ARTIKULLI I STUDIMIT 9
KËNGA 51 Ty të jam kushtuar, Jehova!
Pagëzohu pa vonesë
«Çfarë pret?! Ngrihu, pagëzohu.»—VEP. 22:16.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si të marrësh forcën e nevojshme që të përparosh drejt pagëzimit duke shqyrtuar shembullin e samaritanëve, të Saulit nga Tarsi, të Kornelit dhe të korintasve.
1. Cilat janë disa arsye pse ia vlen të pagëzohesh?
A E DO Perëndinë Jehova, atë që të ka dhënë çdo dhuratë të mirë, madje edhe vetë jetën? A dëshiron t’ia shprehësh sa shumë e do? S’ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë se t’i kushtosh jetën dhe të pagëzohesh në simbol të kushtimit tënd. Kështu do të bëhesh pjesë e familjes së Jehovait. Si rezultat, Ati dhe Miku yt do të të prijë e do të kujdeset për ty, sepse do t’i përkasësh atij. (Psal. 73:24; Isa. 43:1, 2) Kushtimi dhe pagëzimi të çelin udhën edhe që të gëzosh jetën përgjithmonë.—1 Pjet. 3:21.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 A ka diçka që të frenon të pagëzohesh? Nëse po, nuk je i vetmi. Miliona njerëzve iu është dashur të ndryshojnë sjelljen dhe mënyrën si mendojnë që të kualifikohen për t’u pagëzuar. Sot ata po i shërbejnë Jehovait plot gëzim dhe zell. Çfarë mund të mësosh nga disa që u pagëzuan në shekullin e parë? Le të shohim vështirësitë që hasën dhe mësimet që mund të nxjerrim nga shembulli i tyre.
SAMARITANËT U PAGËZUAN
3. Çfarë mund t’i pengonte disa samaritanë të pagëzoheshin?
3 Në ditët e Jezuit, samaritanët ishin pjesë e një sekti fetar me qendër në afërsi të Sikemit e të Samarisë, në veri të Judesë. Para se të pagëzoheshin, samaritanët duhej të kishin njohuri më të plotë për Fjalën e Perëndisë. Ata pranonin si shkrime të frymëzuara vetëm pesë librat e parë të Biblës—pra nga Zanafilla deri te Ligji i përtërirë—e ndoshta edhe librin e Josiut. Gjithsesi, ata pritnin që të vinte Mesia, në bazë të premtimit të Perëndisë të dokumentuar te Ligji i përtërirë 18:18, 19. (Gjoni 4:25) Që të pagëzoheshin, ata duhej të pranonin se Jezui ishte Mesia i premtuar. E «shumë samaritanë» bënë pikërisht ashtu. (Gjoni 4:39) Disa të tjerëve mund t’u jetë dashur të kapërcenin paragjykimet e rrënjosura thellë që kishin samaritanët dhe judenjtë për njëri-tjetrin.—Luka 9:52-54.
4. Sipas Veprave 8:5, 6, 14, si reaguan disa samaritanë pasi u predikoi Filipi?
4 Çfarë i ndihmoi samaritanët të pagëzoheshin? Kur ungjillëzuesi Filip u predikoi «për Krishtin», disa samaritanë ‘e pranuan fjalën e Perëndisë’. (Lexo Veprat 8:5, 6, 14.) Ndonëse Filipi ishte jude, ata nuk refuzuan ta dëgjonin. Mbase sollën ndër mend vargje nga Pentateuku që tregonin se Perëndia nuk mban anë. (Ligj. 10:17-19) Sido të ketë qenë, ata i kushtuan «vëmendje të madhe asaj që thoshte Filipi» për Krishtin dhe i dalluan provat e qarta se Filipin e kishte dërguar Perëndia. Filipi kreu edhe shumë shenja, si për shembull shëroi të sëmurë dhe dëboi demonë.—Vep. 8:7.
5. Çfarë mund të mësosh nga samaritanët?
5 Samaritanët mund të kishin lejuar që paragjykimet ose mungesa e njohurisë t’i pengonin të përparonin. Por nuk lejuan të ndodhte kjo. Ata ishin të bindur se Filipi u kishte mësuar të vërtetën, ndaj u pagëzuan pa vonesë. Bibla thotë: «Kur Filipi shpalli lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për emrin e Jezu Krishtit, burra e gra e besuan dhe u pagëzuan.» (Vep. 8:12) Po ti, a je i sigurt se Fjala e Perëndisë është e vërteta? A je i bindur se Dëshmitarët e Jehovait bëjnë çmos t’i çrrënjosin paragjykimet dhe t’i tregojnë njëri-tjetrit dashuri nga zemra, që është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë? (Gjoni 13:35) Atëherë mos ngurro të pagëzohesh, i sigurt se Jehovai do të të bekojë.
