BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w20 shtator f. 14-19
  • Vepro me mençuri në kohë paqeje

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vepro me mençuri në kohë paqeje
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SI E SHFRYTËZOI ASA PERIUDHËN E PAQES
  • SI E SHFRYTËZUAN TË KRISHTERËT E HERSHËM PERIUDHËN E PAQES
  • SI TA SHFRYTËZOSH PERIUDHËN E PAQES
  • PERIUDHA E PAQES NUK DO TË ZGJATË
  • «Për këtë do të shpërbleheni»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • I shërbeu Jehovait «gjatë gjithë jetës»
    Ec me Perëndinë plot guxim
  • Asa
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Shërbeji Jehovait me gjithë zemër!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
w20 shtator f. 14-19

ARTIKULLI I STUDIMIT 38

Vepro me mençuri në kohë paqeje

«Vendi nuk kishte trazira. Gjatë këtyre viteve nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Jehovai i dha paqe.»—2 KRON. 14:6.

KËNGA 60 Lajmi i jetës

PËRMBLEDHJEa

1. Kur mund të jetë e vështirë t’i shërbejmë Jehovait?

SI MENDON, kur është më e vështirë t’i shërbesh Jehovait—kur të mbysin telashet apo kur jeta jote është relativisht e qetë? Kur hasim vështirësi, na vjen natyrshëm të mbështetemi te Jehovai. Por çfarë bëjmë kur kemi paqe në jetë? A mund të ndodhë të shpërqendrohemi ndërsa i shërbejmë Perëndisë? Jehovai i paralajmëroi izraelitët tamam për këtë rrezik.—Ligj. 6:10-12.

Mbreti Asa jep urdhër që gjyshja e tij, Makaha, të hiqet nga pozita si nëna mbretëreshë. Ndërsa ajo kundërshton, një rojë e tërheq për krahu. Në sfond, përkrahësit besnikë të Asës shkatërrojnë idhujt.

Mbreti Asa luftoi me forcë kundër adhurimit të rremë (Shih paragrafin 2)c

2. Pse mbreti Asa është një shembull i shkëlqyer?

2 Një shembull i shkëlqyer i dikujt që veproi me mençuri duke u mbështetur plotësisht te Jehovai, është mbreti Asa. Ai i shërbeu Jehovait jo vetëm në kohë të vështira, por edhe në kohë paqeje. Tërë jetën, «Asa iu kushtua me gjithë zemër Jehovait». (1 Mbret. 15:14) Një mënyrë si e tregoi këtë ishte duke e spastruar Judën nga adhurimi i rremë. Bibla thotë: «Ai hoqi altarët e perëndive të huaja dhe vendet e larta, bëri copë-copë kolonat e shenjta dhe rrëzoi shtyllat e shenjta.» (2 Kron. 14:3, 5) Asa madje hoqi gjyshen e vet, Makahën, nga pozita si zonjë e parë në mbretëri. Pse? Sepse ajo nxiste adhurimin e rremë të një idhulli.—1 Mbret. 15:11-13.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Asa jo vetëm shkuli me rrënjë adhurimin e rremë, por edhe përkrahu adhurimin e pastër dhe e ndihmoi mbretërinë e Judës të kthehej të Jehovai. Jehovai i bekoi me paqe Asën dhe izraelitët.b Për dhjetë vjet gjatë mbretërimit të Asës, «vendi nuk kishte trazira». (2 Kron. 14:1, 4, 6) Në këtë artikull do të shohim si e përdori Asa atë kohë paqeje. Më tej do të shqyrtojmë shembullin e të krishterëve të hershëm që, njësoj si Asa, shfrytëzuan mirë një periudhë paqeje. Në fund do t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje: nëse jeton në një vend ku je i lirë të adhurosh Perëndinë, si mund ta përdorësh me mençuri këtë kohë paqeje?

SI E SHFRYTËZOI ASA PERIUDHËN E PAQES

4. Sipas 2 Kronikave 14:2, 6, 7, si e përdori Asa periudhën e paqes?

4 Lexo 2 Kronikave 14:2, 6, 7. Asa i tha popullit se Jehovai u kishte dhënë «paqe rreth e qark». Ai nuk mendonte se periudha e paqes ishte koha për të parë rehatinë e vet. Përkundrazi, nisi të ndërtonte qytete, mure, kulla dhe porta. Ai i tha popullit të Judës: «Vendin e kemi ende në dorë.» Ku e kishte fjalën? Asa donte të thoshte se në vendin që u kish dhënë Perëndia nuk kishte armiq, prandaj mund të lëviznin lirisht e të ndërtonin. Ai e nxiti popullin ta përdorte mirë atë kohë paqeje.

