ARTIKULLI I STUDIMIT 40
KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar
Jehovai është ‘gëzimi ynë i papërshkrueshëm’
«Do të vij . . . te Perëndia im, gëzimi im i papërshkrueshëm.»—PSAL. 43:4.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të identifikojmë disa gjëra që mund të na e vjedhin gëzimin dhe çfarë mund të bëjmë që ta rifitojmë atë.
1-2. (a) Në çfarë situate gjenden shumë njerëz sot? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
LUMTURIA është kryefjala e botës sot. Por, megjithëse njerëzit përpiqen shumë të kenë gëzim të vërtetë, ai u shket nga duart. Mjaft veta i kanë vënë përposh ndjenjat e zbrazëtisë e të trishtimit. Edhe ne si shërbëtorë të Jehovait nuk jemi të imunizuar nga këto ndjenja. Ngaqë jetojmë në «ditët e fundit», presim të hasim situata dhe të provojmë ndjenja që janë «të vështira për t’u përballuar».—2 Tim. 3:1.
2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa gjëra që mund të na e vjedhin gëzimin dhe ç’mund të bëjmë që ta rifitojmë atë. Por si fillim, të shohim cili është Burimi i gëzimit dhe i lumturisë së vërtetë.
BURIMI I GËZIMIT DHE I LUMTURISË SË VËRTETË
3. Çfarë na mëson krijimi për Jehovain? (Shih edhe figurat.)
3 Jehovai ka qenë gjithmonë i lumtur. Ai dëshiron që edhe ne të jemi të lumtur e të gëzuar. Ja pse nuk çuditemi që e shohim gëzimin e tij të pasqyruar kudo në krijim—te planeti ynë i bukur, te gama e pafund e ngjyrave, te sjelljet lozonjare të kafshëve dhe te bollëku i ushqimeve të shijshme. Perëndia na do fort dhe ka dëshirë që ta shijojmë sa më shumë jetën.
Elefant i vogël: Image © Romi Gamit/Shutterstock; zogj pinguinësh: Vladimir Seliverstov/500px via Getty Images; keca: Rita Kochmarjova/stock.adobe.com; dy delfinë: georgeclerk/E+ via Getty Images
Sjelljet lozonjare të kafshëve pasqyrojnë gëzimin e Jehovait (Shih paragrafin 3)
4. (a) Pse Jehovai nuk e humbet gëzimin, pavarësisht nga vuajtjet që sheh? (b) Çfarë na ka dhuruar Jehovai? (Psalmi 16:11)
4 Edhe pse Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’, ai i njeh mirë dhembjet emocionale dhe vuajtjet që kalojnë njerëzit. (1 Tim. 1:11) Gjithsesi nuk ka lejuar që ky realitet i trishtë t’ia venitë gëzimin. Ai e di se të gjitha vuajtjet janë të përkohshme—ua ka caktuar vetë datën e skadencës. Dhe po pret me durim ditën kur do t’u japë fund një herë e mirë të gjitha brengave e vuajtjeve. Ndërkohë, Jehovai e kupton çfarë po kalojmë dhe do që të na ndihmojë. Si e bën këtë? Një mënyrë është duke na dhënë si dhuratë gëzimin. (Lexo Psalmin 16:11.) Le të shohim si i ka dhuruar gëzim të Birit, Jezuit.
5-6. Pse është i lumtur Jezui?
5 Ndër gjithë krijesat e Jehovait, Jezui është më i lumturi. Pse e themi këtë? Ja dy arsye: (1) «Ai është imazhi i Perëndisë së padukshëm» dhe pasqyron në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit. (Kolos. 1:15; 1 Tim. 6:15) (2) Jezui ka kaluar më shumë kohë se kushdo tjetër me Atin e tij, Burimin e lumturisë.
6 Jezui ndien përherë gëzim teksa bën çdo gjë që i kërkon Ati. (Prov. 8:30, 31; Gjoni 8:29) E ngaqë është gjithmonë besnik ndaj Jehovait, gëzon pëlqimin dhe miratimin e Tij.—Mat. 3:17.