6. Si mund të të ndihmojë shembulli i Rubenit?
6 Rubeni nga Gjermania u rrit në një familje Dëshmitarësh. Megjithatë, kur ishte i vogël, ai dyshonte nëse Jehovai ekziston vërtet. Si i hoqi dyshimet? Meqë e kuptoi se i mungonte njohuria, vendosi të mos rrinte duarkryq. Rubeni u shpreh: «Kisha nevojë që gjatë studimit personal të përpiqesha t’i hiqja dyshimet. M’u desh ta studioja më shumë se një herë temën e evolucionit.» Libri A ka një Krijues që interesohet për ju? ia forcoi tej mase besimin. Ai tha me vete: «Ua, Jehovai ekziston vërtet!» Veç kësaj, kur vizitoi selinë botërore, Rubenit iu shtua dashuria për vëllazërinë tonë të mrekullueshme ndërkombëtare. Kështu, kur u kthye në Gjermani, u pagëzua në moshën 17-vjeçare. Nëse të brejnë dyshimet për gjërat që ke mësuar, puno që t’i heqësh duke bërë kërkime në botimet tona. Nëpërmjet ‘njohurisë së saktë’, do t’i largosh dyshimet. (Efes. 4:13, 14) Gjithashtu, ndërsa dëgjon si shfaqin dashuri dhe ruajnë unitetin shërbëtorët e Jehovait nëpër botë dhe sheh prova të kësaj në kongregacionin tënd, do të të shtohet dashuria për vëllazërinë mbarëbotërore.
SAULI NGA TARSI U PAGËZUA
7. Çfarë ndryshimi duhej të bënte Sauli në mënyrën si mendonte?
7 Të mendojmë pak për shembullin e Saulit nga Tarsi. Ai po përparonte goxha në judaizëm, dhe shumica do ta kishin zili prejardhjen e tij judaike. (Gal. 1:13, 14; Filip. 3:5) Asokohe shumë judenj i shihnin të krishterët si apostatë, prandaj Sauli i përndiqte mizorisht. Ai mendonte gabimisht se po bënte vullnetin e Perëndisë. (Vep. 8:3; 9:1, 2; 26:9-11) Që të pranonte Jezuin dhe të pagëzohej si i krishterë, Sauli duhej të ishte i gatshëm të bëhej shënjestër e përndjekjeve.
8. (a) Çfarë e ndihmoi Saulin të pagëzohej? (b) Sipas Veprave 22:12-16, si e ndihmoi Anania Saulin? (Shih edhe figurën.)
8 Çfarë e ndihmoi Saulin të pagëzohej? Saulit iu shfaq Zotëria Jezu i lartësuar në qiell, e pas kësaj u verbua. (Vep. 9:3-9) Ai agjëroi për tri ditë dhe s’ka dyshim që mendoi gjerë e gjatë për atë që sapo kishte ndodhur. Sauli u bind se Jezui ishte Mesia dhe se dishepujt e tij kishin fenë e vërtetë. Kushedi sa duhet ta ketë vrarë ndërgjegjja që kishte pasur gisht në vrasjen e Stefanit! (Vep. 22:20) Pas atyre tri ditëve, një dishepull me emrin Anania iu afrua me përzemërsi Saulit, i ktheu shikimin dhe e nxiti të pagëzohej pa vonesë. (Lexo Veprat 22:12-16.) Sauli e pranoi me përulësi ndihmën dhe u pagëzua, duke nisur kështu një udhë të re në jetë.—Vep. 9:17, 18.
A do ta pranosh nxitjen për t’u pagëzuar, ashtu si Sauli? (Shih paragrafin 8)
9. Çfarë mund të mësosh nga Sauli?
9 Mund të mësojmë shumë nga Sauli. Ai mund të kishte lejuar që krenaria ose frika nga njeriu ta pengonin të pagëzohej. Mirëpo nuk e lejoi këtë. Me përulësi, Sauli ndërroi rrugë duke u bërë dishepull i Krishtit. (Vep. 26:14, 19) Ai nuk ngurroi të bëhej i krishterë, edhe pse e dinte se do ta përndiqnin. (Vep. 9:15, 16; 20:22, 23) E pas pagëzimit, vazhdoi të mbështetej te Jehovai që të përballonte lloj-lloj sprovash. (2 Kor. 4:7-10) Edhe ti mund të përballesh me vështirësi a sprova besimi kur të pagëzohesh si Dëshmitar i Jehovait, por nuk do të jesh pa përkrahje. Të jesh i sigurt se Perëndia dhe Krishti do të të mbështetin përherë!—Filip. 4:13.