5. Pse Asa u përpoq ta bënte më të fortë ushtrinë?

5 Asa e përdori periudhën e paqes edhe për ta bërë më të fortë ushtrinë e tij. (2 Kron. 14:8) A do të thoshte kjo se nuk kishte besim te Jehovai? Jo. Asa e dinte se ishte detyra e tij si mbret ta përgatiste popullin për vështirësitë që mund të sillte e ardhmja. Gjithashtu e dinte se kishte shumë të ngjarë që periudha e paqes në Judë nuk do të zgjaste pafundësisht, e ashtu ndodhi.

SI E SHFRYTËZUAN TË KRISHTERËT E HERSHËM PERIUDHËN E PAQES

6. Si i përdorën të krishterët në shekullin e parë periudhat e paqes?

6 Ndonëse i përndiqnin shpesh, të krishterët e shekullit të parë gëzuan edhe periudha paqeje. Si i shfrytëzuan dishepujt ato mundësi? Ata burra e gra besnikë predikuan pareshtur lajmin e mirë. Tregimi i Veprave thotë se ata ‘e nderonin thellësisht Jehovain’. Dishepujt vazhduan të predikonin lajmin e mirë dhe, si rezultat, ‘rriteshin gjithnjë e më shumë në numër’. Pa dyshim, Jehovai e bekoi predikimin e tyre plot zell në kohë paqeje.—Vep. 9:26-31.

7-8. Si vepruan Pavli dhe të tjerë kur u krijuan mundësi për të përhapur lajmin e mirë? Shpjegoni.

7 Dishepujt e shekullit të parë shfrytëzonin çdo mundësi për të përhapur lajmin e mirë. Për shembull, kur apostulli Pavël kuptoi se i ishte hapur një derë e madhe në Efes, vendosi të qëndronte atje. Ai shfrytëzoi mundësinë që të predikonte e të bënte dishepuj në atë qytet.—1 Kor. 16:8, 9.

8 Një mundësi tjetër për Pavlin dhe të krishterët e tjerë u krijua në vitin 49 të e.s., kur u zgjidh çështja e rrethprerjes. (Vep. 15:23-29) Pasi vendimi iu komunikua kongregacioneve, dishepujt u përpoqën me gjithë shpirt të shpallnin «lajmin e mirë të fjalës së Jehovait». (Vep. 15:30-35) Cili ishte rezultati? Bibla thotë se «besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin ditë për ditë».—Vep. 16:4, 5.

SI TA SHFRYTËZOSH PERIUDHËN E PAQES

9. Cila është situata në shumë vende sot, dhe cilën pyetje mund t’i bëjmë vetes?

9 Sot, në shumë vende mund të predikojmë pa probleme. A jeton në një vend ku je i lirë të adhurosh Perëndinë? Nëse po, pyet veten: «Si po e përdor këtë liri?» Këto ditë të fundit janë emocionuese, sepse organizata e Jehovait po zhvillon fushatën më të madhe të predikimit dhe të mësimdhënies që ka parë bota. (Mar. 13:10) Për shërbëtorët e Jehovait janë hapur shumë dyer në këtë vepër.

Kolazh: Një çift thjeshton jetën që të shërbejnë ku ka më shumë nevojë. 1. Çifti paketon gjithçka nëpër kuti dhe valixhe. 2. I njëjti çift duke predikuar në një vend tjetër. Gruaja po bën një bisedë duke përdorur një broshurë.

Shumë po gëzojnë bekime pa fund ndërsa shërbejnë në një vend tjetër ose u dëshmojnë atyre që flasin një gjuhë tjetër (Shih paragrafët 10-12)d

10. Çfarë na nxit të bëjmë 2 Timoteut 4:2?

10 Si mund ta shfrytëzosh një periudhë paqeje? (Lexo 2 Timoteut 4:2.) Pse të mos shqyrtosh rrethanat e tua për të parë nëse mund të përfshihesh më shumë në veprën e predikimit, a madje edhe të shërbesh si pionier—qoftë ti vetë, qoftë një pjesëtar i familjes? Sot nuk është koha të rendim pas të mirave materiale—gjatë shtrëngimit të madh, ato s’do të na hyjnë në punë.—Prov. 11:4; Mat. 6:31-33; 1 Gjonit 2:15-17.