7. Si mund të kemi gëzim të vërtetë?
7 Edhe ne mund të ndiejmë gëzim të vërtetë duke thelluar miqësinë me Jehovain, Burimin e lumturisë. Sa më shumë ta njohim Jehovain dhe të përpiqemi ta imitojmë, aq më të lumtur do të jemi. Gjithashtu do të provojmë lumturi, ngaqë bëjmë vullnetin e Jehovait dhe dimë se kemi miratimin e tij.a (Psal. 33:12) Po sikur ta humbim gëzimin për pak kohë a madje për një kohë më të gjatë? A do të thotë kjo se nuk e kemi më miratimin e Perëndisë? Aspak! Meqë jemi të papërsosur, hera-herës mund ta kemi zemrën plagë, të trishtohemi e të biem në depresion. Jehovai e kupton fare mirë këtë. (Psal. 103:14) Le të ndalemi tani te disa gjëra që mund të na e vjedhin gëzimin dhe ç’mund të bëjmë që të jemi sërish të lumtur.
MOS LEJO ASGJË TË TË VJEDHË GËZIMIN
8. Si mund të ndihemi kur hasim probleme?
8 Problemet e jetës. A je duke vuajtur për shkak të përndjekjes, të një katastrofe natyrore, të varfërisë, të ndonjë sëmundjeje ose të moshës së shkuar? Është kollaj ta humbasësh gëzimin përballë këtyre problemeve, sidomos kur s’ke gjë në dorë për ta ndryshuar situatën. Bibla thotë hapur se «zemra e vrarë e dërrmon shpirtin». (Prov. 15:13) Një plak kongregacioni, të cilit brenda katër vitesh i vdiqën prindërit dhe vëllai, u shpreh: «Ndihesha fillikat dhe i pashpresë. Me raste ndihesha edhe i dërrmuar, ngaqë për shkak të jetës së ngarkuar, nuk kisha ndenjur aq sa duhej me prindërit dhe vëllanë.» Vërtet, problemet e jetës mund të na sfilitin fizikisht dhe emocionalisht.
9. Çfarë mund të na ndihmojë të rifitojmë gëzimin? (Jeremia 29:4-7, 10)
9 Si ta rifitojmë gëzimin? Mund të jemi sërish të gëzuar, duke qenë realistë dhe mirënjohës. Bota reklamon idenë se vetëm po të kemi një jetë perfekte do të jemi të lumtur. Por kjo s’është realiste. Për shembull, Jehovai i udhëzoi të mërguarit judenj në Babiloni që të pranonin realitetin e ri si robër në vend të huaj dhe ta gëzonin sa më shumë jetën edhe në ato rrethana të vështira. (Lexo Jereminë 29:4-7, 10.) Cili është mësimi? Përpiqu t’i pranosh rrethanat ku gjendesh dhe ji mirënjohës për gjërat e bukura që ke në jetë. Mos harro se Jehovai do të jetë gjithmonë krah teje. (Psal. 63:7; 146:5) Efi, që mbeti e paralizuar pas një aksidenti, thotë: «Jehovai, familja dhe kongregacioni s’ma kursyen për asnjë çast ndihmën. Ndaj do të tregohesha mosmirënjohëse po të dorëzohesha. Dua t’ua shpreh mirënjohjen Jehovait dhe vëllezërve e motrave për ndihmën e jashtëzakonshme duke bërë çmos të jem e gëzuar.»
10. Pse mund të jemi të gëzuar edhe mes vështirësive?
10 Mund të jemi të gëzuar edhe kur jeta s’na shkon siç duam ose kur na ndodhin gjëra të këqija neve a familjarëve tanë.b (Psal. 126:5) Pse? Sepse gëzimi ynë nuk varet nga rrethanat. Një pioniere me emrin Maria thotë: «Kur vazhdon ta ruash gëzimin edhe mes vështirësive, nuk do të thotë se po i ndrydh ndjenjat e dhimbshme. Përkundrazi, kjo tregon se i ke të gjalla në mendje premtimet e Jehovait. Ati ynë do të na ndihmojë që të mos e humbim gëzimin.» Të mos harrojmë se sado të rënda të jenë problemet tona, ato janë kalimtare—njësoj si gjurmët në breg të detit. Së shpejti, do të zhduken të gjitha, duke mos lënë pas asnjë shenjë.
11. Si të jep zemër shembulli i apostullit Pavël?
11 Po nëse mendojmë se po hasim probleme ngaqë kemi humbur miratimin e Jehovait? Mund të marrim zemër nga shembulli i shërbëtorëve besnikë të Jehovait që hasën situata tejet të vështira. Le të shqyrtojmë shembullin e apostullit Pavël. Vetë Jezui e zgjodhi që t’u bënte të njohur të vërtetën «kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit». (Vep. 9:15) Ç’privilegj i shkëlqyer! Gjithsesi, Pavli nuk e pati jetën fushë me lule. (2 Kor. 11:23-27) E meqë hallet e tij dukej se s’kishin fund, mos vallë Jehovai nuk po e miratonte më? S’ishte aspak ashtu! Përkundrazi, qëndrueshmëria e tij në sprova ishte tregues i bekimit të Jehovait. (Rom. 5:3-5) Tani mendo për situatën tënde. Ti po vazhdon t’i shërbesh me besnikëri Jehovait, pavarësisht nga çdo sfidë. Ndaj, mos ki fije dyshimi se ke miratimin e tij.
12. Si mund të na e vjedhin gëzimin synimet e parealizuara?
12 Synimet e parealizuara. (Prov. 13:12) Dashuria dhe mirënjohja për Jehovain na motivojnë të vendosim synime në shërbimin e tij. Mirëpo, nëse vëmë synime jorealiste për rrethanat tona, mund të shkurajohemi. (Prov. 17:22) Një pioniere që quhet Holli thotë: «Doja të bëja Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, të shërbeja jashtë shtetit ose të punoja në projektin e ndërtimit në Ramapo. Por më ndryshuan rrethanat dhe nuk i realizoja dot më këto synime. Isha goxha e zhgënjyer. Ndihesh shumë keq kur nuk bën dot gjërat që do.» Mjaft veta përjetojnë ndjenja të tilla.
13. Çfarë synimesh realiste mund të vendosim në bazë të rrethanave që kemi?
13 Si ta rifitojmë gëzimin? Të mbajmë ndër mend se Jehovai nuk është Perëndi kërkues. Ai nuk pret tepër nga ne dhe as e mat vlerën tonë në bazë të asaj që bëjmë në shërbimin e tij. Jehovai dëshiron që të jemi modestë dhe besnikë. (Mik. 6:8; 1 Kor. 4:2) Atij i intereson më tepër ç’lloj njeriu jemi vërtet përbrenda, sesa çfarë synimesh teokratike arrijmë. Prandaj, a është e arsyeshme të presim nga vetja më shumë nga ç’pret Jehovai prej nesh?c Sigurisht që jo! Pra nëse rrethanat nuk të lejojnë të bësh gjithë sa ke në zemër për Jehovain, përqendrohu tek ajo që mund të bësh. A mund të japësh një dorë për të stërvitur më të rinjtë ose të bëhesh burim force për të moshuarit? A mund të vësh synim të inkurajosh dikë duke e takuar, duke e marrë në telefon ose duke i dërguar një mesazh? Jehovai do të të dhurojë shumë gëzim, ndërsa bën përpjekje që të arrish këto synime domethënëse dhe realiste. Dhe mos harro se së shpejti, në botën e re, do të kesh mundësi të panumërta për t’i shërbyer Jehovait në mënyra që as i ke imagjinuar. Holli, e përmendur më sipër, u shpreh: «Ndalem dhe i them vetes: ‘Ke tërë përjetësinë para.’ Me ndihmën e Jehovait, në botën e re do t’i realizoj disa nga synimet.»
14. Çfarë është diçka tjetër që mund të na e vjedhë gëzimin?
14 Përpjekjet për t’i bërë qejfin vetes. Nëpërmjet medias sociale disa përhapin idenë se që të jesh vërtet i lumtur dhe i plotësuar, duhet të kënaqësh veten. Njerëzit nxiten që të bëjnë boshtin e jetës blerjet, udhëtimet ose ndonjë hobi. Natyrisht, s’ka asgjë të gabuar të gëzojmë këto kënaqësi të jetës. Jehovai na ka dhënë aftësinë të kënaqemi me gjërat e bukura që ka krijuar. Gjithsesi, shumë veta kanë kuptuar se gjërat që mendonin se do t’i bënin të lumtur, në fakt ua kanë vjedhur gëzimin. Një pioniere që quhet Eva shprehet: «Kur fokusi i jetës tënde është t’i bësh qejfin vetes, s’ke për t’u kënaqur kurrë.» Nëse tërë kohën përpiqemi vetëm të kënaqim veten, mund të ndihemi bosh dhe të zhgënjyer.
15. Çfarë mësojmë nga mbreti Solomon?
15 Jeta e mbretit Solomon na mëson ç’pasoja të trishta sjell rendja pas kënaqësive. Ai u përpoq të ishte i lumtur, duke i plotësuar vetes çdo dëshirë. Për shembull, provoi lloj-lloj ushqimesh të shijshme, dëgjoi muzikë të bukur dhe bleu gjërat më të mira që ekzistonin asokohe. Prapëseprapë, nuk ishte i lumtur. Ai tha: «Syri nuk ngopet me atë që sheh, as veshi me atë që dëgjon.» (Ekl. 1:8; 2:1-11) Gjërat që njerëzit thonë se sjellin gëzim të vërtetë janë si paratë fallso. Në pamje të parë duket se kanë vlerë, ama s’mund të sjellin lumturi të vërtetë.
16. Si e rifitojmë gëzimin ndërsa bëjmë gjëra të mira për të tjerët? (Shih edhe figurat.)
16 Si ta rifitojmë gëzimin? Jezui na mësoi se «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh». (Vep. 20:35) Një plak që quhet Aleko tha: «Përpiqem të bëj gjëra të vogla për të tjerët. Sa më shumë bëj për ta, aq më pak përqendrohem te vetja, e si rezultat ndihem i gëzuar.» Po ti, ç’mund të bësh për të tjerët? Nëse sheh dikë që po kalon një moment të vështirë, përpiqu ta inkurajosh. Mbase nuk ia zgjidh dot hallet, por mund t’i japësh zemër duke e dëgjuar me empati, duke i treguar dhembshuri dhe duke e nxitur t’ia hedhë barrën Jehovait. (Psal. 55:22; 68:19) Veç kësaj, siguroje se Jehovai nuk e ka braktisur. (Psal. 37:28; Isa. 59:1) Madje mund të bësh edhe gjëra praktike, si për shembull t’i gatuash diçka ose të bëni një shëtitje. Ftoje të dilni në shërbim, pasi me siguri kjo do ta gjallërojë. Kështu mund të bëhesh një mjet në duart e Jehovait. Kur përqendrohemi te të tjerët dhe jo te vetja, provojmë gëzim të vërtetë.—Prov. 11:25.
Në vend se të përqendrohesh te dëshirat e tua, përqendrohu te nevojat e të tjerëve (Shih paragrafin 16)d
17. Ç’duhet të bëjmë që të kemi gëzim të vërtetë? (Psalmi 43:4)
17 Mund të jemi vërtet të lumtur nëse vazhdojmë të thellojmë miqësinë me Atin tonë qiellor. Bibla na siguron se Jehovai është ‘gëzimi ynë i papërshkrueshëm’. (Lexo Psalmin 43:4.) Ndaj, pavarësisht nga çfarë po kalojmë në jetë, jemi në duar të sigurta. Le të vazhdojmë t’i mbajmë sytë te Jehovai, Burimi i pashtershëm i gëzimit tonë!—Psal. 144:15.
KËNGA 155 Gëzim në përjetësi
a Shih kutinë «Mbështetu te Jehovai për të gjetur gëzim».
b Për shembull, shih në jw.org intervistën e Denis dhe Irina Kristensenit te Raport nga Trupi Udhëheqës nr.5, 2023.
c Për më shumë informacion, shih artikullin «Ji i arsyeshëm me veten dhe ruaj gëzimin» në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2008.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër ka blerë shumë gjëra për t’i bërë qejfin vetes, ama provon më tepër lumturi kur i çon një tufë me lule një motre të moshuar që ka nevojë për inkurajim.