10. Si mund të të ndihmojë shembulli i Anës?
10 Ana u rrit në një familje kurde në Evropën Lindore. Pasi e ëma u pagëzua, Ana nisi të studionte Biblën me lejen e të atit kur ishte vetëm 9 vjeçe. Mirëpo kjo i hapi goxha probleme me të afërmit, të cilët jetonin bashkë me familjen e saj. Për ta ishte turp të ndërroje fenë e të parëve. Kur ishte 12 vjeçe, Ana i kërkoi leje të atit që të pagëzohej. Babai e pyeti nëse e kishte marrë vetë atë vendim apo po i bënin presion. Ana iu përgjigj: «Unë e dua Jehovain.» I ati ra dakord që e bija të pagëzohej. Pas kësaj, të afërmit e tallën dhe iu kundërvunë në mënyra të ndryshme. Gjyshi nga babai i tha: «Më mirë të ishe imorale dhe të pije duhan sesa të bëheshe Dëshmitare e Jehovait.» Si e përballoi Ana situatën? Ajo u shpreh: «Jehovai më dha forcë, dhe mami e babi më mbështetën jashtë mase.» Ana mban shënim rastet specifike kur ka ndier dorën e Jehovait në jetë. Ajo i kthehet herë pas here listës, që të kujtojë si e ka ndihmuar Jehovai. Nëse i trembesh përndjekjes, mos harro se Jehovai do të të ndihmojë edhe ty.—Hebr. 13:6.
KORNELI U PAGËZUA
11. Pse mund ta zvarriste Korneli pagëzimin?
11 Në Bibël gjejmë edhe shembullin e Kornelit. Ai ishte «centurion», pra komandant i 100 ushtarëve në ushtrinë romake. (Vep. 10:1) Ndaj ka të ngjarë të ketë qenë njeri me pozitë në ushtri dhe në shoqëri. Korneli «jepte shumë dhurata për të varfrit». (Vep. 10:2) Jehovai dërgoi tek ai apostullin Pjetër që t’i jepte lajmin e mirë. A e zvarriti Korneli pagëzimin për shkak të pozitës?
12. Çfarë e ndihmoi Kornelin të pagëzohej?
12 Çfarë e ndihmoi Kornelin të pagëzohej? Në Bibël lexojmë se ai «e nderonte thellësisht Perëndinë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së tij». Gjithashtu i përgjërohej vazhdimisht Perëndisë. (Vep. 10:2) Kur Pjetri i dha lajmin e mirë, Korneli dhe familja e tij treguan besim te Krishti dhe u pagëzuan menjëherë. (Vep. 10:47, 48) Është e qartë se Korneli ishte i gatshëm të bënte çfarëdo ndryshimi të nevojshëm që ta adhuronte Jehovain bashkë me familjen.—Jos. 24:15; Vep. 10:24, 33.
13. Çfarë mund të mësosh nga Korneli?
13 Ashtu si Sauli, edhe Korneli mund ta përdorte pozitën si justifikim që të mos bëhej i krishterë. Mirëpo nuk e bëri këtë. Po ty, a të duhet të bësh ndryshime të mëdha në jetë që të pagëzohesh? Nëse po, Jehovai do të jetë ndihma jote. Ai do ta bekojë vendosmërinë tënde për t’i shërbyer në harmoni me parimet e Biblës.
14. Si mund të të ndihmojë shembulli i Tsujoshit?
14 Tsujoshi nga Japonia duhej të bënte ndryshime në punë që të kualifikohej për t’u pagëzuar. Ai ishte ndihmësi i drejtuesit të «Ikenobos», një shkollë e artit të kompozimit me lule. Kur drejtuesi nuk shkonte dot në funerale, Tsujoshi e përfaqësonte dhe merrte pjesë shpesh në rite budiste. Ama, kur mësoi të vërtetën për vdekjen, pjesëmarrja në ato rite u kthye në pengesë për pagëzimin. Kështu vendosi që të mos merrte më pjesë në to. (2 Kor. 6:15, 16) Tsujoshi foli me drejtuesin për këtë çështje. Cili ishte rezultati? Tsujoshi vazhdoi në atë punë pa qenë nevoja të përfshihej në rite fetare. Dhe rreth një vit pasi kishte filluar të studionte Biblën, u pagëzua.a Nëse të duhet të bësh ndryshime në punë që të kënaqësh Jehovain, mos dysho aspak se ai do të të sigurojë çdo gjë të nevojshme ty dhe familjes sate.—Psal. 127:2; Mat. 6:33.
KORINTASIT U PAGËZUAN
15. Çfarë mund t’i kishte penguar korintasit të pagëzoheshin?