11. Çfarë kanë bërë disa për të ndihmuar sa më shumë njerëz të dëgjojnë lajmin e mirë?

11 Shumë lajmëtarë kanë mësuar një gjuhë tjetër që të ndihmojnë sa më shumë njerëz të mësojnë për Jehovain. Organizata e Perëndisë i mbështet duke nxjerrë botime të bazuara në Bibël në gjithnjë e më shumë gjuhë. Për shembull, në vitin 2010, literatura jonë ishte në dispozicion në rreth 500 gjuhë. Sot, ky numër është rritur në mbi 1.000 gjuhë!

12. Si ndihet dikush kur e dëgjon mesazhin për Mbretërinë në gjuhën amtare? Jepni një shembull.

12 Si ndihet dikush kur e dëgjon të vërtetën nga Fjala e Perëndisë në gjuhën e vet? Të shohim rastin e një motre që nxori dobi nga një kongres rajonal në Memfis, Tenesi, SHBA. Kongresi u mbajt në gjuhën kiniaruande, një gjuhë që flitet kryesisht në Ruandë, Kongo (Kinshasë) dhe Ugandë. Pas kongresit, ajo motër, që e ka gjuhë amtare gjuhën kiniaruande, tha: «Që kur u transferova para 17 vjetësh në Shtetet e Bashkuara, kjo është hera e parë që e kuptova plotësisht një program teokratik.» Është e qartë se ajo motër u prek thellë kur e dëgjoi programin në gjuhën e saj. Nëse ta lejojnë rrethanat, a mund të mësosh një gjuhë tjetër për të ndihmuar disa në territorin tënd? Mos ndoshta disa në territor do të të dëgjojnë më me kënaqësi nëse u flet në gjuhën e tyre? Ji i sigurt se përpjekjet e tua do të shpërblehen!

13. Si e shfrytëzuan vëllezërit në Rusi një periudhë paqeje?

13 Jo të gjithë vëllezërit tanë kanë lirinë të predikojnë haptas. Në disa vende, ndalimet qeveritare e kanë kufizuar jashtë mase mënyrën si e kryejmë shërbimin. Për shembull, të mendojmë për vëllezërit tanë në Rusi. Pas dekadash të tëra përndjekjeje, në mars të vitit 1991 ata u njohën ligjërisht. Në atë kohë, në Rusi ishin rreth 16.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Njëzet vjet më vonë, numri ishte rritur në mbi 160.000 lajmëtarë! Është e qartë se, kur patën mundësinë të predikonin lirisht, vëllezërit tanë vepruan me mençuri. Ajo kohë paqeje nuk zgjati. Por ndryshimi i rrethanave nuk ua mpaku zellin për të përkrahur adhurimin e pastër. Ata vazhdojnë të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për t’i shërbyer Jehovait.

PERIUDHA E PAQES NUK DO TË ZGJATË

Mbreti Asa nget kalin në fushën e betejës dhe përkrah ka ushtarët e tij. Ata po sulen kundër një ushtrie të madhe etiopase.

Pas lutjes së zjarrtë të mbretit Asa, Jehovai i dha Judës fitoren kundër një ushtrie të madhe (Shih paragrafët 14-15)

14-15. Si e përdori Jehovai fuqinë e tij për të ndihmuar Asën?

14 Në kohën e Asës, periudha e paqes mori fund një ditë. Një ushtri e stërmadhe me një milion ushtarë erdhi nga Etiopia. Komandanti i saj, Zerahu, ishte i sigurt se ai dhe ushtria e tij mund të fitonin kundër Judës. Ama mbreti Asa kishte besim te Perëndia i tij, Jehovai, jo te numri i ushtarëve. Asa u lut: «Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme!»—2 Kron. 14:11.

15 Edhe pse ushtria etiopase kishte gati dyfishin e ushtarëve, Asa kishte besim te fuqia dhe aftësia e Jehovait për ta ndihmuar popullin e Tij. E Jehovai nuk e la në baltë; ushtria etiopase pësoi një disfatë poshtëruese.—2 Kron. 14:8-13.

16. Nga e dimë se periudha e paqes do të marrë fund një ditë?

16 Ndonëse nuk e dimë me saktësi çfarë do të sjellë e ardhmja për secilin prej nesh, një gjë e dimë mirë: nëse sot gëzojmë një periudhë paqeje, ajo është e përkohshme. Mos harro, Jezui paratha se në ditët e fundit, dishepujt e tij ‘do t’i urrenin të gjitha kombet’. (Mat. 24:9) Po njësoj, apostulli Pavël tha se «të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen». (2 Tim. 3:12) Satanai ka «zemërim të madh», dhe do të gënjenim veten po të mendonim se mund t’i shpëtojmë në ndonjë mënyrë zemërimit të tij.—Zbul. 12:12.

17. Në cilat mënyra mund të na sprovohet besimi?

17 Në të ardhmen e afërt, të gjithë ne do të hasim sprova besimi. Së shpejti, njerëzimi do të përjetojë «një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani». (Mat. 24:21) Gjatë asaj kohe, pjesëtarët e familjes mund të na kthehen kundër dhe vepra jonë mund të ndalohet. (Mat. 10:35, 36) A do të imitojë secili nga ne Asën, duke u mbështetur te Jehovai për ndihmë dhe mbrojtje?

18. Sipas Hebrenjve 10:38, 39, ç’do të na ndihmojë të përgatitemi për kohën kur s’do të ketë paqe?

18 Sot Jehovai po na përgatit të kemi besim të fortë për atë që na pret. Ai po e drejton ‘skllavin besnik dhe të mençur’ që të sigurojë «ushqim në kohën e duhur», për të na ndihmuar të mbetemi të palëkundur në adhurimin e tij. (Mat. 24:45) Ama, ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të zhvilluar një besim të pathyeshëm te Jehovai.—Lexo Hebrenjve 10:38, 39.

19-20. Në harmoni me 1 Kronikave 28:9, cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes, dhe pse?

19 Ashtu si mbreti Asa, ne duhet ‘të kërkojmë Jehovain’. (2 Kron. 14:4; 15:1, 2) Këtë kërkim e nisim kur mësojmë për Të dhe pagëzohemi. Pas kësaj, shfrytëzojmë çdo mundësi që ta thellojmë dashurinë për Jehovain. Për të kuptuar si po ecim në këtë pikë, mund të pyesim veten: «A i ndjek rregullisht mbledhjet e kongregacionit?» Në mbledhjet që siguron organizata e Jehovait, marrim ushqim që na përtërin forcat dhe inkurajim nga vëllezërit e motrat. (Mat. 11:28) Gjithashtu mund të pyesim veten: «A kam zakone të mira studimi personal?» Për shembull, nëse jetojmë me familjen, a lëmë kohë çdo javë për adhurimin familjar? E nëse jetojmë vetëm, a lëmë kohë për të studiuar njësoj si të ishim pjesë e një familjeje? Veç kësaj mund të pyesim veten: «A po bëj maksimumin në veprën e predikimit?»

20 Pse duhet t’ia bëjmë vetes këto pyetje? Bibla tregon se Jehovai shqyrton mendimet tona dhe atë që kemi në zemër, prandaj edhe ne duhet ta bëjmë këtë. (Lexo 1 Kronikave 28:9.) Nëse dallojmë se është e nevojshme të bëjmë ndryshime te synimet, qëndrimi ose mënyra si mendojmë, duhet t’i kërkojmë ndihmë Jehovait për ta bërë këtë. Sot është koha të përgatitesh për sprovat e së ardhmes. Mos lejo asgjë të të pengojë të veprosh me mençuri në kohë paqeje!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si i përdorën me mençuri periudhat e paqes mbreti Asa dhe të krishterët e shekullit të parë?

  • Si mund ta përdorim me mençuri sot kohën e paqes?

  • Çfarë mund të presim në të ardhmen e afërt?

KËNGA 62 Kënga e re

a A jeton në një vend ku je i lirë të adhurosh Jehovain? Nëse po, si po e përdor këtë periudhë paqeje? Ky artikull do të të ndihmojë të shqyrtosh si mund të imitosh Asën, mbretin e Judës, dhe të krishterët e shekullit të parë. Ata i përdorën me mençuri periudhat e qeta.

b SHPJEGIMI I FJALËS: Fjala hebraike e përkthyer «paqe» nuk nënkupton vetëm mungesën e luftës, por përcjell edhe idenë e shëndetit të mirë, sigurisë dhe mirëqenies.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Mbreti Asa e hoqi nga posti gjyshen e vet, sepse ajo nxiste adhurimin e rremë. Përkrahësit besnikë të Asës ndoqën shembullin e tij dhe shkatërruan idhujt.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift i zellshëm thjeshton jetën që të shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo