shërben nën drejtimin e degës së Australisë, për t’u kujdesur për veprën në ishujt e Samoas. Gjatë viteve, vëllezërit në Samoa kanë bërë përpjekje të shumta që lajmi i mirë për Mbretërinë të predikohet edhe në zonat më të largëta. Fushatat e rregullta të predikimit në Samoan Amerikane kanë bërë të mundur të mbulohet ishulli i largët Suejnz dhe grupi i Ishujve Manua, që ndodhen përkatësisht 320 kilometra në veri dhe 100 kilometra në lindje të ishullit Tutuila. Në këto fushata, lajmëtarët shpërndanë qindra botime dhe nisën dhjetëra studime biblike me të interesuarit. Lajmëtarë të tjerë janë përpjekur të zgjerojnë territorin e tyre duke u predikuar njerëzve që flasin një gjuhë të huaj.

SHTOHEN PËRPJEKJET NË PËRKTHIM

Me rritjen e numrit të lajmëtarëve, rritej edhe nevoja për literaturë në gjuhën samoane. Për të plotësuar këtë nevojë, në vitin 1985 Xhefri Xheksoni dhe e shoqja, Xheni, u transferuan nga caktimi i tyre misionar në Tuvalu për në zyrën e degës të Samoas. Xhefi u caktua të mbikëqyrte skuadrën samoane të përkthimit, që përbëhej nga dy veta. «Fillimisht,—tregon ai,—përkthyesit punonin në tryezat e dhomës së ngrënies në Bethel. Çdo mëngjes, pastronin tryezat nga ushqimi, pastaj nisnin punën e përkthimit. Pastaj, pak para mesdite, vinin mënjanë materialet e përkthimit dhe shtronin tryezat për drekën. Më pas, pastronin përsëri tryezat dhe rifillonin punën.»

Kjo ndërprerje e vazhdueshme pengonte rendimentin. Edhe vetë procesi i përkthimit kërkonte goxha kohë e përpjekje. Xhefi kujton: «Një pjesë e mirë e materialit shkruhej me dorë e pastaj shtypej në makinë shkrimi. Çdo dorëshkrim shtypej disa herë me radhë për redaktimin dhe kontrollin, para se të bëhej gati për në shtypshkronjë.» Në vitin 1986, me blerjen e kompjuterit të parë për zyrën e degës, një pjesë e madhe e kësaj pune përsëritëse, u pakësua ose u eliminua. Mjetet e tjera të kompjuterizuara e kanë shpejtuar edhe më tej përkthimin dhe shtypjen.

Puna e përkthimit dhe e botimit është përqendruar sidomos te revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Që nga janari i vitit 1993, Kulla e Rojës në gjuhën samoane është shtypur njëkohësisht me botimin anglisht, si edhe me ngjyra. Më pas, në vitin 1996, Zgjohuni! nisi të dilte në gjuhën samoane çdo tre muaj. Xhefi kujton: «Dalja e revistës Zgjohuni! u njoftua jo vetëm në gazeta e në radio, por edhe në lajmet e televizionit kombëtar.»

Sot në Samoa ka një grup përkthyesish që plotëson nevojat e përkthimit në gjuhën samoane. Ashtu si dhe skuadrat e tjera të përkthimit anembanë botës, këta përkthyes të palodhur kanë marrë stërvitje të përparuar për kuptueshmërinë e gjuhës dhe aftësitë e përkthimit. Kjo i ka ndihmuar të përkthejnë më saktë e më me rendiment.

DEGA DUHEJ ZGJERUAR

Kur Milton G. Hensheli vizitoi Samoan si mbikëqyrës zone në vitin 1986, u bë e dukshme se shtëpia misionare në Sinamoga ishte tepër e vogël për t’u shërbyer nevojave në rritje të degës. Rrjedhimisht, Trupi Udhëheqës caktoi vëllezër nga Reparti Projektim-Ndërtim në Bruklin dhe nga Zyra Rajonale e Inxhinierisë në Australi, që të vizitonin Samoan e të shqyrtonin nevojën për ndërtesa më të mëdha. Rekomandimi i tyre? Të blihej një truall prej 3 hektarësh në Siusega, pesë kilometra më në brendësi se Sinamoga, për të ndërtuar një kompleks të ri Bethel. Pasi të mbaronte zyra e re e degës, Betheli i vjetër në Sinamoga mund të kthehej në Sallë Asamblesh.

Ndërtimi i degës së re nisi më 1990 dhe ishte një sipërmarrje vërtet ndërkombëtare. Gjithsej 44 shërbëtorë ndërkombëtarë, 69 vullnetarë ndërkombëtarë, 38 vullnetarë vendës në kohë të plotë dhe shumë që ndihmonin përkohësisht, punuan krah për krah për projektin. Por papritur, ndërsa ndërtimi kishte ecur goxha, goditi katastrofa.

GODET KATASTROFA

Cikloni Val, një nga stuhitë më të fuqishme që kanë goditur Paqësorin Jugor, u përplas mbi Samoan më 6 dhjetor 1991. Erëra me shpejtësi deri në 260 kilometra në orë i rrahën ishujt e vegjël për pesë ditë, duke zhvoshkur 90 për qind të bimësisë e duke shkaktuar dëme me vlerë 380 milionë dollarë. Mjerisht, 16 veta humbën jetën.

Xhon Rodzi kujton: «Menjëherë zyra e degës nisi punën për të shpërndarë ndihma.» Brenda disa ditësh, nga dega e Fixhit mbërriti një kontejner mallrash plot me ndihma. Pas pak dërguan fonde edhe degë të tjera të Paqësorit.

Dejv Stejpëltoni, shërbëtor ndërkombëtar që po punonte për degën e re në Siusega, shkruan: «Në radhë të parë iu kushtua vëmendje nevojave të ngutshme. Ndër to ishte shpërndarja e ujit të pijshëm, e mushamave, vajgurit dhe barnave te vëllezërit nevojtarë. Pastaj, kthyem në kushte të banueshme Bethelin e Sinamogas dhe riparuam ndërtesat e dëmtuara në kantierin e degës së re. Më vonë, riparuam dhe rindërtuam Sallat e Mbretërisë, shtëpitë misionare dhe shtëpitë e Dëshmitarëve vendës. Na u deshën muaj që të mbaronim këtë punë.»

Më vonë, qeveria u dha fonde të gjitha feve, përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait, që të riparonin ndërtesat e tyre. Mirëpo vëllezërit ia kthyen paratë bashkë me një letër ku sugjeronin se, meqë ata i kishin riparuar të gjitha dëmet, këto fonde të tepërta mund të përdoreshin për riparimin e ndërtesave qeveritare. Si pasojë, ministrat mirënjohës e reduktuan taksën doganore të materialeve të degës që vinin nga përtej detit, duke bërë të kurseheshin shumë para.

«PËRTEJ ÇDO IMAGJINATE»

Pasi u riparuan dëmet e ciklonit, puna në degën e re eci përpara me shpejtësi. Një vit e gjysmë më vonë, në maj të vitit 1993, më në fund familja Bethel bëri transferimin e shumëpritur nga Sinamoga në shtëpinë e re në Siusega.

Pastaj, në shtator të vitit 1993, një grup me 85 ustallarë Dëshmitarë nga Australia, Havai, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara, shkuan në Samoa që të ndërtonin Sallën e Asambleve në Sinamoga. Të gjithë udhëtuan me shpenzimet e tyre. «Në kantierin e ndërtimit u përdorën terma ndërtimi të ndryshëm dhe sisteme matjeje të ndryshme,—shkruan Ken Aboti, i cili drejtonte ustallarët australianë,—por fryma e Jehovait na ndihmoi të kapërcenim me gëzim çdo problem që lindi.»

«Të gjithë u inkurajuan kur panë me sytë e tyre vëllazërinë ndërkombëtare në veprim»,—komentoi Abraham Linkolni, që ishte me skuadrën havajane.

Me këto përpjekje të përbashkëta të skuadrës ndërkombëtare të ndërtimit, Salla e Asambleve përfundoi për dhjetë ditë. Lajmëtarët vendës mësuan zanate të vlefshme duke punuar përkrah vizitorëve, e përfituan edhe frymësisht. Kështu, pasi mbaroi projekti, disa prej tyre u bënë pionierë ose filluan shërbimin në Bethel.

Më në fund, më 20-21 nëntor 1993, u kushtua zyra e degës dhe Salla e Asambleve. Fjalimet e kushtimit i mbajti Xhon Barri, nga Trupi Udhëheqës. Duke përmbledhur ndjenjat e shumë të pranishmëve në këtë rast të lumtur, Pol Evansi, misionar i vjetër, tha: «Jehovai na ka bekuar përtej çdo imagjinate.»

E VËRTETA U NDRYSHON JETËN NJERËZVE

Kur e vërteta e Fjalës së Perëndisë u prek zemrën njerëzve, i nxit ta përputhin jetën me normat e larta të Jehovait. Shumë samoanë e kanë provuar këtë fuqi transformuese të Fjalës së Perëndisë.—Efes. 4:22-24; Hebr. 4:12.

Për shembull, Ngongo dhe Maria Kupu «jetonin në errësirë» siç e quajnë samoanët bashkëjetesën pa qenë të martuar. Fred Uegeneri shpjegon: «Kishim ca kohë që studionim me Ngongon dhe Marian, por s’e kishim kuptuar që nuk ishin të martuar. Pastaj, një ditë na treguan me krenari certifikatën e martesës që sapo e kishin marrë. Jo shumë kohë më pas, u pagëzuan. Ngongoja tani ka vdekur, kurse Maria ende shërben si pioniere e rregullt në Samoan Amerikane.»