15 Korinti i lashtë ishte me nam për materializmin dhe për shthurjen morale. Shumë korintas bënin një jetë që Perëndia nuk e miratonte. S’do mend që një atmosferë e tillë do të ishte sfidë për këdo që do të pranonte lajmin e mirë. Prapëseprapë, kur apostulli Pavël shkoi në atë qytet dhe predikoi lajmin e mirë për Krishtin, «shumë korintas që dëgjuan, filluan të besonin e të pagëzoheshin». (Vep. 18:7-11) Më vonë, Zotëria Jezu Krisht i tha Pavlit në një vegim: «Në këtë qytet kam shumë njerëz.» Kështu Pavli vazhdoi të predikonte atje për një vit e gjysmë.
16. Çfarë i ndihmoi disa korintas të kapërcenin pengesat drejt pagëzimit? (2 Korintasve 10:4, 5)
16 Çfarë i ndihmoi korintasit të pagëzoheshin? (Lexo 2 Korintasve 10:4, 5.) Me ndihmën e Fjalës së Perëndisë dhe frymës së Tij të fuqishme, ata bënë ndryshime drastike në jetë. (Hebr. 4:12) Korintasit që pranuan lajmin e mirë për Krishtin, arritën të flaknin tej zakone dhe praktika, si dehja, vjedhja dhe homoseksualizmi.—1 Kor. 6:9-11.b
17. Çfarë mund të mësosh nga korintasit?
17 Ata korintas që duhej të hiqnin vese të rrënjosura thellë, nuk dolën në përfundimin se ishte tepër e vështirë të bëheshin të krishterë. Përkundrazi, u munduan me të gjitha forcat të hynin në rrugën e ngushtë që çon në jetën e përhershme. (Mat. 7:13, 14) A po lufton me një ves a praktikë të gabuar që të pengon të pagëzohesh? Mos u dorëzo kurrë! Përgjëroju Jehovait të të japë frymën e shenjtë që t’i rezistosh dëshirës për të bërë atë që është e gabuar.
18. Si mund të të ndihmojë shembulli i Monikës?
18 Monika nga Gjeorgjia bëri çmos të hiqte dorë nga të folurit e papërshtatshëm dhe nga zbavitjet e dëmshme, që të përparonte drejt pagëzimit. Ajo tha: «Në vitet e adoleshencës merrja forcë nga lutjet. Jehovai e dinte se doja me shpirt të bëja atë që ishte e drejtë, ndaj më ndihmonte e më drejtonte gjithmonë.» Monika u pagëzua kur ishte 16 vjeçe. A të duhet edhe ty të heqësh dorë nga disa praktika për t’i shërbyer Jehovait siç i pëlqen atij? Kërkoji pareshtur forcë që të bësh ndryshimet e nevojshme. Jehovai do të të japë pa kursim frymën e tij të shenjtë.—Gjoni 3:34.
BESIMI YT MUND TË LËVIZË MALE
19. Çfarë do të të ndihmojë të kapërcesh pengesa që duken si male? (Shih edhe figurën.)
19 Mos ki pikë dyshimi se Jehovai të do dhe dëshiron të bëhesh pjesë e familjes së tij. Kjo është një e vërtetë e pandryshueshme, pavarësisht nga pengesat që duhet të kapërcesh për t’u pagëzuar. Jezui u tha disa dishepujve në shekullin e parë: «Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.» (Mat. 17:20) Ata dishepuj kishin qenë me Jezuin vetëm për pak vite, ndaj besimi i tyre kishte ende nevojë të rritej. Gjithsesi, Jezui i siguroi se po ta forconin sa duhej besimin, Jehovai do t’i ndihmonte të kapërcenin pengesa që dukeshin si male. Jehovai ka për të ndihmuar edhe ty!
Mos ki pikë dyshimi se Jehovai të do dhe dëshiron të bëhesh pjesë e familjes së tij (Shih paragrafin 19)c
20. Për çfarë të kanë nxitur shembujt e bashkëbesimtarëve në shekullin e parë dhe në ditët tona?
20 Nëse ke pikasur disa pengesa që s’të lënë të pagëzohesh, vepro pa vonesë për t’i kapërcyer. Merr zemër e forcë nga shembujt e bashkëbesimtarëve në shekullin e parë dhe në ditët tona. Urojmë që shembulli i tyre të të nxitë t’i kushtosh jetën Jehovait dhe të pagëzohesh. Ky është vendimi më i shkëlqyer që mund të marrësh në jetë!
KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi
a Jetëshkrimi i vëllait Tsujoshi Fuxhii del në revistën Zgjohuni! të 8 gushtit 2005, f. 20-23.
b Shih në jw.org videon ‘Pse po e shtyn pagëzimin?’
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një grup vëllezërish e motrash mirëpresin ngrohtësisht të sapopagëzuarit.