Një sfidë tjetër që hasin të interesuarit në Samoa lidhet me shenjtërinë e gjakut. Zakonisht samoanët i mbytin derrat e pulat para se t’i gatuajnë e t’i hanë, një praktikë që dënohet në Fjalën e Perëndisë. (Zan. 9:4; Lev. 17:13, 14; Vep. 15:28, 29) Një e re në Samoan Amerikane u habit kur pa në Biblën e saj urdhrat e qartë të Perëndisë për këto çështje. Xhulien Paxheti shpjegon: «Edhe pse familja e saj shkonte në kishë dhe e lexonte rregullisht Biblën, që fëmijë ajo kishte ngrënë mish me gjak. Gjithsesi, e pranoi menjëherë drejtimin e Biblës dhe vendosi të mos hante më mish me gjak.» Sot, të gjithë në Samoa e njohin qëndrimin e Dëshmitarëve të Jehovait për shenjtërinë e gjakut. Për më tepër, mjekët në Samoa përgjithësisht janë të gatshëm të respektojnë qëndrimin tonë për transfuzionet e gjakut.

TË RINJ QË LËVDOJNË KRIJUESIN

Në Samoa, prindërit i mësojnë fëmijët e vegjël të gatuajnë, të pastrojnë, të kujdesen për kopshtin e perimeve dhe për vëllezërit e motrat më të vegjël. Kjo stërvitje e hershme shpjegon përse shumë fëmijë samoanë pranojnë edhe përgjegjësitë frymore që në moshë të njomë, disa madje duke marrë anën e Jehovait pa ndihmën e familjarëve.

Ani Ropati ishte 13 vjeçe kur prindërit e saj nuk shkuan më në mbledhje. Kështu, ajo gjithnjë merrte dy vëllezërit dhe të motrën dhe bënte në këmbë rrugën prej 8 kilometrash deri në Sallën e Mbretërisë, për të ndjekur mbledhjet. Më vonë, shërbeu si pioniere dhe punoi për ndërtimin e zyrës së degës në Siusega. Ani shkruan: «Misionarët ndikuan shumë në jetën time dhe më ndihmuan të përparoja frymësisht.» Në kantier takoi Stiv Goldin, një vullnetar nga Australia. Pasi u martuan, shërbyen si shërbëtorë ndërkombëtarë nëpër kantiere në Azinë Juglindore, në Afrikë e në Rusi, para se të ktheheshin në Bethelin e Samoas. Tani shërbejnë të dy në degën e Australisë.

ARSIMIM PËRMES VALËVE TË RADIOS

Gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur mjete të larmishme për të përhapur lajmin e mirë për Mbretërinë. Një mjet veçanërisht i efektshëm është radioja. Që nga janari i vitit 1996, një stacion radiofonik i pavarur me frekuencë FM, me qendër në Apia, i ftoi Dëshmitarët e Jehovait të mbanin një program javor të titulluar: «U përgjigjemi pyetjeve tuaja biblike.»

Këto transmetime i përgatitnin dhe i mbanin Leva Faiu dhe Palota Alagi, nga dega e Samoas. «Në programin e parë,—shpjegon Leva,—vëlla Alagi bëri disa pyetje, si: a pati përmbytje në ditët e Noesë? Nga erdhi tërë ai ujë? Ku shkoi uji i përmbytjes? Si u futën në arkë të gjitha kafshët? Unë iu përgjigja pyetjeve duke përdorur fragmente nga botimet tona. Në fund të programit, prezantuam argumentin për javën vijuese dhe i ftuam dëgjuesit që kishin pyetje, të flitnin me Dëshmitarët e Jehovait në zonën e tyre. Në programe të tjera, u trajtuan pyetje si: pse Solomoni pati shumë gra, kurse të krishterët duhet të kenë vetëm një? A do t’i torturonte përgjithmonë njerëzit në një ferr të zjarrtë, një Perëndi i dashur? Bibla është një libër nga njerëzit apo nga Perëndia?»

Programi radiofonik vazhdoi për një vit dhe ngjalli shumë interes. Ivan Tomsoni thotë: «Shumë njerëz na thanë se u pëlqente programi dhe e dëgjonin rregullisht. Disa na thanë se nuk e kishin ditur që Bibla u përgjigjet pyetjeve kaq interesante.»

NEVOJA PËR SALLA MBRETËRIE

Në vitet 90, shumica e kongregacioneve në Samoa e në Samoan Amerikane mblidheshin në shtëpi private ose në ndërtesa me materiale që i merrnin nga pylli. «Shpesh banorët vendës i shihnin me përçmim këto vende mbledhjeje»,—thotë Stjuart Dugali, i cili shërbeu në Komitetin e Vendit nga viti 2002 deri më 2007. Edhe Salla e Mbretërisë në Tafuna të Samoas Amerikane, e ndërtuar nga 25 vjet, po vjetërohej. Kishte ardhur koha që struktura e vjetër të zëvendësohej me një sallë të re.

Por për një Sallë Mbretërie të re duhej një truall më i madh, që nuk gjendet kollaj në ishullin e vogël të Tutuilas. Vëllezërit u takuan me një katolike të shquar që ishte pronare e një trualli bosh në Petesa, pak më larg se Salla e Mbretërisë aktuale. Kur mori vesh se u duhej truall që të ndërtonin një vend adhurimi, ajo premtoi se do ta diskutonte çështjen me të bijën, e cila kishte planifikuar të ngrinte ndërtesa tregtare atje. Lutjet e vëllezërve morën përgjigje tri ditë më vonë kur gruaja i njoftoi se do t’ua shiste atyre truallin, sepse, siç tha ajo: «Perëndia duhet të vijë në vend të parë.»

«Madje,—shkruan Uollas Pedro,—na e dha tapinë e truallit para se ta paguanim, duke shtuar: ‘E di se jeni njerëz të ndershëm e do të ma paguani të gjithë shumën.’ Natyrisht që ashtu bëmë.» Në atë truall u ndërtua një Sallë Mbretërie e bukur me 250 vende dhe me ajër të kondicionuar, e cila u kushtua në vitin 2002.

Më 1999, Dëshmitarët e Jehovait themeluan një program të ri për të ndihmuar me ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vende me të ardhura të kufizuara. Salla e parë e tillë në ishujt e Samoas u ndërtua në Lefaga, një fshat i izoluar në bregun jugor të ishullit Upolu. Kongregacioni me dhjetë Dëshmitarë në Lefaga, më parë mblidhej në një dhomë pa mure dhe me çati kashte, ngjitur me hyrjen e shtëpisë së një lajmëtari.

Projektin e ndërtimit e mbikëqyri Xhek Shidi, një australian që kishte shërbyer dhjetë vjet në Tonga bashkë me të shoqen, Koralën. «Nga larg,—shkruan ai,—skuadra e ndërtimit me bujq, peshkatarë dhe gra shtëpiake dukej si një turmë milingonash që vraponin lart e poshtë nëpër kantier.»

Salla e Mbretërisë me 60 vende mbaroi në vitin 2001 dhe fshatarët e pëlqyen shumë. Ata thanë: «Sallat tuaja i bën tërheqëse dinjiteti e thjeshtësia që kanë. Janë krejt ndryshe nga kishat tona të rënduara nga zbukurimet e të mbushura me mobilie që shpesh duken të parregullta e të papastra.» Numri i të pranishmëve në mbledhje është rritur ndjeshëm. Në vitin 2004, në këtë sallë të re 205 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.

Nga fundi i vitit 2005, falë programit të ndërtimit për vendet me të ardhura të kufizuara ishin ndërtuar katër Salla Mbretërie të reja dhe ishin rikonstruktuar tri salla nëpër ishujt e Samoas. Veç kësaj, u restaurua edhe Salla e Asambleve në Sinamoga të Apias, Samoa. Siç ndodh edhe në vende të tjera me të ardhura të kufizuara, lajmëtarët samoanë e vlerësojnë jashtë mase këtë mbështetje të dashur të vëllezërve e motrave të tyre në besim anembanë botës.—1 Pjet. 2:17.

KOHËT NDRYSHOJNË

Shumë samoanë janë transferuar në vende të tjera. Për shembull, Australia, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara, sidomos Havai, tani kanë komunitete mjaft të mëdha me samoanë. Në këto vende, më se 700 Dëshmitarë janë në 11 kongregacionet dhe 2 grupet e gjuhës samoane. Lajmëtarë të tjerë samoanë shërbejnë në kongregacionet e gjuhës angleze në vendet ku kanë emigruar.

Disa Dëshmitarë samoanë kanë shkuar jashtë shtetit për të marrë stërvitje frymore dhe janë kthyer në Samoa ose në Samoan Amerikane për të vënë në përdorim stërvitjen që kanë marrë. Për shembull, në vitet 90, Talalelei Leauanae, Sitivi Paleso, Kejsi Pita, Feata Sua, Andru Kou dhe Sio Taua ndoqën Shkollën e Stërvitjes për Shërbim në Australi e më pas u kthyen në Samoa për të çuar përpara veprën e Mbretërisë. Sot, Andru dhe e shoqja, Fotuosamoa, shërbejnë në Bethelin e Samoas. Sioja me të shoqen, Esen, shërbyen disa vjet në veprën qarkore bashkë me djalin e tyre të vogël, El-Natanin. Tani Sioja shërben në Komitetin e Vendit. Të diplomuar të tjerë shërbejnë me besnikëri si pleq, pionierë ose lajmëtarë në kongregacionet e tyre.

Ç’rezultate ka pasur kjo veprimtari e shkëlqyer? Në vitin 2008, në 12 kongregacionet e Samoas dhe Samoas Amerikane maksimumi i lajmëtarëve ishte 620. Mbi 2.300 veta ndoqën Përkujtimin në vitin 2008. Prandaj, ka mjaft potencial për rritje të mëtejshme në ishujt e Samoas.

ECIN PËRPARA ME ORGANIZATËN E JEHOVAIT

Gjatë viteve, shumë njerëz me zemër të ndershme në Samoa e kanë pranuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 24:14) Ashtu si paraardhësit e tyre detarë, edhe ata kanë kapërcyer vështirësi të shumta në udhëtimin nga bota e vjetër e Satanait në një shtëpi të re frymore, në organizatën e drejtuar nga fryma e Jehovait. Pengesa të tilla si kundërshtimi nga familja, dëbimi nga komuniteti, propaganda e klerit, kufizimet qeveritare, tundimet e mishit dhe sprova të tjera, nuk i kanë penguar t’i shërbejnë Perëndisë së vërtetë, Jehovait. (1 Pjet. 5:8; 1 Gjon. 2:14) Cili është rezultati? Sot ata jetojnë të sigurt në një parajsë frymore.—Isa. 35:1-10; 65:13, 14, 25.

Gjithsesi, ende s’e kanë mbaruar udhëtimin. Në fund të tij i pret një parajsë tokësore nën sundimin e drejtë të Mbretërisë së Perëndisë. (Hebr. 11:16) Bashkë me vëllazërinë mbarëbotërore dhe të udhëhequr nga Fjala e Perëndisë e nga fryma e tij e shenjtë e fuqishme, Dëshmitarët e Jehovait në ishujt e Samoas vazhdojnë të ecin përpara, të vendosur të arrijnë synimin e tyre.

[Shënimet]

a Emri Lapita i referohet një vendi në Kaledoninë e Re ku u zbuluan për herë të parë poçet e veçanta prej balte që kishin bërë këta njerëz.

b Në vitin 1997, Samoa Perëndimore e ndryshoi emrin në Samoa. Prandaj, gjatë gjithë tregimit do të përdorim këtë emër.

c Disa pasardhës të zotit Taliutafa Jang, që mikpriti Haroldin, më vonë u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Nipi i tij, Artur Jangu, aktualisht shërben si plak dhe pionier në kongregacionin Tafuna në Samoan Amerikane. Një nga gjërat më të shtrenjta për të, është një Bibël që Harold Gili ia kishte dhuruar familjes.

d Përgjithësisht, samoanët kanë emrin e përveçëm, si për shembull Pele, dhe një mbiemër. Peleja e mori mbiemrin Fuaiupolu nga i ati. Gjithashtu, disa samoanë kanë të drejtë të marrin edhe një emër kryetari. Disa Dëshmitarë të Jehovait heqin dorë nga ky emër i dytë ose nuk pranojnë ta marrin, pasi mendojnë se ka ngjyrime politike ose që lidhet me botën. Në këtë tregim, në përgjithësi do të përdorim emrin e individit bashkë me mbiemrin me të cilin njihet më tepër, si për shembull Pele Fuaiupolu.

e Ky film u riprodhua në vitin 1995, dhe disponohet në gjuhët: angleze, arabe, çeke, daneze, finlandeze, frënge, greke, gjermane, holandeze, italiane, japoneze, kineze (kantoneze dhe mandarine), koreane, norvegjeze, portugeze (braziliane dhe evropiane), spanjolle dhe suedeze.

f Ropati u pagëzua gjatë një vizite që bëri më pas në Zelandën e Re.

[Diçitura në faqen 77]

«Këtë mbrëmje ju dëgjuat mesazhin e Mbretërisë. Shpresoj me gjithë zemër t’ia vini veshin.»

[Diçitura në faqen 98]

«Shpesh fëmijët e njoftonin mbërritjen tonë në fshat duke thirrur: ‘Erdhi Harmagedoni!’»

[Diçitura në faqen 108]

«Autobusi për në Vavau është gjithnjë i përpiktë: kur vjen, vjen»

[Kutia dhe figura në faqet 69, 70]

Fetë samoane dje dhe sot

Fetë e lashta samoane ishin një përzierje e politeizmit, animizmit, spiritizmit dhe adhurimit të të parëve, por s’kishin tempuj, idhuj ose priftëri të organizuar. Feja përshkonte çdo fushë të jetës. Po atëherë, pse samoanët dukeshin gati për një ndryshim fetar kur mbërritën atje misionarët e Shoqërisë Misionare të Londrës (LMS), më 1830?

Një legjendë e vjetër samoane parathoshte se një fe e re e fuqishme do t’i jepte fund sundimit të perëndive të vjetra. Kryetarët samoanë (matai) arritën në përfundimin se misionarët përfaqësonin këtë fe të re. Mbreti Malietoa vendosi të adhuronte Perëndinë e të krishterëve, Jehovain, dhe i urdhëroi nënshtetasit e tij të vepronin njësoj.

Misionarët katolikë, metodistë, mormonë dhe të LMS-së tërhoqën shumë besimtarë dhe sot pothuajse të gjithë banorët e ishujve samoanë i përkasin ndonjë kishe. Të dyja qeveritë samoane kanë nga një moto fetare: «Samoa e ka themelin te Perëndia» dhe «Samoa: Perëndia të priftë!» Në kanalet televizive të atjeshme mbizotërojnë programet fetare.

Ndikimi i fesë është më i fuqishëm nëpër fshatra, ku kryetarët vendës shpesh vendosin ç’fe do të ndjekin banorët e fshatit. Disa fshatarëve mund t’u bëhet presion të japin më tepër se 30 për qind të të ardhurave për të mbështetur pastorët vendës dhe projektet e kishës, një barrë kjo që sa vjen e po bëhet më e padurueshme për shumë veta. Madje bëhen gara kush mund të japë më tepër. Disa kisha i njoftojnë emrat e fituesve që kanë dhuruar më tepër para.

Në shumë fshatra, çdo aktivitet ndërpritet befas për sa-në e përditshme, një interval 10-15 minuta kur bëhet lutja e fshatit. Në rrugë, në largësi të caktuara qëndrojnë djem të rinj me shkopinj të mëdhenj, për t’u siguruar se ky rit respektohet. Shkelësit mund të qortohen, të gjobiten deri në 100 dollarë ose t’u kërkohet të sigurojnë ushqim për pleqtë e këshillit a për fshatin. Në raste ekstreme, edhe i rrahin ose i dëbojnë nga fshati.

Në një rast, mbikëqyrësi qarkor Xhon Rodzi dhe gruaja e tij, Helena, mbërritën në fshatin Salimu të Savait pas një udhëtimi të lodhshëm. Sapo kishte filluar sa-ja, prandaj rojat u kërkuan të pritnin në hyrje të fshatit. Pa kundërshtuar, ata pritën derisa mbaroi sa-ja dhe pastaj shkuan në shtëpinë ku do të rrinin.

Kur kryetari i madh i fshatit mori vesh se Xhonin dhe Helenën i kishin vonuar, i kërkoi falje të zonjës së shtëpisë. Ai tha se Dëshmitarët ishin mysafirë të nderuar dhe pastaj i udhëzoi rojat ta linin çiftin Rodz të hynte në fshat në çdo kohë, edhe në kohën e sa-së. Pse ky trajtim i veçantë? Djali i vogël i kryetarit, Sioja, po studionte Biblën me Dëshmitarët dhe po bënte përparim. Sot, Sio Taua është anëtar i Komitetit të Vendit në Samoa.

[Figura]

Xhon dhe Helena Rodzi

[Kutia në faqen 72]

Pamje e përgjithshme e Samoas, Samoas Amerikane dhe Tokelaut

Vendi:

Samoa përbëhet nga dy ishuj kryesorë—Upolu dhe Savai, të cilët i ndan një ngushticë 18 kilometra e gjerë—dhe nga disa ishuj më të vegjël të banuar. Samoa Amerikane, rreth 100 kilometra në juglindje të Samoas, ka një ishull kryesor, Tutuilan, dhe përfshin Ishujt Manua, ishullin Suejnz, Aunun dhe atolin Rouz, që është i pabanuar. Tokelau përbëhet nga tre atole koralore të ulëta që ndodhen 480 kilometra në veri të Samoas.

Popullsia:

Samoa ka mbi 214.000 banorë, kurse Samoa Amerikane rreth 57.000 banorë. Tokelau ka përafërsisht 1.400 banorë. Rreth 90 për qind janë polinezianë, pjesa tjetër aziatikë, evropianë ose gjysmë polinezianë.

Gjuha:

Gjuha kryesore është samoane, edhe pse shumica e njerëzve kanë si gjuhë të dytë anglishten. Në Tokelau flitet gjuha tokelauane, që është e ngjashme me atë samoane.

Jetesa:

Samoanët merren kryesisht me bujqësi, turizëm, me peshkimin e peshkut ton dhe me përpunimin e peshkut.

Ushqimi:

Ushqimi bazë përbëhet nga taroja e pasur në amidon, bananet jeshile dhe fruta e pemës së bukës, të përziera me qumësht arre kokosi. Gatuhen edhe derri, pulat ose peshku. Ka me bollëk fruta tropikale si papaja, ananas dhe mango.

Klima:

Ngaqë ishujt gjenden pranë ekuatorit, moti është i nxehtë dhe i lagësht në pjesën më të madhe të vitit. Në Pago-Pago që ndodhet në ishullin Tutuila të Samoas Amerikane, bien mbi 5 metra reshje në vit.

[Kutia në faqen 75]

«Libër shumë i mirë»

Vëlla Harold Gili donte të shpërndante në Samoan Amerikane 3.500 kopje të broshurës në gjuhën samoane Ku janë të vdekurit? Kur i çoi një broshurë guvernatorit, ky i sugjeroi t’ua tregonte udhëheqësve fetarë, që t’i bënin të ditur prokurorit të përgjithshëm nëse ishte e përshtatshme të shpërndahej në publik. Si do të reagonin udhëheqësit fetarë?

Kleriku i Shoqërisë Misionare të Londrës ishte miqësor dhe nuk kundërshtoi. Adventistëve të Ditës së Shtatë nuk u interesonte ç’bënte Haroldi, mjaft që të mos u merrte delet. Kapelani i marinës, edhe pse ishte disi sarkastik, nuk u tregua armiqësor. Por, falë një ngjarjeje të pazakontë, nuk qe e nevojshme që Haroldi të takonte priftin katolik. Haroldi i kishte dhënë një broshurë policit samoan që e shoqëroi te guvernatori. Disa ditë më vonë, e pyeti policin a i kishte pëlqyer broshura.

Me anglishten e tij të çalë, polici u përgjigj: «Shefi im [prokurori i përgjithshëm] thotë: ‘Shko tako priftin tënd [katolik] dhe pyete a është i mirë ky libër.’ Unë ulem nën pemë dhe lexoj librin. I them vetes: ‘Ky libër, shumë i mirë, por po t’ia tregoj priftit, ai thotë: “Jo libër i mirë.”’ Kështu, i them shefit: ‘Shef, prifti im thotë: “Libër shumë i mirë.”’»

Më pas, prokurori i përgjithshëm e ftoi Haroldin në zyrë. Teksa ai shfletonte broshurën, Haroldi i shpjegoi përmbajtjen. Pastaj prokurori ngriti telefonin dhe bëri një telefonatë për të dhënë leje që broshura të shpërndahej. Rrjedhimisht, Haroldi i shpërndau nëpër ishuj pothuajse të gjitha broshurat që kishte sjellë.

[Kutia në faqen 76]

Kultura tradicionale samoane

Në vitin 1847, Xhorxh Prati, një misionar i Shoqërisë Misionare të Londrës, i përshkroi samoanët si «ruajtësit më të mëdhenj të etiketës në Polinezi, në mos në gjithë botën». Kjo kulturë tradicionale samoane, e quajtur fa Samoa (sipas mënyrës së Samoas), është një kod rregullash të përcaktuara me imtësi, që prekin çdo aspekt të jetës së samoanëve.

Aspekti më i rëndësishëm i këtij kodi është «respekti, madje përnderimi, që u tregohet atyre që janë ‘më të lartë se vetja’», sipas librit Ishujt samoanë (anglisht). Ky respekt pasqyrohet në edukatën, të folurit e hijshëm dhe në besnikërinë ndaj familjes e ndaj fshatit. Për pjesën më të madhe të njerëzve është e pamendueshme të hedhin poshtë zakonet dhe fenë e të parëve të tyre.

Kryetarët e familjes (matai), mbrojtësit e kësaj tradite, drejtojnë punët e përditshme të një a më shumë grupeve familjare të lidhura mes tyre dhe i përfaqësojnë ato në këshillin e fshatit. Ata pretendojnë bindje të plotë dhe i detyrojnë të tjerët t’u nënshtrohen duke i gjobitur, duke i rrahur ose edhe duke i dëbuar nga fshati. Për shembull, matait e një fshati gjobitën një klerik që kishte nxitur disa djem të vegjël t’u qëllonin me gurë Dëshmitarëve të Jehovait.

Fshatrat mund të kenë 10 deri në 50 matai. Shumica prej tyre zgjidhen nga farefisi (aiga), por disa e trashëgojnë postin. Titujt janë organizuar sipas një hierarkie të rreptë. Çdo fshat ka një kryetar të madh (ali), i cili drejton këshillin e fshatit. Ka një kryetar folës (tulafale) që kujdeset për çështjet ceremoniale. Por jo të gjithë matait kanë detyra politike ose fetare. Disa kufizohen thjesht me kujdesjen për çështjet familjare, për shembull duke shërbyer si administratorë të tokës së familjes, me të drejtën për të vendosur si do të përdoret ajo pronë.

[Kutia dhe figura në faqen 79]

«Njeriu i Jehovait»

SAUVAO TOETU

LINDUR: 1902

PAGËZUAR: 1954

TË DHËNA: I pari banor i Faleasiut që pranoi të vërtetën. Më vonë, në pronën e tij u ndërtua një Sallë Mbretërie. Treguar nga i biri, Tafiga Sauvao

NË VITIN 1952, një kushëri i babait nga Apia erdhi për vizitë në familjen tonë, në Faleasiu. Ky kushëri, që shoqërohej me Dëshmitarët e Jehovait, donte të fliste për Biblën me tim atë. Disa kushërinj të tjerë në fshat vendosën të vinin e të dëgjonin. Së bashku, folën pa pushim nga e shtuna në mëngjes deri të hënën pasdite, duke ndërprerë bisedën vetëm për një orë gjumë. Pas bisedave të ngjashme që u bënë gjatë katër fundjavëve pasuese, më në fund im atë u shpreh: «S’kam më pyetje. Kam gjetur të vërtetën.» Edhe kunati i tim eti, Finau Feomaia, e pranoi të vërtetën, e po ashtu bënë edhe të dyja familjet.

Babai nisi të predikonte menjëherë. Kjo i tronditi të afërmit, që e konsideronin adventist të flaktë. Nisën ta tallnin duke e quajtur «njeriu i Jehovait». As që e dinin ç’kompliment po i bënin! Edhe pse ishte trupvogël, im atë kishte zemër të fortë dhe aftësinë që të mendonte me kthjelltësi e të fliste me bindje. Kjo i dha mundësi ta mbronte me mjeshtëri besimin e tij të ri. Me kalimin e kohës, grupi ynë i vogël u bë kongregacioni i dytë i formuar në Samoa.

[Kuta dhe figura në faqen 83]

Besnik edhe pse shëndetlig

FAGALIMA TUATAGALOA

LINDUR: 1903

PAGËZUAR: 1953

TË DHËNA: Nuk pranoi të bëhej një matai i shquar, por u bë pionier i rregullt.

MË VONË, edhe pse kishte shikim shumë të dobët dhe një këmbë të deformuar, Fagalima shërbeu për vite si pionier special anekënd Samoas. Një mbikëqyrës qarkor, tek po predikonte shtëpi më shtëpi me Fagaliman, vuri re se ai po i lexonte saktë shkrimet pa syze, prandaj e pyeti nëse po i përmirësohej shikimi. Fagalima ia ktheu se i kishin humbur syzet, prandaj po i citonte përmendësh shkrimet.

Kaq shumë donte të ndiqte një kongres në Fixhi, saqë punoi i vetëm në skajin më të largët të Upolut për katër javë, duke mbledhur arra kokosi. Pavarësisht nga këmba e deformuar, mbante 15 arra kokosi çdo rrugë, për më tepër se tre kilometra, deri në një vend ku u hiqte lëvoren dhe nxirrte e thante tulin. Pasi i shiti këto, udhëtoi deri në Apia që të priste biletën për në Fixhi, por mori vesh se ndërkohë çmimi ishte rritur përtej mundësive të tij. Në vend që të ankohej, të dorëzohej ose të kërkonte ndihmë, ai u kthye dhe mblodhi të tjera arra kokosi për të fituar paratë që i duheshin. Gjithë këtë e bëri për të ndjekur një kongres që mendonte se do të mbahej në dy gjuhë që s’i dinte. Sa u shpërblye Fagalima kur mbërriti në Fixhi dhe zbuloi se pjesa më e madhe e programit të kongresit do të mbahej në gjuhën e tij!

[Kutia dhe figura në faqen 87]

«E kam shijuar çdo ditë»

RONALD SELËRSI

LINDUR: 1922

PAGËZUAR: 1940

TË DHËNA: Ai dhe e shoqja, Oliva (Dolli), shkuan në Samoa si pionierë specialë më 1953. Roni u diplomua në shkollën misionare të Galaadit më 1961 dhe shërben ende si pionier special në Samoan Amerikane.

KUR qeveria e Samoas refuzoi të na e shtynte vizën, bashkë me Dollin u transferuam në Samoan Amerikane. Anija ndërishullore na la në portin e shkretë të Pago-Pagos në tre të mëngjesit. Ishim të vetmit lajmëtarë në vend dhe kishim vetëm 12 dollarë në xhep. Më vonë atë mëngjes, babai i një ish-studenti biblik u tregua dashamirës dhe na mori në shtëpi. Kishte vetëm një dhomë dhe fjetëm në një cep të saj të ndarë me perde. Edhe pse donim të gjenim shtëpi më vete, nisëm predikimin që nga shtëpia ngjitur me atë ku fjetëm.

Disa javë më vonë, morëm me qira një apartament të madh që ndodhej mbi një dyqan artikujsh të ndryshëm, në fshatin Fagatogo. Kishte pamje madhështore nga porti piktoresk i Pago-Pagos, por ishte krejt i pamobiluar. Vëlla Nori na kishte thënë: «Kur të shkoni në ishujt e Paqësorit, mund të mos keni shumë komoditete. Madje mund t’ju duhet të palosni kuti kartoni e t’i shtroni për të fjetur.» Pikërisht kështu bëmë. Vetëm muaj më vonë arritëm të mblidhnim paratë që të bënim një shtrat për të qenë, tavolinën dhe karriget. Gjithsesi, ishim të kënaqur që kishim një vend të cilin mund ta quanim shtëpi.

Gruaja ime e dashur vdiq në vitin 1985, por unë vazhdoj të dal në shërbim pothuajse çdo ditë. Kur mendoj për më shumë se 50 vitet që kam kaluar në shërbimin si pionier e misionar, me ndershmëri them se e kam shijuar çdo ditë.

[Kutia dhe figura në faqen 88]

«Më rrënjosën dashurinë për Jehovain»

UOLLAS PEDRO

LINDUR: 1935

PAGËZUAR: 1955

TË DHËNA: I pari që u pagëzua në Samoan Amerikane. Ai dhe e shoqja, Kerolajni, shërbyen si pionierë derisa u bënë me fëmijë. Tani shërbejnë në Siatëll, Uashington, SHBA.

KUR studiova Biblën dhe nisa të predikoja, familja më nxori nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit. Atë natë m’u desh të flija në breg të detit. Iu luta Jehovait për guxim që t’i shërbeja sido që të vinte puna.

Të nesërmen, po rrija në bibliotekën e shkollës kur papritur hyri vëlla Pol Evansi. Ai e ndjeu se diçka nuk shkonte, prandaj më tha: «Hajde shkojmë në shtëpinë misionare të flasim.» Me dashamirësi, misionarët më ftuan të rrija me ta dhe më vonë atë vit, u pagëzova.

Pasi mbarova shkollën e mesme, fillova si pionier bashkë me misionarët. Më vonë, u martova me një pioniere të zellshme kanadeze, Kerolajn Hinshin, e cila kishte shërbyer në Fixhi, dhe nisëm shërbimin si pionierë specialë në Samoan Amerikane.

Me kalimin e kohës, qëndrimi i prindërve u zbut. Im atë studioi Biblën para se të vdiste, kurse mamaja u pagëzua në moshën 72-vjeçare. Kur mendoj për ata misionarë të hershëm, e çmoj vërtet shembullin që lanë. Më rrënjosën dashurinë për Jehovain, e cila më ka mbështetur deri më sot.

[Kutia dhe figurat në faqet 91, 92]

Këmbëngulja shpërblehet

POL EVANSI

LINDUR: 1917

PAGËZUAR: 1948

TË DHËNA: Ai dhe e shoqja, Frensisi, shërbyen si misionarë për më shumë se 40 vjet në Samoa dhe në Samoan Amerikane.

KUR nisa veprën qarkore bashkë me time shoqe, në vitin 1957, nuk ishte e lehtë të hyje në Samoa, sepse qeveria po përpiqej t’i izolonte Dëshmitarët vendës që të mos merrnin ndihmë nga jashtë. Madje vizitorëve dhe turistëve u kërkohej të firmosnin një deklaratë ku premtonin se nuk do të bënin prozelitizëm gjatë qëndrimit të tyre. Prandaj, herën e parë që vizitova Samoan si mbikëqyrës qarkor, e pyeta nëpunësin e zyrës së emigracionit çfarë do të thoshte fjala prozelitizëm. Meqë s’po dinte ç’të thoshte, e pyeta:

—Ta zëmë se je një katolik që po viziton një vend tjetër dhe shkon në kishë. Po të të kërkonin, a do të ngriheshe e të mbaje një fjalim?

—Gjithsekush është i lirë ta bëjë këtë,—m’u përgjigj.

—Po mirë,—vazhdova,—ti e di se Dëshmitarët e Jehovait i vizitojnë njerëzit në shtëpitë e tyre për t’i dhënë mesazhin e Biblës. Në qoftë se miqtë e mi duan që t’i shoqëroj ndërsa bëjnë këtë vepër, a lejohet kjo?

—Ma do mendja se po,—u përgjigj.

—Po sikur i zoti i shtëpisë të më bëjë një pyetje?—ia ktheva.—A mund t’i përgjigjem?

—Nuk shoh ndonjë problem këtu,—më tha.

—Dakord, atëherë. Të paktën tani e di ç’duhet të bëj,—përfundova.

Kur po largohesha, pas një vizite qarkore të suksesshme, pyeta të njëjtin nëpunës nëse kishte dëgjuar ndonjë gjë negative për vizitën tonë.

—As edhe një gjë,—u përgjigj.—Çdo gjë në rregull.

—Po mirë, si mund të marrim vizën për vizitën tjetër?—e pyeta.

—Mos bëj kërkesë në zyrën e emigracionit,—më këshilloi.—Mjafton të më shkruash një letër mua personalisht dhe do të kujdesem që të merrni vizën.

Kështu vepruam për disa vizita.

Mjerisht, nëpunësit që erdhën pas këtij njeriu pa paragjykime, nuk ishin po kaq bashkëpunues dhe nuk pranuan më që mbikëqyrësit qarkorë të hynin në Samoa. Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1974, kur qeveria na dha statusin e misionarit mua dhe Frensisit. Durimi dhe këmbëngulja jonë, më në fund u shpërblyen.

[Figura]

Frensis dhe Pol Evansi

[Kutia në faqen 97]

Gjuhë oratorësh

Gjuha samoane ka një tingull të butë e melodioz që të kënaq veshin. Por, siç thotë Fred Uegeneri, «meqë shumë fjalë tingëllojnë si një lëmsh zanoresh, misionarëve u duhet shumë praktikë (faataitaiga) dhe inkurajim (faalaeiauina)» që ta zotërojnë gjuhën.

Gjuha figurative dhe fjalët e urta zënë një vend të rëndësishëm në kulturën samoane. Kryetarët (matai) dhe oratorët (tulafale, kryetarët folës) kanë qejf të citojnë nga Bibla e të përdorin një gjuhë pompoze për rastet formale. Mirësjellja tipike e popullit samoan vërehet sidomos në përdorimin me fanatizëm të gjuhës formale e ceremoniale, kur e do rasti. Samoanët kanë një gjuhë të mirësjellshme shumë të zhvilluar «kryetarësh» (tautala lelei) që e përdorin kur i luten Perëndisë, kur flasin me kryetarët, njerëzit me autoritet dhe vizitorët e huaj ose kur flasin për ta. Kurse për bisedat e përditshme ose kur flasin për veten, kanë gjuhën e popullit (tautala leaga), që është më pak formale dhe më e çlirët.

Për të mos fyer dikë gjatë trajtimit të çështjeve zyrtare e ceremoniale ose gjatë bisedave për Biblën, gjuha e respektuar samoane e «kryetarëve» ka terma specifikë dinjitozë. Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës që ka shërbyer si misionar në Samoa, shpjegon: «Ngaqë e gjithë gjuha karakterizohet nga mirësjellja dhe respekti, kur predikon, është e rëndësishme t’u drejtohesh samoanëve me mirësjelljen që zakonisht rezervohet për kryetarët, ndërkohë që ndjek zakonin e përulur të përdorimit të fjalëve të përditshme kur flet për veten.»

[Kutia dhe figura në faqen 99]

‘U larguam mes shumë lotësh’

ROBERT BOISI

LINDUR: 1942

PAGËZUAR: 1969

TË DHËNA: Ai dhe e shoqja, Elizabeta (Beti), shërbyen si misionarë në ishujt e Samoas nga viti 1978 deri në vitin 1986.

EDHE pse kishim pak kohë që kishim shkuar, banorët e Samoas Amerikane na i vlerësonin përpjekjet për të mësuar gjuhën samoane dhe i anashkalonin gabimet tona të shumta. Në një rast, doja të shpjegoja ndikimin e Satanait mbi botën dhe përdora Zbulesën 12:9. Por fjala samoane për djall (tiapolo) është shumë e ngjashme me fjalën për limon (tipolo). I ngatërrova fjalët dhe i shpjegova të zotit të shtëpisë se «limoni» ishte dëbuar nga qielli dhe po mashtronte gjithë tokën e banuar. Por i thashë se së shpejti Jehovai do ta shtypte «limonin» dhe do t’i jepte fund. Natyrisht që ai dhe shoku im misionar u shkrinë së qeshuri.

Në një rast tjetër, po predikoja shtëpi më shtëpi dhe i përsërita një gruaje samoane prezantimin që kisha mësuar përmendësh. Më vonë mora vesh se e vetmja pjesë e prezantimit që kishte kuptuar, ishte një referim i shkurtër për Zbulesën 21:4. Duke kuptuar se mesazhi që po i thosha duhej të ishte i rëndësishëm, ajo hyri menjëherë brenda dhe e lexoi shkrimin në Bibël. Ai shkrim i preku zemrën aq shumë, saqë më vonë filloi një studim biblik dhe pranoi të vërtetën bashkë me fëmijët e vet.

Lumturisht, pas njëfarë kohe arritëm ta përvetësonim gjuhën samoane dhe patëm shumë përvoja të bukura. Kur problemet shëndetësore na detyruan të ktheheshim në Shtetet e Bashkuara, u larguam nga Samoa mes shumë lotësh.

[Kutia dhe figura në faqet 101, 102]

«Doli i gjithë qyteti»

Një nga funeralet më të mëdha që janë mbajtur ndonjëherë në Apia, ishte ai i Fred Uilliamsit, në vitet 50. Kapiteni, siç e thërritnin të gjithë, ishte një marinar i vjetër e i fortë, që kishte dalë në pension, gruaja e të cilit ishte Dëshmitare e Jehovait. I kishte rënë deteve kryq e tërthor dhe ishte i famshëm në gjithë ishujt e Paqësorit Jugor. Një ndër bëmat e tij të shumta ishte shpëtimi i ekuipazhit të vet në një varkë të pambuluar, duke përshkuar mbi një mijë milje oqean, thuajse fare pa ushqim, sepse anija u ishte mbytur në një shkëmb koralor të largët.

Kapiteni mendonte se njerëzit në përgjithësi nuk e praktikonin me sinqeritet fenë. Megjithatë, ky marinar që më parë pinte uiski e luante poker, studioi Biblën me Bill Mosin dhe u bë një Dëshmitar i zellshëm. Në kohën kur u pagëzua, pothuajse nuk shihte fare dhe ishte pak a shumë i ngujuar në shtrat. Gjithsesi, nuk linte t’i ikte asnjë rast që të fliste për besimin e tij të ri me vizitorët e shumtë, ndër të cilët edhe mjaft udhëheqës fetarë.

Kapiteni kishte lënë me testament që kur të vdiste, funeralin ta bënin Dëshmitarët e Jehovait dhe të varrosej në det. Gërli Mosi shkruan: «Dukej sikur doli i gjithë qyteti për funeralin. Vdekja e tij u njoftua në radio dhe të gjitha firmat tregtare në Apia i ulën flamujt në gjysmë shtizë, në shenjë respekti.» Përveç gjithë Dëshmitarëve të pranishëm, kishte edhe avokatë, mësues, udhëheqës fetarë të shquar dhe shumë nga bota e biznesit.

Të gjithë dëgjuan me vëmendje të madhe oratorin, Bill Mosin, i cili me anë të shkrimeve të shumta shpjegoi shpresën e kapitenit për ringjalljen në një tokë parajsore. «Ndjeva një dashuri të madhe për kapitenin,—thotë Gërli,—sepse i kishte rregulluar gjërat që të jepej kjo dëshmi në funeralin e tij para kaq shumë vetave që normalisht nuk i takonim dot ose nuk u flitnim dot në shërbim. M’u kujtua Abeli që, ‘edhe pse vdiq, ende flet’.» (Hebr. 11:4) «Nëpërmjet funeralit të tij, kapiteni dha një dëshmi të madhe ditën kur vdiq.»

Pas fjalimit të funeralit që u mbajt në shtëpinë e kapitenit, kortezhi me mbi 50 makina u nis për te porti. Gërli shkruan: «Porti ishte mbushur me kaq shumë shikues, saqë u desh ndërhyrja e policisë që ta mbante hapur rrugën deri tek anija. Pastaj, bashkë me familjen, komisionerin e lartë dhe qytetarë të shquar, hipëm në jahtin «Aolele» (Reja fluturuese) dhe dolëm në det.» Emri i jahtit ishte më se i përshtatshëm, sepse Billit iu desh të mbërthehej fort te direku i anijes, të cilën dallgët e detit e lëkundnin si të ishte prej tape, ndërsa era frynte furishëm mbi të, rrobat dhe fletët e Biblës së tij. Së fundi, Billi lexoi premtimin e Biblës se ‘deti do të dorëzojë të vdekurit që gjenden në të’ dhe bëri një lutje. (Zbul. 20:13) Pastaj, trupin e kapitenit, të mbuluar e të lidhur me një peshë, e hodhën në ujërat shkumëzuese të Oqeanit Paqësor të cilin ai e deshi aq shumë. Për një kohë të gjatë pas kësaj, njerëzit ende flitnin për funeralin e tij, dhe këto ishin raste të mira për të dhënë më tepër dëshmi.

[Figura]

«Kapiteni» Fred Uilliams para se të pagëzohej

[Kutia dhe figura në faqen 109, 110]

«Jemi kthyer gjithnjë»

FRED UEGENERI

LINDUR: 1933

PAGËZUAR: 1952

TË DHËNA: Shërben në Bethelin e Samoas bashkë me të shoqen, Shirlin, dhe është anëtar i Komitetit të Vendit.

FILL pas martesës, në vitin 1956, u transferuam nga Australia në Samoan Amerikane si pionierë specialë. Caktimin e parë e patëm në Lauli, një fshat i vogël në hyrjen lindore të portit të Pago-Pagos. Shkuam të banonim në një karakatinë pa dyer, pa dritare, pa tavan e pa ujë të rrjedhshëm. Pasi e kthyem në një vend të banueshëm, menjëherë na u shtua familja. Uollas Pedro, një i ri vendës që prindërit kundërshtarë e kishin përzënë nga shtëpia, erdhi të jetonte me ne e të shërbente si pionier.

Dy vjet më vonë, ndoqëm Galaadin dhe na caktuan si misionarë në Tahiti. Por qëndrimi atje ishte i shkurtër. Qeveria nuk na e pranoi kërkesën si misionarë dhe me «mirësjellje» na njoftoi me shkrim se duhej të iknim me avionin tjetër. Pasi u kthyem në Samoan Amerikane, shërbyem në shtëpinë misionare të Fagatogos në Pago-Pago, bashkë me Pol e Frensis Evansin dhe Ron e Dolli Selërsin. Atje u mora me shtypjen e Kullës së Rojës dhe të Shërbimi ynë i Mbretërisë në gjuhën samoane, me një shaptilograf të vjetër që e kishim vendosur në tryezën e dhomës së ngrënies. Më 1962, më ftuan në veprën qarkore bashkë me Shirlin. Qarku i parë mbulonte pjesën më të madhe të Paqësorit Jugor, përfshirë Ishujt Kuk, Fixhin, Kiribatin, Niuen, Samoan, Samoan Amerikane, Tongën, Tuvalunë dhe Vanuatun.

Pas tetë vjetësh na lindi një djalë, Darili, dhe u vendosëm me banim në Samoan Amerikane. Unë shërbeja si pionier special, kurse Shirli e kalonte pjesën më të madhe të kohës duke përkthyer literaturën biblike në gjuhën samoane.

Rreth asaj kohe, për të plotësuar të ardhurat e familjes nisa të punoja me një Dëshmitar që zhytej për molusqe. Një herë motori i barkës së tij të vogël u prish dhe mbetëm në det të hapur për katër ditë. U larguam nga kursi me qindra kilometra, i mbijetuam një stuhie të fortë, pamë 32 anije që na kaluan pranë dhe desh u përplasëm me një anije-kontejner të stërmadhe, para se të na shpëtonin. Pas pak, morëm vesh se Shirli priste një fëmijë tjetër, kështu që, me zemër të thyer, në vitin 1974 vendosëm të ktheheshim në Australi, ku na lindi vajza, Tamari.

Gjatë viteve që pasuan, mendonim shpesh të ktheheshim në caktimin e dikurshëm misionar që e donim aq shumë. Përfytyrojeni kënaqësinë tonë kur, më 1995, na ftuan të ktheheshim në Samoa bashkë me Tamarin e të shërbenim në Bethel. Një vit më vonë, na ftuan të rifillonim veprën qarkore, pas një ndërprerjeje prej 26 vjetësh. Ç’gëzim ishte të takonim përsëri tërë ata miq të vjetër e besnikë, me të cilët kishim punuar vite më parë në Samoa, në Samoan Amerikane dhe në Tonga!—3 Gjonit 4.

Sot, unë e Shirli shërbejmë bashkë me Tamarin dhe të shoqin, Hidejuki Motoin, në Bethelin e Samoas. Sa të lumtur ndihemi që jemi kthyer gjithnjë!

[Kutia dhe figura në faqet 113, 114]

‘Jehovai m’i ka dëgjuar lutjet’

FAIGAI TU

LINDUR: 1932

PAGËZUAR: 1964

TË DHËNA: Shërbeu si pioniere në ishujt Upolu dhe Savai nga viti 1965 deri në vitin 1980. Tani jeton në Savai.

KAM lindur me këmbë shumë të deformuara. Si pasojë, shputat e këmbëve i kam të përthyera nën thembra, kështu që e kam shumë të vështirë të eci.

Herën e parë që dëgjova të vërtetën, më preku në zemër. Doja të ndiqja mbledhjet e kongregacionit, por më dukej e pamundur të ecja nëpër terrenin e thyer shkëmbor ku ishte rruga. Pas njëfarë kohe, u bëra mjeshtre për t’i sajuar vetë këpucët me sandale gome. Falë tyre, mund të ecja më rehat.

Fillova si pioniere pak pasi u pagëzova. Më vonë, pasi kisha shërbyer si pioniere për nëntë vjet në ishullin Upolu, u transferova bashkë me motrën dhe burrin e saj në Savai, ku kishte nevojë për lajmëtarë. Atje shërbeva si pioniere speciale bashkë me mbesën, Kumi Faleman.

Me Kumin udhëtonim me autobus çdo javë nga Faga në Lata, një fshat i vogël që ndodhej në bregun perëndimor të Savait. Pasi drejtonim një studim biblik me një grua në Lata, ecnim për 8 kilometra deri në fshatin Taga, ku studionim me një grua tjetër. E kalonim natën te kjo grua dhe familja e saj, pastaj ktheheshin në Faga me autobusin e mëngjesit. Kjo vazhdoi për nja dy vjet. U kënaqëm kur të dyja këto gra, si dhe familjet e tyre, më vonë u bënë Dëshmitarë.

Kur të afërmit e mi u larguan nga Savai, unë qëndrova që të ndihmoja grupin e vogël me motra dhe gra të interesuara në Faga. Drejtoja Studimin javor të Kullës së Rojës dhe Studimin e Librit të Kongregacionit, si dhe organizoja motrat për shërbimin shtëpi më shtëpi. Një herë në muaj, një plak vinte nga Apia për të drejtuar një mbledhje të së dielës. Kryetari i fshatit na kishte ndaluar të këndonim këngë Mbretërie në mbledhje, prandaj thjesht i lexonim me zë fjalët e këngëve. Pesë vjet më vonë, nga Zelanda e Re erdhi një çift misionarësh, Leva dhe Tenisia Faiu, që të ndihmonin grupin tonë të vogël. Më pas erdhën edhe të tjerë. Sot në Savai ka dy kongregacione të forta, njëri në Faga dhe tjetri në Taga.

Edhe pse vetë nuk jam martuar, i dua shumë fëmijët dhe gjithnjë i kam mbajtur afër. Madje disa fëmijë kanë jetuar me mua për njëfarë kohe. Më mbushet zemra me gëzim kur shoh «fëmijët» e mi frymorë të rriten e të marrin anën e Jehovait.

Tani jam në moshë të thyer dhe nuk eci dot që të shkoj shtëpi më shtëpi. Drejtoj studime biblike në shtëpinë time dhe u predikoj njerëzve që takoj në spital. Gjithsesi, këto kufizime po më mërzitnin, prandaj iu luta Jehovait të më ndihmonte të bëja më tepër. Më pas, misionarët në kongregacionin tim më mësuan të jap dëshmi me telefon. Sa herë mendoj për jetën time, e shoh se Jehovai vërtet m’i ka dëgjuar lutjet.

[Kutia dhe diagrami në faqen 118]

Dje, sot dhe nesër

Banorët e Samoas dhe të Tongës i kanë orët të sinkronizuara, por kalendari i Tongës është një ditë përpara. Përse? Samoa dhe Tonga ndodhen në anët e kundërta të vijës ndarëse ndërkombëtare të datës: Tonga në perëndim, Samoa në lindje. Prandaj, edhe pse dy ishujt i ndan një largësi e vogël, Tonga është një nga vendet e para në botë që mban Përkujtimin vjetor të vdekjes së Krishtit, kurse Samoa është nga të fundit.

[Diagrami]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

\​

\​

\​

\​

\ SAMOA

| 19:00

| E mërkurë

|

|

|

|

|

TONGA |

19:00 | OCEANI PAQËSOR I JUGUT

E enjte |

|

|

Vija ndarëse | ndërkombëtare e datës

|

| NIUE

|

|

|

|

|

|

|

|

[Kutia dhe figurat në faqet 123, 124]

Një përkthim biblik që nderon emrin e Perëndisë

Në vitin 1884, misionarët e krishterimit nxorën një përkthim të Biblës në gjuhën samoane, ku emri Jehova përdorej gjerësisht në Shkrimet Hebraike. Edhe forma e shkurtuar e emrit të Perëndisë dilte katër herë në Shkrimet e Krishtere Greke si Aleluia, që do të thotë «Lëvdoni Jah». (Zbul. 19:1-6) Por, më 1969, në versionin e rishikuar të këtij përkthimi, emri Jehova ishte hequr nga të gjitha vargjet, përveç njërit që me sa duket u kishte shpëtuar përkthyesve. (Dal. 33:14) Gjithashtu, autoritetet kishtare e hoqën emrin hyjnor nga librat e tyre të himneve dhe i udhëzuan besimtarët të mos e përdornin emrin e Jehovait.

Por në nëntor të vitit 2007, të gjithë ata që e duan Biblën në Samoa u kënaqën që morën në gjuhën samoane Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Ky përkthim i saktë e i lehtë për t’u kuptuar, me besnikëri e ka rivendosur emrin hyjnor në tekstin e frymëzuar. Xhefri Xheksoni, ish-misionar në Samoa dhe tani anëtar i Trupit Udhëheqës, e prezantoi botimin e ri në një kongres special ndërishullor që u mbajt në Apia, Samoa.

Reportazhet televizive për daljen e këtij botimi, nxitën interesin e publikut. Disa telefonuan në Bethelin e Samoas dhe kërkuan kopje të këtij përkthimi. Një zyrtar i lartë kërkoi dhjetë kopje, që t’ua jepte anëtarëve të stafit të tij. Drejtori i një shkolle kërkoi pesë kopje që t’ua jepte si çmim nxënësve më të mirë në fund të vitit shkollor.

Shumë njerëz kanë bërë komente pozitive për përkthimet e kujdesshme të këtij versioni, që të ndihmojnë jashtë mase të kuptosh domethënien e tekstit origjinal. Përkthimi Bota e Re po u rikujton edhe njëherë samoanëve se është e rëndësishme të përdorin emrin e Perëndisë. Finau Finau, një pionier special në Vailele, Upolu, përdori lutjen model të Jezuit që ta ndihmonte një grua të arsyetonte për këtë.

Pasi lexoi Mateun 6:9, Finau e pyeti: «Si mendon, cili emër duhet shenjtëruar?»

—I Zotit,—u përgjigj ajo.

—Por te 1 Korintasve 8:5 thuhet se ka shumë ‘perëndi’ dhe shumë ‘zotërinj’,—arsyetoi Finau.—Si mund ta ketë Perëndia emrin Zot kur ka shumë perëndi të rreme me të njëjtin emër?

Më pas i tregoi emrin Jehova dhe i shpjegoi se krishterimi apostat e kishte hequr këtë emër nga përkthimet e Biblës. Pastaj, doli aty ku donte: «Tani mendo sikur një njeri të përpiqet të heqë ose të ndryshojë emrin prej kryetari (matai) të familjes suaj. Si do të ndiheshit?»

—Si të tërbuar,—ia ktheu gruaja.

—Pikërisht,—u përgjigj Finau,—kështu ndihet Jehovai ndaj të gjithë atyre që përpiqen t’ia heqin emrin nga Fjala e tij.

[Figura]

«Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re» në gjuhën samoane

[Kutia dhe figurat në faqet 126, 127]

«Jehovai më ka bekuar njëqindfish»

LUMEPA JANGU

LINDUR: 1950

PAGËZUAR: 1989

TË DHËNA: Është e bija e një ish-kryeministri dhe shërben si pioniere e rregullt në Apia.

U RRITA në ishullin Savai dhe isha e bija e një politikani dhe biznesmeni të suksesshëm. Ngaqë im atë ishte pronar i një plantacioni të madh kakaoje dhe kishte rreth 200 punëtorë, gazetat samoane e quanin Baroni i kakaos. Për disa vjet ishte edhe kryeministër i Samoas.

Gjithsej ishim 11 fëmijë. Babai s’ishte edhe aq fetar, kurse mamaja na mësoi gjërat kryesore për Biblën. Kur ajo vdiq, e ndjeva jashtëzakonisht mungesën e saj. Kështu, kur Xhudi Priçardi, një misionare, më foli për shpresën e ringjalljes, më entuziazmoi mendimi se do ta shihja përsëri mamanë.

E bombardova me pyetje Xhudin dhe për të gjitha m’u përgjigj nga Bibla. Pas pak nisëm të studionim Biblën bashkë dhe më vonë fillova të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve.

Fillimisht, im shoq Stivi, një dhjak i shquar në kishën e fshatit tonë, nuk donte që të studioja. Më çoi te disa klerikë që u orvatën të më bindnin të mos shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve. Por nuk e ndoqa këshillën e tyre. Pastaj më çoi tek im atë, që thjesht më sugjeroi të studioja në ndonjë vend tjetër, jo në shtëpi. Kurse vëllezërit dhe motrat më tallën ngaqë po ndryshoja fenë. Po unë s’doja që s’doja të hiqja dorë nga mësimi i së vërtetës biblike.

Më në fund, kur u kualifikova si lajmëtare e Mbretërisë, shtëpia e parë ku shkova të predikoja, i përkiste njërit prej ministrave të kabinetit të tim eti. Ai kishte ndjekur shpesh mbledhje politike në shtëpinë e babait dhe më njihte mirë. Isha kaq në tension, saqë u fsheha pas shoqes së shërbimit. Njerëzit tronditeshin tek më shihnin që predikoja, dhe më pyetnin: «Ç’thotë yt atë për këtë?» Por im atë ishte njeri i arsyeshëm dhe e mbrojti besimin tim të ri. Veç kësaj, në atë kohë kishte filluar t’i pëlqente shumë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!

Me kalimin e kohës e kapërceva frikën e njeriut dhe u bëra pioniere e rregullt. Më pëlqen shumë të drejtoj studime biblike dhe mbaj një listë me 50 studentë të mundshëm, kur të më hapet ndonjë orar në programin tim. Gjithsesi, gëzimi më i madh ishte që arrita t’u mësoja të vërtetën katër fëmijëve të mi. Ime bijë, Fotuosamoa me të shoqin Andrun, dhe im bir, Stiveni me të shoqen Anën, tani shërbejnë në Bethelin e Samoas. Kam ndihmuar edhe time motër, Manun, të pranonte të vërtetën. Edhe im shoq, Stivi, që në fillim ishte kundër, nisi të studionte Biblën e të ndiqte mbledhjet. Vërtet Jehovai më ka bekuar njëqindfish.

[Figurat]

Majtas: Fotuosamoa dhe Andru Kou; djathtas: Ana dhe Stiven Jangu

[Kutia dhe figura në faqet 129, 130]

Duhej të zgjidhja, Jehovain apo golfin profesionist?

LUSI LAFAITELE

LINDUR: 1938

PAGËZUAR: 1960

TË DHËNA: Vendosi të fillonte shërbimin si pionier në vend të karrierës në golfin profesionist.

ISHA 18 vjeç kur mora vesh se familja që e kishte shtëpinë në anën tjetër të rrugës, kishte hyrë në një fe që quhej Dëshmitarët e Jehovait. Nga kureshtja, shkova të takoja të zotin e shtëpisë, Siemu Tasen, që ta pyesja pse e përdornin në atë formë emrin e Perëndisë, Jehova. Më bënë përshtypje mirësjellja e tij dhe arsyetimi nga Bibla. Kështu, ai nisi të studionte Biblën me mua dhe fillova të ndiqja mbledhjet. Im atë më kërcënoi kur e mori vesh ç’po bëja. Iu përgjërova të më linte të shkoja në mbledhje, por ai nguli këmbë që të mos kisha të bëja fare me Dëshmitarët e Jehovait. Për habinë time, të nesërmen kishte ndërruar mendje. Më vonë, halla më tha: «Në gjumë thërrisje ‘O Jehova, të lutem më ndihmo!’» Duhet të kem qenë në ëndërr e po flisja në gjumë. Lumturisht, thirrjet e mia ia zbutën zemrën babait.

Po përballë shtëpisë sime ndodhej e vetmja fushë golfi në Samoa, ku fitoja ca para duke gjetur e duke shitur topat e golfit që humbitnin. Më vonë, mbreti Malietoa, që në atë kohë ishte kreu i shtetit, më mori në punë që t’i mbaja shkopinjtë e golfit. Mbreti mendonte se kisha të ardhme në golf dhe më dhuroi shkopinjtë e tij të vjetër të golfit. Gjithashtu, mori masa që dy biznesmenë vendës të më sponsorizonin në golfin profesionist. Besonte se aftësitë e mia në golf «do ta bënin të dukshme në hartë Samoan». S’mbahesha nga gëzimi! Por s’kaloi shumë dhe golfi nisi të më shpërqendronte nga shërbimi i Jehovait e kjo më trazonte ndërgjegjen.

Çasti vendimtar ishte kur fitova Kampionatin e Hapur Samoan të Golfit, duke mundur konkurrentë ndërkombëtarë që ishin profesionistë. Mbreti u kënaq jashtë mase dhe në darkën e prezantimit që do të mbahej atë mbrëmje, donte të takoja një amerikan që ishte profesionist i shquar golfi. U ndjeva i trazuar dhe thashë me vete: ‘Erdhi koha të marrësh vendimin. Kë do të zgjedhësh, golfin apo Jehovain?’ Atë natë nuk shkova në darkën e prezantimit, por ndoqa provat e asamblesë qarkore.

Natyrisht që mbreti u zemërua shumë. Kur im atë më kërkoi shpjegim, i fola gjerë e gjatë dhe i shpjegova nga Bibla pse ishte kaq i rëndësishëm për mua shërbimi ndaj Jehovait. Për habinë time, babai nisi të qante. Pastaj më tha: «Kur ishe pesë vjeç, u sëmure rëndë dhe të deklaruan të vdekur. Ndërsa po të zbritnim në varr, të pickoi në faqe një bletë. Papritur, bërtite dhe nise të qaje, tamam në kohë! Tani besoj se shpëtove që të bëheshe dëshmitar për Perëndinë Jehova.» Pas kësaj, nuk më kundërshtoi më.

Pasi u transferova në Zelandën e Re, shërbeva për dhjetë vjet si pionier i rregullt e pastaj special. U martova me Robinën, edhe ajo pioniere speciale. Me kalimin e kohës, patëm tre fëmijë dhe u transferuam në Australi. Për 30 vjet punova në kohë të plotë që të mbështetja familjen. Ndërkohë, ndihmuam shumë të afërm që të mësonin të vërtetën. Shpesh i lutesha Jehovait të më ndihmonte që të hyja sërish në radhët e pionierëve. Sa u gëzova kur më në fund e arrita synimin tim në vitin 2004, pasi dola në pension. Jam shumë i kënaqur që zgjodha t’i shërbeja Jehovait në vend që të ndiqja karrierën e golfit.

[Kutia dhe figura në faqen 135]

Stërvitja e prindërve jep rezultat

PANAPA LUI

LINDUR: 1967

PAGËZUAR: 1985

TË DHËNA: Ai dhe e shoqja, Mareta, shërbejnë si pionierë specialë në Samoa.

KUR e çuam në klasë të parë djalin, Sopan, i dhashë drejtorit të shkollës broshurën Dëshmitarët e Jehovait dhe arsimimi, e i shpjegova qëndrimin tonë për aktivitetet fetare dhe nacionaliste.

Por të nesërmen Sopa na tha se drejtori e kishte grisur broshurën para fëmijëve dhe mësuesve e u kishte kërkuar fëmijëve Dëshmitarë të këndonin një himn fetar. Meqë ata s’kishin pranuar, i kishte nxjerrë para shkollës dhe u kishte kërkuar të këndonin një nga këngët e tyre fetare. Shpresonte që kjo t’i frikësonte fëmijët e t’i nënshtroheshin. Por Sopa i nxiti fëmijët e tjerë Dëshmitarë «hajde këndojmë këngën ‘Të falënderojmë, o Jehova!’», dhe e nisi i pari këngën.

Drejtori mbeti i habitur dhe e lavdëroi Sopan për guximin. Më vonë, ai dhe disa mësues të tjerë treguan interes për të vërtetën. Tani, sa herë na sheh, drejtori pyet për Sopan dhe i dërgon të fala. Sopa vazhdoi të përparonte frymësisht dhe u pagëzua në vitin 2005.

[Kutia dhe figura në faqet 138, 139]

«Shkojmë në këmbë në mbledhje, nuk është shumë larg»

VALU LOTONU

LINDUR: 1949

PAGËZUAR: 1995

TË DHËNA: Ajo dhe gjashtë fëmijët e saj bënin në këmbë 22 kilometra përmes një vargmali, që të ndiqnin mbledhjet.

NË VITIN 1993, Dëshmitarët e Jehovait më erdhën në shtëpi, në Lefaga, dhe pranova një studim biblik. Jo shumë kohë më pas, nisa të ndiqja mbledhjet e krishtere bashkë me fëmijët, në Faleasiu, 22 kilometra larg, në anën tjetër të ishullit.

Për mbledhjet që mbaheshin në mesjavë, i merrja herët fëmijët nga shkolla. Disa mësues më paralajmëruan se do t’i përjashtonin nga shkolla, derisa u shpjegova se mbledhjet i ndiqnim për arsye fetare shumë të rëndësishme. Secili nga fëmijët i mbante në një qese plastike rrobat për mbledhje, Biblën, librin e këngëve dhe botimin për studim. Nganjëherë, na merrte ndonjë autobus, por më shpesh i bënim në këmbë ato 22 kilometra.

Kur më në fund mbërrinim në Sallën e Mbretërisë në Faleasiu, Dëshmitarët e atjeshëm na mirëpritnin e na jepnin për të ngrënë. Gjithashtu, laheshim dhe vishnim rrobat e pastra për në mbledhje. Pas mbledhjes, nisnim rrugën e gjatë të kthimit në shtëpi. Në majë të vargmalit që ndante mes për mes ishullin, ndalonim pak, sa të merrnin një sy gjumë fëmijët. I bëja sytë katër për të parë mos kalonte ndonjë makinë që të na çonte në shtëpi. Zakonisht mbërrinim pas mesnate. Të nesërmen në mëngjes, ngrihesha në orën pesë që të kapja autobusin e parë për në Faleasiu, për të predikuar.

Një herë më thirrën para një grupi mataish të fshatit, që i drejtonte kryetari i madh. Donin të dinin pse bëja tërë atë udhë deri në Faleasiu, kur mund të shkoja në një kishë në fshatin tonë, sidomos në atë që kishte ngritur gjyshi im. Në fund, më urdhëruan të mos i ndiqja më mbledhjet në Faleasiu. Po unë s’lejoja asgjë të më ndalonte të shkoja në mbledhje. Isha e vendosur t’i bindesha Perëndisë, jo njerëzve.—Vep. 5:29.

Në fund, situata arriti kulmin. Meqenëse nuk ndoqa një festë të fshatit, një tonai (gosti që bëhet të dielën, ku marrin pjesë kleriku i kishës, dhjakët dhe matait e fshatit), këshilli më gjobiti me pesë derra të mëdhenj. Kjo ishte një barrë financiare e rëndë, pasi isha nënë e vetme dhe kisha gjashtë fëmijë të vegjël. Gjithsesi, përfundimisht e pagova gjobën duke dhënë pesë derra nga tufa ime. Por me kalimin e kohës fshatarët krijuan respekt për qëndrimin tonë të patundur dhe nuk na kundërshtuan më.

Gjatë viteve, na janë dashur shumë përpjekje që të shkonim në mbledhje. Por ia ka vlejtur. Të gjithë fëmijët i kam Dëshmitarë aktivë dhe njëri nga djemtë është shërbëtor ndihmës.

Unë dhe fëmijët ende ecim në këmbë për të shkuar në mbledhje. Ama jo 22 kilometra deri në Faleasiu, por deri në fund të rrugës ku kemi shtëpinë. Në vitin 2001, në fshatin tonë u ndërtua një Sallë Mbretërie e re dhe e bukur. Sot në të mblidhet një kongregacion që po lulëzon. Pra, edhe tani mund të shkojmë në këmbë në mbledhje, nuk është shumë larg.

[Tabela dhe grafiku në faqet 132, 133]

KRONOLOGJIA​—Samoa

1930

1931: Lajmi i mirë mbërrin në Samoa.

1940

1940: Harold Gili shpërndan broshurën Ku janë të vdekurit?, botimi i parë në gjuhën samoane.

1950

1953: Formohet kongregacioni i parë në Apia.

1955: Mbërrijnë misionarë të Galaadit në Samoan Amerikane.

1955: Shfaqet filmi Shoqëria Bota e Re në veprim në mbarë Samoan Amerikane.

1957: Mbahet asambleja e parë qarkore në Samoan Amerikane.

1958: Fillon përkthimi i Kullës së Rojës në gjuhën samoane.

1959: Mbahet asambleja e parë qarkore në Samoan Perëndimore.

1960

1970

1974: Mbërrijnë misionarë në Samoa. Nis vepra e predikimit në Tokelau.

1980

1984: Ngrihet zyra e degës në shtëpinë misionare të Sinamogës, Apia.

1990

1991: Cikloni Val shkreton ishujt.

1993: Kulla e Rojës në gjuhën samoane del njëkohësisht me botimin në anglisht. Kushtohet Betheli i ri dhe një Sallë Asamblesh.

1996: Transmetohet programi radiofonik javor «Përgjigjet e pyetjeve tuaja biblike», në një stacion radiofonik me frekuencë FM.

1999: Përshpejtohet ndërtimi i Sallave të Mbretërisë.

2000

2007: Del në gjuhën samoane Shkrimet e Krishtere Greke —Përkthimi Bota e Re.

2010

[Grafiku]

(Shih botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

700

400

100

1930 1940 1950 1960 1970 1980 1990 2000 2010

[Figura]

Frensis dhe Pol Evansi

[Hartat në faqen 73]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

HAVAI

AUSTRALI

ZELANDA E RE

TOKELAU

Ishulli Suejnz

SAMOA

SAMOA AMERIKANE

Ishujt Manua

Atoli Rouz

OQEANI PAQËSOR I JUGUT

NIUE

Vija ndarëse ndërkombëtare e datës E mërkurë

‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐‐

E enjte

TONGA

SAMOA AMERIKANE

Tutuila

PAGO-PAGO

Petesa

Tafuna

Fagatogo

Lauli

Aunu

SAMOA

Savai

Aopo

Lata

Taga

Faga

Salimu

Fogapoa

Upolu

APIA

Faleasiu

Siusega

Vailele

Lefaga

Vavau

APIA

Vaiala

Fatoia

Sinamoga

[Figura që zë gjithë faqen 66]

[Figura në faqen 74]

Pele dhe Ailua Fuaiupolu ishin samoanët e parë që ia kushtuan jetën Jehovait

[Figura në faqen 81]

Ron dhe Dolli Selërsi u transferuan në Samoa më 1953, që të shërbenin ku kishte më tepër nevojë

[Figura në faqen 84]

Riçard dhe Gloria Xhenkinsi ditën e dasmës, në janar të vitit 1955

[Figura në faqen 85]

Gërli e Bill Mosi rrugës për në Samoa

[Figura në faqen 95]

Shtëpi tipike samoane

[Figura në faqen 100]

Kjo Sallë Mbretërie e ndërtuar në Apia, ishte e para në Samoa

[Figura në faqen 107]

Salla e hershme e Mbretërisë në Tafuna, Samoa Amerikane

[Figura në faqen 115]

Metusela Neru

[Figura në faqen 116]

Saumalu Tauanae

[Figura në faqen 131]

Ani Ropati (tani Gold) mori anën e Jehovait që e vogël

[Figurat në faqen 141]

Zyra e Samoas dhe Betheli

Komiteti i Vendit i Samoas: Hidejuki Motoi, Fred Uegeneri, Sio Taua dhe Leva Faiu

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo